1 Le të kemi frikë pra, gjersa mbet mbë ne të zotuarëtë të hyjmë ndë të prëjturit t’ati, mos duketë ndonjë prej jush se mbeti prapa.
2 Sepse edhe neve jemi ungjillëzuarë, sikundre edhe ata; po nuk’ u bëri dobi fiala që dëgjuanë, sepse s’qe bashkuarë me besë mb’ ata që e dëgjuanë.
3 Sepse neve që besuamë hyjmë ndë të prëjturit, sikundrë tha: “Përandaj bëra be ndë zemëratët time, Nuk do të hynjënë ndë të prëjturit tim“, ndonëse punërat’ e ati u mbaruanë që kurë se u ngreh bota.
4 Sepse tha mbë një vënt për të shtattënë ditë kështu: “Edhe Perëndia u prë mbë të shtattënë ditë nga gjithë punërat’ e tia”.
5 Edhe mbë këtë vënt përsëri: “Nukë do të hynjënë ndë të prëjturit tim”.
6 Passi ka mbeturë pra të hynjënë ca vetë mb’atë, edhe ata që u ungjillëzuanë më përpara nukë hynë prej të pabindurit,
7 Përsëri urdhëron një ditë, ”Sot”, tuke thënë me anë të Dhavidhit, pas kaqë kohe, sikundrë është thënë: “Sot, ndë dëgjofshi zën’ e ati, mos ashpëroni zemratë tuaja”.
8 Sepse ndë i pat prejtur’ ata Jisuj i Naviut , nukë do të kishte folurë pastaj për një tiatërë ditë.
9 Vallë paska mbeturë të prëjturë për llauzin’ e Perëndisë.
10 Sepse ay që hyri ndë të prëjturit t’ati, edhe ay vetë u prë nga punërat’ e tia, sikundrë Perëndia nga të tiatë.
11 Le të shpejtojmë pra të hyjmë mb’ata të prëjturit, që të mos bierë ndonjë mb’atë shëmbëllesë të së pabindurësë.
12 Sepse fiala e Perëndisë ësht’ e gjallë, edhe e punësë, edhe më e prehëtë se çdo thikë me dy presa, edhe depërton gjer ndë të ndarët të shpirtit e të frymësë, edhe nyjevet e palcavet, edhe shquan kujtimet’ e mendimet’ e zemrësë.
13 Edhe s’është kriesë e padukurë përpara ati, po të gjitha janë lakuriq edhe sbuluarë ndë syt t’ati, të cilit neve do t’i apëmë fialë.
14 Tuke pasurë pra një kryeprift të math që depërtoj qiejetë, Jisunë, të Birin’ e Perëndisë, le të mbajmë rrëfiminë tënë.
15 Sepse s’kemi një kryeprift që nukë munt t’i vinjë keq për dobesirat tona, po qe ngarë mbë të gjitha posi neve pa faj.
16 Le t’i afronemi pra me kuxim fronit hirit, që të marrëmë përdëllim, edhe të gjejmë hir e ndihmë ndë kohët të nevojëshime.
1 Përderisa premtimi për të hyrë në prehjen e Perëndisë vazhdon të jetë i vlefshëm, le të kemi frikë se mos ndonjëri nga ju mbetet jashtë. 2 Edhe ne e kemi dëgjuar ungjillin, sikurse edhe ata që ishin në shkretëtirë, por atyre nuk u vlejti fjala që dëgjuan, pasi nuk e dëgjuan me besim. 3 Ne që besuam do të hyjmë në prehjen e Perëndisë, për të cilën ai ka thënë:
dhe kështu u përbetova në zemërimin tim:
nuk kanë për të hyrë
në prehjen time.
Ai e tha këtë, ndonëse veprat e tij kishin përfunduar që me krijimin e botës. 4 Ndërsa për ditën e shtatë ka thënë diku: Perëndia pushoi ditën e shtatë, pasi i kreu të gjitha veprat e tij. 5 Po për të njëjtën gjë shton: nuk kanë për të hyrë në prehjen time. 6 Ata që e dëgjuan në fillim ungjillin nuk hynë në prehjen e Perëndisë për shkak të mosbindjes. Por, meqenëse mbeten edhe të tjerë për të hyrë në të, 7 Perëndia caktoi përsëri një ditë të quajtur «sot», kur thotë pas kaq kohe nëpërmjet Davidit:
sot, nëse e dëgjoni zërin e tij,
mos i ngurtësoni zemrat tuaja.
8 Pra, nëse Jozuehu do ta kishte çuar popullin në prehje, atëherë Perëndia nuk do të fliste më për një ditë tjetër. 9 Kështu, për popullin e Perëndisë është ende e mundshme një ditë prehjeje si e shtuna e prehjes së Perëndisë. 10 Ai që hyn në prehjen e Perëndisë do të pushojë së bëri veprat e veta, ashtu siç bëri edhe Perëndia. 11 Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në këtë prehje, që të mos bjerë ndokush në të njëjtin shembull të mosbindjes.
12 Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e frymës së jetës nga shpirti, të kockës nga palca. Ajo shqyrton mendimet dhe qëllimet e zemrës. 13 Nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para Perëndisë, por të gjitha janë të zhveshura dhe të zbuluara në sytë e atij të cilit do t'i japim llogari.
Jezui, kryeprifti i madh
14 Le ta mbajmë, pra, fort besimin që shpallim, sepse kemi një kryeprift të madh që shkoi deri në qiej, Jezuin, Birin e Perëndisë. 15 Ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë me ne për dobësitë tona. Përkundrazi, ai u tundua në gjithçka ashtu si ne, por nuk mëkatoi. 16 Le t'i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje.