1 Atëhere Jisuj u pru ndë shkretëritë nga Fryma, që të ngitetë prej diallit.
2 Edhe si agjëroj dyzet dit e dyzet net, pastaj i erdhi uri.
3 Edhe ay që nget erdhi tek ay e tha: “Ndë je i bir’ i Perëndisë, thuaj të bënenë bukë këta gurë.”
4 Po ay u përgjeq e tha: “Është shkruarë se ‘Njeriu nukë rron me bukë vetëmë, po me çdo farë fiale që del nga goj’ e Perëndisë.”
5 Atëhere dialli e merr me vetëhe ndë qytet të shënjtëruarë, edhe e vuri përmbi fletëzët të hieroresë, edhe i thot’ ati:
6 “Ndë je i bir’i Perëndisë, hidhu poshtë; sepse është shkruarë: “Se do t’urdhëronjë ëngjëjt’ e ti për tyj” edhe “Do të ngrenë tyj mbi duart, që të mos përpiekç këmbënë tënde mbë gur.”
7 Jisuj i tha ati: Përsëri është shkruarë: “Të mos ngaç Zotinë Perëndinë tënt.”
8 Përsëri dialli e merr me vetëhe nbë një mal shumë të lartë, e i dëfteu gjithë mbëretërit’ e botësë edhe lavdin’e atyre, e i thotë:
9 “Të gjitha këto do të t’i ap tyj, ndë rënç të më faleç.”
10 Atëhere Jisuj i thot’ati: “Ik prej meje , Satana; sepse është shkruarë: “Zotit Perëndisë tënt do t’ i faleç, edhe vetëm’ ati do t’i luteç.”
11 Atëhere dialli e lë atë; edhe ja ëngjëjtë tek erdhë përanë e i shërbeninë.
12 Edhe Jisuj kur dëgjoj se Joanni u dha ndër duar, iku ndë Galilet.
13 Edhe si la Nazaretinë, erdhi e ndenji ndë Kapernaum që është përanë detit, ndë sinoret të Zavullonit edhe të Nefthalinit,
14 Që të mbushetë ç’është thënë nga profiti Isaj që thotë:
15 “Dheu Zavullon edhe dheu Nefthalim, mb’ udhë të detit përtej Jordhanit, Galilea e kombevet;
16 Llauzi që rrinte nd’ errësirë, pa dritë të madhe, edhe mb’ ata që rrininë ndë vënt e ndë hijet të vdekëjesë lindi dritë.”
17 Që atëhere Jisuj zuri të leçisë e të thotë: “Pendohi, sepse u afërua mbëretëri’ e qiejevet.”
18 Edhe Jisuj tek ecëte përanë detit Galilesë, pa dy vëllezër, Simonë që thuhej Pietrë, edhe Andhrenë, të vëllan’e ati, tuke hedhurë rrietë ndë det; sepse ishinë peshkatarë.
19 Edhe u thot’atyre: “Ejani prapa meje, edhe do t’ u bënj juve peshkatarë njerëzish.”
20 Edhe ata përnjëherë lanë rrietatë, e vanë pas ati.
21 Edhe si vate më tej, pa dy vëllezër të tierë, Jakovinë të birin’ e Zevedheut, edhe Joanninë të vëllan’e ati, ndë lundrët bashke me Zevedhenë t’an’ e tyre, tuke ndrequrë rrjetat’ e tyre, edhe i thiri ata.
22 Edhe ata përnjëherë lanë lundrën’ e tyre, edhe vanë pas ati.
23 Edhe Jisuj vinte përqark gjithë Galilesë, tuke mësuarë ndëpër sinagogjit t’atyre, edhe tuke leçitur’ ungjillin’ e mbëretërisë, edhe tuke shëruarë çdo sëmundë e çdo lëngatë ndë llaust.
24 Edhe i vate zëri ati ndëpër gjithë Syrinë, edhe bininë tek ay gjith’ata që kishinë keq, përmbajturë prej çdo farë sëmundash e mundimesh, edhe të diallosurë, e të zënë nga lëngat’ e hënësë, e ulogë; edhe i shëroj ata.
25 Edhe i vanë pas shumë gjëndëje nga Galilea e nga Dhekapoli e nga Jerusalimi e nga Judhea, edhe që përtej Jordhanit.
Tundimi i Jezuit
(Mk 1.12-13Lk 4.1-13)1 Pastaj, i shtyrë nga Shpirti, Jezui shkoi në shkretëtirë që të tundohej nga djalli. 2 Pasi agjëroi për dyzet ditë e dyzet net, Jezuin e mori uria. 3 Atëherë erdhi tunduesi tek ai e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë». 4 Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar:
njeriu nuk jeton
vetëm me bukë,
por me çdo fjalë
që del nga goja e Perëndisë ».
5 Pastaj djalli e çoi në qytetin e shenjtë, e vuri në pikën më të lartë të tempullit 6 e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar:
do t'i urdhërojë engjëjt e tij
të të ruajnë
dhe ata do të të mbajnë
në duart e tyre,
që mos të të ndeshë këmba në gur ».
7 Jezui i tha: «Është shkruar:
mos e tundo Zotin,
Perëndinë tënd ».
8 Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë e i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre. 9 Dhe i tha Jezuit: «Do të t'i jap të gjitha këto nëse bie në gjunjë e më adhuron». 10 Atëherë Jezui i tha: «Shporru, Satan, sepse është shkruar:
adhuro Zotin, Perëndinë tënd,
dhe shërbeji vetëm atij ».
11 Atëherë djalli u largua nga Jezui dhe, ja, erdhën engjëjt e i shërbenin.
Shërbesa në Galile
(Mk 1.14-15Lk 4.14-15)12 Kur Jezui dëgjoi se Gjonin e kishin burgosur, u largua për në Galile. 13 Nuk qëndroi në Nazaret, por shkoi për të jetuar në Kafarnaum, qytet pranë liqenit , në tokën e Zabulonit e të Neftalimit, 14 që të përmbushej çfarë kishte thënë profeti Isai:
15 tokë e Zabulonit
dhe tokë e Neftalimit,
në rrugën drejt detit, përtej Jordanit,
Galile e kombeve!
16 Populli që ishte në errësirë
pa një dritë të madhe
dhe për ata që ishin
në vendin e hijes së vdekjes
zbardhi drita.
17 Që atëherë Jezui filloi të predikonte e të thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër».
Thirrja e katër peshkatarëve
(Mk 1.16-20Lk 5.1-11)18 Ndërsa po ecte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa dy vëllezër, Simonin që quhej Pjetër dhe Andrean, vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. 19 Jezui u tha: «Ejani pas meje dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish». 20 Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. 21 Pak më tutje Jezui pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në një varkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke arnuar rrjetat dhe i thirri. 22 Ata lanë menjëherë varkën dhe të atin e shkuan pas tij.
Jezui predikon dhe shëron
(Lk 6.17-19)23 Jezui shkonte nëpër Galile duke mësuar njerëzit në sinagoga, duke shpallur ungjillin e mbretërisë e duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë në popull. 24 Kështu, për të u hap fjala në gjithë Sirinë. Atëherë i sollën të gjithë të sëmurët, njerëz të prekur nga sëmundje e dhimbje të ndryshme, të pushtuar nga djalli, me sëmundjen e tokës e të paralizuar, dhe ai i shëroi. 25 Turma të mëdha njerëzish nga Galilea e Dekapoja, nga Jerusalemi, Judeja e përtej Jordanit, shkonin pas tij.