1 Ndë qoftë se u ngjalltë pra bashkë me Krishtinë, kërkoni të lartatë, atie ku është ndenjurë Krishti ndë të diathtë të Perëndisë.
2 Kini ndër mënt ato që janë lart, jo ato që janë mbi dhet.
3 Sepse vdiqtë, edhe jeta juaj është fshehurë bashkë me Krishtinë te Perëndia.
4 Kur të çfaqetë Krishti, që është jeta jonë, atëhere edhe ju bashkë me atë do të çfaqi ndë lavdi.
5 Bëni pra të vdekura anët’ e trupit tuaj që janë mbi dhet, kurvërinë, ndyrësirënë, pësiminë, dëshërimin’ e lik edhe lakëmiminë, që ësht’ idhullatri;
6 Prej atyre vien zemërata e Perëndisë përmbi të bijt’ e të së pabindurësë;
7 Ndë të cilat edhe ju ecëtë njëherë, kur rronitë ndër ato.
8 Po tashti hithni edhe ju të gjitha këto, mërinë, zemëratënë, të ligënë, vllasfiminë, flalët’ e ndyra nga goja juaj.
9 Mos gënjeni njëri tiatrinë, passi sveshtë njerin’ e vietërë bashkë me punërat’ e ati,
10 Edhe veshtë të rinë, që të përtërihetë mbë të njohurë pas shëmbëllës’ ati që e ka kriuarë;
11 Atie ku s’është Grek e Judhe, rrethpresëje e parrethpresëje, varvar, Sqyth, shërbëtuar, i lirë, po të gjitha e mbë të gjitha është Krishti.
12 Vishni pra, si të sgjedhurit’ e Perëndisë që jeni shënjtorë edhe të dashurë, zemërat’ e përdëllimevet, të mirënë, mëndëjen e unjëtë, butësirënë, zemërën e gjerë;
13 Tuke duruarë njëri tiatrinë, edhe tuke ia falurë njëri tiatrit, ndë pastë ndonjë të qjahetë kundrë ndonjërit; sikundrë edhe Krishti ua fali juve, kështu edhe ju.
14 Edhe përmbi gjithë këto vishni dashurinë, e cila është lidhëja e të kulluarit.
15 Edhe paqtimi i Perëndisë le të mbëretëronjë ndër zemërat tuaja, mbë të cilin’ edhe jeni thirrurë mbë një trup; edhe bëhi asish që i dini për nderë.
16 Fiala e Krishtit le të rrijë mbë me pasëje, e me çdo farë diturie; tuke mësuarë e tuke porositurë njëri tiatrinë me psallma e me hymna e me kënkë shpirtërishte, tuke kënduarë me hirë ndër zemërat tuaja mbë Zotinë.
17 Edhe çdo që të bëni me fialë a me punë, të gjitha t’i bëni mb’ emërë të Zotit Jisu, tuke i falurë ndersë Perëndisë edhe Atit me anë t’ati.
18 Ju gratë, u dëgjoni burravet tuaj, sikundrë gjan mbë Zotinë.
19 Ju burratë, doni gratë tuaja, edhe mos ini të hidhuë tek ato.
20 Ju bijtë, u dëgjoni përindvet mbë të gjitha; sepse këjo ësht’ e pëlqyershime te Zoti.
21 Ju atëritë, mos i nxeni bijtë tuaj, që të mos u likshtonetë zemëra.
22 Ju shërbëtorëtë, u dëgjoni zotërinjvet trupit tuaj mbë të gjitha, mos punoni për faqe, si ata që duanë t’u pëlqenjënë njerëzet, po me zemërë të miturë, tuke pasurë frikë Perëndinë.
23 Edhe gjithë sa të bëni, punoni me gjithë shpirt, posi Zotit, e jo posi njerëzet;
24 Tuke diturë se keni për të marrë shpagimin’ e trashëgimit; prej Zotit, sepse i shërbeni Zotit Krisht;
25 Po ay që punon shtrembëtë, do të marrë pagën’ e së shtrëmbëtësë; sepse s’ka të mbajtur’ anë.
1 Përderisa u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni gjërat që janë lart në qiej, atje ku ai rri ulur në të djathtën e Perëndisë. 2 Mendoni për gjërat që janë lart në qiej dhe jo për ato që janë këtu poshtë në tokë. 3 Sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj qëndron e fshehur me Krishtin te Perëndia. 4 Kur të shfaqet Krishti, jeta juaj , atëherë do të shfaqeni edhe ju bashkë me të në lavdi.
5 Bëjini të vdesin gjërat tuaja tokësore: kurvërinë, ndyrësinë, epshet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari. 6 Për shkak të këtyre gjërave do të vijë zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. 7 Dikur edhe ju ecnit kësaj udhe, kur jetonit me këto gjëra. 8 Por tani, hidhini tej të gjitha: zemërimin, mërinë, ligësinë, sharjet dhe fjalët e ndyra që nxirrni nga goja. 9 Mos gënjeni njëri-tjetrin, sepse e keni zhveshur njeriun e vjetër, bashkë me sjelljet e tij, 10 dhe keni veshur njeriun e ri, që përtërihet vazhdimisht, sipas shëmbëllimit të Perëndisë që e krijoi, që ta njihni plotësisht Perëndinë. 11 Prandaj, nuk ka më helenë e judenj, të rrethprerë dhe të parrethprerë, barbarë, skitas, shërbëtorë e të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në çdo gjë.
12 Perëndia ju ka thirrur, ju ka bërë të shenjtë dhe ju ka dashur, prandaj, vishuni me dhembshuri, me mirësi, me përulësi, me zemërbutësi dhe me zemërgjerësi. 13 Durojeni dhe faleni njëri-tjetrin sa herë që dikush të ketë ankesë kundër ndonjë tjetri. Falni ashtu si edhe Zoti ju ka falur. 14 Mbi të gjitha, kini dashuri, sepse dashuria do t'ju bashkojë në mënyrë të përsosur.
15 Paqja e Krishtit , në të cilën Perëndia ju ka thirrur të jeni të bashkuar si një trup i vetëm, mbretëroftë në zemrat tuaja. Jini mirënjohës! 16 Fjala e Krishtit banoftë në ju me gjithë begatinë e saj. Mësoni e këshilloni njëri-tjetrin me urti! Këndojini me gjithë zemër Perëndisë psalme, himne e këngë shpirtërore! 17 Gjithçka që thoni e gjithçka që bëni, ta bëni në emër të Zotit Jezu, duke falënderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë.
Detyrimet shoqërore
18 Ju gra, nënshtrojuni burrave, siç ka hije në sytë e Zotit!
19 Ju burra, duajini gratë tuaja dhe mos jini të ashpër me to!
20 Ju bij, bindjuni prindërve në gjithçka, sepse kjo gjë i pëlqen Zotit!
21 Ju etër, mos i zemëroni bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra!
22 Ju skllevër, bindjuni në gjithçka zotërinjve tuaj tokësorë, jo sa për sy e faqe për t'u pëlqyer njerëzve, por me thjeshtësi zemre dhe duke iu druajtur Zotit ! 23 Gjithçka që bëni, bëjeni me shpirt si ta bënit për Zotin e jo për njerëzit, 24 sepse ju e dini se prej Zotit do të merrni si shpërblim trashëgimin e mbretërisë së tij. Në të vërtetë ju i shërbeni Zotit Krisht. 25 Ai që bën padrejtësi do të shpaguhet për padrejtësinë që bëri. Perëndia nuk mban anë.