1 Edhe apostojt’ e vëllezëritë që ishinë ndë Judhet dëgjuanë, se edhe kombetë pritnë fialën’ e Perëndisë.
2 Edhe Pietri kur hipi ndë Jerusalim, haheshinë me atë ata që ishinë nga rrethpresëja,
3 Tuke thënë, se: “Hyre ndër njerës të parrethprerë, e hëngre bashkë me ata.”
4 Po Pietri zuri e u dëfteu atyre një nga një, tuke thënë:
5 “Un’ ishnjam tuke falurë ndë qytet të Joppësë; edhe pashë një të parë ndë të habiturë, sikur sbriste një enë posi një pëlhur’ e madhe lidhurë nga të katër’ anëtë, e lëshonej poshtë nga qielli, edhe erdhi gjer tek unë.
6 Kur shtyra sytë mb’ atë, vura re e pashë shtësët’ e dheut me katrë këmbë, e bishat’ e shtërpinjt’ e shpesët’ e qiellit.
7 Edhe dëgjova një zë që më thoshte: Ngreu, Pietër, ther e ha.
8 Po unë thashë: Qoftë lark, o Zot! Se çdo gjë e ndyrë a e pëgërë, askurrë s’ka hyrë ndë gojët time.
9 Po zëri m’u përgjeq për së dyti nga qielli: Ato që i ka qëruarë Perëndia, ti mos i qjuaj të ndyra.
10 Edhe këjo u bë tri herë; edhe përsëri u hoqnë të gjitha ndë qiell.
11 Edhe ja përnjëherë te harrinë tre burra mb’ atë shtëpi që ishnjam, dërguarë nga Qesaria tek unë.
12 Edhe Fryma më tha të vete bashkë me ata, pa mos pasurë ndonjë farë mendim; edhe erthnë bashkë me mua edhe këta gjashtë vëllezër, edhe hymë ndë shtëpi t’ati njeriut.
13 Edhe ay na dëfteu, qysh pa ëngjëllinë ndë shtëpi të ti, se ndenji e i tha: Dërgo [njerës] ndë Joppë, e thirrë Simoninë që qjuhetë përmbiemërë Pietër;
14 I cili do të flasë tyj fialë, që prej atyre fialëve do të shpëtonjç ti edhe gjith’ shtëpia jote.
15 Edhe unë posa zura të flas, ra Frym’ e Shënjtëruarë mbi ata, sikundrë edhe mbë ne herën’ e parë.
16 Atëhere më ra ndër mënt fial’ e Zotit që thoshte, se: “Joanni pagëzoj me ujë, po ju do të pagëzohi me Frymë të Shënjtëruarë”.
17 Ndë qoftë pra se Perëndia u dha atyre dhurëtinë sinjënjë, sikundrë edhe neve, sepse i besuanë Zotit Jisu Krisht, unë ç’i zoti ishnjam të ndalonj Perëndinë?”
18 Edhe ata si dëgjuanë këto fialë , pushuanë edhe lavduanë Perëndinë, tuke thënë: “Perëndia pra u pasëka dhënë edhe kombevet pendimnë për jetë.”
19 Ata pra që ishinë përndarë nga ndiekëja që u bë për Stefaninë, vatnë gjer ndë Finikë e ndë Qyprë e ndë Antiohi, edhe as ndonjërit nuk i leçisninë fialënë, veç Judhenjet.
20 Edhe ca nga ata ishinë njerës Qyprianë e Qyrineas, të cilëtë si hynë ndë Antiohi, flisninë te Greqishtarëtë, tuke dhënë zën’e mirë për Zotinë Jisu.
21 Edhe dor’ e Zotit ishte bashkë me ata; edhe shumë numër njerëzish besuanë, e u këthyenë mbë Zotinë.
22 Atëhere ra fiala ndë veshë të qishësë që ishte ndë Jerusalim për ata, edhe dërguanë Varnavënë të vejë gjer ndë Antiohi.
23 Ay si erdhi, edhe pa hirin’ e Perëndisë, u gëzua edhe nguste të gjithë të qëndronjënë me zëmërë të drejtë te Zoti;
24 Sepse ishte njeri i mirë edhe plot me Frymë të Shënjtëruar’ e me besë. Edhe u shtua mjaft gjëndëje mbë Zotinë.
25 Atëhere Varnava dolli ndë Tarsë, që të kërkonjë Savllinë; edhe si e gjeti, e pru ndë Antiohi.
26 Edhe një vit të tërë mbëlidheshinë ndë qishë, edhe mësoninë mjaft gjëndëje; edhe nxënësitë u qjuajtnë të Krështerë përpara ndë Antiohi.
27 Edhe nd’ ato dit sbritnë profitërë nga Jerusalimi ndë Antiohi.
28 Edhe u ngrit një nga ata që qjuhej Agaf, e shënoj me anë të Frymësë, se do të bënetë një zi e madhe mbë gjithë dhenë, edhe u bë ndë ditët të Qesar Kllavdhiut.
29 Përandaj nxënësit’ urdhëruanë gjithë-secili nga ata, pas pasjesë tyre që kishinë , të dërgonjënë ndihmë vëllezëret që rrinë ndë Judhe; sikundrë edhe e bënë, e ua dërguanë pleqvet me dorë të Varnavës’ e të Savllit.
Pjetri para kishës në Jerusalem
1 Apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude dëgjuan se edhe kombet e kishin pranuar fjalën e Perëndisë. 2 Kur Pjetri shkoi në Jerusalem, besimtarët e rrethprerë e sulmuan me fjalë 3 e i thanë: «Ti hyre në shtëpinë e njerëzve të parrethprerë e hëngre me ta».
4 Atëherë Pjetri u tregoi hollësisht çfarë i kishte ndodhur: 5 «Isha në qytetin e Jopës e po lutesha kur, i rrëmbyer nga Shpirti i shenjtë, pashë një vegim. Diçka si një pëlhurë e madhe po zbriste dhe, e mbajtur në të katër cepat, ulej nga qielli deri tek unë. 6 Kur e vështrova nga afër, vura re e pashë katërkëmbësha të tokës, egërsira, rrëshqanorë e shpendë të qiellit. 7 Atëherë dëgjova një zë që më tha: “Ngrihu, Pjetër. Ther e ha”. 8 Por unë thashë: “Kurrsesi, o Zot, se nuk kanë hyrë asnjëherë në gojën time gjëra të papastra e të ndyra”.
9 Pastaj zëri nga qielli më tha për të dytën herë: “Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!”. 10 Kjo gjë u përsërit tri herë, pastaj të gjitha u ngritën përsëri në qiell. 11 Menjëherë tre burra, që i kishin dërguar tek unë nga Cezareja, erdhën te shtëpia ku po rrinim ne. 12 Shpirti më tha të shkoja me ta pa ngurruar. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër dhe hymë në shtëpinë e atij njeriu. 13 Ai na tha se kishte parë një engjëll që i ishte shfaqur në shtëpinë e tij dhe i kishte thënë: “Dërgo njerëz në Jopë të marrin Simonin që e thërrasin Pjetër. 14 Ai do të të thotë fjalët me të cilat ti e shtëpia jote do të shpëtohen”.
15 Kur fillova të flisja, Shpirti i shenjtë zbriti mbi ta sikurse kishte zbritur mbi ne në fillim. 16 Atëherë m'u kujtua fjala e Zotit, që tha: “Gjoni pagëzon me ujë, ndërsa ju do të pagëzoheni me Shpirtin e shenjtë”. 17 Nëse Perëndia u dha kombeve të njëjtën dhuratë që na ka dhënë neve kur besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të pengoja Perëndinë?».
18 Kur dëgjuan këto gjëra, ata u qetësuan dhe e përlëvduan Perëndisë duke thënë: «Atëherë Perëndia ua ka dhënë edhe kombeve pendimin që udhëheq drejt jetës».
Kisha në Antioki
19 Ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi pas vdekjes së Stefanit, shkuan deri në Fenikë, në Qipro e Antioki, por ua shpallnin fjalën e Zotit vetëm judenjve e askujt tjetër. 20 Mes tyre ishin edhe disa burra nga Qipro dhe Kirena, të cilët, rrugës për në Antioki, ua shpallën ungjillin, Zotin Jezu, edhe judenjve greqishtfolës. 21 Dora e Zotit ishte me ta dhe një numër i madh besuan e u kthyen te Zoti. 22 Lajmi për këtë gjë arriti në vesh të kishës në Jerusalem dhe ata dërguan Barnabën të shkonte deri në Antioki.
23 Kur ai arriti atje dhe pa hirin e Perëndisë, u gëzua e i porositi të gjithë që t'i qëndronin besnikë Zotit, me gjithë zemër. 24 Barnaba ishte njeri i mirë, i mbushur me Shpirtin e shenjtë e me besim. Kështu, një numër i madh njerëzish besoi në Zotin.
25 Pastaj Barnaba shkoi në Tars për të kërkuar Saulin. 26 Kur e gjeti, e solli në Antioki. Ata qëndruan aty një vit të tërë me kishën dhe mësuan shumë njerëz. Në Antioki dishepujt u quajtën të krishterë për herë të parë.
27 Në ato ditë, në Antioki erdhën disa profetë nga Jerusalemi. 28 Njëri prej tyre, që quhej Hagab, tregoi me anë të Shpirtit se do të binte një zi e madhe buke në tërë botën, gjë që ndodhi në kohën kur perandor ishte Klaudi. 29 Atëherë dishepujt vendosën që secili prej tyre, sipas mundësive që kishte, të jepte diçka për të ndihmuar vëllezërit që ishin në Jude. 30 Dhe ashtu bënë. Ndihmën ua dërguan pleqve të kishës me Barnabën e Saulin.