1 Edhe ay kur po falej ndë një vënt, si pushoj, një nga nxënësit’ e ti i tha: “Zot, mësona të falemi, sikundrë edhe Joanni mësoj nxënësit’ e ti.”
2 Edhe ay u tha atyre: “Kur të faleni, thoni:
Ati ynë që je ndë qiejet, u shënjtëroft’ emëri yt; arthtë mbëretëria jote; u bëftë dashurimi yt, si ndë qiell, edhe mbë dhet.
3 Bukënë tonë të përditëshmen’ epna neve përditë.
4 Edhe falna fajetë tanë, sepse edhe neve ia falmë kujdo që na fëjen; edhe mos na shtierë ndë gucim, po shpëtona prej të ligut.”
5 Pastaj u tha atyre: “Cili prej jush do të ketë një mik, edhe do të vejë tek ay ndë mest të natësë, e t’i thotë: Mik, më huaj tri bukë;
6 Sepse erdhi një miku im prej udhësë tek unë edhe s’kam ç’t’i vë përpara.
7 Edhe ay do të përgjigjetë përbrënda e t’i thotë: Mos më ep mundim; sepse dera është mbyllurë tashti, edhe çunat’e mi kanë rënë ndë shtrat bashkë me mua; s’munt të ngrihem e të t’ap.
8 Po u them juve: Edhe ndë mos u ngritë t’i apë, sepse është miku i ati, po nga të paturpëruarët’ e ati do të ngrihetë t’i apë sa t’i duhenë.
9 Edhe unë po u them juve: Lypni, edhe do t’u epetë juve; kërkoni edhe do të gjeni; trokollini, edhe do t’u hapetë juve.
10 Sepse kushdo që lypën merr; edhe kushdo që kërkon gjen; edhe ati që trokollin do t’i hapetë.
11 Edhe ndë është ndonjë prej jush atë, edhe ndë i kërkoftë bukë i biri, sos do t’i apë gur? Apo ndë i lyptë peshk, sos do t’i apë gjarpërë ndë vënt të peshkut?
12 Apo ndë i kërkoftë ve, sos do t’i apë sfurk?
13 Kur ju pra që jeni të liq dini t’u epni bijvet tuaj të dhëna të mira, sa më teprë Ati që është prej qielli do t’apë Frymë të Shënjtëruarë atyre që të lypënjënë prej ati?”
14 Edhe po nxirte një diallë, edhe ay ish i shurdhurë; edhe dialli kur dolli, i shurdhuri foli; edhe gjëndëja u çuditnë.
15 Po ca nga ata thanë, se : “Nxier diajtë me anë të Veelzevulit të parit diajvet.”
16 Edhe ca të tierë tuke gucitur’ atë kërkoninë prej ati shënjë nga qielli.
17 Po ay si kupëtoj mendimet’ e atyre, u tha: “Çdo mbëretëri ndë u ndaftë kundrë vetëhesë saj, shkretonetë; edhe një shtëpi, ndë u ndaftë kundrë vetëhesë saj, rrëzonetë.
18 Edhe Satanaj pra ndë qoftë se u nda kundrë vetëhesë ti, qysh do të qëndronjë mbëretëri’ e ati? Sepse thoni se unë nxier diajtë me anë të Veelzevulit.
19 Po unë ndë nxier diajtë me anë të Veelzevulit, bijtë tuaj me anë të cilit i nxierënë? Përandaj ata do të jenë gjyqtarëtë tuaj.
20 Po ndë nxier unë diajtë me gishtin’ e Perëndisë, vallë mbëretëri’ e Perëndisë hariu mbë ju?
21 I forti kur ruan armatosurë avllin’ e ti, gjithë gjëj’ e ati është ndë paqtim.
22 Po kur të vinjë më i forti se ay, e t’e muntnjë, merr gjith’ armët’ e ati, që shpërente mb’ ato, edhe ndan plaçkat’ e ati.
23 Kush nuk’ është me mua, është kundrë meje; edhe kush nukë mbëleth bashkë me mua, përndan.
24 Frym’ e ndyrë kur del prej njeriut, vete ndëpër vënde të thatë, pa ujë , edhe kërkon të prejturë; edhe kur të mos gjenjë, thotë: Le të këthenem ndë shtëpit time, andej nga dolla.
25 Edhe kur vien, e gjen fshir’ e stolisurë.
26 Atëhere vete e merr me vetëhe shtatë fryma të tiera më të këqia se vetëhen’ e saj, edhe hynjën’ e rrinë atie; edhe të pastajmet’ e ati njeriu bënenë më të këqia se të paratë.”
27 Edhe ay kur po thoshte këto, një grua ngriti zë prej gjëndëjesë e i tha: “Lum ay bark që të ka mbarturë, edhe ato gjij që ke thithurë.”
28 Po ay tha: “Lum më fort ata që ndigjonjënë fialën’ e Perëndisë edhe e ruanjënë.”
29 Edhe gjëndëja kur po mbëlidhej, zuri të thotë: Kyj bres ësht’ i lik; kërkon shënjë; edhe shënjë nukë do t’i epetë përveç shënjësë profitit Jona.
30 Sepse sikundrë Jonaj u bë shënjë ndë Ninevitët, kështu edhe i bir’ i njeriut do të jetë mbë këtë bres.
31 Mbëretëresha e mesditësë do të ngrihetë ndë ditë të gjyqit bashkë me njerëzit’ e këti brezi, edhe do t’i gjykonjë për të keq; sepse erdhi nga an’ e së mbaruarit dheut të ndigjonjë diturin’ e Sollomonit; edhe na ku është këtu më teprë se Sollomoni.
32 Burrat’ e Ninevisë do të ngjallenë ndë gjyq bashkë me këtë bres, edhe do t’e gjykonjënë për të keq, sepse u penduanë nga të leçiturit’ e Jonajt; edhe na ku është këtu më teprë se Jonaj.
33 Edhe asnjë, kur ndes kandilenë, nuk’ e vë ndë vënt të fshehurë, as ndënë shënik, po mbi kandilerinë, që të shohënë dritënë ata që hynjënë brënda.
34 Kandil’ i trupit është syri: syri yt pra kur të jet’ i qëruarë, edhe gjithë trupi yt është’ i ndriturë; po kur’ të jet’ i keq, edhe trupi yt ësht’ i errëtë.
35 Vështro pra drita që është te ti mos jetë errësirë.
36 Ndë qoftë pra gjithë trupi yt i ndriturë, pa pasurë ndonjë anë t’errëtë, do të jet’ i ndriturë gjithë, posi kandileja kur të ndrit me të ndriturë.”
37 Edhe si foli këto , një Farise i lutej të vejë për drekë tek ay; edhe ay hyri e ndenji ndë mësallë.
38 Edhe Fariseu u çudit, kur pa, se nukë lau më përpara duartë para drekësë.
39 Edhe Zoti i tha: “Tashi ju Farisenjtë qëroni të përjashtëmen’ e qeftit e të kupësë; po e përbrëndëshmeja juaj është plot me rrëmbim e me të keq.
40 Të marrë, ay që bëri të përjashtëmenë, a nukë bëri edhe të përbrëndëshmenë?
41 Veç epni elejmosinë gjënë tuaj, edhe na të gjitha te janë të qëruara te ju.
42 Po mierëtë ju Farisenjtë! Sepse epni të dhietën’ e mëndrës’ e të piganit e gjithë lakravet, edhe liri mbë nj’anë gjyqinë edhe dashurin’ e Perëndisë. Këto duhej të bënitë edhe ato të mos i liritë.
43 Mierëtë ju Farisenjtë! Sepse doni vëndin’ e parë ndëpër sinagogjit, edhe të përshëndeturatë ndëpër tregjet.
44 Mierëtë ju shkronjësit’ edhe Farisenjtë, ipokritinj! Se jeni posi ata varretë që s’dukenë, edhe njerëzitë që ecënjënë përsiprë nukë dinë.”
45 Edhe një nga nomtarët’ u përgjeq e i tha: “Mësonjës, tuke thënë këto shan edhe neve.”
46 Edhe ay tha: “Mierëtë ju nomtarëtë përsëri! Sepse ngarkoni njerëzitë me barrë të rënda që s’mbarenë, edhe ju nuk’ i prekni barrëtë me majët të gishtrëvet tuaj.
47 Mierët ju! Sepse ndërtoni varret’ e profitëvet, edhe atëritë tuaj i vranë.
48 Vallë martirisni edhe pëlqeni punët’ e atëravet tuaj; sepse ata i vranë, edhe ju ndërtoni varret’ e atyreve?
49 Përandaj edhe dituri’ e Perëndisë tha: Do të dërgonj ndër ata profitë edhe apostoj, edhe disa prej atyreve do t’i vrasënë, edhe do t’i ndiekënë.
50 Që të kërkonetë prej këti brezi gjaku i gjithë profitëvet që është derdhurë që kur se është ngrehurë bota,
51 Që prej gjakut t’Avelit e gjer mbë gjak të Zaharisë, që u vra ndërmest të theroresë edhe të tempullit; vërtet, po u them juve, do të kërkonetë prej këti brezi.
52 Mierëtë ju nomtarëtë! Sepse ngrittë hapësin’ e mëndëjesë; ju nukë hytë, po ndaluat’ edhe ata që hynjënë.”
53 Edhe kur u thoshte atyre këto, shkronjësit’ edhe Farisenjtë zunë t’e ndizinë teprë, edhe t’e shtrëngoninë të fliste për shumë punë ,
54 Sepse kishinë ngrehurë lak për atë, edhe kërkoninë t’i rrëmbeninë ndonjë fialë prej gojës’ ati, që ta përflasënë.
Ati ynë
(Mt 6.9-15Mt 7.7-11)1 Jezui po lutej në një vend. Kur mbaroi, njëri nga dishepujt i tha: «Zot, na mëso të lutemi, sikurse Gjoni i mësoi dishepujt e vet». 2 Ai u tha: «Kur të luteni thoni:
Atë , u shenjtëroftë emri yt,
ardhtë mbretëria jote !
3 Bukën tonë të përditshme
na e jep çdo ditë
4 e na i fal mëkatet tona,
se edhe ne ua falim detyruesve tanë .
E mos na vër në sprovë ».
5 Pastaj u tha: «E zëmë se njëri nga ju ka një mik, shkon tek ai në mesnatë e i thotë: “Mik, më jep tri bukë, 6 se më ka ardhur një miku im e nuk kam asgjë për t'i vënë përpara”. 7 E ai përgjigjet nga brenda: “Mos më shqetëso! Tani e kam mbyllur derën dhe kemi rënë në gjumë edhe unë, edhe fëmijët. Nuk mund të çohem për të të dhënë gjë”. 8 Unë po ju them se edhe pse nuk do të çohet për t'i dhënë gjë ngaqë e ka mik, do të çohet për t'i dhënë aq sa ka nevojë të paktën për shkak të këmbënguljes së tij.
9 Dhe unë po ju them: lypni e do t'ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t'ju hapet, 10 sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t'i hapet. 11 A ka ndër ju ndonjë atë që do t'i jepte fëmijës së vet, që i kërkon peshk, gjarpër në vend të peshkut? 12 Ose, nëse fëmija i lyp vezë, do t'i jepte një akrep? 13 Nëse ju që jeni të këqij, dini t'u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj do t'ua japë prej qiellit Shpirtin e shenjtë atyre që ia kërkojnë!».
Jezui dhe Beelzebuli
(Mt 12.22-30Mk 3.20-27)14 Jezui po dëbonte një djall, i cili ishte memec. Kur u dëbua djalli, memeci foli e turmat u mrekulluan. 15 Por disa prej tyre thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve».
16 Të tjerë, për ta vënë në provë, i kërkonin një shenjë nga qielli. 17 Por Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe shtëpitë e saj shemben njëra pas tjetrës. 18 Nëse edhe Satani është i përçarë, si mund të qëndrojë mbretëria e tij meqë ju po thoni se unë i dëbuakam djajtë me fuqinë e Beelzebulit? 19 Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me fuqinë e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Për këtë arsye ata do të jenë gjykatësit tuaj. 20 Por nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.
21 Kur një njeri i fortë dhe i armatosur mirë e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është e sigurt. 22 Por nëse dikush më i fortë se ai e sulmon dhe e mund, ia merr armët te të cilat kishte varur shpresën e u shpërndan të tjerëve ato që ka plaçkitur.
23 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan».
Kthimi i shpirtit të ndyrë
(Mt 12.43-45)24 «Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë duke kërkuar prehje e kur nuk gjen, thotë: “Po kthehem te shtëpia ime prej nga dola”. 25 Kur vjen, e gjen të pastruar e të zbukuruar. 26 Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja».
Lumnia e vërtetë
27 Ndërsa po thoshte këto gjëra, një grua nga turma ngriti zërin e i tha: «Lum barku që të ka mbajtur dhe gjinjtë që të kanë mëkuar!». 28 Por Jezui i tha: «Më mirë, lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!».
Një shenjë
(Mt 12.38-42Mk 8.12)29 Ndërsa turmat po shtoheshin, Jezui filloi të thoshte: «Kjo brezni është e mbrapshtë. Ajo kërkon një shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait. 30 Sikurse Jonai u bë shenjë për popullin e Ninivës, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut për këtë brezni. 31 Mbretëresha e Jugut do të ngjallet në ditën e gjykimit bashkë me njerëzit e kësaj breznie e do t'i dënojë, se ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni. 32 Njerëzit e Ninivës do të ngjallen në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë, sepse ata u penduan kur predikoi Jonai. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai».
Drita e trupit
(Mt 5.15Mt 6.22-23)33 «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë në një vend të fshehtë apo nën magje. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. 34 Drita e trupit është syri. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por nëse syri yt është i sëmurë, trupi yt do të jetë në errësirë. 35 Prandaj ki kujdes që drita që është në ty të mos jetë errësirë. 36 Nëse, pra, tërë trupi yt është plot me dritë e pa asnjë pjesë në errësirë, gjithçka do të jetë e shndritshme, siç është kur një kandil shndrit me tërë shkëlqimin e tij».
Mjerë ju
(Mt 23.1-36Mk 12.38-40Lk 20.45-47)37 Ndërsa Jezui po fliste, një farise e ftoi për të ngrënë në shtëpinë e tij. Jezui shkoi e u ul në tryezë. 38 Fariseu u çudit kur pa se Jezui nuk bëri ritin e larjes para se të hante. 39 Atëherë Zoti i tha: «Tani, ju farisenjtë pastroni pjesën e jashtme të kupës e të pjatës, por përbrenda jeni plot grykësi e ligësi. 40 Të marrë! Ai që bëri pjesën e jashtme, a nuk bëri edhe të brendshmen? 41 Prandaj, jepni lëmoshë me gjërat e brendshme e kështu do të keni të pastër gjithçka. 42 Por, mjerë ju, farisenj! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por lini pas dore drejtësinë e dashurinë e Perëndisë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. 43 Mjerë ju, farisenj, që ju pëlqen të zini vendet e para nëpër sinagoga e të merrni përshëndetje nëpër sheshe! 44 Mjerë ju, që jeni si varre pa shenjë, që njerëzit i shkelin pa e ditur».
45 Njëri nga mësuesit e ligjit iu përgjigj: «Mësues, ti na fyen edhe ne duke thënë këto gjëra». 46 Por Jezui i tha: «Mjerë edhe ju, mësues të ligjit, sepse i ngarkoni njerëzit me barrë të rënda, por vetë nuk lëvizni as gishtin për t'i mbajtur! 47 Mjerë ju, se ndërtoni varret e profetëve që etërit tuaj i vranë! 48 Kështu dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj, sepse ata i vranë profetët, ndërsa ju u ndërtoni varret. 49 Prandaj edhe Perëndia në urtinë e tij ka thënë: “Unë do t'u dërgoj profetë e apostuj, por ata do t'i vrasin e disa do t'i përndjekin”, 50 që kjo brezni të fajësohet për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga themelimi i botës, 51 që nga gjaku i Abelit, te gjaku i Zakarisë, që e vranë mes altarit e shenjtërores. Po, po ju them, se për këtë gjë do të fajësohet kjo brezni. 52 Mjerë ju, mësues të ligjit, se e keni marrë për vete çelësin e dijes! Kështu, as vetë nuk hytë, por penguat edhe të tjerët të hyjnë».
53 Kur Jezui doli, shkruesit dhe farisenjtë filluan të zemëroheshin e ta sulmonin me lloj-lloj pyetjesh, 54 duke i ngritur kurth që ta kapnin për ndonjë gjë që do të thoshte.