1 Pavli, shërbëtori i Jisu Krishtit, thërritur’ apostol, ndarë mbënjanë për ungjillin’ e Perëndisë,
2 (që pat zotuarë përpara me anë të profitëvet të ti, ndë shkronja të shënjtëruara),
3 Për të Birin’ e ti, Jisu Krishtinë Zotinë tënë, që lindi nga far’ e Dhavidhit pas mishit,
4 Edhe u dëftye Bir Perëndie me fuqi, pas frymësë shënjtërisë, nga të ngjalluritë prej së vdekurish;
5 Me anë t’ ati muarëm hir e apostoli, që t’i dëgjonjënë besësë gjithë kombetë, për emërin’ e ati;
6 Ndër mest atyreve jeni edhe ju, thërriturë prej Jisu Krishtit.
7 — Mbë gjith’ ata që janë ndë Romë, të dashurit e Perëndisë, thërriturë shënjtorë, hir qoftë mbë ju edhe paqtim prej Perëndisë Atit tënë, edhe prej Zotit Jisu Krisht.
8 Më përpara i falem ndersë Perëndisë tim me anë të Jisu Krishtit për gjithë ju, sepse besa juaj zihetë n’gojë mbë gjithë botënë;
9 Sepse Perëndia është martiri im, të cilit un’ i shërbenj me shpirtinë tim ndë ungjill të Birit ati, se u përment juve pa pushuarë,
10 Tuke luturë përhera ndë të falurat e mia, që të dojë Perëndia ndonjë herë të ma bënjë mbarë udhënë të vinj te ju.
11 Sepse kam shumë mall t’u shoh juve, që t’u ap ndonjë dhurëti shpirtërie që të forcohi.
12 Edhe këjo është të ngushullonem bashkë me ju me anë të besësë tuaj edhe simesë, që kemi njëri me tiatërinë.
13 Edhe dua që ta dini, o vëllezër, se shumë herë e vura ndër mënt të vinj te ju (po u ndaluaç gjer ndashti), që të kem ndonjë pemë edhe ndë mest juve, sikundrë edhe ndërmest kombevet tierë.
14 Unë jam detuar te Ellinët’ e te Varvarëtë, te të diturit’ e te të padituritë.
15 Kështu, sa prej meje, jam gati të leçis ungjillin’ edhe ndër ju që jeni ndë Romë.
16 Sepse nukë kam turp për ungjillin’ (e Krishtit); sepse është fuqi Perëndie për shpëtim mbë cilinëdo që beson, mbë Judhenë më përpara, edhe mbë Ellininë,
17 Sepse me anë t’ati ungjillit sbulonetë drejtëria e Perëndisë prej bese mbë besë, sikundrë është shkruarë: “Edhe i drejti do të rronjë prej besësë.”
18 Sepse zëmëratë Perëndie sbulonetë nga qielli mbi çdo pabesëri e paudhëri njerëzish, që pëmbanjënë të vërtetënë ndë paudhëri.
19 Sepse atë që munt të njohë njeriu për Perëndinë, është shpërfaqurë tek ata; sepse Perëndia ua shpërfaqi atë atyreve.
20 Sepse ato punët e padukura t’ ati, edhe fuqia e ati e pasosura edhe hieria, që kur se u bë bota shihenë këthiellëtë tuke marrë me mënt prej atyre punëvet që janë bërë, që të mos muntnjën’ ata t’ apënë fialë.
21 Sepse ndonëse njohnë Perëndinë, nuk’ e lavduanë si Perëndi, as nuk’ iu falnë ndersë; po u bënë të kotë ndër mendimet të tyre, edhe e marra zëmër’ e atyreve u errësua,
22 Tuke thënë, se janë të mënçim, u marruanë.
23 Edhe ndërruanë lavdin’ e të pavdierit Perëndi me shëmbëllesë ikone njeriu që vdiretë, e shpesësh, e shtësësh katrëkëmbëjesh, e shtërpinjç.
24 Përandaj edhe Perëndia i la ata ndë ndyrësirë me anë të dëshërimevet zëmravet atyre, që të fulliqenë trupat’ e atyreve ndërmest vetëhesë tyre.
25 Të cilëtë ndërruanë të vërtetën’ e Perëndisë me gënjeshtrënë, edhe nderuan’ e lutnë ndërtesënë me tepër se atë që e ndërtoj, i cili ësht’ i bekuarë për gjithë jetët. Amin.
26 Përandaj Perëndia i la ata ndër pësime fulliqërie; sepse edhe femërat’ e atyre ndërruanë zakonin që është pas fisit me atë që është kundrë fisit.
27 Kështu edhe meshkujtë lanë zakoninë që është pas fisit femërësë, e u ndoqnë ndë dëshërim të vetëhesë tyre njëri me tiatrinë, tuke punuarë shumtimnë meshkuj mbë meshkuj, e tuke marrë pagën’ e kobimit tyre, që gjante për vetëhen’ e tyre.
28 Edhe sikundrë nukë deshnë të njohënë Perëndinë, Perëndia i la ata ndë një mëndëje të paprovuarë, që të bënjën’ ato që nukë gjajënë.
29 Sepse janë plot me çdo farë shtrëmbërie, kurvërie, të lige, lakëmimi, të keqeje; mbushurë me cmir, me vrasëje, me qartë, me kobim, me mësim të keq.
30 Asish që pishtëllonjënë, asish që përflasënë, asish që i kanë mëri Perëndinë, asish që shanjënënë, madhështorë, kryelartë, asish që çpifinë të këqia, të padëgjuarshim te përintë,
31 Të marrë, asish që s’mbanjënë fialë, të padhëmburë, të papajtuarshim, të papërdëllyershim;
32 Të cilëtë, ndonëse njohënë drejtërin’ e Perëndisë, se ata që punonjënë të tillash punëra vëjenjënë për vdekëje, jo vetëm’ i bënjën’ ato, po edhe u pëlqenjën’ atyre ata që punonjën’ ato.
Përshëndetje
1 Unë, Pali, jam shërbëtor i Krishtit Jezu dhe Perëndia më ka thirrur për të qenë apostull e më ka ndarë veç për të predikuar ungjillin e Perëndisë. 2 Ky ungjill, që Perëndia e premtoi që më parë përmes profetëve të tij në Shkrimet e shenjta, 3 flet për Birin e tij, Zotin tonë Jezu Krisht. Për nga mishi, ai është pasardhës i Davidit, 4 ndërsa me fuqinë e Shpirtit që shenjtëron, ai u dëftua Bir i Perëndisë kur u ngjall prej të vdekurve.
5 Përmes tij Perëndia na ka dhënë hirin për të qenë apostuj, që të çojmë gjithë kombet drejt bindjes ndaj ungjillit dhe besimit në Krishtin, për lavdi të emrit të tij. 6 Ndër këto kombe bëni pjesë edhe ju, sepse u thirrët nga Jezu Krishti.
7 Po ju shkruaj të gjithëve ju në Romë që Perëndia ju do e ju ka thirrur për të qenë të shenjtë: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!
8 Së pari, e falënderoj Perëndinë tim përmes Jezu Krishtit për ju të gjithë, sepse besimi juaj po bëhet i njohur në tërë botën. 9 Perëndia, të cilit i shërbej me gjithë shpirt në predikimin e ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im se ju kujtoj pa pushim 10 në lutjet e mia, gjithmonë. I kërkoj Perëndisë, që, nëse është vullneti i tij, të mund të vij te ju më në fund. 11 Kam shumë dëshirë t'ju shoh për t'ju dhënë ndonjë dhunti shpirtërore, që të forcoheni 12 dhe kështu të ngushëllohemi së bashku përmes besimit të njëri-tjetrit, besimit tuaj dhe besimit tim.
13 Dua ta dini, o vëllezër, se shumë herë kam pasur ndër mend të vij te ju, që vepra ime të kishte fryt edhe te ju si te kombet e tjera, por kam qenë i penguar deri tani. 14 Unë u detyrohem edhe helenëve, edhe barbarëve, edhe të diturve, edhe të paditurve. 15 Prandaj, për sa më takon mua, jam i gatshëm t'jua shpall ungjillin edhe juve që jeni në Romë.
Fuqia e ungjillit
16 Unë nuk kam turp për ungjillin, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që besojnë, për judeun së pari, si dhe për helenin. 17 Në ungjill zbulohet se Perëndia i bën njerëzit të drejtë përmes besimit të plotë , sikurse është shkruar: i drejti do të jetojë prej besimit.
Faji i njerëzimit
18 Zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli kundër çdo mosbesimi e padrejtësie të njerëzve që me padrejtësi i zënë frymën së vërtetës. 19 Perëndia është i zemëruar me ta për shkak se gjithçka që mund të njihet për të është e dukshme, sepse vetë Perëndia ua ka bërë të dukshme atyre. 20 Që nga krijimi i botës cilësitë e padukshme të Perëndisë, fuqia e tij e përjetshme dhe natyra e tij hyjnore kuptohen dhe duken qartë prej gjërave që ka bërë. Prandaj ata nuk mund të kenë asnjë shfajësim. 21 Sepse, ndonëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan dhe nuk e falënderuan si Perëndi, por u marrosën në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre e pandjeshme u errësua. 22 Duke e mbajtur veten për të ditur, u bënë të marrë 23 dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me njeriun e vdekshëm, me shpendët, me katërkëmbëshat e me rrëshqanorët.
24 Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshet e ndyra të zemrave të tyre, që të çnderojnë trupat e njëri-tjetrit. 25 Ata e shndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të krijuesit që është i bekuar përjetë. Amen!
26 Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshe të turpshme. Gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet e natyrshme në marrëdhënie kundër natyrës. 27 Po ashtu edhe burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gratë, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin. Burra kryen vepra të pahijshme me burra, duke marrë mbi vete shpagimin e duhur për fajin e tyre.
28 Meqenëse ata nuk pranuan ta njihnin Perëndinë, ai i dorëzoi në një mendje të çoroditur për të bërë gjëra që nuk duhen bërë. 29 Ata janë plot me padrejtësi, keqdashje , lakmi, ligësi, plot smirë, vrasje, grindje, dredhi dhe poshtërsi. Ata janë përgojues, 30 shpifës, armiq të Perëndisë, të pacipë, fodullë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve, 31 të pamend, të pabesë, pa dashuri e të pamëshirshëm. 32 Ata e njohin urdhërimin e Perëndisë që thotë se kush bën gjëra të tilla, meriton të vdesë. Megjithatë, ata jo vetëm i bëjnë këto, por edhe miratojnë të tjerët që i bëjnë.