1 Edhe ata kur po i flisninë llauzit, erthnë mbi ata priftërit’ edhe i pari hieroresë edhe Sadhdhuqenjtë,
2 Tuke zëmëruarë, sepse mësoninë llauzinë, edhe epninë zë për të ngjalluritë prej së vdekurish me anë të Jisujt.
3 Edhe vunë duartë mbi ata, e i vunë mbë të ruajturë gjer mbë të nesërmet; sepse atëhere ishte mbrëma.
4 Edhe shumë vetë nga ata që dëgjuanë fialënë besuanë: edhe u mbush numuri njerëzet sindonja pesë mijë.
5 Edhe mbë të nesërmet u mbëlothnë ndë Jerusalim të parët’ e atyreve, edhe pleqt’ edhe shkronjësitë.
6 Edhe Anna kryeprifti e Kajafa e Joanni e Aleksandhri, edhe gjithë sa ishinë nga far’ e kryepriftërisë.
7 Edhe si i vunë ata ndë mest, i pyesninë: “Me çfarë fuqie, a me emërë të kujt bëtë këtë ju?”
8 Atëhere Pietri u mbush me Frymë të Shënjtëruarë, e u tha atyreve: “O të parët’ e llauzit, edhe pleqt’ e Israilit,
9 Ndë qoftë se neve po gjykonemi sot për të mirën’ e një njeriu të sëmurë, me çfarë fuqie u shërua kyj?
10 Le të jet’ e diturë mbë gjithë ju, edhe mbë gjithë llauzin’ e Israilit, se mb’ emërit të Jisu Krishtit Nazoreasit, të cilinë ju e kryqëzuatë, po Perëndia e ngjalli nga të vdekuritë, me anë të këti rri kyj ndashti përpara jush i shëndoshë.
11 Kyj ësht’ ay guri që u hodh poshtë prej jush që ndërtoni, i cili u bë krye cepi.
12 Edhe nukë ka shpëtim as prej ndonjë tiatëri; sepse as tiatër emërë ndënë qiellt nuk’ është dhënë mbë njerëzit, me anë të cilit duhetë të shpëtojmë.”
13 Edhe tuke vështruarë kuximin’ e Pietrit edhe Joannit, edhe kupëtuanë, se ishinë njerës të paditurë shkronja edhe idiotë, çuditeshinë, edhe i njihninë se kishinë qënë bashkë me Jisunë.
14 Edhe si shihninë atë njerinë që ishte shëruarë tuke ndenjurë bashkë me ata, s’kishinë se ç’të thoshinë kundrë.
15 Atëhere urdhëruan’ ata të dalënë jashtë bashkë-ndenjëjesë, edhe dhan’ e muarrë njëri me tietërinë,
16 Tuke thënë: “Ç’t’u bëjmë këtyre njerëze? Sepse se u bë shenjë prej atyreve, ësht’ e diturë edhe është për faqe gjith’ atyreve që rrinë ndë Jerusalim, edhe nukë munt ta mohojmë.
17 Po që të mos hapetë më tepër ndë llaust, le t’u shtiemë frikënë shtrënguarshim, të mos flasënë më asndonjë njeriu mbë këtë emërë.”
18 Edhe i thërritnë e i porositnë të mos lëgjironjënë fare, as të mos mësonjënë mb’ emërit të Jisujt.
19 Po Pietri edhe Joanni iu përgjeqnë atyreve, e u thanë: “Ndë qoftë se ësht’ e udhësë përpara Perëndisë, t’u dëgjojmë juve më tepër se Perëndisë, gjykoni.
20 Sepse ne nukë muntmë të mos flasëmë për sa pam e dëgjuam.:
21 Edhe ata, si i frikësuanë përsëri, i lëshuanë, sepse nukë gjeninë, se qysh t’i mundonin’ ata, për llauzinë; sepse të gjithë lavdoninë Perëndinë për atë që u bë.
22 Sepse ay njeri, mbë të cilinë u bë këjo shenj’ e shërimit, ishte më tepër se dyzet vieç.
23 Edhe si u lëshuanë, erthnë te të tyretë, edhe dhanë zë për gjithë sa u than’ atyreve kryepriftërit’ edhe pleqtë.
24 Edhe ata kur dëgjuanë, ngritnë zënë te Perëndia me një zëmërë, edhe thanë: “O Zotëri, ti je Perëndia, që bëre qiellinë edhe dhenë edhe detinë, edhe gjithë sa janë nd’ ato.
25 Ti që ke thënë me anë të gojësë Dhavidhit shërbëtorit tënt: “Përse çfrytnë kombetë edhe llauzëtë shkuanë ndër mënt punëra të kota?
26 Mbëretërit’ e dheut ndenjnë përpara, edhe të parët’ u mbëlothnë bashkë kundrë Zotit, edhe kundrë të Lyerit ati.”
27 Sepse me të vërtetë u mbëlothnë kundrë shënjtit dialit tënt Jisujt, të cilin’ e leve me vaj , edhe Irodhi edhe Pondiu Pilat bashkë me kombet’ e me llauzet’ e Israilit,
28 Që të bënjënë gjithë sa urdhëroj që ndë krye të herësë dora jote edhe ënda jote të bënenë.
29 Edhe tashi, o Zot, vështro të frikësuarat’ e atyre, edhe epu shërbëtorevet tu të flasënë fialënë tënde me gjithë kuximinë.
30 Tuke ngjaturë dorënë tënde të bënenë shërime e shenje e çudira mb’ emërit të shënjtit dialit tënt Jisujt.
31 Edhe si u lutnë ata, u tunt vëndi tek ishinë mbëledhur’ ata , edhe u mbushnë të gjithë me Frymë të Shënjtëruarë, edhe flisninë fialën’ e Perëndisë me kuxim.
32 Edhe zëmëra e shpirti i shumicësë që kishinë besuarë ishte një; edhe asndonjë nukë thoshte për ndonjë gjë nga pasëjet’ e tyre se ësht’ e ti, po të gjitha i kishinë së bashku.
33 Edhe apostojt’ epninë martirin’ e të ngjallurit Zotit Jisu me fuqi të madhe; edhe hir’ i math ishte mbë gjith’ ata.
34 Sepse asndonjë nuk’ ishte i nevojëshim ndër ata; sepse gjithë sa kishinë ara e shtëpia, i shisin’ e bininë të çëmuarët’ e atyre që shisinë, edhe i vininë ndër këmbët të apostojvet.
35 Edhe i epninë gjithë-secilit sipas nevojësë që të kishte.
36 Edhe Josiu, i cili u qjuajt përmbiemërë Varnavë nga apostojtë (që këjo këthyerë do me thënë: Bir ngushëllimi), ishte Levit, Qyprian nga kombi,
37 I cili shiti arënë që kishte, edhe pruri aspratë e i vuri ndër këmbët t’apostojvet.
Pjetri e Gjoni para Sinedrit
1 Kur Pjetri e Gjoni po i flisnin popullit, priftërinjtë, kryeroja i tempullit e saducenjtë, iu afruan 2 të zemëruar që ata po mësonin popullin e po shpallnin se të vdekurit do të ngjallen përmes Jezuit. 3 Atëherë i kapën e i mbajtën në burg deri të nesërmen, meqë tashmë ishte mbrëmje. 4 Shumë prej atyre që e kishin dëgjuar fjalën e Pjetrit, besuan dhe numri i burrave që besuan arriti në rreth pesë mijë.
5 Të nesërmen krerët e judenjve, pleqtë e shkruesit, u mblodhën në Jerusalem 6 me kryepriftin Hanah, me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin e të gjithë ata të familjes kryepriftërore. 7 Ndërsa Pjetri e Gjoni qëndronin në këmbë në mes tyre, ata i pyetën: «Me ç'fuqi apo në emër të kujt e bëtë këtë gjë?». 8 Atëherë Pjetri, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, u tha: «Krerë të popullit e pleq të Izraelit, 9 ju po na merrni në pyetje sot për një vepër të mirë që i kemi bërë një të sëmuri dhe doni të dini sesi u shërua ky njeri. 10 Dijeni, pra, të gjithë ju e mbarë populli i Izraelit se ky njeri që po qëndron para jush, është shëruar në emrin e Jezu Krishtit të Nazaretit, të cilin ju e kryqëzuat e Perëndia e ngjalli prej të vdekurve. 11 Jezui është
guri që ju ndërtuesit e hodhët tej
e që u bë guri i qoshes.
12 Shpëtimi nuk vjen nga askush tjetër dhe njerëzve nuk u është dhënë asnjë emër tjetër nën qiell, përmes të cilit do të mund të shpëtoheshim».
13 Kur panë guximin e Pjetrit e të Gjonit dhe kur u kujtuan se këta ishin njerëz pa shkollë e të thjeshtë, ata u habitën, sepse i njihnin dhe e dinin se kishin qenë me Jezuin. 14 Pastaj panë se njeriu që ishte shëruar po rrinte me ta, por nuk kishin çfarë të thoshin. 15 Megjithatë, i urdhëruan të dilnin nga sinedri e filluan të këshilloheshin me njëri-tjetrin 16 e të thoshin: «Ç'të bëjmë me këta njerëz? Të gjithë banorët e Jerusalemit e dinë mirë se përmes tyre është bërë një shenjë që duket qartë dhe ne nuk mund ta mohojmë. 17 Por, që kjo gjë të mos përhapet më shumë në popull, t'i kërcënojmë që të mos u flasin më njerëzve në emër të Jezuit». 18 Atëherë i thirrën dhe i urdhëruan që të mos flisnin e të mos mësonin kurrsesi njerëzit në emër të Jezuit. 19 Por Pjetri e Gjoni u përgjigjën: «Gjykojeni vetë nëse është e drejtë para Perëndisë t'ju dëgjojmë ju apo Perëndinë? 20 Ne nuk mund të rrimë pa folur për ato që kemi parë e dëgjuar».
21 Ata, pasi nuk gjetën arsye për t'i dënuar, i kërcënuan dhe i lanë të lirë për shkak të popullit, sepse të gjithë e përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur. 22 Njeriu që ishte shëruar përmes kësaj shenje ishte mbi dyzet vjeç.
Lutja e kishës
23 Pasi u lanë të lirë, Pjetri e Gjoni shkuan te të tjerët e u treguan gjithçka që u kishin thënë kryepriftërinjtë e pleqtë. 24 Kur dëgjuan këtë gjë, ata iu lutën Perëndisë të gjithë bashkë e thanë: «O Zot , ti që ke bërë qiellin, tokën, detin e të gjitha gjërat që janë në to, 25 ti i ke thënë paraardhësit tonë Davidit, shërbëtorit tënd, përmes Shpirtit të shenjtë:
përse u zemëruan kombet
e popujt thurin shestime të kota?
26 Mbretërit e tokës janë përgatitur
e princat janë mbledhur së bashku
kundër Zotit e kundër Krishtit të tij.
27 Në këtë qytet, në të vërtetë, janë mbledhur së bashku Herodi e Ponc Pilati bashkë me kombet dhe popullin e Izraelit kundër Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e vajose si Krisht, 28 që të bënte ato që dora jote e vullneti yt kishte paracaktuar të ndodhnin. 29 E tani, o Zot, shikoji kërcënimet e tyre dhe bëj që shërbëtorët e tu ta flasin fjalën tënde me plot guxim. 30 Shtrije dorën tënde për të shëruar e bëj që të ndodhin shenja e mrekulli përmes emrit të Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë».
31 Kur u lutën ata, vendi ku ishin mbledhur së bashku u trand. Atëherë u mbushën me Shpirtin e shenjtë dhe shpallën me guxim fjalën e Perëndisë.
Besimtarët ndajnë të mirat
32 Të gjithë ata që kishin besuar, ishin në një zemër e në një shpirt dhe askush nuk i quante të vetat gjërat që kishte, por gjithçka e kishin të përbashkët. 33 Apostujt dëshmonin me shumë fuqi për ngjalljen e Zotit Jezu dhe Perëndia u jepte shumë hir të gjithëve. 34 Mes tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse ata që kishin toka apo shtëpi, i shisnin dhe fitimin e sillnin 35 e ua dorëzonin apostujve. Pastaj apostujt i jepnin secilit sipas nevojës.
36 Edhe Jozefi, një levit i lindur në Qipro, të cilit apostujt i kishin vënë emrin Barnabë, që do të thotë «Bir i ngushëllimit», 37 shiti një arë të vetën dhe paratë i solli e ua dorëzoi apostujve.