1 Edhe me thënë shkurt për sa folëm: Kemi të tillë kryeprift, që ndënji ndë të diathtët të fronit madhërisë ndë qiejet,
2 Punëtori i shënjtorëvet, edhe i tendësë vërtetë të cilën’ e nguli Zoti, e jo njeri.
3 Sepse çdo kryeprift vihetë që të bierë dhurëtia e kurbanë; përandaj është nevojë të ketë edhe kyj ndonjë gjë, që ta bierë kurban .
4 Sepse ndë ishte mbi dhet, nukë do t’ishte prift, sepse ishinë priftërë ata që bininë dhurëtiatë pas nomit;
5 Të cilëtë punoninë pas shëmbëllesësë edhe pas hiesë punëravet qiellore, sikundrë i pat thënë Perëndia Mosiut, kur kishte për të ndërtuarë tendënë; sepse thotë: “Shiko t’i bënjç të gjitha pas formësë që t’u dëftue tyj ndë malt”.
6 Po ndashti Krishti firoi një punë më të mirë, sa më shumë ësht’ edhe lajmës i një dhiate më të mirë, e cila u bë nom mbi të zotuara më të mira.
7 Sepse ndë ishte pa palavi ajo e pars, nukë do të kërkonej vënt për të dytënë.
8 Sepse tuke gjeturë faj Perëndia mb’ ata thotë: “Ja tek vijnë dit, thotë Zoti, edhe do të bënj një dhiatë të re mbi shtëpin’ e Israilit edhe mbi shtëpin’ e Judhësë;
9 Jo pas dhiatësë që bëra mbë atërit t’ atyre atë ditë kur i rroka ata për dore, që t’i nxiriem ata nga dheu i Eqjyptit; sepse ata s’qëndruanë ndë dhiatët time, edhe unë s’i vura re ata, thotë Zoti.
10 Sepse këjo është dhiata që do të bënj ndë shtëpit të Israilit pas atyre ditve, thotë Zoti. Do të vë nomet’ e mi ndë mënt t’atyreve, edhe do t’i shkruanj ata mbë zemërat t’atyreve, edhe do të jem tek ata për Perëndi, edhe ata do të jenë tek unë për llaus.
11 Edhe nukë do të mësonjë gjithësecili të afërmin’ e ti, edhe gjithësecili vëllan’ e ti, tuke thënë: “Njih Zotinë; sepse të gjithë do të më njohënë, që prej së vogëlit atyreve gjer së madhit atyreve.
12 Sepse do të jem i përdëllyershim mbë të shtrembëtat t’atyreve, edhe nukë do të kujtonj më fajet’ e atyreve edhe panomiat’ e atyreve”.
13 Tuke thënë “të re”, vietëroj të parënë; edhe ajo gjë që vietëronet’ e plaketë, ësht’ afërë prishëjesë.
Kryeprifti i besëlidhjes më të mirë
1 Kryesorja e gjërave që po themi është kjo: kemi një kryeprift të tillë, i cili u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë së madhërishëm në qiej. 2 Ai shërben në shenjtërore dhe në tendën e vërtetë, të cilën e ngriti Zoti e jo njeriu.
3 Çdo kryeprift caktohet për të kushtuar dhurata e flijime. Kështu ishte e nevojshme që edhe kryeprifti ynë të kishte diçka për të kushtuar. 4 Po të ishte Krishti mbi tokë, nuk do të kishte qenë e nevojshme të ishte prift, sepse në tokë ka priftërinj që i kushtojnë dhurata Perëndisë sipas ligjit. 5 Këta priftërinj shërbejnë sipas shembullit dhe hijes së adhurimit qiellor, ashtu siç i tha Perëndia Moisiut kur mendonte të ngrinte tendën: tani, bëj gjithçka sipas gjedhes që t'u tregua në mal. 6 Ndërsa tani Krishtit iu dha një shërbesë më e shquar, sepse ai është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, themeluar në premtime më të mira.
7 Nëse besëlidhja e parë do të ishte pa të metë, atëherë nuk do të ishte nevoja të zëvendësohej me një të dytë. 8 Por Perëndia e qortoi popullin e vet e i tha:
ja ku po vijnë ditët, thotë Zoti,
kur do të bëj një besëlidhje të re
me shtëpinë e Izraelit
e me shtëpinë e Judës.
9 Ajo nuk do të jetë si besëlidhja
që bëra me etërit e tyre,
ditën kur i mora për dore
për t'i nxjerrë nga Egjipti.
Ata nuk i qëndruan besnikë besëlidhjes sime,
prandaj unë i braktisa, thotë Zoti.
10 Besëlidhja që do të lidh
me shtëpinë e Izraelit
pas atyre ditëve, thotë Zoti,
është kjo:
unë do t'i shtie ligjet e mia
në mendjen e tyre
e do t'i shkruaj
në zemrat e tyre.
Unë do të jem Perëndia i tyre
e ata do të jenë populli im.
11 Askush nuk do të mësojë më tjetrin
dhe vëllait të vet
askush nuk do t'i thotë më:
«Njih Zotin!»,
se do të më njohin të gjithë,
nga më i vogli te i madhi.
12 Unë do të jem i mëshirshëm
me paudhësitë e tyre,
mëkatet e tyre
nuk do t'i kujtoj më.
13 Kur Perëndia tha «besëlidhja e re », ai e vjetroi të parën. Ajo që vjetrohet e plaket është afër zhdukjes.