1 Qëndroni pra nd’atë të liruarët, që na liroj Krishti, edhe mos hyni përsëri ndë sgjedhë të skllavërisë.
2 Ja unë Pavli te po u them juve, se, ndë u rrethprefshi, Krishti nuk’ do u bën dobi juve asgjë.
3 Edhe ap martiri përsëri mbë çdo njeri që është rrethprerë, se duhetë të mbajë gjithë nominë.
4 U ndatë nga Krishti ju që delni të drejtë me anë të nomit; ratë poshtë nga hiri.
5 Sepse neve me anë të Frymësë presmë për shpëresën’ e drejtërisë prej besësë.
6 Sepse mbë Jisu Krishtinë as rrethpresëja ka ndonjë fuqi, as parrethpresëja, po besa që vepëronetë me anë të dashurisë.
7 Ju ecenitë mirë; kush u përmbajti që të mos bindeni mbë të vërtetënë?
8 Këta të bindurë nuk’ është prej ati që u thërret juve.
9 Pakëzë brumë mbruh gjithë të mbrujturitë.
10 Unë kam shpëresë mbë ju me anë të Zotit, se nukë do të keni ndër mënt tiatërë gjë; po ay që u trazon juve, ay ka për të mbajturë gjykimnë, cilido që të jetë.
11 Edhe unë, o vëllezër, ndë qoftë se leçis edhe më rrethpresëje, përse ndiqem më? Vall’ u prish skandhalia e kryqit.
12 Makar të copëtonen’ ata që u trazonjënë juve.
13 Sepse ju, o vëllezër, u thërrittë ndë të liruarët; veç mos e bëni të liruarëtë për shkak të mishit, po me anë të dashurisë i shërbeni njëri tiatërit.
14 Sepse gjithë nomi mhushetë ndë një fialë, ndë këtë: “Të duash të afërminë tënt si vetëhenë tënde”.
15 Po ndë kafshofshi e ndë hëngërshi njëri tiatrinë, shikoni mos humbasni njëri prej tiatrit.
16 Them pra: Ecni pas Frymësë, edhe mos i bëni dëshëriminë mishit.
17 Sepse mishi dëshëron kundrë Frymësë, e Fryma kundrë mishit; edhe këto janë kundrë njëra tiatrësë, përandaj mos bëni ato që doni.
18 Po ndë qoftë se Fryma u heq udhënë juve, nukë jeni ndënë nom.
19 Edhe punërat’ e mishit janë të shpërfaqura; të cilatë janë ndyrësi, kurvëri, pugërësi, tepër-ndyrësi, idhullatri, magji,
20 arëmiqësia, qarta, zëli, zemërata, të zëra, të ndara, eresia, cmirë, vrasëje, të dejtura, lodrëti, edhe kësosh si këto; për ato u them juve më përpara, sikundrë edhe u thashë juve më përpara, se ata që punonjënë të tilla punë s’do të trashëgonjënë mbëretëri Perëndie.
21 Po pem’ e Frymës’ është dashuri, gëzim, paqtim, zemër’ e gjerë, ëmbëlsirë, të mirë, besë, butësirë, të përmbajturë vetëhesë; kundrë të tillavet nukë ka nom.
22 Edhe ata që janë të Krishtit, e kanë kryqëzuarë mishinë bashkë me pësimet’ e me dëshërimet.
23 Ndë rrofshim pas Frymësë, le të ecëjm’ pas Frymësë.
24 Le të mos kërkojmë lavdi të kotë, tuke shtyturë njëri tiatrinë, tuke pasurë cmir njëri tiatrinë.
Liria e krishterë
1 Krishti na çliroi që të jemi të lirë, prandaj qëndroni fort e mos bini sërish nën zgjedhën e skllavërisë.
2 Ja, unë Pali po ju them se nëse rrethpriteni, Krishti nuk do t'ju vlejë aspak. 3 Kujtdo që rrethpritet, po ia bëj të ditur se është i detyruar të zbatojë tërë ligjin. 4 Ju që doni të bëheni të drejtë me anë të ligjit të Moisiut jeni ndarë nga Krishti dhe jeni larguar nga hiri i Perëndisë. 5 Sepse në Shpirtin, me anë të besimit, ne presim me shpresë që Perëndia të na bëjë të drejtë. 6 Për atë që është i bashkuar me Krishtin Jezu nuk ka vlerë as rrethprerja, as parrethprerja, por besimi që vepron përmes dashurisë.
7 Ju po vraponit mirë. Kush ju pengoi të mos i bindeni të vërtetës? 8 Ato që ju kanë thënë për t'ju mbushur mendjen, nuk vijnë prej Perëndisë që ju thirri. 9 Pak tharm duhet që të vijë tërë brumi. 10 Zoti më jep bindjen se ju nuk do të mendoni ndryshe. Por ai që ju turbullon, kushdo qoftë, do të marrë ndëshkimin.
11 Nëse unë, vëllezër, predikoj ende rrethprerjen, përse jam ende i përndjekur? Atëherë kryqi i Krishtit nuk do të ishte më pengesë. 12 U gjymtofshin ata që po ju trazojnë.
13 Vëllezër, ju jeni thirrur për të jetuar të lirë. Veçse kjo liri të mos bëhet shkak që të jetoni sipas dëshirave të mishit, por t'i shërbeni njëri-tjetrit me dashuri. 14 Sepse i gjithë ligji është përmbledhur në këtë urdhër të vetëm: duaje të afërtin si veten. 15 Por nëse kafshoni e përpini njëri-tjetrin, ruajuni se mos shfarosni njëri-tjetrin.
Fryti dhe veprat
16 Prandaj ju them: jetoni në Shpirt e kështu nuk do të plotësoni dëshirat e mishit. 17 Sepse dëshirat e mishit janë kundër Shpirtit e Shpirti është kundër dëshirave të mishit. Këta janë në kundërshtim njëri me tjetrin e kështu ju nuk bëni atë që dëshironi. 18 Në qoftë se udhëhiqeni prej Shpirtit, nuk jeni nën ligjin.
19 Veprat e dëshirave të mishit janë të dukshme: kurvëria, ndyrësia, fëlligështia, 20 idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindja, xhelozia, mëritë, ambiciet, ndasitë, përçarjet, 21 zilitë , dehjet, darkat e shfrenuara e të tjera si këto. Po ju paralajmëroj, ashtu siç ju kam thënë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.
22 Por fryti i Shpirtit është dashuria, gëzimi, paqja, durimi, dashamirësia, mirësia, besimi, 23 zemërbutësia e vetëpërmbajtja. Kundër këtyre nuk ka ligj. 24 Ata që janë të Krishtit Jezu e kanë kryqëzuar dobësinë njerëzore bashkë me pasionet dhe dëshirat. 25 Nëse jetojmë në Shpirt, atëherë edhe të udhëhiqemi prej tij. 26 Të mos krekosemi duke ngucur e duke lakmuar njëri-tjetrin.