1 Zoti pra si e mori vesh, se Farisenjtë dëgjuanë, se Jisuj bën e pagëzon më tepërë nxënës se Joanni,
2 (ndonëse Jisuj vetë nukë pagëzonte, po nxënësit’ e ati),
3 La Judhenë, edhe vate përsëri ndë Galilet.
4 Edhe duhej të shkonjë ndëpër Samarit.
5 Vien pra ndë një qytet të Samarisë, që thuhetë Sihar, afër’ asaj arësë që ia dha Jakovi Josifit, të birit ti.
6 Edhe atie ishte një pus i Jakovit. Jisuj pra passi ishte lodhurë nga udha, kështu ndenji mbi pust; edhe ora ishte sindonja gjashtë.
7 Vien një grua nga Samaria të nxierrë ujë. Jisuj i thot’ asaj:
8 “Epmë të pi.” Sepse nxënësit’ e ati kishinë vaturë ndë qytet, për të blerë haje.
9 Gruaja Samarite i thot’ ati pra: “Qysh ti, tuke qënë Judhe, lypën të pish prej meje, që jam një grua Samarite? – Sepse Judhenjtë nukë shoqëronjënë me Samaritëtë.”
10 Jisuj u përgjeq e i tha asaj: “Ndë qoftë se dinje dhurëtin’ e Perëndisë, edhe cili ësht’ ay që të thotë: Epmë të pi, ti kishnje për të lypurë prej ati, edhe kishte për të dhënë tyj ujë të gjallë.
11 Gruaja i thotë: “Zot, as kovë ke, edhe pusi ësht’ i thellë; nga e ke ti pra ujët’ e gjallë?
12 Mos je ti më i math se ati ynë Jakovi, i cili na ka dhënë këtë pus, edhe ay vetë pinte nga kyj, edhe të bijt’ e ati, edhe bagëtit’ e ati?”
13 Jisuj u përgjeq e i tha asaj: “Kushdo që pi nga kyj ujë, do t’i vinjë et përsëri;
14 Po ay që pi nga ujëtë që do t’i ap unë, nukë do t’i vinjë et për gjithë jetënë; po ay ujë, që do t’i ap unë, do t’i bënetë krua uji që buron ndë jetë të pasosurë.”
15 Gruaja i thotë: “Zot, epmë këta ujë, që të mos më vinjë et, as të mos vinj këtu të nxier ujë.”
16 Jisuj i thot’ asaj: “Ecë, thirrë burrinë tënt, edhe eja këtu.”
17 Gruaja u përgjeq e tha: “S’kam burrë.” Jisuj i thot’ asaj: “Mirë the, se s’kam burrë;
18 Sepse pate marrë pesë burra, edhe këtë që ke ndashti, nuk ësht’ burri yt; këtë e fole me të vërtetë.”
19 Gruaja i thotë: “Zot, po shoh, se ti je profit.
20 Atëritë tanë u falnë mbë këtë mal; e ju thoni, se vëndi që duhetë për të falurë, është ndë Jerusalim.”
21 Jisuj i thot’ asaj: “Grua, besomë, se vien një orë, që nukë do t’i faleni Atit as mbë këtë vënt, as ndë Jerusalim.
22 Ju i faleni ati që nukë dini: neve i falemi ati që dimë; se shpëtimi është nga Judhenjtë.
23 Po vien një orë, edhe ndashti është, kur lutësit’ e vërtetë do të lusnjënë Atinë me frymë e me të vërtetë; sepse edhe Ati të tillë kërkon, të jenë ata që lusnjënë atë.
24 Perëndia është frymë, edhe ata që e lusnjënë duhetë ta lusnjënë me frymë e me të vërtetë.”
25 Gruaja i thotë: “E di se vien Messia, ay që thuhetë Krisht; ay kur të vinjë, do të na apë zë për të gjitha.”
26 Jisuj i thotë asaj: “Unë jam, ay që flas me tyj.”
27 Edhe mbi këto fialë erthnë nxënësit’ e ati, edhe u çuditnë se po fliste me grua; po asndonjë s’tha: “Ç’kërkon?” A: “Ç’flet me atë?”
28 Gruaja pra la shtëmbën’ e saj, edhe vate ndë qytet, edhe u thotë njerëzet:
29 “Ejani e shihni një njeri, që më tha gjithë se kam bërë; vallë mos është kyj Krishti?”
30 Duallnë pra nga qyteti, edhe erthnë tek ay.
31 Edhe ndër mest këtyre fialëve nxënësit’ i luteshinë, tuke thënë:
32 “Ravvi, ha.” Po ay u tha atyre: “Unë kam të ha një të ngrënë, që ju nuk’ e dini.”
33 Nxënësitë pra i thoshinë njëri tiatrit: “Mos i pru njeri të hajë?”
34 Jisuj u thot’ atyre: “Të ngrënëtë tim është të bënj dashurimin’ e ati që më ka dërguarë, edhe të mbaronj punën’ e ati.
35 Nukë thoni ju, se jan’ edhe katrë muaj, edhe vien të korrëtë? Na te po u them juve: Ngrini përpietë sytë tuaj, edhe shihni aratë, se janë të bardha për të korrë ndashti.
36 Edhe ay që korr merr pagë, edhe mbëleth pemë për jetën’ e pasosurë, që të gëzonetë bashkë edhe ay që mbiell, edhe ay që korr.
37 Sepse për këtë fiala ësht’ e vërtetë, se tiatër’ ësht’ ay që mbiell, edhe tiatër’ ësht’ ay që korr.
38 Unë u dërgova juve të korrni atë, që s’jeni munduarë, të tierë u munduanë, edhe ju hytë ndë mundimt’ t’atyreve.”
39 Edhe prej ati qyteti shumë vetë nga Samaritëtë besuanë për fialën’ e gruasë që martirisi, se: “Më tha gjithë sa kam bërë.”
40 Samaritëtë pra si erthnë tek ay, i luteshinë të mbesë përanë atyreve.
41 Edhe mbeti atie dy dit. Edhe shumë më tepërë besuanë për fialën’ e ati;
42 Edhe i thoshinë gruasë, se: “Nukë besojmë më për fialënë tënde; sepse neve e dëgjuamë, edhe e njohëm se kyj është me të vërtetë Krishti, shpëtimtari botësë.”
43 Edhe pas dy diç dolli prej andej, edhe vate ndë Galilet.
44 Sepse vetë Jisuj martirisi, se asndonjë profit s’ka nderë ndë dhe të ti.
45 Kur erdhi pra ndë Galilet, Galileasit’ e pritnë, passi kishinë parë gjithë sa bëri ndë Jerusalim për të kremtenë; sepse edhe ata kishin’ ardhurë për të kremtenë.
46 Jisuj pra erdhi përsëri ndë Kana të Galilesë, atie ku bëri ujëtë verë. Edhe ishte një njeri mbëretërie, që kishte të sëmurë të birë ndë Kapernaum.
47 Kyj kur dëgjoj, se Jisuj erdhi nga Judhea ndë Galilet, vate tek ay, edhe i lutej të sbresë, e të shëronjë të birr’ e ati, sepse ishte për të vdekurë.
48 Jisuj pra i tha: “Ndë mos pafshi shenje e çudira, s’keni për të besuarë.”
49 Njeriu i mbëretërisë i thotë: “Zot, sbrit para se të vdesë çuni im.”
50 Jisuj i thotë: “Ecë, se yt bir rron.” Edhe njeriu i besoj fialësë që i tha Jisuj, edhe iku.
51 Edhe te po sbriste, shërbëtorët’ e ati përpoqnë me atë, edhe i dhanë zë, tuke thënë se: “Diali yt rron.”
52 I pyeti pra të marrë vesh, mbë ç’orë u bë më mirë. Edhe i thanë, se: “Die mbë të shtattën’ orë e lanë ethetë.”
53 I ati pra e kupëtoj, se mb’ atë orë që i tha Jisuj, se “Yt bir rron”; edhe besoj ay edhe gjithë shtëpia e ati.
54 Jisuj përsëri bëri këtë çudi të dytë, si erdhi nga Judhea ndë Galilet.
Gruaja samaritane
1 Kur Jezui mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar që ai po bënte më shumë dishepuj se Gjoni dhe se po pagëzonte, 2 ndonëse nuk pagëzonte Jezui vetë, por dishepujt e tij, 3 la Judenë e shkoi përsëri në Galile. 4 Për të arritur atje, i duhej të kalonte nëpër Samari. 5 Kështu mbërriti në një qytet të Samarisë që quhet Sihar, pranë arës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të tij. 6 Atje ndodhej pusi i Jakobit. Jezui, i lodhur nga rruga, u ul te pusi. Ora ishte rreth dymbëdhjetë e drekës.
7-8 Ndërkohë që dishepujt kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime, një grua nga Samaria erdhi për të mbushur ujë.
Jezui i tha: «Më jep të pi!». 9 Gruaja samaritane i tha: «Ti që je jude, si kërkon të pish ujë nga unë që jam grua samaritane?». Dihet se judenjtë nuk shoqërohen me samaritanët. 10 Jezui u përgjigj: «Sikur ta njihje dhuratën e Perëndisë dhe atë që po të kërkon për të pirë, atëherë ti do të kërkoje prej tij e ai do të të jepte ujë të gjallë». 11 Gruaja i tha: «Zotëri, ti nuk ke kovë e pusi është i thellë. Ku do ta gjesh ujin e gjallë? 12 Mos je ti më i madh se Jakobi, ati ynë, që na e dha këtë pus? Ai vetë ka pirë prej këtij pusi bashkë me të bijtë e me bagëtitë».
13 Jezui u përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë do të ketë etje përsëri, 14 por ai që do të pijë nga uji që do t'i jap unë, nuk do të ketë kurrë më etje. Uji që unë do t'i jap do të bëhet brenda tij burim për jetën e amshuar». 15 Gruaja i tha: «Zotëri, jepma këtë ujë, që të mos kem më etje e të mos vij më këtu për të mbushur ujë». 16 Jezui i tha: «Shko, thirr burrin tënd e kthehu këtu». 17 Gruaja iu përgjigj: «Nuk kam burrë». Jezui i tha: «Mirë e the, nuk ke burrë, 18 se ke pasur pesë burra e ky që ke tani nuk është burri yt. Këtu ke thënë të vërtetën». 19 Gruaja i tha: «Zotëri, po shoh se je profet. 20 Etërit tanë e kanë adhuruar Perëndinë në këtë mal, ndërsa ju thoni se vendi ku duhet adhuruar Perëndia është në Jerusalem».
21 Atëherë Jezui i tha: «Më beso, o grua, se po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem. 22 Ju adhuroni atë që nuk e njihni. Ne adhurojmë atë që njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë. 23 Po vjen koha, e tashmë ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Perëndinë në Shpirt e në të vërtetë, se të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. 24 Perëndia është shpirt dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në Shpirt e në të vërtetë». 25 Gruaja i tha: «Unë e di se do të vijë Mesia që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na tregojë gjithçka». 26 Jezui i tha: «Unë jam, unë që po të flas».
27 Atëherë mbërritën dishepujt e tij e u çuditën që po fliste me një grua. Megjithatë askush nuk i tha: «Çfarë kërkon?» apo: «Përse flet me të?».
28 Gruaja la shtambën e shkoi në qytet për t'u thënë njerëzve: 29 «Ejani e shikoni një njeri që më tregoi gjithçka që kam bërë. Të jetë vallë ai Krishti?». 30 Kështu ata dolën nga qyteti e shkuan te Jezui.
31 Ndërkohë dishepujt po i luteshin: «Mësues, ha diçka!». 32 Por ai u tha: «Unë kam një ushqim që ju nuk e njihni». 33 Atëherë dishepujt filluan të pyesin njëri-tjetrin: «Mos i solli ndokush për të ngrënë?». 34 Jezui u tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi e të përmbush veprën e tij. 35 Ju keni një thënie: “Edhe katër muaj e vijnë të korrat”. Ndërsa unë ju them: “Hapni sytë e shikoni fushat që verdhojnë, gati për t'u korrur!”. 36 Ai që korr merr shpërblimin e grumbullon fryte për jetën e amshuar, që të gëzohen së bashku, edhe mbjellësi, edhe korrësi. 37 Sepse është e vërtetë fjala “njëri mbjell e tjetri korr”. 38 Unë ju dërgova të korrni atë për çka ju nuk u munduat. Të tjerë u munduan e ju gëzuat frytet e mundimit të tyre».
39 Shumë nga samaritanët e atij qyteti besuan në Jezuin nga dëshmia e gruas që thoshte: «Më tregoi gjithçka që kam bërë». 40 Kur shkuan tek ai, samaritanët iu lutën të qëndronte me ta dhe ai qëndroi atje dy ditë. 41 Edhe më shumë njerëz besuan në të kur dëgjuan fjalët e tij. 42 Ndërsa gruas i thoshin: «Tani nuk besojmë më vetëm nga fjalët e tua, sepse e dëgjuam vetë dhe e dimë se ky është me të vërtetë shpëtimtari i botës!».
Shërimi i djalit të nëpunësit
(Mt 8.5-13Lk 7.1-10)43 Pas këtyre dy ditëve, Jezui iku prej andej e shkoi në Galile. 44 Vetë ai kishte thënë se asnjë profet nuk nderohet në vendlindjen e tij, 45 por kur mbërriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë gjithçka kishte bërë gjatë festës në Jerusalem, pasi edhe ata kishin qenë atje për festë.
46 Jezui shkoi përsëri në Kanë të Galilesë, ku kishte kthyer ujin në verë. Një nëpunës mbretëror, që kishte të birin sëmurë në Kafarnaum, 47 kur dëgjoi se Jezui kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi e i kërkoi të zbriste deri në Kafarnaum e t'i shëronte të birin që ishte duke vdekur. 48 Atëherë Jezui i tha: «Ju nuk besoni nëse nuk shikoni shenja e mrekulli». 49 Nëpunësi i tha: «Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija». 50 Jezui i tha: «Shko në shtëpi! Yt bir do të jetojë». Ai u besoi fjalëve të Jezuit e shkoi.
51 Duke zbritur për në shtëpi, shërbëtorët i dolën para e i thanë se djali i tij ishte mirë. 52 Atëherë ai i pyeti për orën kur u bë më mirë djali e ata i thanë: «Dje, në orën një të drekës e lanë ethet». 53 Atëherë i ati e kuptoi se ajo ishte ora kur Jezui i kishte thënë: «Yt bir do të jetojë». Kështu besoi ai vetë e të gjithë ata të shtëpisë së tij.
54 Kjo ishte shenja e dytë që bëri Jezui kur u kthye nga Judeja në Galile.