1 Sepse mbëretëri’ e qiejevet gjan me një njeri zot shtëpie, i cili dolli shpejt me natë të pajtonjë punëtorë për veshtin’e tij.
2 Edhe si pajtoj punëtorëtë nga një dinar ndë ditët, i dërgoj ndë veshtë të ti.
3 Pastaj dolli mbë tri orë, pa të tierë tuke ndenjurë pa punë ndë trekt.
4 U thot’ edhe atyre: “Shkoni edhe ju ndë veshtë, edhe do t’u ap edhe juvë ç’të jet’ e udhësë.” Edhe ata vanë.
5 Përsëri dolli mbë gjasht’ edhe mbë nënt’ orë, edhe bëri po kështu.
6 Edhe si dolli mbë një-mbë-dhiet’ orë, gjeti të tierë tuke ndenjurë pa punë; u thot’ edhe atyre: “Përse rrini këtu tërë ditënë pa punë?”
7 I thon’ati: “Sepse asndonjë s’na pajtoj.” U thot’ atyre: “Shkoni edhe ju ndë veshtë, edhe do të merni ç’të jet’ e udhësë.”
8 Edhe si u ngrys, i zoti veshtit i thotë kujdestarit ti: “Thirrë punëtorëtë, edhe laju pagënë atyre, tuke zënë nga të prapsëmitë gjer mbë të parët.”
9 Edhe erthnë ata që ishinë pajtuarë mbë një-mbë-dhiet’ orë, edhe muarnë nga një dinar.
10 Edhe kur erthnë të parëtë, kujtuanë se do të marrënë më shumë, po edhe ata muarnë nga një dinar.
11 Edhe si muarnë, qjaheshinë mbë të zon’ e shtëpisë, tuke thënë, se:
12 “Këta të prapsëmitë bënë një orë, edhe i bëre si-një-një me ne që mbajtmë të rëndën’e ditës’ edhe vapënë.”
13 Po ay u përgjeq e i tha njërit nga ata: “Mik, nukë të bënj keq; a nukë bëre fialë me mua një dinar?
14 Merr tëndinë, edhe ik; edhe këti të prapsëmit do t’i ap si edhe tyj.
15 Apo s’munt unë të bënj ç’të dua ndë punët time? Apo syri yt ësht’ i lik, sepse unë jam i mirë?
16 Kështu do të jenë të prapsëmitë të parë, edhe të parëtë të prapsëm; sepse shumë vetë janë të thirrurë, po të pakë të sgjedhurë.”
17 Edhe Jisuj tuke hipurë ndë Jerusalim, mori me vetëhe të dy-mbë-dhietë nxënësitë mbënjanë mb’ udhë, edhe u tha atyre:
18 “Ja te po hipëjmë ndë Jerusalim. edhe i Bir’ i njeriut do t’epetë ndë duar të krye-priftëret edhe shkronjëset; edhe do ta dënonjënë për vdekje.
19 Edhe do ta apënë ndë duar të kombevet që ta përqeshën’ e ta rrahën’ e ta kryqëzonjënë; edhe të tretënë ditë do të ngjalletë.”
20 Atëhere i erdhi përanë e ëm’ e të bijvet të Zevedheut bashkë me të bijt, tuke luturë, e tuke lypurë një gjë nga ay.
21 Edhe ay i tha asaj: “Ç’do?” Ajo i thot’ati: “Thuaj të rrinë këta të dy bijt’ e mi, njëri mbë të diathtënë tënde, e njëri mbë të mëngjërënë ndë mbëretërit tënde.”
22 Po Jisuj u përgjeq e tha: “Nukë dini se ç’lypni; munt të pini kupënë, që do të pi unë, edhe të pagëzoneni me pagëzimnë që do të pagëzonem unë.”
23 Ata i thon’ ati: “Muntmë.” E ay u thot’ atyre: “Kupënë time do ta pini, edhe me pagëzimnë që pagëzonem unë, do të pagëzoneni, po të rrini mbë të diathtënë time edhe mbë të mëngjërën time, nuk është ndë dorë time ta ap, po do t’u epet’ atyre që u është bërë gati nga im atë.”
24 Edhe të dhietëtë kur dëgjuanë, u zemëruanë për ata të dy vëllezërit.
25 Po Jisuj i thirri ata e tha: “E dini se të parët’e kombevet kanë pushtet mbi ata, edhe të mëdhenjtë i urdhëronjën’ ata?
26 Po kështu nukë do të jetë ndër ju; po kush të dojë të bënet’ i math ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj.
27 Edhe kush të dojë të jet’ i parë ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj;
28 Sikundrë i bir’ i njeriut nuk’ erdhi që të shërbenetë, po të shërbenjë, edhe t’apë jetën’ e ti shpërblim për shumë vetë .”
29 Edhe ata tek po dilninë nga Jerihoja, i vanë pas ati shumë gjëndëje.
30 Edhe ja dy të verburë, ndenjurë mb’ udhë, kur dëgjuanë se po shkonte Jisuj, bërtitnë tuke thënë: “Përdëlle-na, o Zot, bir’i Dhavidhit.”
31 Edhe gjëndëja i qërtoj ata, të pushonjënë; po ata bërtisninë më fort, tuke thënë: “Përdëlle-na, o Zot, bir’i Dhavidhit.”
32 Edhe Jisuj qëndroj e i thirri ata, edhe tha: “Ç’doni t’u bënj juve?”
33 I thonë: “Zot, të na hapenë sytë.”
34 Edhe Jisujt si iu dhëmp, preku syt’ e atyre; edhe përnjëherë u hapnë syt’ e atyre, e vanë pas ati.
Punëtorët e vreshtit
1 «Mbretëria e qiejve është si i zoti i shtëpisë që doli në mëngjes herët për të gjetur punëtorë për vreshtin e vet. 2 Pasi u mor vesh me punëtorët që t'i paguante për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet. 3 Kur doli rreth orës nëntë , pa disa të tjerë që po rrinin pa punë te tregu 4 e u tha: “Shkoni edhe ju në vresht e do t'ju jap aq sa është e drejtë”. 5 Dhe ata shkuan. Ai doli përsëri rreth orës dymbëdhjetë e rreth orës tre. 6 Doli edhe rreth orës pesë, gjeti të tjerë që po rrinin e u tha: “Përse rrini kot këtu gjithë ditën?”. 7 Ata i thanë: “Sepse askush nuk na ka marrë në punë”. Ai u tha: “Shkoni edhe ju në vresht ”. 8 Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha nëpunësit të tij: “Thirri punëtorët e jepu shpërblimin, duke filluar nga i fundit e deri te i pari”. 9 Kur erdhën ata që kishte thirrur rreth orës pesë, secili prej tyre mori nga një denar. 10 Kur erdhën të parët, mendonin se do të merrnin më shumë, por edhe secili prej tyre mori nga një denar. 11 Kur e morën, iu ankuan të zotit të shtëpisë 12 e i thanë: “Këta të fundit punuan vetëm një orë dhe i pagove aq sa ne që kemi duruar mundin e ditës e të nxehtin”. 13 Por ai iu përgjigj njërit prej tyre: “Mik, nuk po të bëj padrejtësi. A nuk u morëm vesh për një denar? 14 Merr atë që të takon e shko. Unë do t'i jap këtij të fundit sa ty. 15 A nuk më lejohet mua të bëj ç'të dua me gjënë time? Apo ke zili që jam i mirë?”.
16 Kështu, të fundit do të jenë të parët dhe të parët do të jenë të fundit ».
Paralajmërimi sërish i Pashkës
(Mk 10.32-34Lk 18.31-34)
17 Kur po shkonte në Jerusalem, Jezui mori mënjanë dymbëdhjetë dishepujt dhe gjatë rrugës u tha: 18 «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve. Ata do ta dënojnë me vdekje, 19 do t'ua dorëzojnë kombeve që ta tallin, ta fshikullojnë e ta kryqëzojnë, por ditën e tretë ai do të ngjallet».
Mbretërimi si shërbim
(Mk 10.35-45)
20 Atëherë erdhi te Jezui nëna e bijve të Zebedeut bashkë me djemtë e saj, i ra në gjunjë dhe i kërkoi diçka. 21 Jezui i tha: «Çfarë dëshiron?». Ajo i tha: «Urdhëro që këta dy djemtë e mi të ulen njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde, në mbretërinë tënde». 22 Por Jezui iu përgjigj: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë ?». Ata iu përgjigjën: «Mundemi». 23 Jezui u tha: «Kupën time do ta pini , por që të uleni në të djathtën e në të majtën time nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre që ua ka bërë gati Ati im». 24 Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me dy vëllezërit. 25 Por Jezui i thirri pranë vetes e u tha: «Ju e dini se krerët e kombeve sundojnë mbi ta dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi ta. 26 Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj 27 dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të jetë shërbëtori juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz».
Shërimi i dy të verbërve
(Mk 10.46-52Lk 18.35-43)
29 Kur po dilnin nga Jerikoja, Jezuin po e ndiqte një turmë e madhe. 30 Dy të verbër që rrinin ulur në anë të rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezui, bërtitën: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». 31 Turma i qortoi që të heshtnin, por ata bërtitën edhe më fort: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». 32 Jezui ndaloi, i thirri e u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?». 33 Ata i thanë: «Zot, duam të na hapen sytë!». 34 Jezui ndjeu dhembshuri për ta e u preku sytë. Atyre iu kthye menjëherë shikimi e shkuan pas tij.