1 Edhe ishte një njeri nga Farisenjtë, që e kishte emërinë Nikodhim, i pari Judhenjet.
2 Kyj erdhi natënë te Jisuj, edhe i tha: “Ravvi, e dimë, se ke ardhurë nga Perëndia Mësonjës; sepse asndonjë s’munt të bënjë këto shenje që bën ti, ndë mos qoftë Perëndia bashkë me atë.”
3 Jisuj u përgjeq e i tha: “Me të vërtetë, me të vërtetë po të them: ndë mos linttë njeriu prej së larti, s’munt të shohë mbëretërin’ e Perëndisë.”
4 Nikodhimi i thotë: “Qysh munt të lintnjë njeri tuke qënë plak? Mos munt të hynjë për së dyti ndë barkt të s’ëmësë ti e të lintnjë?”
5 Jisuj u përgjeq: “Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, ndë mos linttë njeri prej ujit e prej Frymësë, s’munt të hynjë ndë mbëretërit të Perëndisë.
6 Ç’është lindurë prej mishit, është mish, edhe ç’është lindurë prej Frymësë, është frymë.
7 Mos u çudit sepse të thashë, se : Duhetë të lintni ju prej së larti.
8 Era fryn kudo, edhe i dëgjon zënë, po s’di nga vien, e ku vete; kështu ësht’ edhe kushdo që është lindurë prej Frymësë.”
9 Nikodhimi u përgjeq e i tha: “Qysh munt të bënenë këto?”
10 Jisuj u përgjeq e i tha: “Ti je Mësonjës’ i Israilit, edhe nukë di këto?
11 Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, se atë që dimë flasëmë, edhe për atë që pam martirisëmë, po martirinë tonë nuk’ e prisni.
12 Ndë u thashë juve punërat’ e dheut, edhe nukë besoni, qysh do të besoni, ndë u thënça juve punërat’ e qiellit?
13 Edhe asndonjë s’ka hipurë ndë qiell, veç ay që ka sbriturë nga qielli, i bir’ i njeriut, që është ndë qiell.
14 Edhe sikundrë Mojsiu ngriti lart gjarpërinë ndë shkretërirët, kështu duhetë të ngrihetë lart edhe i bir’ i njeriut;
15 Që të mos humbasë kushdo t’i besonjë, po të ketë jetë të pasosurë.
16 Sepse Perëndia kaqë e deshi botënë, sa dha Birin’ e ti të vetëmlindurinë, që të mos humbasë kushdo t’i besonjë ati, po të ketë jetë të pasosurë.
17 Sepse Perëndia nukë dërgoj të Birrë te bota, të gjykonjë botënë, po të shpëtonjë bota prej anës’ ati.
18 Ay që i beson ati, nukë gjykonetë; po ay që nukë beson ndashti është gjykuarë, sepse nukë besoj mb’emërit të vetëmlindurit Birit të Perëndisë.
19 Edhe kyj është gjyqi, se drita erdhi ndë botët, edhe njerëzitë deshnë me tepërë errësirënë se dritënë; sepse punërat’ e atyreve ishin të liga.
20 Sepse kushdo që punon punëra të këqia, i ka mëri dritësë, edhe nukë vien te drita, që të mos sbulonenë punërat’e ati.
21 Po ay që bën të vërtetënë, vien te drita, që të dëftenjë punërat’ e ati, se janë punuarë mbë Perëndinë.”
22 Pastaj erdhi Jisuj edhe nxënësit’ e ati ndë dhe të Judhesë, edhe shkonte kohënë atie bashkë me ata, edhe pagëzonte.
23 Ishte edhe Joanni tuke pagëzuarë nd’ Enon, afërë Salimit, sepse atie ishinë shumë ujëra; edhe vininë e pagëzoneshinë.
24 Sepse Joanni edhe s’ishte hedhë ndë burkt.
25 U bë pra një të kërkuarë për punë pastrimi prej nxënëset Joannit me ca Judhenj.
26 Edhe erthnë te Joanni edhe i thanë: “Ravvi, ay që ishte bashkë me tyj përtej Jordhanit, për të cilinë ti martirise, shih kyj te po pagëzon, edhe të gjithë vinë tek ay.”
27 Joanni u përgjeq e tha: “Njeriu nukë munt të marrë asgjë, ndë mos i është dhënë nga qielli.
28 Ju vetë martirisni për mua se thashë: Unë nukë jam Krishti, po se jam dërguarë përpara ati.
29 Ay që ka nusenë, është dhëndërri; edhe miku i dhëndërrit, ay që rri edhe dëgjon atë, gëzonetë me gëzim të math për zërin’ e dhëndërrit. Kyj gëzimi im pra u mbush.
30 Ay duhetë të shtonetë, e unë të pakësonem.
31 Ay që vien prej së larti, është sipër të gjithave. Ay që është prej dheut, është prej dheut, edhe flet prej dheut; ay që vien prej qiellit, është sipër të gjithave.
32 Edhe atë që pa edhe dëgjoj, martiris për këtë; po asndonjë nuk’ pret martirin’ e ati.
33 Ay që pret martirin’ e ati, ka vënë vulë se Perëndia ësht’ i vërtetë.
34 Sepse ay që është dërguarë prej Perëndisë, flet fialët’ e Perëndisë; sepse Perëndia nuk’ ep Frymën’ ati me masë.
35 Ati do Birinë, edhe ia ka dhënë ndë dorë të gjitha.
36 Ay që i beson të Birit ka jetë të pasosurë; po ay që nuk’ i dëgjon të Birit, nukë do të shohë jetë, po zemërata e Perëndisë mbet mb’atë.”
Jezui dhe Nikodemi
1 Mes farisenjve ishte një njeri që quhej Nikodem. Ky ishte njëri nga krerët e judenjve. 2 Ai shkoi natën te Jezui e i tha: «Mësues, e dimë se vjen nga Perëndia, se askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, nëse Perëndia nuk është me të». 3 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po të them se ai që nuk lindet përsëri , nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë». 4 Nikodemi i tha: «Si mund të lindet përsëri një njeri kur është i thyer në moshë? A mund të hyjë për së dyti në barkun e nënës e të lindet përsëri?». 5 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po të them se ai që nuk lind nga uji e nga Shpirti, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. 6 Çfarë lind nga njeriu është njerëzore, çfarë lind nga Shpirti është shpirtërore. 7 Mos u çudit se të thashë: “Duhet të lindeni përsëri”. 8 Era fryn ku të dojë; ushtimën ia dëgjon, por nuk e di nga vjen e ku shkon. Kështu janë edhe ata që linden nga Shpirti». 9 Nikodemi e pyeti: «Si mund të ndodhin këto gjëra?».
10 Jezui u përgjigj: «Ti je mësues i Izraelit e nuk i kupton këto gjëra? 11 Me të vërtetë po të them: flasim atë që dimë e dëshmojmë atë që kemi parë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë. 12 Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjërat tokësore, si do të më besoni po t'ju flas për gjërat qiellore? 13 Askush nuk është ngjitur në qiell, përveç Birit të njeriut që ka zbritur prej qiellit . 14 Ashtu si Moisiu lartësoi gjarprin prej bronzi në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe Biri i njeriut, 15 që kushdo që beson në të , të ketë jetën e amshuar. 16 Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar. 17 Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë për ta gjykuar botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij. 18 Kush beson në të nuk gjykohet, ndërsa kush nuk beson në të është gjykuar tashmë, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.
19 Gjykimi është ky: drita ka ardhur në botë, por njerëzit kanë dashur errësirën më shumë se dritën, se veprat e tyre ishin të liga. 20 Kush bën gjëra të këqija e urren dritën e nuk del në dritë, që të mos zbulohen veprat e tij. 21 Ndërsa kush bën të vërtetën del në dritë, që të shfaqet se veprat e tij janë bërë me fuqinë e Perëndisë».
Jezui dhe Gjon Pagëzori
22 Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në krahinën e Judesë. Atje qëndroi për pak kohë me ta e pagëzonte. 23 Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, se atje kishte shumë ujë e njerëzit shkonin tek ai e pagëzoheshin. 24 Në atë kohë Gjoni nuk ishte burgosur ende.
25 Dishepujt e Gjonit filluan të diskutonin me një jude rreth ritit të pastrimit. 26 Ata shkuan te Gjoni e i thanë: «Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti dëshmove, ja, po pagëzon e të gjithë po shkojnë tek ai». 27 Gjoni u përgjigj: «Askush nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë prej qiellit. 28 Vetë ju keni qenë dëshmitarë kur thashë: “Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij”.
29 Ai që ka nusen është dhëndri, ndërsa miku i dhëndrit, që rri dhe e dëgjon, ngazëllehet nga zëri i dhëndrit. Ky pra është gëzimi im e tani është bërë i plotë. 30 Krishti duhet të rritet, ndërsa unë të zvogëlohem».
Ai që vjen nga lart
31 «Ai që vjen nga lart është mbi të gjithë, ndërsa ai që vjen nga toka është prej tokës e flet për gjërat e saj. Ai që vjen nga qielli është mbi të gjithë 32 dhe dëshmon për atë që ka parë e ka dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij. 33 Kush pranon dëshminë e tij, pohon se Perëndia është i vërtetë. 34 Ai që ka dërguar Perëndia, flet fjalët e Perëndisë, se Perëndia ia jep Shpirtin pa masë.
35 Ati e do Birin e i ka lënë gjithçka në dorë. 36 Kush beson në Birin, ka jetën e amshuar, ndërsa kush nuk i bindet Birit, nuk do ta shohë jetën, por mbetet nën zemërimin e Perëndisë».