1 Nga janë luftërat’ e qartatë ndër ju? Jo këtejë, nga dëshërimetë që lëftonjënë ndër anët të mishit tuaj.
2 Dëshëroni, e nukë keni; vritni e keni cmir, edhe nukë munt të fitoni; zihi e lëftoni, po nukë keni; sepse nukë lypni.
3 Lypni, e nukë merrni, sepse lypni keq, që të prishni ndë dëshërimet tuaja.
4 O kurvarë e kurva, nuk’ e dini se miqësia e botësë ësht’ arëmiqësia e Perëndisë? Ay që të dojë pra të jetë miku i botësë, bënet’ arëmiku i Perëndisë.
5 Apo kujtoni se shkronja thotë kot: Ajo fryma që ndënji ndër ju mallngjen për cmir?
6 Po Perëndia ep një hirë më të math, përandaj thotë: “Perëndia rri kundrë madhështorëvet e u ep hirë kryeunjurëvet.”
7 Binduni pra te Perëndia; i rrini kundrë diallit, edhe do të ikënjë nga ju.
8 Iu afrohuni Perëndisë, edhe do t’ u afronetë juve. Pastroni duartë, o fajtorë, edhe qjëroni zemëratë, o njerës me dy mëndëje.
9 Hiqni keq e bëni vajë e qjani; gazi juaj le të këthenetë mbë vajë; edhe gëzimi juaj mbë hidhërim.
10 Unji përpara Zotit, edhe do t’ u ngrejë juve.
11 Mos flisni keq njëri për tiatrinë, o vëllezër; ay që flet për vëllanë, edhe gjukon të vëllanë, flet keq për nomnë, edhe gjukon nomnë; edhe ndë gjukofsh nomnë, nukë je ruajtës i nomit, po gjyqëtar.
12 Një është nom-dhënës, ay që munt të shpëtonjë edhe të humbasë; kush je ti që gjukon tiatrinë?
13 Ejani tashti ju që thoni: Sot a nesër do të vemi ndë këtë qytet, edhe do të bëjmë atie një vit, edhe do të tregëtojmë e do të fitojmë;
14 Ju që nuk’ e dini se çdo të jetë nesër, sepse ç’është jeta juaj? Është një avullë që duketë për pak kohë , e pastaj humbet.
15 Ndë vënt që të thoni: Ndë dashtë Perëndia, edhe ndë rrofshim, do të bëjmë këtë a atë.
16 Po tashti mburreni mbë madhështiat tuaja; çdo të tillë të mburrurë është të lik.
17 Kush di pra të bënjë të mirë, e nukë bën, është faj për atë.
Miqësia me botën
1 Nga vijnë luftrat e grindjet mes jush? A nuk vijnë nga epshet që luftojnë në gjymtyrët tuaja? 2 Ju lakmoni, por nuk keni. Pastaj vrisni e keni smirë, por gjë nuk fitoni. Grindeni e luftoni, por nuk keni, se nuk kërkoni nga Perëndia. 3 Kërkoni e nuk merrni, sepse kërkoni me qëllim të keq, që t'i përdorni për epshet tuaja.
4 O njerëz të pafe! A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai që dëshiron të jetë mik me botën, bëhet armik me Perëndinë. 5 Mos vallë pandehni se Shkrimi thotë më kot se shpirti i vendosur nga Perëndia brenda nesh, priret drejt smirës ? 6 Por, Perëndia na jep edhe më shumë hir, prandaj thuhet:
Perëndia u kundërvihet krenarëve,
ndërsa të përulurve u jep hir.
7 Nënshtrojuni Perëndisë, ndërsa djallin kundërshtojeni dhe ai do të largohet nga ju. 8 Afrojuni Perëndisë dhe ai do t'ju afrohet. Pastroni duart, o mëkatarë, dhe pastroni zemrat, o njerëz me dy mendje! 9 Pikëllohuni, vajtoni e qani! E qeshura juaj të kthehet në vajtim dhe gëzimi në trishtim. 10 Përuluni para Zotit dhe ai do t'ju lartësojë.
Mos gjykoni
11 Mos flisni keq për njëri-tjetrin, o vëllezër! Ai që flet keq për vëllanë apo e gjykon atë, flet keq për ligjin dhe e gjykon atë ligj. Nëse gjykon ligjin, nuk je zbatues i këtij ligji, por gjykues i tij. 12 Vetëm njëri është ligjvënësi dhe gjykuesi, ai që mund të shpëtojë apo të çojë në humbje. Po ti, kush je që gjykon të afërtin?
Kujdes nga krenaria
13 Dhe tani më dëgjoni ju që thoni: «Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, do të rrimë atje një vit, do të bëjmë tregti e do të fitojmë». 14 Ju nuk e dini si do të jetë e nesërmja dhe se çfarë është jeta juaj. Ajo është si avulli që duket për pak kohë dhe pastaj zhduket. 15 Në vend që të thoni: «Në dashtë Zoti dhe në qofshim gjallë, do të bëjmë këtë apo atë gjë», 16 ju mburreni me krenari. Çdo mburrje e tillë është e ligë. 17 Ai që di të bëjë të mirën e nuk e bën, bën mëkat.