1 Ti pra, o diali im, forcohu ndë hirë që është mbë Jisu Krishtinë;
2 Edhe sa dëgjove prej meje me shumë martirë, epi këto ndër duar njerëzish besëtarë, atyreve që të jenë të zotëritë të mësonjënë edhe të tierë.
3 Ti pra vuaj posi ushtëtar i mirë i Jisu Krishtit.
4 Sepse asndonjë nukë ngatëronetë me tregëtit’ e kësaj jete kur shkruhetë ushtëtar, që t’i pëlqenjë ati që mbëleth ushtëtorë.
5 Po edhe ndë lëftoftë ndonjë, nukë kurorëzonetë, ndë mos lëftoftë sikundrë ësht’ e udhësë.
6 Bujku që mundonetë duhetë të marrë piesë përpara nga pemëtë.
7 Kupëto ato që them; edhe Zoti të dhashtë mënt mbë të gjitha.
8 Ki ndër mënt Jisu Krishtinë nga far’ e Dhavidhit që është ngjallurë prej së vdekurish, pas ungjillit tim;
9 Që për atë vuaj gjer mbë të lidhura, posi keq-bërës; po fial’ e Perëndisë nukë lidhetë.
10 Përandaj duronj të gjitha për të sgjedhuritë, që të gjenjën’ edhe ata shpëtimnë që është mbë Jisu Krishtinë, bashkë me lavdin’ e pasosurë.
11 Për të zënë besë është fiala; sepse ndë kemi vdekurë bashkëme Krishtinë, kemi për të rruar’edhe bashkë me atë ;
12 Ndë durofshim, edhe kemi për të mbëretëruarë bashkë me atë ; ndë e mohofshim, edhe ay do të na mohonjë,
13 Ndë dalshim të pabesë, ay mbet besëtar; nuk munt të mohonjë vetëhen’ e ti.
14 Këto ua bierë ndër mënt, tuke dhënë martiri përpara Zotit, të mos hahenë me fialë për gjë që s’duhetë, po është për prishëjen e atyreve që dëgjonjënë.
15 Nxito të nxierç vetëhenë tënde të provuarshim përpara Perëndisë, punëtuar faqe- bardhë, që pret drejtë fialën’ e së vërtetësë.
16 Edhe largonu nga të ndyratë fialët’ e kota; sepse shtonjënë më shumë pabesëri.
17 Edhe fiala e atyreve ka për të ngrënë posi qimezë; nga ata është Hymenaj edhe Filiti,
18 Të cilëtë duallë jasht’ udhësë të së vërtetësë, tuke thënë, se ndashti u bë të ngjalluritë; edhe përmbysnjënë besën’ e cave.
19 Po themeli’ e fortë e Perëndisë qëndron, sepse ka këtë vulë. Zoti njeh ata që janë të titë; edhe kushdo që zë n’gojë emërin’ e Krishtit, le të largonetë nga e shtrëmbëta.
20 Edhe ndë një shtëpi të madhe nukë janë vetëm’ enë të arta e të argjëntta, po edhe të drunjëta e të baltta; e ca duhenë për punë të ndershime, e ca për punë të pandershime.
21 Ndë qëroftë pra ndonjë vetëhen’ e ti nga këto, do të jetë enë për nderë, e shënjtëruar’ edhe e vëjyerë për të zonë, bërë gati për çdo farë pune të mirë.
22 Edhe mërgonu nga dëshërimet’ e dialërisë; po ndiq drejtërinë, besënë, dashurinë, paqtimnë bashkë me ata që thërresënë Zotinë me zemërë të këthiellëtë.
23 Edhe hiq dorë nga të marrat’ e të pa diçëmetë të ngrëna me fialë, tuke diturë se piellënë të zëna.
24 Edhe shërbëtori Zotit nukë duhetë të zihetë, po të jetë i butë mbë të gjithë, asi që mëson, asi që duron të ligënë,
25 Të mësonjë me butësirë ata që mendonenë kundrë, mbase u ep atyreve Perëndia pendim, që të njohënë të vërtetënë,
26 Edhe të shkonenë nga laku i diallit, që janë zënë të gjallë prej ati për dashurimin’ e ati.
Ushtar i mirë
1 Ti, biri im, forcohu nga hiri që vjen përmes Krishtit Jezu. 2 Ato që dëgjove prej meje para shumë dëshmitarëve besojua njerëzve besnikë, të cilët do të jenë të zotët të mësojnë edhe të tjerët.
3 Bashkohu në vuajtje si ushtar i mirë i Krishtit Jezu. 4 Asnjë ushtar që është nën armë, nuk ngatërrohet me punët e jetës së përditshme, sepse do që t'i pëlqejë eprorit që e thirri ushtar. 5 Po ashtu, kush futet në garë, nuk kurorëzohet po të mos ketë luajtur sipas rregullave. 6 Bujku që mundohet duhet të marrë i pari pjesën e fryteve. 7 Mendo për këto që po të them, sepse Zoti do të të ndihmojë të kuptosh gjithçka.
8 Kujto Jezu Krishtin, të ngjallur prej të vdekurve, pasardhës i Davidit, sipas ungjillit tim, 9 për të cilin unë po vuaj deri në pranga si keqbërës. Por fjala e Perëndisë nuk lidhet me pranga. 10 Prandaj unë i duroj të gjitha për hir të të zgjedhurve, që edhe ata të marrin shpëtimin përmes Krishtit Jezu bashkë me lavdinë e amshuar. 11 Kjo fjalë është e besueshme:
Nëse kemi vdekur me Krishtin,
edhe do të jetojmë me të;
12 nëse durojmë,
edhe do të mbretërojmë me të;
nëse do ta mohojmë,
edhe ai do të na mohojë;
13 nëse jemi mosbesues,
ai mbetet besnik,
pasi ai nuk mund të mohojë veten.
Punëtor i miratuar
14 Këto gjëra t'ua kujtosh të gjithëve, duke iu përbetuar para Perëndisë të mos grinden me fjalë që nuk sjellin asnjë dobi, por çojnë në shkatërrim ata që i dëgjojnë. 15 Mundohu të dalësh i sprovuar para Perëndisë, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që e shpjegon drejt fjalën e së vërtetës.
16 Shmangu nga fjalët e zbrazëta që janë kundër besimit, sepse ato do të shtojnë mosbesimin e njerëzve 17 dhe fjalët e tyre do të përhapen si gangrenë. Ndër ta janë Himeneu e Fileti, 18 që dolën nga udha e së vërtetës, duke thënë se ngjallja tashmë ka ndodhur dhe kështu po përmbysin besimin e disave.
19 Megjithatë, themelet e forta që vuri Perëndia qëndrojnë të patundura dhe mbajnë këtë vulë: Zoti i njeh të vetët dhe: «Le të largohet nga paudhësia kushdo që thërret emrin e Zotit».
20 Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari e argjendi, por edhe prej druri e balte; disa për nderim, të tjerat për përçmim. 21 Prandaj, kush e pastron veten nga këto gjëra, do të jetë enë për nderim, e shenjtëruar, e dobishme për të zotin dhe e përgatitur për çdo vepër të mirë.
22 Braktisi epshet rinore dhe rend pas drejtësisë, besimit, dashurisë e paqes, bashkë me ata që i thërrasin Zotit me zemër të pastër. 23 Shmang edhe bisedat e marra e pa kuptim, duke e ditur se sjellin grindje. 24 Shërbëtori i Zotit nuk duhet të grindet, por duhet të jetë i butë me të gjithë, mësues i zoti, që duron të keqen, 25 që i udhëzon me butësi kundërshtarët, me shpresën se Perëndia do t'i bëjë të pendohen për të njohur të vërtetën. 26 Kështu ata mund të vijnë në vete e të dalin nga kurthi i djallit, i cili i mban robër të vullnetit të tij.