1 Edhe ndë Ikoni, kur hynë bashkë ndë sinagogjit të Judhenjet, folnë kështu, sa besuanë shumë shumicë prej Judhenjet e prej Grekëvet.
2 Po ata Judhenjtë që nukë bindeshinë, shtyninë mbë të keq shpirtërat’ e kombevet kundrë vëllezëret.
3 Mjaft kohë pra ndenjnë atie , tuke folurë me sy hapurë për Zotinë, që martiriste për fialën’ e hirit ti, edhe epte të bënenë shenje e çudira me anë të duarvet atyre.
4 Edhe shumica e qytetit u nda mbë dy ; e ca ishinë me Judhenjtë, e ca me apostojtë.
5 Edhe kur u sulnë kombet' e Judhenjtë bashkë me të parët' e tyre, që t'i shanjën’ e t’i vrasënë me gurë,
6 E muarnë vesh, edhe iknë ndëpër qytetet të Lykaonisë, ndë Lystrë e ndë Dervë, e rreth atyre fshatëravet,
7 Edhe atie leçisninë ungjillinë.
8 Edhe ndë Lystrë rrinte një njeri që s’munte nga këmbëtë, sepse ishte i çalë që nga barku s’ëmësë, i cili s’kishte ecurë kurrë.
9 Kyj dëgjonte Pavlinë tuke folurë; i cili, si shtyri sytë mb’ atë, edhe pa se kishte besë për të shpëtuarë,
10 Tha me zë të math: “Ngreu mbë këmbë drejtë. Edhe ay këcente edhe ecënte.
11 Edhe gjëndëja kur panë se ç’bëri Pavli, ngritnë zën’e tyre, tuke thënë Lykaonisht, se: “Perënditë u shëmbëllyenë mbë njerës e sbritnë te ne.”
12 Edhe qjuaninë Varnavënë Enjëte, edhe Pavlinë Mërkur; sepse ay ishte i pari që fliste.
13 Atëhere prifti i Enjëtesë, që ishte përpara qytetit atyreve, pruri dema e kurora përpara dyervet, e donte të bënjë kurban bashkë me gjëndëjenë.
14 Edhe apostojtë Varnava edhe Pavli kur dëgjuanë, çuarnë rrobet’ e tyre, e u hothnë ndë mes të gjëndëjesë, tuke thërriturë,
15 E tuke thënë: “Përse bëni këto, o burra? Edhe neve jemi njerës që pësojmë si edhe ju, edhe u leçisëmë juve të këtheneni nga këto të kota mbë Perëndinë e gjallë, që bëri qiellin’ e dhen’ e detin’ edhe gjithë ç’janë nd’ ato;
16 I cili ndë brezat që shkuanë la gjithë kombetë të ecënjënë nd’ udhët të tyre;
17 Ndonëse nuk’ e la vetëhen’ e ti pa martirisurë, tuke bërë mirë, e tuke dhënë neve nga qielli shira e kohëra plot me pemë, e tuke mbushurë zëmratë tona me ushqim e me gëzim.”
18 — Edhe tuke thënë këto, mezi ndaluanë gjëndëjenë që të mos u bënjën’ atyre kurban.
19 Edhe erthnë ca Judhenj nga Antiohia e nga Ikonia, edhe u mbushnë mëndëjenë gjëndëjesë, e rrahnë me gurë Pavlinë, edhe e hoqnë svarë jashtë qytetit, sepse kujtuanë se vdiq.
20 Po nxënësitë si e qarkësuanë, u ngrit e hyri ndë qytet, edhe mbë të nesërmet dolli bashkë me Varnavënë ndë Dhervë.
21 Edhe passi leçitnë ungjillinë nd’atë qytet, edhe bënë shumë nxënës, u këthyenë ndë Lystrë e nd ’ Ikoni, e ndë Antiohi,
22 Tuke forcuarë shpirtërat’ e nxënëset, e tuke shtytur’ ata të qëndronjënë ndë besët, edhe tuke thënë atyre se me shumë shtrëngime duhetë të hynjënë ndë mbëretërit të Perëndisë.
23 Edhe si u urdhëruan atyre pleq mbë çdo qishë, edhe u falnë me agjërime, i lanë te Zoti që i kishinë besuarë.
24 Edhe si shkuanë ndëpër Pisidhi, erthnë ndë Pamfyli;
25 Edhe si folnë fialënë ndë Pergë, sbritnë nd’Attali;
26 Edhe së andejmi lundruanë për Antiohi, atie ku ishinë dhënë ndë hir të Perëndisë për punënë që mbaruanë.
27 Edhe si erthnë, mbëlothnë qishënë, edhe u dëftyen’ atyre gjithë sa bëri Perëndia me anë t’ atyre, edhe se hapi derën’ e besësë ndër kombet.
28 Edhe ndenjnë atie shumë kohë bashkë me nxënësitë.
Pali e Barnaba në Ikon
1 Në Ikon, Pali e Barnaba hynë në sinagogën e judenjve dhe folën në një mënyrë të tillë saqë një numër i madh judenjsh e helenësh besuan në Jezuin. 2 Por judenjtë që nuk besuan, i mbushën me ligësi shpirtrat e johebrenjve dhe i ngritën kundër vëllezërve. 3 Megjithatë Pali e Barnaba ndenjën aty për shumë kohë, duke folur me guxim për Zotin. Zoti u jepte atyre fuqinë që të bënin shenja e mrekulli, duke dëshmuar kështu se predikimi i tyre për hirin e tij ishte i vërtetë.
4 Banorët e qytetit u përçanë. Disa ishin me judenjtë, disa me apostujt. 5 Kur kombet dhe judenjtë, bashkë me krerët e tyre, shestuan që t'i keqtrajtonin e t'i vrisnin me gurë, 6 apostujt e morën vesh dhe shkuan në Listër e Derbë, qytete të Likaonisë, si edhe në fshatrat përreth. 7 Aty vazhduan të shpallnin ungjillin.
Pali e Barnaba në Listër
8 Në Listër gjetën një njeri me këmbë të paralizuara që në bark të nënës. Ai rrinte ulur dhe nuk kishte ecur kurrë. 9 Pali e pa atë me vëmendje dhe, kur vuri re se ai besonte se do të shërohej, 10 i tha me zë të lartë: «Ngrihu më këmbë!». Atëherë ai u ngrit më këmbë e filloi të ecte.
11 Kur panë se ç'bëri Pali, turmat bërtitën në likaonisht e thanë: «Perënditë kanë zbritur te ne në trajtë njeriu!». 12 Ata e quajtën Barnabën Zeus, ndërsa Palin Hermes, sepse ishte ai që fliste më shumë.
13 Prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte jashtë qytetit, solli dema e kurora te dyert dhe së bashku me turmat donin t'u kushtonin flijime. 14 Kur e dëgjuan këtë gjë dy apostujt, Barnaba e Pali, grisën rrobat dhe dolën me vrap te turmat duke bërtitur: 15 «O burra, çfarë po bëni kështu? Ne jemi njerëz si ju. Ne ju sjellim ungjillin, që të ktheheni nga këto gjëra të kota te Perëndia i gjallë, që krijoi qiellin, tokën, detin e gjithçka gjendet në to. 16 Në kohën e breznive të kaluara i ka lejuar të gjitha kombet të ndiqnin udhët e tyre. 17 Megjithatë ai ka dhënë dëshmi për veten e tij, duke bërë vepra të mira. Ju ka dhënë shi nga qielli e stinë të begata, duke ju dhënë ushqim e duke i gëzuar zemrat tuaja».
18 Edhe pas këtyre fjalëve i mbajtën me vështirësi turmat që të mos u kushtonin flijime.
19 Por aty erdhën disa judenj nga Antiokia e Ikoni dhe i bënë turmat për vete. Atëherë e goditën Palin me gurë dhe e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit, duke menduar se kishte vdekur. 20 Kur dishepujt u mblodhën përreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet. Të nesërmen shkoi me Barnabën në Derbë.
Kthimi në Antiokinë e Sirisë
21 Pasi e shpallën ungjillin në atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listër, në Ikon e në Antioki. 22 Aty ua forcuan shpirtrat dishepujve e u dhanë zemër që të vazhdonin në besim, duke u thënë: «Duhet të kalojmë shumë mundime për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë». 23 Në çdo kishë ata zgjodhën pleqtë drejtues dhe me agjërim e lutje ia paraqitën Zotit, në të cilin kishin besuar.
24 Pastaj kaluan nëpër Pisidi dhe arritën në Pamfili. 25 Atëherë e predikuan fjalën e Zotit në Pergë e shkuan në Atali. 26 Që aty lundruan për në Antioki, në qytetin ku Perëndia u kishte besuar hirin për veprën që kishin përfunduar.
27 Kur arritën, e mblodhën kishën, i treguan gjithçka kishte bërë me ta Perëndia dhe sesi ai u kishte hapur derën e besimit kombeve. 28 Pali e Barnaba ndenjën atje me dishepujt për shumë kohë.