1 Them të vërtetë mbë Krishtinë, nukë gënjenj, (sepse kam ndërgjegjëjen time që martiris bashkë me mua ndë Frymët të Shënjtëruarë),
2 Se kam hidhërim të math edhe të dhëmburë që s’shteretë ndë zëmërë time.
3 Sepse unë vetë donjam të ishnjam i mallëkuarë (ndarë) nga Krishti për vëllezërit’ e mi, që janë nga gjaku im pas mishit;
4 Të cilëtë janë Israilitë, të cilëvet është birëria, edhe lavdia, edhe dhiatatë, edhe e vëna e nomit, edhe lutëja, edhe të zotuaratë;
5 Të cilëvet janë atëritë, edhe prej atyreve lindi Krishti pas mishit, i cili është përmbi të gjitha Perëndi i bekuarë për gjithë jetët. Amin.
6 Po nukë munt të bierë poshtë fiala e Perëndisë. Sepse nukë janë Israilitë gjith’ ata që janë prej kombit Israilit.
7 As sepse janë far’ e Avraamit,janë të gjithë bijt’ e ati ; po “fara jote do të qjuhetë mbë Isaakunë”.
8 Do me thënë, nukë janë bijt’ e Perëndisë këta bijt’ e mishit, po bijt’ e të zotuarit numëronenë për farë.
9 Sepse fiala e të zotuaritështë këjo: “Do të vinj mbë këtë kohë, edhe Sarra do të ketë bir”.
10 Edhe jo vetëmë këjo , po edhe Reveka kur u ngjit me barrë prej një burri , Isaakut atit tënë;
11 (Sepse para se të lindinë dy dielmtë, edhe para se të bëninë ndonjë punë të mirë a të ligë, që të mbesë urdhëri i parë i Perëndisë që është pas të sgjedhurit, jo prej punësh, po prej ati që thërret),
12 Iu tha asaj: “Se i madhi do t’i shërbenjë më të vogëlit.”
13 Sikundrë është shkruarë: “Jakovin’ e desha, po Isafinë e pata mëri”.
14 Ç’do të themi pra? Mos është shtrembëri te Perëndia? Qofë lark.
15 Sepse ay i thotë Mojsiut: “Do të përdëllenj atë që të përdëllenj, edhe do të më dhëmbet’ ay që të më dhëmbetë”.
16 Këjo nuk’ është pra e ati që e do, as e ati që ecën, po e Perëndisë që përdëllen.
17 Sepse shkronja i thotë Faraojt: “Se për këtë punë të ngrita, që të dëftënj fuqinë time te ti, edhe që të rrëfenet’ emëri im mbë gjithë dhenë”.
18 Atë që të dojë pra e përdëllen; edhe atë që të dojë e ashpëron.
19 Do të më thuash pra: Ç’qjahetë më? Cili i doli kundrë dashurimit ati?
20 Po cili je ti, o njeri, që i përgjegje kundrë Perëndisë? Mos do t’i thotë gatesa gatonjësit:
21 Përse më bëre kështu? Apo s’ka pushtet shtëmbari mbi baltënë, që të bënjë prej një brumi një enë për nderë, edhe një tiatër për shpërnderim?
22 Ndë deshi Perëndia të dëftenjë zemëratën’ e ti, edhe të bënjë të njohurë fuqin’ e ti, duroj me shumë zemërë të gjërë enët’ e zemëratësë, që qenë bërë të humburë?
23 Edhe që të bënjë të njohurë pasëjen’ e lavdisë ti mbi enët’ e përdëllimit, që i bëri gati për lavdi,
24 Po edhe neve, që na thirri jo vetëmë prej Judhenjç, po edhe prej kombesh?
25 Sikundrë thotë edhe ndë Osienë: “Do të qjuanj llauzinë tim atë s’është llauzi im, edhe të dashurë, atë që s’ësht’ e dashurë”.
26 “Edhe do të jetë nd’atë vënt, tek u është thënë atyreve: “Nukë jeni ju llauzi im, atie do të qjuhenë të bijt’ e Perëndisë gjallë.”
27 Edhe Isaia bërtet për Israilinë: “Ndë qoftë numëri i të bijvet të Israilit posi rëra e detit, do të shpëtonjën’ ata që mbetenë;
28 Sepse do të mbaronjë e do të shkurtonjë llogari me drejtëri, sepse Zoti do të bënjë llogari të shkurtuarë mbë dhet.”
29 Edhe sikundrë tha që përpara Isaia: “Zoti Savaoth ndë mos kishte lënë farë mbë ne, do të jeshëm bërë posi Sodhomatë, edhe do të jeshëm përgjajturë me Gomorratë”.
30 Ç’do të themi pra? Se ata kombetë që nukë ndoqnë drejtëri, i harrinë drejtërisë, edhe asaj drejtërisë që është nga besa?
31 Po Israili tuke ndiekurë nomin’ e drejtërisë, nuk’ i harriu nomit drejtërisë.
32 Përse? Sepse nuk’ e ndiqte atë pas besësë, po pas punësh nomit.
33 Sepse u penguanë mbë gurë të pengesësë; sikundrë është shkruarë: “Na te vë një gurë pengese ndë Sion, edhe një shkëmp skandhallie, edhe kushdo që i beson ati nukë do të turpëronetë”.
Perëndia zgjedh Izraelin
1 Po ju them të vërtetën dhe kam Krishtin si dëshmitar se nuk gënjej. Për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja ime e udhëhequr nga Shpirti i shenjtë, 2 se kam një pikëllim të madh dhe një dhimbje të pareshtur në zemër. 3 Do të doja të isha unë i mallkuar nga Perëndia dhe i ndarë nga Krishti për hir të vëllezërve të mi sipas mishit. 4 Ata janë izraelitë e të birësuar nga Perëndia. Atyre u janë dhënë lavdia e Perëndisë, besëlidhjet, ligji i Moisiut, shërbesa e adhurimit të Perëndisë dhe premtimet e tij. 5 Ata janë pasardhësit e patriarkëve dhe prej tyre, për nga mishi, rrjedh edhe Krishti, që është mbi të gjithë, Perëndi i bekuar në amshim. Amen!
6 Fjala e Perëndisë nuk ka dështuar, sepse jo të gjithë ata që rrjedhin nga Izraeli janë izraelitë. 7 As ata që rrjedhin nga fara e Abrahamit nuk janë të gjithë bijtë e tij, por pasardhësit e tu do të rrjedhin nga fara e Isakut. 8 Kjo do të thotë se nuk janë bijtë për nga mishi ata që janë bij të Perëndisë, por janë bijtë e premtimit ata që njihen si pasardhës. 9 Sepse kjo është fjala e premtimit: në kohën e duhur do të vij te ti dhe Sara do të bëhet me djalë.
10 Jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga po ky burrë, nga Isaku, ati ynë. 11 Binjakët nuk kishin lindur ende dhe nuk kishin bërë ndonjë të mirë a të keqe kur Perëndia, për të treguar se qëllimi i tij mbështetet vetëm në zgjedhjen e tij, 12 jo te veprat e njeriut, por tek ai që e thërret, i tha Rebekës: më i madhi do t'i shërbejë më të voglit. 13 Sikurse është shkruar:
Jakobin e desha,
por Esaun e urreva.
14 Ç'të themi pra? A është Perëndia i padrejtë? Larg qoftë! 15 Sepse ai i thotë Moisiut:
do të kem mëshirë
për atë që dua të mëshiroj
e do të kem dhembshuri
për atë që dua të kem dhembshuri.
16 Pra, nuk varet as nga vullneti e as nga përpjekjet e njeriut, por nga Perëndia që ka mëshirë. 17 Sepse Shkrimi i thotë faraonit: pikërisht për këtë gjë të kam lartësuar, që të shfaq fuqinë time në ty e që të shpallet emri im në të gjithë tokën. 18 Kështu pra, Perëndia ka mëshirë për atë që do dhe bën kokëfortë atë që do.
Zemërimi dhe mëshira e Perëndisë
19 Por ti do të më thuash: «Pse atëherë Perëndia ende na fajëson? Kush mund t'i bëjë ballë vullnetit të tij?». 20 Po kush je ti, o njeri, që t'i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t'i thotë krijesa krijuesit: «Përse më ke bërë kështu?». 21 A nuk ka të drejtë poçari të bëjë nga e njëjta masë argjile një enë të kushtueshme dhe një tjetër të zakonshme?
22 Megjithëse Perëndia donte të shfaqte zemërimin e tij dhe të bënte të njohur pushtetin e tij, ai u tregua shumë i duruar me enët që e meritonin zemërimin e tij dhe që ishin bërë për t'u shkatërruar. 23 Ai donte edhe t'u bënte të njohur pasuritë e lavdisë së tij atyre të cilëve u tregoi mëshirën e tij dhe që i parapërgatiti për lavdi. 24 Këta jemi ne që na thirri Perëndia, jo vetëm nga judenjtë, por edhe nga kombet. 25 Sikurse thotë te Hosea:
atë që nuk ishte populli im,
do ta quaj populli im;
atë që nuk ishte e dashur,
do ta quaj të dashur.
26 Dhe në vendin ku u qe thënë:
«Ju nuk jeni populli im»,
atje ata do të quhen
bij të Perëndisë së gjallë.
27 Edhe Isaia thërret për Izraelin:
sikur numri i bijve të Izraelit
të jetë si rëra e detit,
vetëm një pjesë e mbetur prej tyre
do të shpëtohet.
28 Sepse Zoti do ta përmbushë fjalën e tij
me shpejtësi mbi tokë.
29 Dhe sikurse kishte parathënë Isaia:
nëse Zoti i ushtrive
nuk do të na linte pasardhës,
do të ishim bërë si Sodoma
e do të ngjanim me Gomorrën.
Izraeli dhe ungjilli
30 Ç'të themi, pra? Kombet që nuk kërkonin të bëheshin të drejtë nga Perëndia, u bënë të drejtë përmes besimit, 31 ndërsa Izraeli që kërkonte një ligj për t'u bërë i drejtë, nuk e përmbushi ligjin. 32 Përse? Sepse donte të bëhej i drejtë jo përmes besimit, por përmes veprave. Kështu u penguan te guri i pengesës. 33 Sikurse është shkruar:
ja, po vë në Sion një gur pengese,
një shkëmb që i rrëzon.
Kushdo që beson në të,
nuk do të turpërohet.