1 Po ti fol sa gjanjënë për mësimin e shëndoshë.
2 - Pleqtë të jenë të esullë, të hieshim, të urtë, të shëndoshë ndë besët, ndë dashurit, ndë durimt.
3 Kështu edhe plakatë të bihenë sikundrë u ka hie shënjtorëvet; mos jenë kallëzimtare, mos jenë dhënë pas verësë shumë, të jenë mësimtare të mira,
4 Që të mësonjënë të ratë të duanë burrat’ e tyre e djemt’ e tyre,
5 Të urta, të qëruara, shtëpiruajtëse, të mira, t’u unjënë kryetë burravet tyre, që të mos vllasfimisetë fiala e Perëndisë.
6 – Kështu porosit edhe të ritë të jenë të urtë
7 - Mbë të gjitha të dëftenjç vetëhenë tënde për formë të punëravet mira, tuke ruajturë ndë mësim paprishëje,
8 Edhe hijeshim, fialë të shëndoshë e të pagjukuarë për të lik, që të ketë turp ay që është kundrë, e të mos ketë asndonjë të ligë të flasë për ju. –
9 Shërbëtorëtë t’u unjënë kryetë zotërinjvet tyre, mbë gjithë punërat të jenë të pëlqyershim, të mos flasënë kundrë;
10 Të mos marrënë gjën' e huajë, po të dëftenjënë gjithë besën’ e mirë, që të stolisënjë ndër gjithë punërat mësimin' e Perëndisë, Shpëtimtarit tënë.
11 Sepse u duk i shpëtuarshimi hir’ i Perëndisë mbë gjithë njerëzitë
12 Që na mëson të mohojmë pabesërinë edhe dëshërimet’ e botësë, e të rrojmë ndë këtë jetë me urtësi e me drejtëri e me besë të mirë,
13 Tuke priturë Shpëresën’ e lumurë, edhe të dukurit’ e lavdisë Perëndisë math edhe Shpëtimtarit tënë Jisu Krishtit;
14 I cili dha vetëhen’ e ti për ne, që të na shpërblenjë prej çdo paudhërie, edhe të na qëronjë për vetëhen’ e ti llaus të sgjedhurë, zemër-përvëluarë për punëra të mira.
15 Këto fol, e porosit, e qërto me çdo farë urdhëri; asndonjë le të mos të hedhë poshtë tyj.
Mësimi i shëndoshë
1 Por ti mësoju të tjerëve ato që përkojnë me mësimin e shëndoshë.
2 Të moshuarit të jenë me mendje të kthjellët, të respektueshëm, të urtë, të fortë në besim, në dashuri e në durim.
3 Po ashtu, edhe të moshuarat të kenë një sjellje prej besimtareje, të mos jenë shpifëse e të mos bëhen skllave të verës së tepërt. Ato t'u mësojnë të rejave të mirën, 4 duke i këshilluar me urti që të duan burrat dhe fëmijët e tyre, 5 të jenë të urta, të dëlira, të zellshme në punët e shtëpisë, të mira, të nënshtruara ndaj burrave të tyre, që të mos shahet fjala e Perëndisë.
6 Po kështu këshillo të rinjtë të jenë të matur 7 për çdo gjë.
Tregoje veten shembull të veprave të mira. Kur u mëson të tjerëve besimin, të jesh i sinqertë e me dinjitet. 8 Përdor fjalët e duhura e që nuk kanë të sharë, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë asgjë të keqe për të thënë kundër nesh.
9 Skllevërit t'u nënshtrohen zotërinjve të tyre në gjithçka, të përpiqen t'u pëlqejnë atyre, të mos ua kthejnë fjalën 10 e të mos i vjedhin, por të tregohen tërësisht të mirëbesueshëm, që mësimi i Perëndisë, shpëtimtarit tonë, të zbukurohet në çdo gjë.
11 Hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq të gjithë njerëzve. 12 Ky hir na mëson të mohojmë jetën e mbrapshtë dhe dëshirat e liga të botës, të jetojmë me maturi, me drejtësi e të jemi të përkushtuar ndaj Perëndisë në këtë jetë, 13 duke pritur shpresën e lume dhe ardhjen e lavdisë së Perëndisë madhështor dhe shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. 14 Ai e dha veten për ne, që të na shpengojë nga çdo paudhësi dhe të na bëjë një popull të pastër për veten e tij dhe të zellshëm për vepra të mira.
15 Këto gjëra thuaju të tjerëve dhe këshillo e qorto me pushtet të plotë. Mos lejo njeri të të përçmojë.