1 Edhe pashë mbë të diathtët ati që ishte ndenjurë mbë front një vivli shkruarë përbrënda e përjashta, vulosurë me shtatë vula.
2 Edhe pashë një ëngjëll të fortë tuke leçiturë me zë të math: “Cili ësht’ i zoti të hapë vivlinë, edhe të sgidhë vulat’ e asaj?”
3 Edhe asndonjë nukë munte ndë qiell, as as mbë dhet, as ndënë dhet, të hapë vivlinë, as ta shohë.
4 Edhe unë klanjam shumë, sepse asndonjë nuk’ u gjënt i zoti të hapë (e të këndonjë) vivlinë, as ta shohë.
5 Edhe një nga pleqtë më thotë: “Mos klaj; ja te mundi leoni që është prej farësë Judhësë, rrënja e Dhavidhit, të hapë vivlinë, edhe të sgjidhë të shtatë vulat’ e asaj.”
6 Edhe pashë, edhe ja ndë mes të fronit edhe të katrë shtësëvet, edhe ndë mes të pleqvet një Qënq që po rrinte posi i therurë, edhe kishte shtatë brirë, edhe shtatë sy, të cilatë janë të shtatë frymat’ e Perëndisë që janë dëshmuarë ndëpër gjithë dhenë.
7 Edhe erdhi e mori vivlinë prej së diathtash’ ati që ishte ndenjurë mbi front.
8 Edhe kur mori vivlinë, të katrë shtësët edhe të njëzet e katrë pleqtë ranë përpara Qëngjit, që kishinë gjithësecili qithara e kupa t’arta mbushurë me qemëra, të cilëtë janë të falurat’ e shënjtorëvet.
9 Edhe këndonjinë një kënkë të re, tuke thënë: “I vëlyerë je të marrç vivlinë, edhe të hapç vulat’ e asaj; sepse u there, edhe na shpërbleve te Perëndia me gjakunë tënt, prej çdo fare e gluhe e llauzi e kombi.
10 Edhe na bëre mbëretër e priftërë te Perëndia ynë; edhe do të mbëretërojmë mbi dhet.
11 Edhe pashë, edhe dëgjova një zë shumë ëngjëjsh përqark fronit edhe shtësëvet edhe pleqvet; edhe numëri atyreve ishte me milëra milërash, e me dhietë milëra dhietë milërash,
12 Që thoshinë me zë të math: “I vëlyer’ është Qëngji i therurë të marrë fuqin’ e pasëjen’ e diturin’ e forcën’ e nderin’ e lavdin’ e bekimnë.” —
13 Edhe çdo kriesë që është ndë qiell, e mbë dhet, e ndënë dhet, e sa janë ndë det, edhe gjithë ato që janë nd’ ata, dëgjova që thoshinë: “Mb’atë që është ndenjurë mbë front edhe mbë Qëngjinë qoftë bekimi e nderi e lavdia e pushteti ndë jetët të jetëvet.”
14 Edhe të katrë shtësëtë thoshinë: Amin; (edhe të njëzet e katrë) pleqtë ranë edhe u falnë (ati që rron ndë jetët të jetëvet).
Libri dhe Qengji
1 Në të djathtë të atij që rrinte ulur në fron pashë një libër të shkruar në të dyja anët , të vulosur me shtatë vula. 2 Pashë edhe një engjëll të fuqishëm që shpallte me zë të lartë: «Kush është i denjë të thyejë shtatë vulat e të hapë librin?». 3 Por, askush, as në qiell, as mbi tokë, as nën tokë, nuk mund ta hapte librin e ta shihte atë.
4 Atëherë unë fillova të qaj shumë, ngaqë nuk u gjet askush i denjë për ta hapur librin dhe për ta parë atë. 5 Një nga pleqtë më tha: «Mos qaj! Ja! Luani nga fisi i Judës, rrënja e Davidit, ngadhënjeu dhe mund t'i thyejë të shtatë vulat e ta hapë librin».
6 Pastaj, pashë një qengj që qëndronte në mes të fronit, të katër gjallesave e pleqve. Ai dukej si i therur dhe kishte shtatë brirë e shtatë sy, që janë shtatë shpirtrat e Perëndisë, të dërguara në të gjithë dheun.
7 Ai shkoi e mori librin nga dora e djathtë e atij që rrinte ulur në fron. 8 Kur Qengji mori librin, katër gjallesat dhe njëzet e katër pleqtë ranë përmbys para tij. Secili kishte nga një harpë dhe kupa të arta të mbushura me temjan që janë lutjet e të shenjtëve. 9 Ata këndonin një këngë të re e thoshin:
«I denjë je për të marrë librin
dhe për të thyer vulat e tij,
sepse u there e me gjakun tënd ke blerë për Perëndinë
njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull e komb.
10 I bëre mbretër e priftërinj për Perëndinë tonë
dhe ata do të mbretërojnë mbi dhe».
11 Pastaj pashë përsëri dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve që kishin rrethuar fronin, gjallesat dhe pleqtë. Numri i tyre ishte me mijëra, me dhjetëra mijëra. 12 Ata thoshin me zë të lartë:
«I denjë është Qengji i therur
për të marrë pushtetin,
pasurinë, urtinë, fuqinë,
nderin, lavdinë e bekimin».
13 Pastaj dëgjova çdo krijesë në qiell, mbi tokë, nën tokë, në det, gjithë krijesat e gjithësisë, që thoshin:
«Atij, që rri ulur në fron, dhe Qengjit
u qoftë bekimi, nderi, lavdia e pushteti,
në shekuj të shekujve».
14 Katër gjallesat thanë: «Amen!», ndërsa pleqtë ranë përmbys dhe adhuruan .