1 Edhe ca vetë që sbritnë nga Judhea mësoninë vëllezëritë, se: “Ndë mos u rrethprefshi pas zakonit Mojsiut, s’munt të shpëtoni.”
2 Po passi u bë të çarë, edhe Pavli e Varnava bënë mjaft të kërkuarë me fialë me ata, e panë me udhë të hipënjë Pavli edhe Varnava edhe ca të tjerë nga ata te apostojt’ edhe te pleqtë ndë Jerusalim për këtë të kërkuarë.
3 Ata pra si përcuallnë nga qisha, shkoninë ndëpër Finikë e ndëpër Samari, tuke treguarë të këthyerët’ e kombevet; edhe u bininë një gëzim të madh gjithë vëllezëret.
4 Edhe kur erthnë ndë Jerusalim, u pritnë prej qishës’ e prej apostojvet e prej pleqvet, edhe dhanë zë për gjithë sa bëri Perëndia me anë t’ atyreve.
5 Po u ngritnë ca prej eresisë Farisevet që kishinë besuarë, e thoshinë, se: “Duhetë të rrethpresëm’ ata e t’i porositnjëmë të ruanjënë nomin’ e Mojsiut.”
6 Edhe u mbëlothnë aposotojt’ e pleqtë të shikonjënë për këtë fialë.
7 Edhe passi u bë shumë të kërkuarë me fialë , u ngrit Pietri, e u tha atyre: “O burra vëllezër, ju e dini se që ndë dit të lashta Perëndia sgjodhi ndër mest nesh, që të dëgjonjënë kombetë fialën’ e ungjillit me anë të gojësë sime edhe të besonjënë.
8 Edhe zemërë-njohësi Perëndi martirisi për ata, kur u dha atyre Frymën’ e Shënjtëruarë sikundrë edhe neve.
9 Edhe nukë bëri ndonjë të shquarë ndër mest tënë e atyreve, po qëroi zenërat’ e atyreve me anë të besësë.
10 Tashi pra përse ngisni Perëndinë, e kërkoni të vini sgjedhë mbë qafë të nxënëset, të cilënë as atëritë tanë as neve muntmë ta mbajmë?
11 Po besojmë se me anë të Zotit Jisu (Krisht) do të shpëtojmë, sikundrë edhe ata.
12 Edhe gjithë shumica pushoj, edhe dëgjoninë Varnavën’ edhe Pavlinë që dëfteninë sa shenje e çudira bëri Perëndia ndër kombet me anë t’ atyre.
13 Edhe ata si pushuanë, u përgjeq Jakovi, tuke thënë: “O burra vëllezër, pa më dëgjoni;
14 Simeoni dëfteu se si pa Perëndia kombetë herën’ e parë, që të marrë nga ata një llaus për emërin’ e ti.
15 Edhe fialët’ e profitërvet janë një me këtë, sikundrë është shkruarë:
16 “Pastaj do të këthenem e do të ndërtonj përsëri tendën’ e Dhavidhit që është rrëzuarë; edhe do të ndërtonj përsëri ato që janë rrëzuarë nga ajo, edhe do ta ngre mbë këmbë;
17 Që të kërkonjënë Zotinë njerëzit’ e tierë, edhe gjithë kombetë, mbë të cilëtë thërritet’ emëri im, thotë Zoti që bën këto të gjitha.”
18 Punët’ e tia janë të njohura te Perëndia që përpara jetësë.
19 Përandaj un’ e shoh me udhë të mos i ngasëm’ ata që këthenenë nga kombetë te Perëndia;
20 Po t’u shkruajm’ atyre të heqënë dorë nga ndyrësirat’ e idhujvet, edhe nga kurvëria, edhe nga gjëj’ e mbyturë, edhe nga gjaku.
21 Sepse Mojsiu që prej brezash lashtë ka mbë çdo qytet ata që leçisën’ atë udëpër sinagogjit, kur këndonetë nomi për çdo të shëtunë.”
22 Atëhere u duk mirë apostojvet edhe pleqvet bashkë me gjithë qishënë të sgjedhënë njerës nga ata, edhe t’i dërgonjënë ndë Antiohi bashkë me Pavlin’ e me Varnavënë; Judhënë që qjuhej përmbiemërë Varsava, edhe Sillënë, njerës të parë ndër vëllezërit.
23 Edhe shkruanë me anë të dorës’ atyre këto:
“Apostojt’ edhe pleqt’ edhe vëllezëritë, gëzim qoftë mbë vëllezëritë që gjëndenë prej kombesh ndëpër Antiohinë e ndëpër Syrinë e ndëpër Qiliqinë.
24 Passi dëgjuamë se erthnë ca vetë prej nesh, e u tuntnë juve me fialë, edhe prishnë shpirtëratë tuaj, tuke thënë, të rrethpriti e të ruani nomnë, të cilëtë neve nuk’ i porositëm për këtë ;
25 Na u duk mirë neve që jemi mbëledhurë gjithë bashkë me një zëmërë, të sgjedhëmë njerës, e t’i dërgojmë te ju bashkë me të dashuritë tanë Varnavën’ edhe Pavlinë,
26 Njerës që kanë dhënë jetët’ e tyre për emërin’ e Zotit tënë Jisu Krishtit.
27 Dërguam pra Judhën’ edhe Sillënë, që t’u thonë juve edhe ata me gojë po ato.
28 Sepse iu duk mirë Frymësë Shënjtëruar’ edhe neve, të mos u vëmë juve tiatërë barrë veç këtyre që janë të nevojëshime.
29 Të hiqni dorë nga kurbanet’ e idhujvet, edhe nga gjaku, edhe nga gjëj’ e mbyturë, edhe nga kurvëria; nga ato ndë ruajçi vetëhenë tuaj, do të bëni mirë. Qofshi me shëndet.”
30 Këta pra si u lëshuanë, erthnë ndë Antiohi; edhe mbëlothnë shumicënë, e u dhan’ atyre ndër duar kartënë.
31 Edhe ata, si e kënduanë, u gëzuanë për këtë ngushëllim që u bë atyre .
32 Edhe Judha edhe Silla, që edhe ata ishin profitërë, ngushëlluanë vëllezëritë me shumë fialë, e i forcuanë.
33 Edhe si ndenjnë atie ca kohë, u dërguanë prapë me paqtim nga vellezëritë tek apostojtë.
34 Po Sillësë iu duk mirë të mbesë aty.
35 Edhe Pavli e Varnava rrininë ndë Antiohi, tuke mësuar’ e tuke leçiturë fialën’ e Zotit, bashkë me shumë vetë të tierë.
36 Edhe pas ca diç Pavli i tha Varnavësë: “Le të këthenemi tashi të shohëmë vëllezëritë tanë qytet mbë qytet, që dham zën’ e mirë për Zotinë ndër ata, vallë si janë.
37 Edhe Varnava donte të marrë bashkë me vetëhe Joanninë që qjuhej Mark;
38 Po Pavlit s’iu duk mirë të marrë me vetëhe atë që qe ndarë nga ata prej Pamfylisë, edhe nuk’ erdhi bashkë me ata ndë punët.
39 Gjau pra një qartë ndër ata , kaqë sa u ndanë njëri prej tietrit; edhe Varnava mori me vetëhe Markunë, edhe lundroj për Qyprë.
40 Edhe Pavli sgjodhi Sillënë, edhe iku, si u dha nga vëllezëritë ndë hir të Perëndisë.
41 Edhe shkonte ndëpër Syri e ndëpër Qiliqi, tuke forcuarë qishatë.
Këshilli i Jerusalemit
1 Disa veta erdhën nga Judeja dhe i mësonin vëllezërit kështu: «Nëse nuk rrethpriteni sipas dokeve të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni». 2 Atëherë pati një zënkë të fortë mes tyre dhe Palit e Barnabës, sepse nuk ishin në një mendje. Kështu u caktua që Pali, Barnaba dhe disa prej atyre që kishin ardhur nga Judeja, të shkonin në Jerusalem e të flisnin për këtë çështje me apostujt e me pleqtë e kishës. 3 Kisha i përcolli e u dha çfarë u nevojitej për udhëtim. Kur kaluan nëpër Fenikë e Samari, kudo ku shkonin, tregonin për kthimin në besim të kombeve. Të gjithë vëllezërit u gëzuan shumë.
4 Kur arritën në Jerusalem, kisha, apostujt e pleqtë i mirëpritën. Ata u treguan gjithçka që kishte bërë Perëndia përmes tyre. 5 Atëherë disa nga ata që i përkisnin sektit të farisenjve e që kishin besuar në Jezuin, u ngritën e thanë: «Të kthyerit në besim duhet të rrethpriten e të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut».
6 Apostujt e pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë çështje. 7 Pas një diskutimi të gjatë, Pjetri u ngrit e u tha: «Vëllezër, ju e dini se para disa kohësh, mes nesh, Perëndia më zgjodhi mua që nëpërmjet meje kombet të dëgjojnë fjalën e ungjillit e të besojnë. 8 Perëndia që i njeh zemrat e njerëzve dëshmoi se i pranon ata duke u dhënë Shpirtin e shenjtë, ashtu siç na e dha edhe neve. 9 Ai i pastroi zemrat e tyre me anë të besimit dhe kështu nuk bëri asnjë dallim ndërmjet nesh dhe atyre. 10 Tani, pra, pse po e vini në provë Perëndinë duke u vënë dishepujve në qafë një zgjedhë që nuk e kanë mbartur dot as etërit tanë e as ne? 11 Përkundrazi, ne besojmë se do të shpëtohemi përmes hirit të Zotit Jezu, sikurse do të shpëtohen edhe ata».
12 Ata heshtën të gjithë dhe dëgjonin Barnabën e Palin që tregonin për të gjitha shenjat e mrekullitë që Perëndia kishte bërë përmes tyre mes kombeve.
13 Pasi mbaruan së foluri këta, Jakobi tha: «Vëllezër, më dëgjoni. 14 Simon Pjetri na tregoi sesi për herë të parë Perëndia u përkujdes për të bërë nga kombet një popull që t'i përkasë atij. 15 Kjo përkon me fjalët e profetëve, sikurse është shkruar:
16 pas këtyre gjërave, unë do të kthehem
e do ta ringre tendën e Davidit që është rrëzuar.
Do ta ringre nga rrënojat e saj
e do ta lartësoj sërish,
17 kështu që, të gjithë njerëzit e tjerë
të mund ta kërkojnë Zotin
e po ashtu edhe të gjithë kombet
që janë bërë populli im.
Kështu thotë Zoti
që i bën këto gjëra
18 të njohura që nga amshimi.
19 Prandaj mendoj se nuk duhet t'u vëmë barrë kombeve që kthehen te Perëndia, 20 por duhet t'u shkruajmë që të heqin dorë nga mishi i ndotur që u është kushtuar idhujve, nga kurvëria, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga pirja e gjakut. 21 Urdhërimet e Moisiut njihen mirë, se që nga kohët e shkuara janë lexuar çdo të shtunë nga ata që i kanë predikuar në sinagogat e çdo qyteti».
Vendimi i këshillit
22 Atëherë apostujt e pleqtë, me pëlqimin e të gjithë kishës, menduan të zgjidhnin disa prej tyre për t'i dërguar në Antioki me Palin e Barnabën. Këta ishin Juda, që e quanin Barsabë, dhe Sila, njerëz me rëndësi ndër vëllezërit. 23 Ata shkruan me dorën e tyre:
«Vëllezërit apostuj e pleqtë e kishës, u shkruajnë vëllezërve që vijnë nga kombet e që janë në Antioki, në Siri e në Kiliki: përshëndetje!
24 Meqë kemi dëgjuar se disa që kanë dalë prej nesh, por që nuk janë dërguar nga ne, ju kanë trazuar me fjalë që pështjellojnë shpirtin, 25 kemi vendosur me një mendje që të zgjedhim disa njerëz e t'i dërgojmë te ju së bashku me fort të dashurit tanë Barnabën e Palin 26 që kanë vënë jetën e tyre në rrezik për emrin e Zotit tonë Jezu Krisht. 27 Kemi dërguar Judën e Silën që do t'jua tregojnë vetë me gojën e tyre këto gjëra.
28 Shpirti i shenjtë dhe ne kemi menduar se nuk duhet t'ju ngarkojmë barrë të tjera përveç atyre që janë të nevojshme: 29 hiqni dorë nga flijimet që u kushtohen idhujve, nga pirja e gjakut, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga kurvëria. Do të bëni mirë të ruheni nga këto gjëra.
Ju priftë e mbara!».
30 Atëherë ata u nisën e shkuan në Antioki, mblodhën popullin e u dorëzuan letrën. 31 Kur e lexuan letrën, u gëzuan me këtë porosi që i ngushëlloi. 32 Juda e Sila, që ishin vetë profetë, folën shumë për t'u dhënë zemër vëllezërve e për t'i forcuar.
33-34 Pasi kaluan disa kohë aty, vëllezërit i nisën në paqe tek ata që i kishin dërguar . 35 Por Pali e Barnaba qëndruan në Antioki dhe me shumë të tjerë mësonin njerëzit dhe shpallnin ungjillin e fjalën e Zotit.
Pali e Barnaba ndahen
36 Pas disa ditësh Pali i tha Barnabës: «Të kthehemi e të takojmë vëllezërit në të gjitha qytetet ku kemi predikuar fjalën e Zotit e të shohim si i kanë punët». 37 Barnaba donte që të merrnin edhe Gjonin që quhej Mark, 38 por Pali nguli këmbë që të mos e merrnin me vete atë që ishte ndarë prej tyre në Pamfili e nuk i kishte shoqëruar në veprën e tyre.
39 Ata u grindën aq shumë, saqë u ndanë nga njëri-tjetri dhe Barnaba mori Markun e lundroi për në Qipro. 40 Pali zgjodhi Silën e u nis pasi vëllezërit ia besuan Palin hirit të Zotit. 41 Ai shkoi nëpër Siri e Kiliki dhe i forconte kishat.