1 Nd’ atë kohë Zoti më tha: Gëdhënt për vetëhenë tënde dy rrasa të gurta posi të paratë, edhe ngjitu tek unë ndë malt, edhe bën për vetëhenë tënde një arkë të drujtë. 2 Edhe unë do të shkruanj mbi rrasat ato fialëtë që ishinë ndër rrasat të para, që theve, edhe të vësh ato nd’ arkët.
3 Edhe bëra një arkë prej druje shittimi, edhe gëdhënda dy rrasa të gurta posi të paratë, edhe u ngjita ndë malt tuke mbajturë të dy rrasatë ndër duart të mia. 4 Edhe shkroi mbi rrasat, pas shkronjësë parë, të dhietë fialëtë, që u foli juve Zoti ndë malt, nga mezi i zjarrit, ndë ditët të përmbëledhëjesë; edhe Zoti m’i dha ato. 5 Edhe u kthyesh’ e u ula nga mali, edhe vura rrasatë nd’ arkët që bëra, edhe jan’ atie, sikundrë më urdhëroi Zoti.
6 Edhe të bijt’ e Israilit u ngritnë nga Beeroth-bene-jakani ndë Mosera. Atie vdiq Aaroni, edhe atie u kall ndë verr, edhe priftëroi Eleazari i biri ndë vënt t’atij. 7 Së andejmi u ngritmë ndë Gudgodah, edhe nga Gudgodahu ndë Jotbath, ndë dhet të lumravet ujëravet.
8 Nd’ atë kohë Zoti ndau farën’ e Leviut, që të barte arkën’ e dhiatësë Zotit, të rrinte përpara Zotit për të shërbyer’ atij, edhe të bekonte mb’ emërit t’atij, gjer mbë këtë ditë. 9 Përandaj Levitëtë s’ kanë piesë a trashëgim ndër të vëllezërit, Zoti është trashëgimi i atyre, sikundrë Zoti Perëndia yt u zotua atyre.
10 Edhe unë ndenja ndë malt, posi përpara, dyzet dit e dyzet net, edhe Zoti më dëgjoi edhe këtë herë, edhe Zoti nukë deshi të të shuante. 11 Edhe Zoti më tha: Ngreu, e shko udhësë përpara gjëndëjesë, që të hynjën’ e të trashëgonjën’ atë dhenë që u u përbetuash’ atëret t’ua ap.
12 Edhe tashi, o Israil, ç’kërkon Zoti Perëndia yt prej teje, veçe se t’i kesh frikë Zotit Perëndisë tënt, të eçënjç ndër gjith’ udhët t’atij, të duash atë, edhe të luç Zonë Perëndinë tënt me gjithë zëmërënë tënde, 13 edhe me gjithë shpirtinë tënt, të ruajsh porosit’ e Zotit, edhe urdhërimet’ e atij që po të urdhëronj unë sot për të mirënë tënde? 14 Na (tek janë) të Zotit Perëndisë tënt qielli, edhe qielli i qiejevet, dheu, edhe gjithë ç’ janë nd’ atë. 15 Po Zoti sgjodhi atërit’ e tu, për të dashur’ ata, edhe sgjodhi farën’ e atyreve pas atyreve, juve më tepërë se gjithë gjëndëjetë, sikundrë (është) këtë ditë.
16 Rreth-pritni pra lafshën’ e zëmërësë s’uaj, edhe mos ashpëroni më qafënë tuaj. 17 Sepse Zoti Perëndia yt është Perëndia i perëndivet, edhe Zoti i zotërivet, Perëndi i math, i fortë, edhe i frikëshim, që nukë vështron ndër sy as nukë merr dhuratë. 18 Që i bën gjyqinë të varfërit edhe së vesë, edhe do të huajinë, e i ep të ngrënë e të veshura. 19 Doni pra të huajinë, sepse ju keni qënë të huajë ndë dhet të Egjyftërisë.
20 T’i kesh frikë Zotit Perëndisë tënt, atë të luç edhe të jesh ngjiturë pas atij, edhe të përbetonesh mb’ emërit t’ atij. 21 Ay është mburrimi yt, ay është Perëndia yt, i cili bëri për ty këto (punë) të mëdha e të frikëshime, që panë syt’ e tu. 22 Atërit’ e tu sbritnë nd’ Egjyftëri me shtatë-dhietë shpirtë, edhe tashi Zoti Perëndia yt të bëri posi yjet’ e qiellit ndë shumicë.
Rrasat e gurit
1 «Asokohe, Zoti më tha: “Lato dy rrasa guri si të parat, puno për vete një arkë prej druri e ngjitu tek unë në mal, 2 që të shkruaj në to urdhërimet që ishin në rrasat e para që theve. Ato vendosi në arkë”. 3 Kështu, punova një arkë me dru akacieje, latova dy rrasa guri si të parat e, me to në duar, u ngjita në mal. 4 Atëherë Zoti shkroi në rrasa, si më parë, dhjetë urdhërimet që i tha nga mesi i zjarrit, në mal, në ditën e tubimit e m'i dha mua. 5 Pastaj u ktheva, zbrita nga mali e i vendosa rrasat në arkën që kisha bërë. Ato janë aty ku urdhëroi Zoti.
6 Izraelitët u nisën nga burimet e Bene Jakanit drejt Moserahut. Atje vdiq e u varros Aroni. Në vend të tij u bë prift Eleazari. 7 Prej andej u nisën drejt Gudgodës e prej Gudgodës shkuan në Jotbatah, një toke me përrenj. 8 Asokohe, Zoti e ndau veças fisin e Levit, siç është edhe sot, që të mbajë arkën e besëlidhjes së Zotit, që të qëndrojë para Zotit për t'i shërbyer e për të bekuar në emër të tij. 9 Prandaj, Levi nuk ka pjesë në trashëgiminë e vëllezërve të tij. Zoti është trashëgimia e tij, siç i tha Zoti, Perëndia yt.
10 Unë qëndrova në mal si më parë, dyzet ditë e dyzet net dhe Zoti më dëgjoi edhe kësaj here. Ai nuk deshi t'ju shfaroste. 11 Atëherë Zoti më tha: “Ngrihu e priji popullit, që të shkojnë e të pushtojnë tokën për të cilën iu betova etërve tuaj për t'ua dhënë”.
Thelbi i ligjit
12 Tani, Izrael, Zoti, Perëndia yt, nuk kërkon gjë tjetër prej teje, veç ta druash, të ecësh udhës së tij, ta duash, t'i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt 13 dhe t'i mbash, për të mirën tënde, urdhërimet e Zotit e rregullat që po të urdhëroj unë sot. 14 Ja, Zotit, Perëndisë tënd, i përkasin qielli, skaj më skaj, toka e gjithçka në të. 15 Megjithatë, Zoti pati për zemër dhe deshi vetëm etërit tuaj. Nga mesi i gjithë popujve ai zgjodhi pasardhësit e tyre, siç është edhe sot. 16 Rrethprituni në zemër e mos u tregoni kokëfortë më, 17 se Zoti, Perëndia juaj, është Perëndia i perëndive, Zoti i zotërve, Perëndia i madh, i fuqishëm e i tmerrshëm. Ai nuk mban anë e nuk merr mitë. 18 I jep të drejtën jetimit e të vesë. E do të ardhurin e i jep bukë e rroba. 19 Duajeni të ardhurin, sepse edhe ju ishit të ardhur në tokën e Egjiptit. 20 Druaje Zotin, Perëndinë tënd, e shërbeji. Mbahu fort pas tij e në emrin e tij betohu. 21 Ai është lavdia e Perëndia yt. Ai i bëri për ty këto vepra të mëdha e të mrekullueshme që i ke parë me sytë e tu. 22 Etërit e tu ishin vetëm shtatëdhjetë frymë kur shkuan në Egjipt, ndërsa tani, Zoti, Perëndia yt, të ka shumuar sa yjet e qiellit».