1 Edhe kur hapi të shtattënë vulë, u bë pushim ndë qiell sindo një gjysëm ore.
2 Edhe pashë të shtatë ëngjëjtë, të cilëtë rrininë përpara Perëndisë, edhe u dhanë atyreve shtatë trumbeta.
3 Edhe erdhi një tiatër’ ëngjëll, edhe qëndroj mbi theroret, e mbante një tymtar t’ artë; edhe iu dhanë ati shumë qemëra, që t’i bierë bashkë me të falurat’ e gjithë shënjtorëvet mbë theroren’ e artë që është përpara fronit.
4 Edhe hipi tymi i qemëravet me të falurat’ e shënjtorëvet prej dorës’ ëngjëllit përpara Perëndisë.
5 Edhe ëngjëlli mori tymtarinë, edhe e mbushi nga ziarri theroresë, edhe e hodhi mbë dhet; edhe u bënë zëra e bumbullima e vetëtima e tërmet.
6 Edhe të shtatë ëngjëjtë që kishinë të shtatë trumbetatë u bënë gati që t’u bienë trumbetavet.
7 Edhe ëngjëlli i parë i ra trumbetësë; edhe u bë breshër e ziarr përzierë me gjak, edhe u hothnë mbë dhet; edhe e treta e drurëvet u doq; edhe çdo bar i ngjomë u doq.
8 Edhe ëngjëlli i dytë i ra trumbetësë, edhe posi një mal i math diegurë me ziarr u hoth ndë det.
9 Edhe e treta e detit u bë gjak; edhe vdiq e treta e kriesavet gjalla që ishinë ndë det; edhe e treta e lundravet u prish.
10 Edhe i treti ëngjëll i ra trumbetësë, edhe ra nga qielli një yll i math që digjej si llambadhe, edhe ra mbi të tretën’ e lumravet, edhe mbi kronet të ujëravet.
11 Edhe emëri i yllit thuhet’ Apsinth; edhe e treta e ujëravet u bë apsinth, edhe shumë njerës vdiqnë nga ujëratë, sepse u hidhëruanë.
12 Edhe ëngjëlli i katrëtë i ra trumbetësë, edhe u plagos e treta e diellit, edhe e treta e hënësë, edhe e treta e yjevet, që të errësonet’ e treta e atyreve, edhe dita të mos ndritnjë të tretën’ e saj, edhe nata po kështu.
13 Edhe pashë, edhe dëgjova një ëngjëll tuke fluturuarë ndë mes të qiellit, që thoshte me zë të math: “Mjer, mjer, mjer ata që rrinë mbë dhet, për zërat’ e tierë të trumbetësë të tre ëngjëjvet që do t’u bienë trumbetavet.”
Vula e shtatë
1 Kur Qengji theu vulën e shtatë, në qiell u bë heshtje për rreth gjysmë ore. 2 Pastaj pashë shtatë engjëjt që qëndronin para Perëndisë. Atyre iu dhanë shtatë trumbeta.
3 Erdhi edhe një engjëll tjetër dhe qëndroi para altarit duke mbajtur një temjanicë të artë. Atij iu dha shumë temjan, që ta kushtonte bashkë me lutjet e të gjithë të shenjtëve mbi altarin e artë që ndodhet përballë fronit. 4 Nga dora e engjëllit u ngjit drejt Perëndisë tymi i temjanit bashkë me lutjet e të shenjtëve.
5 Pastaj engjëlli mori temjanicën, e mbushi me zjarr nga altari dhe e hodhi mbi tokë. Atëherë shpërthyen bubullima, zëra, vetëtima e tërmete.
Trumbetat
6 Shtatë engjëjt, që mbanin shtatë trumbetat, i bënë gati për t'u rënë.
7 I ra trumbetës engjëlli i parë. Atëherë shpërtheu breshër e zjarr përzier me gjak e u lëshua mbi tokë. Një e treta e tokës u dogj bashkë me një të tretën e pemëve dhe me gjithë barin e gjelbër.
8 I ra trumbetës engjëlli i dytë. Atëherë diçka si shkëmb i madh që digjej zjarr u lëshua në det. Një e treta e detit u bë gjak, 9 një e treta e gjallesave të detit ngordhi dhe një e treta e anijeve u shkatërrua.
10 I ra trumbetës engjëlli i tretë. Atëherë një yll i madh që digjej si pishtar, ra nga qielli mbi një të tretën e lumenjve dhe mbi burimet e ujërave. 11 Emri i yllit ishte Pelin. Një e treta e ujërave u bë e hidhur si pelini dhe shumë njerëz vdiqën nga ujërat e hidhur.
12 I ra trumbetës engjëlli i katërt. Atëherë u godit një e treta e diellit, një e treta e hënës dhe një e treta e yjeve, që të errësohej një e treta e tyre. Kështu dita humbi një të tretën e ndriçimit, po ashtu edhe nata.
13 Pastaj pashë dhe dëgjova një shqiponjë që fluturonte në mes të qiellit duke thirrur me zë të lartë: «Mjerë! Mjerë! Mjerë banorët e tokës, kur të dëgjojnë tingullin e trumbetave të tjera, të cilave do t'u bien tre engjëjt!».