1 Ndë u ngritë ndë mest tënt profit, a (njeri) që njeh ëndërra, edhe të bën shenjë a çudi,
2 edhe të dalë e vërtetë shenja a çudia, që të foli për atë, tuke thënë: Le të vemi prapa perëndirave të tierë që nuk’ i ke diturë, edhe le t’i lusëmë,
3 mos i mbash vesh fialëvet atij profiti, a atij që njeh ëndërra, sepse u provon juve Zoti Perëndia juaj, që ta dijë, ndë doni Zotinë Perëndinë tuaj me gjithë zemërënë tuaj, e me gjithë shpirtinë tuaj. 4 Zotit Perëndisë tuaj i keni për të vaturë pas, edhe atij i kini për të pasurë frikë, edhe kini për të ruajturë porosit’ e atij, edhe kini për të dëgjuarë zën’ e atij, edhe atë keni për të luturë, edhe të ngjiti pas atij. 5 Edhe ay profiti, a ay që njeh ëndërra, të vritetë, sepse tha të ngreni krye kundrë Zotit Perëndisë tuaj, që u nxori nga dheu i Egjyftërisë, edhe u shpërbleu juve nga shtëpia e shërbesësë, që të të nxierrë jasht’ udhësë, që të urdhëroi Zoti Perëndia yt të ecënjç; edhe do të humbaç të keqenë nga mezi yt. 6 Ndë të nguttë fshehurazi yt-vëlla, i biri s’ët-ëmë, a yt-bir, a jot-bilë, a gruaja e gjirit tënt, a miku yt (që është) posi shpirti yt, e të thotë: Le të vemi, e le të lusëmë perëndira të tierë, që s’i ke diturë ti, as atërit’ e tu, 7 (nga perëndirat’ e kombavet, që janë përqark jush, nga të afërmit’ e tu, a nga të largët’ e tu, që nga an’ e dheut, gjer mbë tietrët anë të dheut,)
8 nuk’ i ke për të dëgjuarë, as nuk’ i ke për të mbajturë vesh, as nuk’ e ka për të kursyerë syri yt, as nukë të është për të dhëmburë, as nuk’ e ke për të fshehurë, 9 po ke për të vrar’ atë fare; dora jote do të jet’ e para mbi atë për të vrar’ atë, pastaj dora e gjithë gjëndejesë. 10 Edhe t’e vraç atë me gurë, gjersa të vdesë, sepse deshi të të nxirte jashtë nga udh’ e Zotit Perëndisë tënt, që të nxori nga dheu i Egjyftërisë, nga shtëpia e shërbesësë. 11 Edhe gjith’ Israili kur ta dëgjonjë, do të frikësonetë, edhe nukë do të bënjë më të tillë të keqe ndë mest tënt. 12 Ndë dëgjofsh mbë ndonjë (vënt) nga qytetet’ e tu, që t’ep Zoti Perëndia yt për të ndenjur’ atie, të thonë, (se): 13 Njerës të paudhë duallë nga mezi yt, edhe gënjyenë vëndësit’ e qytetit tyre, e u thanë: Le të vemi, e le të lusëmë perëndira të tierë, që nuk’ i keni diturë,
14 atëherë të vëshgonjç, e të pyeç, e të kërkonjç me kujdes; edhe ndë është puna e vërtetë edhe e plotë, se u bëkej të tillë të ndyrë ndë mest tënt,
15 të vraç me thikë fare vëndësit’ e atij qyteti, të prishç atë me thikë, e gjithë ç’janë nd’ atë, edhe bagëtit’ e atij t’i therç me thikë. 16 Edhe të mbëlethç gjithë plaçkat’ e atij ndë mest të rrugës’ atij, edhe të dieksh me zjarr qytetinë, edhe gjithë plaçkat’ e atij të tëra, për Zotinë Perëndinë tënt; edhe të jetë gërmadhë për gjithë jetënë: s’është për të ndërtuarë më. 17 Edhe të mos të ngjitetë ndë dorët asndonjë gjë e mallëkuarë, që të kthenetë Zoti nga të dhezurit’ e zëmërimit tij, edhe të të dëftonjë përdëllim, e të të dhëmbetë, e të të shtonjë, sikundrë u u përbetua atëret tu, 18 kur t’i dëgjonjç zënë Zotit Perëndisë tënt, e të ruanjç gjithë porosit’ e atij, që po të urdhëronj unë sot, të bëjsh të pëlqyerënë përpara Zotit Perëndisë tënt.
1 «Mbani me kujdes çdo fjalë që po ju urdhëroj. Mos u shtoni e as mos u hiqni gjë. 2 Nëse mes jush del ndonjë profet apo ëndërrimtar e ju premton ndonjë shenjë apo mrekulli, 3 edhe nëse shenja apo mrekullia që ju premton ndodh e ju thotë të ndiqni pas e t'u shërbeni perëndive të tjerë, që nuk i njihni, 4 mos ia dëgjoni fjalën. Zoti, Perëndia juaj, po ju vë në provë për të parë nëse e doni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër e me gjithë shpirt. 5 Ndiqni Zotin, Perëndinë tuaj, e atë druani. Mbajini urdhërimet e tij e zërin e tij dëgjoni. Shërbejini atij e pas tij mbahuni fort.
6 Ai profet apo ëndërrimtar të vritet, sepse ka folur tradhti kundër Zotit, Perëndisë tuaj, për t'ju larguar nga udha që Zoti, Perëndia juaj, i cili ju nxori nga toka e Egjiptit e ju çliroi nga skllavëria, ju urdhëroi të ndiqni. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. 7 Nëse vëllai yt, biri i nënës sate, biri apo bija jote, gruaja jote e shtrenjtë apo shoku yt i ngushtë të shtyjnë t'u shërbesh perëndive të tjerë, që nuk i keni njohur më parë as ti e as etërit e tu, 8 perëndive prej popujve përreth jush, qofshin pranë apo larg teje, qofshin prej njërit apo tjetrit skaj të tokës, 9 mos iu bind e as mos e dëgjo. Mos të të vijë keq për të, mos e kurse e as mos ia mbulo fajin, 10 por vrite menjëherë. Ngrije i pari dorën për ta vrarë e më pas të ngrejë dorë gjithë populli. 11 Vrite me gurë, sepse donte të të largonte nga Zoti, Perëndia yt, që të nxori prej tokës së Egjiptit, prej vendit të skllavërisë.
12 Atëherë i gjithë Izraeli do të dëgjojë për këtë, do të ketë frikë e nuk do të bëjë më një ligësi të tillë. 13 Nëse dëgjon të thuhet në një prej qyteteve që po të jep Zoti, Perëndia yt, për të banuar, 14 se dolën disa ngatërrestarë që i shtynë banorët për t'i shërbyer perëndive të tjerë, që nuk i njihni, 15 atëherë heto, shiko e pyet mirë për këtë. Nëse del e vërtetë dhe e sigurt se një poshtërsi e tillë ka ndodhur mes jush, 16 atëherë shkoi në teh të shpatës banorët e këtij qyteti. Qyteti e gjithçka në të do të ndahet veç, për shkatërrim. Shkoi në teh të shpatës edhe kafshët e qytetit. 17 Mblidhe tërë plaçkën në mes të sheshit e digje me zjarr bashkë me qytetin, si fli shkrumbimi për Zotin, Perëndinë tënd. Qyteti të mbetet gërmadhë e përhershme. Të mos rindërtohet kurrë më. 18 Të mos gjendet në dorën tënde asgjë nga qyteti i ndarë veç, për shkatërrim, që Zoti të zmbrapsë zemërimin e tij, të ketë mëshirë e dhembshuri për ty e të të shumojë siç iu betua etërve të tu. 19 Veç t'i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke mbajtur të gjitha urdhërimet që unë po t'i urdhëroj sot dhe duke bërë çfarë është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë tënd».