1 Edhe ndënja mbi rërët të detit; edhe pashë një bishë që dilte nga deti, që kishte shtatë krerë, e dhietë brirë; edhe mbi brirët t’asaj dhietë kurora, edhe mbë krerët t’asaj një emër vllasfimie.
2 Edhe ajo bisha që pashë shëmbëllente posi pardhall, edhe këmbët’ e asaj posi të ariut, edhe goj’ e asaj posi gojë leoni; edhe drangoj i dha asaj fuqin’ e ti, edhe fronin’ e ti, edhe pushtet të math.
3 Edhe (pashë) një nga krerët’ e asaj posi të plagosurë për vdekëje; edhe plaga e vdekëjes’ asaj u shërua, edhe gjithë dheu u çudit prapa bishësë.
4 Edhe iu falnë drangojt që i dha pushtet bishësë, edhe iu falnë bishësë, tuke thënë: “Kush i gjan bishësë? Kush munt të lëftonjë me atë?”
5 Edhe iu dha asaj gojë që flet fialë të mëdha edhe vllasfimia, edhe iu dha asaj pushtet të bënjë luftë dyzet e dy muaj.
6 Edhe hapi gojën’ e saj mbë vllasfimi kundrë Perëndisë, të vlasfimisnjë emërin’ e ati, edhe tendën’ e ati, edhe ata që rrinë ndë qiellt.
7 Edhe iu dha asaj të bënjë luftë me shënjtorëtë, edhe t’i muntnjë; edhe iu dha asaj fuqi përmbi çdo farë e gluhë e komp.
8 Edhe do t’i falen’ asaj gjith’ ata që rrinë mbi dhet, të cilëvet nukë janë shkruar’ emëratë ndë vivli të jetësë të Qëngjit therurë që kur se është ngrehurë bota. –
9 – Kush të ketë ketë vesh le të dëgjonjë.
10 - Kush të bierë tiatrinë ndë skllavëri, edhe ay vetë ndë skllavëri; kush të vrasë me thikë, edhe duhetë ay të vritetë me thikë. Këtu është durimi edhe besa e shënjtorëvet.
11 Edhe pashë një tietërë bishë që dilte nga dheu, edhe kishte dy brirë që shëmbëlleninë posi të qëngjit, edhe fliste si drangua.
12 Edhe bënte gjithë pushtetin’ e bishësë parë përpara asaj; edhe bënte dhenë edhe ata që rrinë mb’ atë që t’i falenë bishësë parë, të cilësë iu shërua plaga e vdekëjes’ asaj.
13 Edhe bënte shenje të mëdha, kaqë sa bënte të sbresë ziarr nga qielli mbi dhet përpara njerëzet.
14 Edhe kubonte ata që rrininë mbi dhet, për ato shenjetë që iu dhanë asaj të bënjë përpara bishësë, e u thoshte atyreve që rrininë mbi dhet t’i bënjën’ ikonë bishësë që kishte plagën’ e thikësë, edhe rroj.
15 Edhe iu dha asaj t’i apë frymë ikonësë bishësë, kaqë sa të flasë edhe ikona e bishësë, edhe të bënjë që të vriten’ ata që të mos i falen’ ikonësë bishësë.
16 Edhe bënte të gjithë, të vogjël e të mëdhenj, edhe të pasurit’ edhe të vobegjëtë, edhe të lirët’ edhe shërbëtorëtë, që të marrënë shenjë mbë dorën’ e djathtë të tyre, a mbë ballërat të tyre;
17 Edhe që të mos muntnjë ndonjë të blejë a të shesnjë, veç ati që ka shenjën’ a emërin’ e bishësë, a numërin’ e emërit asaj.
18 Këtu është dituria; ay që ka mëndëjenë, le të numëronjë numërin’ e bishësë; sepse është numër njeriu, edhe numëri i ati është gjashtë qint e gjashtë-dhiet’ e gjashtë.
Dy bishat
1 Pastaj pashë një bishë që doli nga deti. Bisha kishte dhjetë brirë dhe shtatë kokë. Mbi brirë kishte dhjetë kurora të vogla, ndërsa mbi koka kishte emra fyes. 2 Bisha që pashë ngjante me një leopard. Këmbët i kishte si të ariut, ndërsa gojën si të luanit. Dragoi i dha bishës fuqinë, fronin dhe pushtetin e tij të madh. 3 Njëra nga kokat e saj dukej si e plagosur për vdekje, por plaga vdekjeprurëse u shërua. Atëherë të gjithë njerëzit e tokës u mrekulluan pas bishës 4 dhe adhuruan dragoin që i kishte dhënë pushtetin bishës. Adhuruan edhe bishën e thanë: «Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë kundër saj?».
5 Bishës iu dha një gojë për të thënë fjalë të mëdha fyese dhe ky pushtet iu dha për dyzet e dy muaj. 6 Atëherë ajo hapi gojën për të fyer Perëndinë, emrin e tij, banesën e tij, si dhe të gjithë ata që banojnë në qiell. 7 Asaj iu dha pushteti të luftojë kundër të shenjtëve dhe t'i mundë ata. Iu dha pushteti edhe mbi çdo fis, popull, gjuhë e komb. 8 Bishën do ta adhurojnë të gjithë banorët e tokës, të cilët që nga krijimi i botës nuk e kanë emrin të shkruar në librin e jetës që i përket Qengjit të therur.
9 Kush ka veshë le të dëgjojë:
10 kush është për t'u zënë rob,
rob do të zihet.
Kush është për t'u vrarë me shpatë,
nga shpata do të vritet.
Këtu do të duket durimi dhe besimi i të shenjtëve.
11 Pastaj pashë një bishë tjetër që doli nga toka. Bisha kishte dy brirë si brirë qengji dhe fliste si dragua. 12 Ajo ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë para syve të saj dhe detyronte tokën me gjithë banorët e saj të adhuronin bishën e parë, së cilës i qe shëruar plaga vdekjeprurëse. 13 Bisha tjetër bënte shenja të mëdha, sa edhe e bënte zjarrin të zbriste nga qielli në tokë para njerëzve.
14 Ajo mashtronte banorët e tokës me shenjat për të cilat i ishte dhënë pushteti të bënte para syve të bishës së parë. Ajo u tha banorëve të tokës t'i bënin një shëmbëlltyrë bishës që jetonte ende, megjithëse ishte e plagosur nga shpata. 15 Asaj iu dha fuqi për t'i dhënë shpirt shëmbëlltyrës së bishës, që shëmbëlltyra të fliste dhe t'i bënte të vriteshin të gjithë ata që nuk e adhuronin. 16 Bisha i detyroi të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, të lirë e skllevër, të merrnin një damkë në dorën e djathtë dhe në ballë. 17 Askush nuk mund të blinte apo të shiste pa pasur damkën me emrin e bishës apo me numrin e emrit të saj.
18 Këtu duhet urti! Kush ka mend, le ta përllogarisë numrin e bishës, sepse ai është numër njeriu. Numri i saj është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.