1 Ejani tashti, ju të pasuritë, qjani e ulurini për të këqiatë që do të vinjënë mbi ju.
2 Pasëja juaj u kalp, edhe rrobatë tuaj ua brëjti mola.
3 Ari juaj e argjëndi u ndryshk, edhe ndryshku i atyreve do të jetë për martiri kundrë jush, edhe do të hajë mishratë tuaj si ziarr; mblothtë thesare për dit e pastajme.
4 Na tek bërtet paga që ua keni mbajturë punëtorëvet që korrnë aratë tuaja; edhe të bërtiturat’ e korrësavet hynë i vanë ndë veshët të Zotit Sabaoth.
5 U kënaqtë e bëtë pallë mbi dhet; ushqyetë zemratë tuaja posi për ditën’ e të therurit;
6 Dënuatë, edhe vratë të drejtinë; e ay nuk u rri kundrë juve.
7 Kini zemërë të gjerë pra, o vëllezër, gjer mbë t’ardhurit të Zotit. Na bujku te pret pemën e dheut të paçëmuarënë, e ka zemërë të gjërë për atë, gjersa të marrë shin’ e lashtë edhe të voninë.
8 Kini zemërë të gjerë edhe ju, forconi zemratë tuaja; sepse t’ardhurit’ e Zotit u afrua.
9 Mos psherëtini kundrë njëri tiatrit, o vëllezër, që të mos gjukonemi për të lik; na gjyqëtari te rri përpara dyervet.
10 Merrni për shëmbëllesë, o vëllezërit’ e mi, të te hequritë keq edhe zemrën’ e gjërë të profitëvet, që folnë mb’ emërit të Zotit.
11 Na te lumërojm’ ata që duronjënë; e keni dëgjuarë durimin’ e Jovit, edhe e patë të pastajmen’ e Zotit, se Zoti është shum’ i përdëllyershim edhe i dhëmburë.
12 Edhe përpara të gjithave, o vëllezërit’ e mi, mos bëni be, as për qiellë, as për dhenë, as ndonjë tiatërë be; po le të jetë fiala juaj, po, po, edhe jo, jo; që të mos bini ndë gjykim.
13 Heq keq ndonjë ndër ju? Le të faletë; ka zemërë të gëzuarë ndonjë? Le të psallë.
14 Ësht’ i sëmurë ndonjë ndër ju? Le të thërresë pleqt’ e qishësë, edhe le të falenë përmbi atë, e le ta lyenjënë me vaj mb’ emërit të Zotit.
15 Edhe urata me besë do ta shpëtonjë atë që lëngon, edhe Zoti do ta ngrerë atë; edhe ndë pastë bërë faje, do t’ i falenë.
16 Rrëfeni fajetë njëri tiatrit, edhe fali njëri për tiatrinë, që të shërohi. Të luturit’ e të drejtit ka shumë fuqi kur bënetë.
17 Ilia ishte një njeri që pësonte posi ne, edhe u fal tuke luturë që të mos bierë shi; edhe nukë ra shi mbi dhet tre viet e gjashtë muaj.
18 Edhe përsëri u fal, edhe qielli dha shi, edhe dheu lëshoj pemën’ e ti.
19 O vëllezër, ndë daltë ndonjë ndër ju jasht’ udhësë së vërtetësë, edhe ta këthenjë ndonjë atë,
20 Le ta dijë se ay që këthen fajtorinë prej udhësë ti kobimtaresë, do të shpëtonjë një shpirt prej vdekëjesë, edhe do të mbulonjë shumicë fajesh.
Qortime për të pasurit
1 Dhe tani, ju, o të pasur! Qani e vajtoni për mundimet që ju presin. 2 Pasuria juaj u kalb e rrobat tuaja i brejti tenja. 3 Ari e argjendi juaj u ndryshkën. Ndryshku i tyre do të jetë dëshmi kundër jush e do të përpijë trupat tuaj si zjarri. Ju u pasuruat në ditët e fundit. 4 Ja, paga që u keni ngrënë punëtorëve që korrën arat tuaja po këlthet e klithmat e korrësve arritën në vesh të Zotit të ushtrive qiellore.
5 Këtu në tokë jetuat në qejfe dhe bëtë shpenzime të kota. U majmët si kafshët për therje, 6 dënuat e vratë të drejtin dhe ai nuk ju kundërshtoi.
Durimi e lutja
7 Vëllezër, bëni durim derisa të vijë Zoti. Edhe bujku e pret me durim frytin e çmuar të tokës derisa të bien shirat e vjeshtës e të pranverës. 8 Kini edhe ju durim e forcojini zemrat, se dita e ardhjes së Zotit është afër. 9 Vëllezër, mos u ankoni për njëri-tjetrin, që të mos gjykoheni. Ja, gjykatësi është te dera! 10 Shembull të vuajtjes e të durimit kini profetët që folën në emër të Zotit. 11 Ne i quajmë të lumë ata që duruan. Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit dhe e patë çfarë fundi i ruajti Zoti, sepse Zoti është mëshirëplotë e i dhembshur.
12 Para së gjithash, vëllezërit e mi, mos bëni be: as për qiellin, as për tokën e as ndonjë betim tjetër. Le të jetë «po-ja» juaj «po» dhe «jo-ja» juaj «jo», që të mos gjykoheni nga Perëndia.
13 A vuan ndonjë prej jush? Le të lutet! A është ndonjë i gëzuar? Le të këndojë psalme! 14 A është ndonjë nga ju i sëmurë? Le të thërrasë pleqtë e kishës që të luten për të e ta lyejnë me vaj në emër të Zotit. 15 Lutja me besim do ta shërojë atë që lëngon dhe Zoti do ta mëkëmbë. Nëse ka bërë mëkate, ato do t'i falen.
16 Rrëfejani mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni. Lutja e të drejtit ka fuqi të madhe! 17 Elia ishte njeri si ne. Ai u lut me gjithë shpirt që të mos binte shi dhe nuk ra shi mbi tokë për tre vjet e gjashtë muaj. 18 Pastaj u lut përsëri dhe qielli dha shi e toka dha frytet e saj.
19 Vëllezërit e mi, nëse ndonjë prej jush largohet nga e vërteta dhe një tjetër e kthen përsëri në besim, 20 duhet ta dini se ai që kthen një mëkatar nga udha e mashtrimit, ia shpëton shpirtin nga vdekja dhe atij vetë do t'i falen shumë mëkate.