1 Edhe u thosh atyre: “Me të vërtetë po u thom juve, se janë dica prej këtyre që rrinë këtu, që nukë do të ngjëronenë vdekëje, gjersa të shohënë mbëretërin’ e Perëndisë ardhurë me fuqi.”
2 Edhe pas gjashtë diç Jisuj merr me vetëhe Pietrin’ e Jakovin’ e Joanninë, edhe i hipën vetëmë mbë një mal të lartë veçanë; edhe ndërroj fytyrënë përpara atyre.
3 Edhe rrobet’ e ati u bënë të shkëlqyera e fort të bardha posi bora, kështu që as ay që sbardh rrobetë mbi dhet s’munt t’i sbardhë.
4 Edhe u duk atyre Ilia bashkë me Mojsinë; edhe ishinë tuke folurë bashkë me Jisunë.
5 Edhe Pietri u përgjeq e i tha Jisujt: “Ravvi, mir’ është të jemi ne këtu; edhe le të bëjmë tri tenda, një për tyj, edhe një për Mojsinë, edhe një për Ilinë.”
6 Sepse s’dinte se ç’të flasë; sepse ishinë tremburë.
7 Edhe i mbuloj një re, edhe erdhi një zë prej resë, tuke thënë: “Kyj është biri im i dashuri, ati i dëgjoni.”
8 — Edhe befas kur vunë re përqark, s’panë më asndonjë, po Jisunë vetëmë bashkë me ata.
9 Edhe ata tuke sbriturë nga mali, i porositi mos i tregojën’ asndonjërit sa panë, veç kur të ngjalletë prej së vdekurish i bir’ i njeriut.
10 Edheata e ruajtnë fialënë ndër vetëhe, edhe haheshinë njëri me tatrinë: “Ç’është këta të ngjallurë prej së vdekurish.”
11 Edhe pyesnin’ atë, tuke thënë: “Përse thonë shkronjësitë, se duhetë të vijë më përpara Ilia?”
12 Edhe ay u përgjeq e u tha atyre: “Ilia vien më përpara, edhe vë mbë vënt të gjitha punëratë, edhe qysh është shkruarë për të birin’ e njeriut, se duhetë të pësojë shumë, edhe se nukë do ta kenë për gjë.
13 Po unë po u them juve, se edhe i bënë sa deshnë, sikundrë është shkruarë për atë.”
14 Edhe kur erdhi te nxënësitë, pa shumë gjëndëje rreth atyreve, edhe shkronjësitë tuke ngrënë me fialë bashkë me ata.
15 Edhe përnjëherë gjithë gjëndëja, kur pan’ atë, u habitnë, edhe tuke nxituar’ e përshëndetninë.
16 Edhe ay pyeti shkronjësitë: “Ç’hahi me fialë bashkë me ata?”
17 Edhe një prej gjëndëjes’ u përgjeq, e tha: “Mësonjës, prura tem bir te ti që ka frymë të pagolë.
18 Edhe kudo ta zërë, e tunt, edhe shkumëzon, e kërcëllin dhëmbët’e ti, edhe thahetë; edhe u thashë nxënëset tu ta kërrejënë, po s’muntnë.”
19 Edhe ay u përgjeq e tha: “O bres i pabesë, gjer kurë do të jem bashkë me ju? Gjer kurë do t’u duroj juve? Bini atë tek unë.”
20 Edhe e prunë tek ay; edhe kur pa atë, përnjëherë fryma e shkleu; edhe ra përdhe, e hiqej barkazë tuke shkumëzuarë.
21 Edhe ay pyeti t’anë: “Sa kohë ka që kurë se i gjau këjo?” Edhe ay tha: “Që kurë se ish çun i vogëlë.
22 Edhe shumë herë e hodhi edhe ndë ziarr edhe nd’ujëra, që ta humbasë; po ndë munç të bëjsh gjë, le të dhëmbetë për ne, e na ndih.”
23 Edhe Jisuj i tha këtë: “Ndë munç të besojsh, të gjitha munt të bënenë mb’atë që beson.”
24 Edhe përnjëherë i ati çunit vogëlë thërriti me lot, tuke thënë: “Zot, besoj; ndihi pabesërisë sime.”
25 Edhe Jisuj kur pa se po rrudhej gjëndëje, qërtoj frymën’ e ndyrë, tuke i thënë: “Frym’ e pagolë edhe shurdhë, unë të urdhëroj: Dil nga ay, edhe mos ryjsh më tek ay.”
26 — Edhe fryma tuke bërtitur’ e tuke shklyer’ atë shumë, dolli; edhe u bë posi i vdekurë, kaqë sa shumë vetë thoshinë se vdiq.
27 — Edhe Jisuj e kapi për dore, edhe e çoi; edhe u ngre.
28 Edhe kur hyri ndë shtëpi, nxënësit’ e ti e pyesninë veçan: “Përse nukë muntmë neve ta kërrejmë?”
29 Edhe ay u tha atyre: “Kyj farë kombi s’munt të dalë me tietërë gjë, veç me të falur’ e me agjërim.”
30 Edhe si duallnë ateje, shkoninë ndëpër Galilet, edhe s’donte ta marrë vesh njeri.
31 Sepse mësonte nxënësit’e ti, e u thosh atyre, se: “I Bir’ i njeriut epetë ndër duar të njerëzet, edhe do ta vrasënë, edhe si të vritetë, do të ngjalletë të tretënë ditë.”
32 Po ata nuk’ e kupëtoninë fialënë, edhe kishinë frikë ta pyesninë.
33 Edhe erdhi ndë Kapernaum; edhe kur hyri ndë shtëpit, pyeste ata: “Ç’mendoneshitë mb’udhë me vetëhe tuaj?”
34 Po ata s’bëninë zë; sepse mb’ udhë flisninë ndë mest t’atyreve: “Cili ësht’ më i math?”
35 Edhe si ndenji, thirri të dy-mbë-dhietëtë, edhe u thot’ atyre: “Kush të dojë të jetë i parë, do të jetë i prapsëmi të gjithëve, edhe shërbëtori të gjithëve.”
36 Edhe mori një çun të vogëlë, edhe e qëndroj ndë mest t’atyreve, edhe si e mori ndë krah, u tha atyre:
37 “Kush të presë një të tillë çunash të vegjëlë mb’emërë tim, ka priturë mua; edhe kush të presë mua, s’ka priturë mua, po atë që më ka dërguarë.”
38 Edhe Joanni iu përgjeq, tuke thënë: “Mësonjës, pamë një njeri që kërren diaj mb’emërë tënt, i cili nukë na vien pas; edhe e ndalëm, sepse nukë na vien pas.”
39 Po Jisuj tha: “Mos e ndalni, sepse asndonjë s’ësht’ ay që bën çudia mb’enërë tim, edhe do të muntjë përnjëherë të flasë keq për mua;
40 Sepse ay që nuk’ është kundrë nesh, është bashkë me ne.
41 Edhe ay që t’u apë juve një potir ujë mb’emërë tim, sepse jeni të Krishtit, me të vërtetë po u them juve, se nukë do ta humbasë pagën’e ti.
42 Edhe ay që të skandhalisjë një nga këta të vegjëlitë që më besojënë, është më mirë për atë ndë iu lithtë një gur mulliri ndë qafë t’ati, edhe të hidhetë ndë det.
43 Edhe ndë të skandhalistë dora jote, preje; është më mirë për tyj të hyjç dorac ndë jetët, se tuke pasurë të dy duartë të shkojç ndë gjehenë, ndë ziarr të pashuarë,
44 Atie ku “krymb’i atyreve s’ka të mbaruarë, edhe ziarri s’ka të shuarë”.
45 Edhe ndë të skandhalistë këmba jote, preje; sepse është më mirë për ty të hyjç ndë jetët i çalë, se tuke pasurë të dy këmbëtë të hidheç ndë gjehenë, ndë ziarr të pashuarë,
46 Atie ku “krymb’i atyreve s’ka të mbaruarë, edhe ziarri s’ka të shuarë.“
47 Edhe ndë të skandhalistë syri yt, nxire: është më mirë për ty të hyjç me një sy ndë mbëretëri të Perëndisë, se tuke pasurë dy sy të hidheç ndë gjehenë të ziarrit,
48 Atie ku “krymb’ i atyreve s’ka të mbaruarë, edhe ziarri s’ka të shuarë.”
49 Sepse çdo njeri do të krypetë me ziarr, edhe çdo kurban do të krypetë me krypë.
50 Krypa ësht’ e mirë; po ndë u bëftë krypa e pashëllirëshime, me se do ta ndreqni? Kini krypë ndë vetëhet tuaj, edhe kini paqtim njëri me tiatrinë.”
1 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do ta provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë duke ardhur me fuqi».
Shndërrimi i Jezuit
(Mt 17.1-13Lk 9.28-36)2 Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi në një mal të lartë, në një vend të veçuar. Atëherë ai u shndërrua para tyre 3 dhe rrobat iu bënë vezulluese e aq të bardha, sa askush mbi tokë nuk mund t'i zbardhte aq shumë. 4 Pastaj atyre iu shfaqën Elia me Moisiun që po flisnin me Jezuin. 5 Pjetri i tha Jezuit: «Mësues , sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». 6 Në të vërtetë nuk dinte ç'të thoshte, se u kishte hyrë tmerri. 7 Atëherë doli një re që i mbuloi me hijen e saj dhe nga reja u dëgjua një zë: «Ky është Biri im i dashur. Dëgjojeni!». 8 Dhe, befas, kur shikuan përreth, nuk panë askënd përveç Jezuit që ishte me ta.
9 Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi të mos i tregonin askujt çfarë kishin parë, derisa Biri i njeriut të ngjallej prej të vdekurve. 10 Ata e mbajtën fjalën dhe pyesnin veten: ç'do të thotë të ngjallesh prej të vdekurve? 11 Pastaj e pyetën Jezuin: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». 12 Ai u tha: «Është e vërtetë se Elia do të vijë më parë për të vënë gjithçka në vendin e vet. Po përse është shkruar se Biri i njeriut do të vuajë shumë e do të përçmohet? 13 Megjithatë unë po ju them se Elia ka ardhur e me të bënë çfarë deshën, siç është shkruar për të».
I pushtuari nga një shpirt i ndyrë
(Mt 17.14-20Lk 9.37-43a)14 Kur erdhën te dishepujt e tjerë, panë rreth tyre një turmë të madhe dhe shkruesit që po diskutonin me ta. 15 Tërë ajo turmë u habit kur e pa Jezuin. Njerëzit vrapuan tek ai dhe e përshëndetën. 16 Jezui i pyeti: «Çfarë po diskutoni me ta?». 17 Njëri nga turma iu përgjigj: «Mësues, të kam sjellë tim bir, se e mundon një shpirt që nuk e lë të flasë. 18 Kudo që e kap, e përplas përdhe dhe ai nxjerr shkumë nga goja, kërcëllin dhëmbët e mpihet. U thashë edhe dishepujve të tu t'ia dëbojnë, por nuk mundën». 19 Jezui tha: «O brezni e pafe! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sillmani këtu!». 20 Ata e sollën djaloshin tek ai. Kur e pa Jezuin, shpirti e shkundi menjëherë djalin. Ai ra përdhe e u rrotullua duke i dalë shkumë nga goja. 21 Jezui e pyeti të atin e djalit: «Sa kohë ka që është kështu?». Ai u përgjigj: «Që në fëmijëri. 22 Disa herë e ka hedhur në zjarr e në ujë për ta vrarë. Nëse mundesh, ki dhembshuri për ne e na ndihmo!». 23 Jezui i tha: «Nëse mundem? Gjithçka është e mundur për atë që beson». 24 Menjëherë i ati i fëmijës thirri: «Besoj. Ndihmomë në besimin tim të pakët !». 25 Kur Jezui pa se turma po mblidhej me vrap, e qortoi shpirtin e ndyrë e i tha: «Shpirt memec e shurdh, po të urdhëroj: dil prej tij e mos hyr më kurrë!». 26 Shpirti bërtiti dhe si e shkundi mirë, doli prej tij e djali mbeti si i vdekur, saqë të gjithë thoshin: «Ka vdekur». 27 Por Jezui e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë djali u ngrit në këmbë.
28 Kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën veçmas: «Përse ne nuk mundëm ta dëbonim?». 29 Jezui u tha: «Ky lloj shpirti nuk mund të dëbohet ndryshe, përveçse me lutje ».
Tjetër paralajmërim i Pashkës
(Mt 17.22-23Lk 9.43b-45)30 Pastaj u larguan që aty e kaluan nëpër Galile. Jezui nuk donte ta merrte vesh njeri. 31 Ai po mësonte dishepujt e tij e u tha: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve, ata do ta vrasin dhe, pas tri ditësh, ai do të ngjallet». 32 Por ata nuk i kuptuan këto fjalë e kishin frikë ta pyesnin.
Kush është më i madhi
(Mt 18.1-5Lk 9.46-48)33 Arritën në Kafarnaum e kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, i pyeti: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin gjatë rrugës?». 34 Ata heshtën, se gjatë rrugës kishin biseduar se cili prej tyre ishte më i madhi.
35 Pasi u ul, i thirri të dymbëdhjetët e u tha: «Nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve e shërbëtor i të gjithëve».
36 Pastaj mori një fëmijë, e vuri mes tyre e duke e marrë në krahë, u tha: 37 «Kush pranon në emrin tim një fëmijë si ky, më pranon mua e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar».
Me ne, jo kundër nesh
(Lk 9.49-50)38 Gjoni i tha Jezuit: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk vinte pas nesh».
39 Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, se askush nuk mund të flasë keq për mua sapo bën një vepër të fuqishme në emrin tim. 40 Kush nuk është kundër nesh, është me ne. 41 Nëse dikush do t'ju japë të pini një gotë ujë për shkak se jeni të Krishtit, me të vërtetë po ju them se ai nuk do ta humbasë shpërblimin e tij».
Shkaktar për mëkat
(Mt 18.6-9Lk 17.1-2)42 «Nëse dikush i bëhet pengesë njërit prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, për atë do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të hidhej në det. 43-44 Nëse dora jote të bëhet pengesë, prije! Është më mirë të hysh i gjymtuar në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dyja duart e të shkosh në Gehenë, në zjarrin që nuk shuhet. 45-46 Dhe nëse këmba jote të çon në mëkat, prije! Është më mirë të hysh i çalë në jetë, sesa t'i kesh të dyja këmbët e të të hedhin në Gehenë . 47 Nëse syri yt të bëhet pengesë, nxirre! Është më mirë të hysh me një sy në mbretërinë e Perëndisë, sesa t'i kesh të dy sytë e të të hedhin në Gehenë, 48 atje ku tenja nuk ngordh e zjarri nuk shuhet.
49 Në të vërtetë, gjithçka do të kripet me zjarr .
50 Kripa është e mirë, por nëse e humbet shijen, si do t'ia ktheni? Kini kripë në veten tuaj e jetoni në paqe me njëri-tjetrin».