1 Sepse çdo kryeprift që merretë prej njerëzish, vihetë kryeprift për njerëzit mbi punëratë të Perëndisë, që të bierë dhurëtia e kurbane për faje;
2 Që munt t’i vinjë liksht për ata që janë të paditur’ e të gënjyerë; sepse edhe ay vetë është rrethuarë me dobësirë.
3 Edhe përandaj ka detyrë, sikundrë për llauzinë, kështu edhe për vetëhen’ e ti, të bierë kurban për faje.
4 Edhe asndonjë nuk’ e merr këtë nderë prej vetëhesë ti, po ay që thërritetë nga Perëndia, posi Aaroni.
5 Kështu edhe Krishti nukë lavdoj vetëhen’ e ti që të bënetë kryeprift, po ay që i foli ati: “Biri im je ti, unë sot të kam piellë.”
6 Sikundrë edhe mbë tiatërë vënt thotë: “Ti je prift për gjithë jetënë pas taksit Melqisedhekut.”
7 I cili ndë dit të mishit ti, si pruri të falura e të lutura me klithmë të fortë e me lot tek ay që munt ta shpëtonte nga vdekëja, edhe u dëgjua për atë që druante,
8 Edhe ndonëse ishte bir, nxuri nga të jetë i dëgjuarshim nga ato që pësoj.
9 Edhe si u kullua, u bë shkaku i shpëtimit pasosurë mbë gjith’ ata që i dëgjonjën’ ati,
10 Qjuajturë nga Perëndia kryeprift pas taksit Melqisedhekut.
11 Për të cilinë neve kemi për të thënë shumë punëra , edhe që nukë sgjidhenë me fialë; sepse jeni bërë të rëndë nga veshëtë për të dëgjuarë .
12 Sepse u duhej juve të ishitë mësonjësa për kohënë, po përsëri keni nevojë t’u mësonjë juve ndonjë stiqiat’ e para të fialëvet Perëndisë; edhe jeni bërë kështu që keni nevojë për qjumësht, e jo për ushqim të fortë.
13 Sepse kushdo që pi qjumësht, ësht’ i paprovuarshim ndë fialë të drejtërisë; sepse është foshnjë.
14 Po ushqimi i fortë është për burra të plotë, që kanë stërviturë të ndieratë nga zakoni për të shquarë të mirën’ e të ligënë.
1 Çdo kryeprift merret nga njerëzit e caktohet t'i shërbejë Perëndisë në dobi të njerëzve. Ai kushton dhurata e fli për mëkatet. 2 Ai është në gjendje të ndiejë dhembshuri për të paditurit e të mashtruarit, sepse edhe ai është njeri i dobët. 3 Prandaj, atij i duhet të kushtojë fli jo vetëm për mëkatet e popullit, por edhe për të vetat. 4 Askush nuk e merr vetë këtë nder, por e merr kur thirret nga Perëndia, sikurse Aroni.
5 Kështu edhe Krishti nuk e mori vetë nderin për t'u bërë kryeprift, por ia dha Perëndia kur i tha:
ti je Biri im,
të kam lindur sot.
6 Po ashtu thotë:
ti do të jesh prift përjetë
sipas urdhrit të Melkisedekut.
7 Gjatë jetës së tij njerëzore, Jezui iu lut e iu përgjërua me klithma të forta e me lot atij që mund ta shpëtonte nga vdekja. Dhe Perëndia e dëgjoi për shkak të nënshtrimit të tij. 8 Ndonëse ishte Biri i Perëndisë, ai mësoi bindjen nga të gjitha ato që pësoi. 9 Pasi u bë i përsosur, ai u bë shkaktari i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden. 10 Perëndia e shpalli atë kryeprift sipas urdhrit të Melkisedekut.
Ushqimi i duhur shpirtëror
11 Lidhur me këtë, kemi shumë gjëra për t'ju thënë, por është vështirë t'jua shpjegojmë, se keni filluar të kuptoni me vështirësi . 12 Për nga koha që ka kaluar, duhej të ishit tashmë mësues, ndërsa ju ende keni nevojë t'ju mësojnë njohuritë fillestare të fjalëve të Perëndisë. Keni arritur deri aty, sa keni nevojë për qumësht e jo për ushqim të fortë. 13 Kush ushqehet me qumësht, është ende foshnjë dhe nuk ka përvojë për të dalluar të drejtën. 14 Ndërsa ushqimi i fortë është për të rriturit, për ata që nëpërmjet përvojës i kanë stërvitur shqisat për të dalluar të mirën nga e keqja.