1 Që përpara herësë ishte Fiala, edhe fiala ishte me Perëndinë, edhe Fiala ishte Perëndi.
2 Këjo ishte që përpara herësë me Perëndinë.
3 Të gjitha u bënë me anë të asaj; edhe pa atë nuk’ u bë asndonjë gjë nga ç’qe bërë.
4 Nd’atë ishte jetë, edhe jeta ishte drita e njerëzet.
5 Edhe drita ndrit nd’errësirët, edhe errësira nuk’ e kupëtoj.
6 Qe një njeri dërguarë nga Perëndia, i cili e kishte emërinë Joan.
7 Kyj erdhi për martiri, që të martirisë për Dritënë, që të besonjënë prej anës’ ati.
8 Ay nuk’ ishte Drita, po që të martirisë për Dritënë.
9 Ishte Drita e vërtetë, që ndrit çdo njeri që vien ndë botët.
10 Ishte ndë botët, edhe bota u bë prej anës’ ati; po bota nuk’ e njohu atë.
11 Erdhi ndë të tijt, edhe të tijtë nuk’ e pritnë atë.
12 Edhe sa e pritnë, u dha pushtet të bënenë bij Perëndie, atyreve që besonjënë mb’emërit’ t’ati.
13 Ata nukë lintnë prej gjaqesh, as prej dashurim mishi, as prej dashurim burri, po prej Perëndie.
14 Edhe Fiala u bë mish, edhe ndenji ndër ne (edhe pamë lavdin’ e ati, posi lavdi të vetëmlinduri prej Atit), plot me hir e me të vërtetë.
15 Joanni martiris për atë, edhe bërtiti, tuke thënë: “Kyj ishte ay që thashë: Ay që vien pas meje është më i math se unë, sepse ishte përpara meje.
16 Edhe nga të mbushurit e ati neve të gjithë muarmë, edhe hir ndë vënt hiri.
17 Sepse nomi u dha prej anësë Mojsiut, po hiri edhe e vërteta u bë prej anësë Jisu Krishtit.
18 Asndonjë s’e ka parë kurrë Perëndinë; veç i Vetëmlinduri Bir, që është ndë gji të Atit, ay e dëfteu.”
19 Edhe këjo është martiria e Joannit, kur dërguanë Judhenjtë nga Jerusalimi priftërë edhe Levitërë që ta pyesënë: “Cili je ti?”
20 Edhe rrëfeu, edhe nukë mohoj; po rrëfeu, se: “Unë nukë jam Krishti.”
21 Edhe e pyetnë: “Cili pra? Ilia je ti?” Edhe thotë: “Nukë jam.” “Profiti je ti?” Edhe u përgjeq: “Jo.”
22 I thanë pra: “Cili je? Që t’u përgjegjemi atyreve që na kanë dërguarë; ç’thua për vetëhenë tënde?”
23 Tha: “Unë jam “zër’ i ati që bërtet ndë shkretëtirët: Drejtoni udhën’ e Zotit”, sikundrë tha profiti Isaj.
24 Edhe ata që qenë dërguarë ishinë prej Farisenjsh.
25 Edhe e pyetnë e i thanë: “Përse pagëzon pra, kur nukë je ti Krishti, as Ilia, as profiti?”
26 Joanni u përgjeq atyre, tuke thënë: “Unë pagëzonj me ujë; po ndërmest tuaj rri ay, që ju nuk’ e njihni.
27 Ay ësht’ ay që vien pas meje, i cili është më i math se unë; ati unë s’jam i zoti t’i cgith rripin’ e shollësë.”
28 Këto u bënë ndë Vithavara përtej Jordhanit, atie ku ishte Joanni tuke pagëzuarë.
29 Ndë të nesërmet Joanni sheh Jisunë tuke ardhurë tek ay, edhe thotë: “Na Qëngji i Perëndisë, që ngre fajin’ e botësë.
30 Kyj ësht’ ay, që unë thashë për atë, se : Pas meje vien një njeri, i cili është më i math se unë, sepse ishte përpara meje.
31 Edhe unë s’e njoha; po që të dëftenetë ndë Israil, përandaj erdha unë të pagëzonj me ujë.”
32 Edhe Joanni martirisi, tuke thënë, se: “Pashë Frymën’ e Shënjtëruarë tuke sbriturë nga qielli posi pëllump, edhe ndenji mbi atë.
33 Edhe unë nuk’e njoha; po ay që më dërgoj të pagëzonj me ujë, ay më tha: Përmbi cilinë të shohç Frymën’ e Shënjtëruarë tuke sbritur’ e tuke ndenjurë mbi atë, Kyj është’ ay që pagëzon me Frymë të Shënjtëruarë.
34 Edhe un’ e pashë, edhe martirisa, se kyj ësht’ i Bir’ i Perëndisë.”
35 Ndë të nesërmet përsëri Joanni ishte tuke ndenjurë, edhe dy prej nxënëset ati.
36 Edhe kur shtyri sytë e pa Jisunë tuke ecurë, thotë: “Na Qëngji i Perëndisë.”
37 Edhe ata të dy nxënësitë dëgjuan’ atë tuke folurë, edhe vanë pas Jisujt.
38 Edhe Jisuj kur u këthye, edhe pa ata tuke vaturë pas ati, u thot’ atyre: “Ç’kërkoni?”
39 Edhe ata i thanë: “Ravvi (që ajo, këthyerë do me thënë, Mësonjës), ku e ke të ndenjuritë?”
40 U thot’ atyre: “Ejani edhe shihni.” Erthnë edhe panë ku e kishte të ndenjuritë; edhe mbetnë përanë ati atë ditë; sepse ora ishte afëro dhietë.
41 Ishte Andhreu, i vëllaj Simon Pietrit, një nga ata të dy që dëgjuanë prej Joannit për atë , edhe vanë pas ati.
42 Kyj më përpara gjen të vëllan’ e ti Simoninë, edhe i thotë: “Gjetëm Messinë”, që ajo, këthyerë, do me thënë Krishti.
43 Edhe e pruri te Jisuj. Edhe Jisuj shtiu sytë mb’atë, edhe tha: “Ti je Simoni, i bir’ i Jonajt; ti do të qjuhesh Qifa”, që ajo, këthyerë do me thënë Pietrë (gur ).
44 Ndë të nesërmet Jisuj deshi të dalë ndë Galilet; edhe gjen Filippinë, e i thotë:
45 “Eja pas meje.” Edhe Filippi ishte nga Vithsajdha, nga qyteti i Andhreut edhe i Pietrit.
46 Filippi gjen Nathanailinë, edhe i thotë: “Kemi gjetur’ atë që shkroj Mojsiu ndë nomt, edhe profitëritë, Jisunë, të birin’ e Josifit që është nga Nazareti.”
47 Edhe Nathanaili i tha: “A munt të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?” Filippi i thotë: “Eja edhe shih.”
48 Jisuj pa Nathanailinë tuke ardhurë tek ay, edhe thotë për atë: “Shih Israilit me të vërtetë, që s’është gënjeshtrë tek ay.”
49 Nathanaili i thotë: “Ku më njeh?” Jisuj u përgjeq e i tha: “Para se të thërresë Filippi, kur ishnje ndënë drurin’ e fikut, të pashë.”
50 Nathanaili u përgjeq e i thotë: “Ravvi, ti je i Bir’ i Perëndisë, ti je mbëreti Israilit.”
51 Jisuj u përgjeq e i tha: “Sepse të thashë, të pashë ndënë drurin’ e fikut, beson? Do të shohç më të mëdha se këto.”
52 Pastaj i thotë: “Me të vërtetë, me të vërtetë po u them juve: Që ndashti e paskëtaj do të shihni qiellinë hapurë, edhe ëngjëjt’e Perëndisë tuke hipur’ e tuke sbriturë mbi të birin’ e njeriut.”
Mishërimi i Fjalës
1 Në fillim ishte Fjala.
Fjala ishte me Perëndinë.
Fjala ishte Perëndi.
2 Fjala ishte që në fillim
me Perëndinë.
3 Gjithçka u bë nëpërmjet tij
dhe asgjë e krijuar nuk u bë pa të.
4 Në të gjendej jeta
dhe jeta ishte drita e njerëzve.
5 Drita ndriçon në errësirë
dhe errësira nuk e mundi dot .
6 Perëndia dërgoi një njeri
që quhej Gjon.
7 Ai erdhi të jepte dëshmi
për dritën,
që të gjithë të besojnë
nëpërmjet tij.
8 Ai nuk ishte drita,
por dëshmitar i dritës.
9 Fjala ishte drita e vërtetë,
e cila vjen në botë
dhe ndriçon çdo njeri.
10 Ai ishte në botë
dhe bota u bë
nëpërmjet tij,
por bota nuk e njohu.
11 Ai erdhi te të vetët,
por të vetët nuk e pranuan.
12 Atyre që e pranuan
dhe besuan në emrin e tij,
u dha të drejtën
të bëhen bij të Perëndisë.
13 Ata nuk lindën prej gjakut,
as prej vullnetit njerëzor
a prej dëshirës së burrit,
por prej Perëndisë.
14 Dhe Fjala u mishërua
e banoi mes nesh.
Ne e pamë lavdinë e tij,
lavdi e Birit të vetëmlindur të Atit,
plot hir e të vërtetë.
15 Gjoni dëshmoi për të. Ai tha me zë të lartë: «Ky është ai për të cilin thashë: ai që vjen pas meje është më i madh se unë, sepse ishte para meje».
16 Ne të gjithë morëm hir mbi hir prej plotësisë së tij. 17 Ligji u dha përmes Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën përmes Jezu Krishtit. 18 Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Biri i vetëmlindur që është në gjirin e Atit, ai na e bëri të njohur.
Dëshmia e Gjon Pagëzorit
(Mt 3.1-12Mk 1.2-8Lk 3.15-17)19 Kjo është dëshmia e Gjonit kur të parët e judenjve nga Jerusalemi i dërguan priftërinj e levitë që ta pyesnin: «Kush je ti?». 20 Ai nuk ngurroi të përgjigjej, por rrëfeu: «Unë nuk jam Krishti». 21 Ata e pyetën: «Atëherë, kush je ti? A mos je Elia?». Gjoni tha: «Jo, nuk jam». «A mos je profeti?». Ai u përgjigj: «Jo». 22 Atëherë i thanë: «Kush je ti? Se duhet t'u japim një përgjigje atyre që na dërguan. Ç'thua për veten tënde?». 23 Gjoni tha: «Unë jam zëri që thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin! ». Kështu kishte thënë edhe profeti Isai.
24 Të dërguarit ishin nga farisenjtë. 25 Ata e pyetën: «Nëse ti nuk je Krishti, as Elia e as profeti, atëherë, përse pagëzon?». 26 Gjoni u përgjigj: «Unë pagëzoj me ujë, por mes jush qëndron ai që ju nuk e njihni. 27 Ai vjen pas meje, por unë nuk jam i denjë as t'i zgjidh lidhëset e sandaleve». 28 Të gjitha këto ndodhën në Betani, në anën tjetër të lumit Jordan, ku Gjoni po pagëzonte.
Qengji i Perëndisë
29 Të nesërmen Gjoni pa Jezuin që po vinte drejt tij e tha: «Ja Qengji i Perëndisë që merr mbi vete mëkatin e botës! 30 Ky është ai për të cilin ju thashë: “Pas meje vjen dikush që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje”. 31 Unë nuk e njihja atë, prandaj erdha të pagëzoj me ujë që t'ia zbuloj Izraelit».
32 Gjoni dëshmoi: «Pashë Shpirtin tek zbriste prej qiellit si pëllumb e që qëndroi mbi të. 33 Unë nuk e njihja atë, por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë më tha: “Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin duke zbritur e duke qëndruar mbi të, është ai që do të pagëzojë me Shpirtin e shenjtë”. 34 Unë e kam parë dhe dëshmoj se ky është Biri i Perëndisë».
Dishepujt e parë
35 Të nesërmen, Gjoni po qëndronte sërish atje bashkë me dy prej dishepujve të tij 36 dhe kur pa Jezuin që po kalonte, tha: «Ja Qengji i Perëndisë!». 37 Dy dishepujt, kur dëgjuan çfarë tha Gjoni, i shkuan pas Jezuit. 38 Jezui u kthye e kur pa se po i shkonin pas, i pyeti: «Çfarë kërkoni?». Ata i thanë: «Rabbi, “që do të thotë mësues”, ku banon?». 39 Jezui u tha: «Ejani e shihni!». Ata shkuan, panë ku banonte dhe atë ditë qëndruan me të. Ora ishte rreth katër e pasdites.
40 Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte njëri prej atyre të dyve që ndoqën Jezuin, pasi dëgjuan çfarë tha Gjoni. 41 Ai takoi të parin vëllanë e vet, Simonin, e i tha: «Gjetëm Mesinë!», domethënë Krishtin. 42 Pastaj e çoi atë te Jezui, i cili sapo e pa, i tha: «Ti je Simoni, biri i Gjonit. Ti do të quhesh Kefa», që do të thotë Pjetër, shkëmb.
Thirrja e Filipit dhe Natanaelit
43 Të nesërmen, Jezui vendosi të shkojë në Galile. Ai takoi Filipin e i tha: «Më ndiq!». 44 Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas e i Pjetrit. 45 Filipi gjeti Natanaelin e i tha: «E gjetëm atë për të cilin kanë shkruar Moisiu në ligj dhe profetët, Jezuin nga Nazareti, birin e Jozefit». 46 Natanaeli e pyeti: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?». «Eja e shih!», iu përgjigj Filipi. 47 Jezui pa Natanaelin që po shkonte drejt tij e tha për të: «Ja një izraelit i vërtetë tek i cili nuk ka mashtrim!». 48 Natanaeli e pyeti: «Nga më njeh?». Jezui iu përgjigj: «Të pashë kur ishe nën fik, përpara se të të thërriste Filipi». 49 Natanaeli tha: «Mësues, ti je Biri i Perëndisë! Ti je mbreti i Izraelit!». 50 Jezui i tha: «Ti beson vetëm sepse të thashë se të pashë nën fik? Do të shohësh gjëra edhe më të mëdha!». 51 Pastaj Jezui i tha: «Me të vërtetë po ju them: do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut».