1 Apo nuk’ e dini, o vëllezër (sepse u flas atyre që njohënë nom), se nomi ka pushtet mbë njerinë sa kohë rron?
2 Sepse gruaja e martuar’ është lidhurë nga nomi me burrinë që rron; po ndë vdektë burri, sgjidhetë nga nomi burrit.
3 Kur rron burri pra, ndë u bashkoftë me tiatër burrë, do të jetë kurvë; po ndë vdektë burri, ësht’e liruarë nga nomi, që të mos jetë kurvë, ndë u bashkoftë me tiatër burr.
4 Përandaj, vëllezërit’ e mi, edhe ju jeni të vdekurë te nomi me anët të trupit Krishtit, që të bashkonemi me tiatër, me atë që u ngjall prej së vdekurish, që të bëjmë pemë te Perëndia.
5 Sepse kur jeshëm ndë misht, pësimet’ e fajevet, që ishinë prej nomit, punoninë ndër mishërat tana, që të bëjmë pemë ndë vdekëjet.
6 Po ndashti u sgjithmë nga nomi, passi vdiq ajo gjë që jeshëm pushtuarë; prej asaj që të punojmë pas frymësë re, e jo pas shkronjësë vietërë.
7 Ç’do të themi pra? Nomi është faj? Qoftë lark; po fajinë nuk’ e njoha, vetëmë nga nomi; sepse edhe dëshërimnë nukë do ta njihnjam, ndë mos thoshte nomi: “Mos dëshërojsh”.
8 Edhe faji si mori shkak prej porosisë, bëri tek unë çdo farë dëshërimi; sepse pa nom ësht’ i vdekurë.
9 Edhe unë rronjam një herë pa nom; po kur erdhi porosia, rroji përsëri faji, e unë vdiqa.
10 Edhe ajo porosia që u dha për jetë, ajo u gjënt tek unë për vdekëje.
11 Sepse faji, mori shkak prej porosisë, e më gënjeu, edhe me anë t’ asaj më vrau.
12 Përandaj nomi ësht’ i shënjtëruarë, edhe porosia e shënjtëruar’ edhe e drejtë edhe e mirë.
13 Ajo gjë pra që ësht’ e mirë u bë tek unë vdekëje? Qoftë lark; po faji, që të duketë faj, bëri tek unë vdekëje me anë të gjësë mirë, që të bënetë fort teprë fajtuar faji. me anë të porosisë.
14 Sepse e dimë se nomi ësht’ i frymësë; unë jam i mishtë, shiturë ndënë fajinë.
15 Sepse atë që punonj, nuk’e njoh; sepse nukë punonj atë që dua, po bënj atë që kam mëri.
16 Edhe ndë bëfsha atë që nukë dua, jam me një fialë me nomnë, se ësht’ i mirë.
17 Po ndashti unë nukë bënj më këtë, po ay faji që rri tek unë.
18 Sepse e di, se nukë rri tek unë (dua me thënë ndë misht tim), një gjë e mirë; sepse të dashuritë gjëndetë tek unë, po të punonj të mirënë nuk’ e gjenj.
19 Sepse nukë bënj atë të mirënë që dua, po punonj atë të keqenë që nukë dua.
20 Ndë qoftë se bënj pra atë që nukë dua, nuk’ e punonj unë më atë, po ay faji që rri tek unë.
21 Gjenj pra këtë nom, se kur dua unë të bënj të mirënë, gjëndetë tek un’ e liga.
22 Sepse më ka ënda nomin’ e Perëndisë që është pas njeriut përbrënçim.
23 Po shoh një tiatër nom ndër mishrat’ e mi që lëfton kundrë nomit mëndëjesë sime, edhe më skllavos ndë nomt të fajit që është ndër mishrat’ e mi.
24 Mieri unë njeriu! Kush do të më shpëtonjë nga kyj trup i vdekëjesë?
25 Falem ndersë Perëndisë me anë të Zotit tënë Jisu Krishtit. Unë pra me mënt i shërbenj nomit Perëndisë; po me mishinë i shërbenj nomit fajit.
Krahasimi me martesën
1 O vëllezër, si njerëz që e njihni mirë ligjin, a nuk e dini se ligji sundon mbi njeriun për sa kohë ai është gjallë? 2 Kështu, sipas ligjit gruaja e martuar është e lidhur me burrin për sa kohë ai është gjallë, por nëse burri vdes, ligji i jep asaj lirinë nga burri. 3 Por, nëse ajo bëhet gruaja e një burri tjetër kur e ka burrin ende gjallë, ajo do të quhet grua që ka bërë tradhti bashkëshortore. Nëse burri i saj vdes, ajo është e lirë nga ligji dhe po të martohet me një burrë tjetër, ajo nuk bën tradhti bashkëshortore.
4 Në të njëjtën mënyrë, o vëllezërit e mi, edhe ju keni vdekur për sa i përket ligjit, meqenëse jeni bashkuar me trupin e Krishtit. Kështu, ju i përkisni një tjetri, atij që është ngjallur prej të vdekurve, me qëllim që të japim fryte për Perëndinë. 5 Kur ne jetonim sipas dobësisë njerëzore, dëshirat mëkatare, të nxitura përmes ligjit, vepronin në gjymtyrët tona dhe ne jepnim fryte që të çojnë në vdekje. 6 Por tani jemi të lirë për sa i përket ligjit, sepse kemi vdekur ndaj atij që na mbante lidhur. Kështu, i shërbejmë Perëndisë në risinë e Shpirtit dhe jo sipas mënyrës së vjetër të shkronjës.
Mëkati brenda nesh
7 Ç'të themi, pra? A është ligji mëkat? Larg qoftë! Mirëpo nëse nuk do të ishte ligji, unë nuk do ta kisha njohur mëkatin. Unë nuk do ta kisha njohur lakminë nëse ligji nuk do të thoshte: mos lakmo! 8 Por duke marrë shkas prej urdhërimit, mëkati bëri që të lindin brenda meje gjithfarë lakmish. Pa ligj, mëkati është i vdekur. 9 Dikur unë jetoja pa ligjin, por kur u dha urdhërimi i këtij ligji, mëkati mori jetë 10 dhe unë vdiqa. Kështu urdhërimi që duhej të më çonte në jetë më çoi drejt vdekjes. 11 Sepse mëkati, duke marrë shkas prej urdhërimit, më mashtroi dhe përmes tij më vrau. 12 Mirëpo ligji është i shenjtë dhe urdhërimi është i shenjtë, i drejtë e i mirë.
13 Mos vallë e mira u bë shkak për vdekjen time? Larg qoftë! Vdekjen ma solli mëkati duke përdorur të mirën. Kështu, mëkati e tregoi qartë natyrën e tij të vërtetë dhe përmes urdhërimit u bë mëkat edhe më i rëndë. 14 Ne e dimë se ligji është shpirtëror, ndërsa unë kam dobësinë e trupit dhe jam i shitur si skllav te mëkati. 15 Nuk di çfarë bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej. 16 Nëse bëj atë që nuk dua, pranoj se ligji është i mirë. 17 Tani nuk jam më unë që veproj kështu, por mëkati që banon brenda meje.
18 Unë e di se e mira nuk banon brenda meje, domethënë në dobësinë time njerëzore. Unë dua të bëj të mirën, por nuk mundem. 19 Sepse nuk bëj të mirën që dua, por bëj të keqen që nuk dua. 20 Por nëse bëj atë që nuk dua, nuk veproj më unë, por mëkati që banon në mua.
21 Kështu kam zbuluar parimin sipas të cilit sa herë që dua të bëj të mirën, brenda meje gjej vetëm aftësinë për të bërë të keqen. 22 Në të vërtetë, thellë brenda meje unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë, 23 por shoh në gjymtyrët e mia një ligj tjetër, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe më bën rob të ligjit të mëkatit, që gjendet në gjymtyrët e mia. 24 Sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup që po më tërheq drejt vdekjes? 25 I qofshim falë Perëndisë përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë.
Kështu pra, me mendje i shërbej ligjit të Perëndisë, por me trup i shërbej ligjit të mëkatit.