1 Priftëritë Levitë, gjithë fara e Leviut, nukë do të kenë piesë as trashëgim bashkë me Israilinë: kanë për të ngrënë dhurëtit’ e Zotit që bënenë prej zjarri, edhe trashëgimin’ e atij. 2 Përandaj nukë do të kenë trashëgim ndë mest të vëllezëret tyre, Zoti është trashëgimi i atyre, sikundrë u tha atyre.
3 Edhe këjo do të jetë paga e priftëret nga gjëndëja që bënjënë kurban, a ka a berr; t’i apënë priftit shpatullënë, edhe nofullatë, edhe plëndësinë. 4 Pemët’ e para të grurit tënt, e të verësë s’ate, e të valit tënt, e leshin’ e parë të dhënet tua, t’ja apsh atij. 5 Sepse atë sgjodhi Zoti Perëndia yt nga gjithë farat’ e tua, që të rrijë përpara, e t’i shërbenjë emërit Zotit, ay edhe të bijt’ e atij për kurdo.
6 Edhe ndë arthtë ndonjë Levit prej ndonjë qyteti së tush, nga ç’do Israil, që rri ndë dhe të huajë, e të vinjë me gjithë mallin’ e shpirtit tij, nd’ atë vënt që të sgjethnjë Zoti, 7 atëherë t’i shërbenjë emërit Zotit Perëndisë tij, posi gjithë Levitëtë të vëllezërit’ e atij, që rrin’ atie përpara Zotit. 8 Të hanë piesatë sinjënjë, përveç asaj që u bie nga të shiturit’ e gjës’ atëret tyre.
9 Si të hynjç nd’ atë dhe që t’ep Zoti Perëndia yt, të mos xësh të bënjç pas të ndyravet atyre kombavet. 10 Të mos gjëndetë te ti (ndonjë njeri), që shkon ndëpër zjarr të birrë a të bilënë, a që shtie shortë, a që njeh që përpara kohëratë, a që shikon të fluturuarëtë, 11 a magjistar, a kënkëtuar, a që flet me djajtë, a që bën çudi, a shortëtar të vdekurish. 12 Sepse gjithë-kush bën këto (ësht’) i ndyrë te Zoti, edhe për punë të këtyre të ndyrave, Zoti Perëndia yt i dëbon ata prej syvet tu. 13 Të jesh i plotë përpara Zotit Perëndisë tënt. 14 Sepse këta komba që do të trashëgojsh, u mbajtnë vesh atyre që njohënë kohëratë që përpara, e shortëtarevet, po Zoti Perëndia yt nukë të la ty (të bëjsh) kështu.
15 Zoti Perëndia yt do të ngrerë një profit nga mezi yt ndër vëllezërit’ e tu, posi unë, t’ i dëgjoni atij; 16 pas gjithë sa kërkove prej Zotit Perëndisë tënt ndë Horeb ndë ditët të përmbëledhëjesë, kur the: Le të mos dëgjonj më zën’ e Zotit Perëndisë t’im, as të mos shoh më këtë zjarr të math, që të mos vdes. 17 Edhe Zoti më tha: Gjithë sa folnë janë të mira. 18 Do t’u ngre atyre një profit nga mezi i të vëllezëret atyre, posi ti, edhe do t’i vë atij ndë golët fialët’ e mia, edhe do t’u flasë atyre gjith’ ato që të urdhëronj unë atë. 19 Edhe ay njeri që të mos u dëgjonjë fialëvet mia, që do të flasë ay mb’ emërit t’im, unë kam për të kërkuarë (këtë) prej atij. 20 Po ay profit që të kuconjë, e të flasë mb’ emërit’ t’im atë fialë që s’e kam urdhëruar’ atë ta flasë, a ay që të flasë mb’ emërit të tierëve perëndirave, ay profit të vritetë. 21 Edhe ndë thënsh ndë zemërët tënde: Qysh do ta njohëm’ atë fialë që nuk’ e ka folë Zoti? 22 Kur të flasë ndonjë profit mb’ emërit të Zotit, edhe të mos dalë fiala, as të mos goditnjë, këjo ësht’ ajo fiala që nuk’ e ka folë Zoti; profiti foli atë me madhështi, të mos kini frikë nga ay.
Levitët
1 «Priftërinjtë levitë, pra, tërë fisi i levitëve, nuk do të kenë pjesë as trashëgimi me Izraelin. Flija e zjarrit për Zotin dhe pjesa e tij do të jenë ushqim për ta. 2 Ata nuk do të kenë asnjë pronë mes vëllezërve. Zoti është trashëgimia e tyre, sikurse u tha.
3 Kjo është pjesa që u përket priftërinjve nga populli, prej flive që kushtohen, qe apo dhen: priftit do t'i jepen shpatulla, nofullat e mullëza. 4 Do t'i japësh frytin tënd të parë të drithit, të verës e të qethjes së dhenve, 5 sepse nga gjithë fiset e tua, Zoti, Perëndia yt, e zgjodhi, që të shërbejë përherë në emër të Zotit, ai e bijtë e tij.
6 Nëse ndonjë levit dëshiron të ikë nga qyteti ku banon në Izrael, për të shkuar në vendin që do të zgjedhë Zoti, të bëjë kështu sa herë që do. 7 Të shërbejë në emër të Zotit, Perëndisë së tij, njësoj si vëllezërit e tij levitë që shërbejnë atje para Zotit. 8 Atij do t'i përkasë e njëjta pjesë e ushqimit, pavarësisht shumës së marrë nga shitja e pasurisë që ka familja e tij.
Veprat e neveritshme
9 Kur të hysh në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, mos i mëso veprat e neveritshme të atyre popujve. 10 Të mos gjendet mes jush askush që kushton në zjarr birin apo bijën e vet, që merret me shorti, që hedh fall, që ndjek ogur, që bën magji, 11 që shiton, që thërret hije e shpirtra e që flet me të vdekurit, 12 sepse të gjitha këto janë të neveritshme për Zotin. Për shkak të këtyre veprave të neveritshme, Zoti, Perëndia yt, po t'i zbon këta popuj. 13 Ji i përsosur me Zotin, Perëndinë tënd. 14 Këta popuj që po pushton dëgjuan falltarë e shortarë, ndërsa ty, Zoti, Perëndia yt, nuk të mësoi kështu.
Profeti
15 Zoti, Perëndia yt, do të nxjerrë nga mesi juaj, nga vëllezërit tuaj, një profet si unë. Atë dëgjoni. 16 Kështu i kërkove Zotit, Perëndisë tënd, në Horeb, ditën kur u mblodhët e thatë: “Nuk dua ta dëgjoj më zërin e Zotit, Perëndisë tim, dhe nuk dua ta shoh më këtë zjarr të madh, që të mos vdes”. 17 Atëherë Zoti më tha: “Mirë thanë. 18 Unë do të nxjerr nga mesi i vëllezërve të tyre një profet si ti. Do t'ia vë fjalët e mia në gojë e ai do t'u thotë çdo gjë që do t'i urdhëroj. 19 Kush nuk i dëgjon fjalët e mia, që ai thotë në emrin tim, do të përballet me mua. 20 Profeti, që guxon të thotë në emrin tim fjalë, që unë nuk i kam urdhëruar të thotë, apo flet në emër të perëndive të tjerë, do të dënohet me vdekje”. 21 Nëse thua me vete: “Si do ta marrim vesh, kur nuk janë fjalët e Zotit?”, 22 atëherë do ta dish se nëse fjalët që thotë profeti në emër të Zotit nuk ndodhin, ato nuk ishin prej Zotit. Profeti ka folur me mendjemadhësi, prandaj mos e ki frikë».