1 Pavli, apostoli i Jisu Krishtit prej dashurimit të Perëndisë, edhe Timotheu vëllaj,
2 Mbë shënjtorët edhe mbë vëllezërit besëtarë mbë Krishtinë që janë ndë Kollossë; hirë edhe paqtim qoftë mbë ju prej Perëndisë, Atit tënë, edhe prej Zotit Jisu Krisht.
3 I falemi ndersë Perëndisë edhe Atit të Zotit tënë Jisu Krishtit, tuke falurë përherë për ju.
4 Kur dëgjuam për besënë tuaj që keni mbë Krishtinë, edhe për dashurinë që keni mbë gjithë shënjtorëtë,
5 Për shpëresënë që ruhetë për ju ndë qiejet, të cilën’ e keni dëgjuarë që përpara ndë fialët të së vërtetësë ungjillit,
6 Që erdhi mbë ju, sikundrë edhe mbë gjithë botënë; edhe bën pemë, sikundrë edhe mbë ju, që mb’ atë ditë që dëgjuat’ edhe njohtë hirin’ e Perëndisë me të vërtetë;
7 Edhe sikundrë që e mësuatë nga Epafraj, i dashuri shërbëttuar shoku ynë, i cili është për ju shërbëtuar besëtar i Krishtit,
8 Edhe ay na dëfteu dashurinë tuaj ndë Frymët.
9 Përandaj edhe neve, që mb’ atë ditë që dëgjuam, nukë pushojmë tuke falurë për ju, edhe tuke luturë që të mbusheni prej të njohurit dashurimit ati me çdo dituri e me urtësi shpirtërishte;
10 Që të ecëni sikundrë vëjen për Zotinë mbë çdo pëlqim, tuke bërë pemë ndë çdo farë pune të mirë, edhe tuke rriturë ndë të njohurit të Perëndisë;
11 Tuke marrë fuqi me çdo farë fuqie, pas pushtetit lavdisë ati, mbë çdo durim e zemërë të gjerë bashkë me gëzim;
12 Tuke i falurë ndersë Atit, që na bëri të zotëritë ndë piesët të shortësë shënjtorëvet ndë dritët;
13 I cili na shpëtoj nga pushteti errësirësë, edhe na pruri ndë mbëretërit të Birit dashurisë ti;
14 Mb’ atë kemi shpërbliminë me anë të gjakut ati, ndëjesën’ e fajevet;
15 I cili është shëmbëlles’ e të paparit Perëndi, i paralinduri i gjithë kriesësë;
16 Sepse prej ati u kriuanë të gjitha, sa janë mbi qiejet, edhe sa janë mbë dhet, sa shihen edhe sa nukë shihenë, a frone, a zotërinj, a urdhëra, a pushtete, të gjitha janë kriuarë me anë t’ati edhe për atë;
17 Edhe ay është përpara të gjithave, edhe të gjitha qëndronjënë mb’ atë;
18 Edhe ay është kryet’ e trupit, qishësë; ay është të nisuritë, paralindurë prej së vdekurish, që të bënet’ ay i parë mbë të gjitha.
19 Sepse Ati pëlqeu që të rrijë çdo të mbushurë nd’atë,
20 Edhe me anë t’ati të paqtonjë të gjitha mbë vetëhen’ e ti, sepse bëri paqtim me anë të gjakut kryqit ati, me anë t’ati, a sa janë mbë dhet, a sa janë ndë qiejet.
21 Edhe ju, që ishitë njëherë të huajë edhe arëmiq nga mëndëja me punërat’ e liga,
22 Po ndashti u paqton juve me trupin’ mishit ati, me anë të vdekëjesë, që t’u nxierrë juve përpara vetëhesë ti shënjtorë e faqë-bardhë e të pazënë mbë faj,
23 Ndë qëndrofshi ndë besët themelosur’ e ngulurë, e të mos luani vëndit nga shpëresa e ungjillit që dëgjuatë, se u leçit mbë gjithë kriesënë që është ndënë qiellt; të cilit ungjill u bëshë shërbëtuar unë Pavli.
24 Ndashti gëzonem ndë pësimet të mia për ju, edhe mbush të mbeturat’ e shtrëngimevet Krishtit ndë misht tim për trupin’ e ati, që është qisha;
25 Të cilësë u bësh’ unë shërbëtuar pas kujdesit Perëndisë që m’u dha për ju, të mbush fialën’ e Perëndisë,
26 Fshehësirënë që ishte fshehurë nga jetët’ e nga brezatë, edhe ndashti u shpërfaq mbë shënjtorët’ t’ati;
27 Atyre Perëndia deshi t’u dëftenjë cila është pasëja e lavdisë kësaj fshehësire mbë kombet, i cili është Krishti mbë ju, shpëresa e lavdisë;
28 Të cilinë neve leçisëmë tuke porositurë çdo njeri, edhe tuke mësuarë çdo njeri me çdo dituri, që të nxierrëmë përpara Jisu Krishtit çdo njeri të kulluarë.
29 Për këtë punë edhe mundonem, tuke luftuarë pas vepërimit ati që vepëron tek unë me fuqi.
Përshëndetje
1 Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu nga vullneti i Perëndisë, dhe vëlla Timoteu, 2 po ju shkruajmë të shenjtëve e vëllezërve që besojnë në Krishtin dhe që janë në Kolos: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë !
Falënderimi për kolosianët
3 E falënderojmë Perëndinë, Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, sa herë lutemi për ju, 4 sepse kemi dëgjuar për besimin tuaj në Krishtin Jezu dhe për dashurinë që keni për të gjithë të shenjtët. 5 Këtë besim e këtë dashuri e keni për shkak të shpresës që ju pret në qiej, për të cilën keni dëgjuar më parë në predikimin e të vërtetës së ungjillit.
6 Ky ungjill mbërriti te ju e po jep fryt e po përparon në mbarë botën, sikurse ndër ju, që nga dita kur e dëgjuat dhe njohët me të vërtetë hirin e Perëndisë. 7 Këtë ungjill jua mësoi Epafrai, bashkëpunëtori ynë i dashur, që është shërbëtor besnik i Krishtit për ju. 8 Ai na foli për dashurinë që ju ka dhënë Shpirti.
Krishti dhe vepra e tij
9 Prandaj edhe ne, që nga dita kur e morëm vesh këtë gjë, nuk reshtim së luturi për ju dhe i kërkojmë Perëndisë t'ju japë urtinë e mençurinë shpirtërore që ta njihni plotësisht vullnetin e tij. 10 Kështu do të mund të bëni një jetë të denjë për Zotin dhe, ashtu si i pëlqen atij, duke dhënë fryt në çdo vepër të mirë e duke shtuar njohuritë për Perëndinë. 11 Ju do të forcoheni me fuqinë që vjen nga pushteti i lavdishëm i Perëndisë, që të përballoni gjithçka me durim e që me gëzim 12 të falënderoni Atin që ju bëri të denjë të keni pjesën tuaj në trashëgiminë e të shenjtëve në dritë. 13 Ai na nxori nga pushteti i errësirës e na futi në mbretërinë e Birit të tij të dashur, 14 në të cilin kemi shpengimin , faljen e mëkateve.
15 Biri është shëmbëllimi
i Perëndisë së padukshëm,
i lindur përpara çdo krijese.
16 Sepse nga ai u krijua gjithçka
në qiej
e në tokë,
të dukshmet
e të padukshmet,
fronet,
zotërimet,
sunduesit
e pushtetet.
Gjithçka u krijua përmes tij e për të.
17 Ai është përpara çdo gjëje,
gjithçka e krijuar qëndron në të.
18 Ai është kreu i trupit,
domethënë i kishës,
fillimi i jetës së re,
i pari që u ngjall
prej të vdekurve ,
që të jetë i pari në gjithçka.
19 Sepse Perëndisë i pëlqeu
që në Birin të banojë
e gjithë plotësia e vetë Perëndisë
20 e të pajtojë me veten e tij,
nëpërmjet Birit,
gjithçka mbi tokë
a në qiej,
duke vendosur paqen
me anë të gjakut
që Biri derdhi në kryq.
21 Edhe ju dikur ishit të huaj për Perëndinë dhe armiq të tij për shkak të mendimeve e veprave tuaja të liga. 22 Por tani Biri ju pajtoi me Perëndinë me anë të vdekjes në trupin e tij njerëzor, që t'ju paraqesë para tij të shenjtë, të patëmetë e të paqortueshëm. 23 Por duhet të qëndroni të fortë në besim, të qëndrueshëm e të palëkundur në shpresën që jep ungjilli që dëgjuat. Ky ungjill i është predikuar gjithë krijesës nën qiell dhe unë, Pali, jam bërë shërbëtor i tij.
Pali i shërben kishës
24 Tani, gëzohem që vuaj për ju dhe që po plotësoj në trupin tim njerëzor atë që u mungon vuajtjeve të Krishtit për trupin e tij, domethënë për kishën. 25 Kësaj kishe i shërbej edhe unë sipas detyrës që më ngarkoi Perëndia për ju, që t'ju predikoj të plotë fjalën e tij. 26 Kjo fjalë është shestimi i Perëndisë, që ka qenë i fshehur gjatë shekujve për të gjitha breznitë, por që tani iu shfaq të shenjtëve. 27 Perëndia donte t'u bënte të njohur atyre pasurinë e lavdisë së këtij shestimi të fshehtë për të gjitha kombet. Ky plan i fshehtë është Krishti në ju, i cili është shpresa juaj për lavdinë që do të vijë.
28 Këtë Krisht predikojmë edhe ne, duke këshilluar e duke mësuar çdo njeri me gjithë urtinë që kemi, me qëllim që të gjithë njerëzit t'i paraqesim të përsosur përmes Krishtit para Perëndisë. 29 Prandaj unë mundohem dhe luftoj me ndihmën e fuqisë së Krishtit që vepron fuqishëm brenda meje.