1 Sa për shërbesën’ e shënjtorëvet është tepërë për mua t’u shkruanj juve.
2 Sepse e di të shpejtën’ e zemrësë tuaj, që për atë mburrem te Maqedhonasitë, se Ahaia u bë gati që viet; edhe përvëlimi i zemrësë tuaj ndezi më të shumëtë vetë .
3 Edhe dërgova vëllezëritë, që të mos dalë të kotë të mburruritë tënë që kemi për ju mbë këtë punë, që të jeni bërë gati (sikundrë thoshnjam,).
4 Mbase mos vinjënë bashkë me mua Maqedhonas, e u gjenjënë juve pa bërë gati, turpëronemi neve (që të mos themi ju), ndë këtë qëndrim të mburrurit.
5 Përandaj u menduashë se është nevojë t’u lutem vëllezëret që të vinjënë më përpara te ju, e të bënjënë gati këtë bekimin’ e elejmosinësë tuaj që pattë thënë që përpara, që të jetë gati kështu si bekim elejmosine, e jo si lakëmim.
6 Edhe këtë e them, se ay që mbiell me kurcim, edhe me kurcim do të korrë; edhe ay që mbiell me dorë të hapëtë, edhe me dorë të hapëtë do të korrë.
7 Gjithësecili le t’ apë sikundrë t’i dojë zemëra, jo me hidhërim, a me shtrëngim; sepse Perëndia do atë që ep me buzëm me gas.
8 Edhe Perëndia ësht’ i fortë të tepronjë çdo hirë mbë ju, që të keni mjaft përherë mbë çdo gjë të teproni mbë çdo punë të mirë.
9 (Sikundrë është shkruarë: “Përndau, u dha të vobeqvet; drejtëria e ati mbet në jetë tëjetësë ”.
10 Edhe ay që i ep farë ati që mbiell, edhe bukë për të ngrënë, dhashtë e shumoftë farënë tuaj, e rrittë bimat’ e drejtërisë tuaj.)
11 E të bëhi të pasurë mbë të gjitha e mbë çdo gjë dorëhapëtë, që ajo punon prej nesh të falurë ndersë mbë Perëndinë.
12 Sepse puna e kësaj shërbese jo vetëmë mbush plot të shterat’ e shënjtorëvet, po edhe tepron me shumë të falurë ndersë te Perëndia.
13 (Sepse tuke provuarë këtë shërbesë, lavdonjënë Perëndinë për të dëgjuarët’ e së rrëfyerësë tuaj mbë ungjillin’ e Krishtit, edhe për piesën’ e dorësë hapëtë mb’ ata edhe mbë të gjithë.)
14 Edhe me të luturit’ e atyre që bënjinë për ju, sepse kanë shumë mallë për ju, për atë hirin’ e Perëndisë të tepërinë që është mbë ju.
15 Po hiriqoftë mbë Perëndinë për dhurëtin’ e ati që s’tregonetë me gojë.
Mbledhja e ndihmave
1 Është e tepërt t'ju shkruaj për shërbesën e ndihmës për të shenjtët, 2 sepse e njoh vullnetin tuaj të mirë, për të cilin krenohem para maqedonasve duke thënë: «Akaia u bë gati që vitin e shkuar». Zelli juaj ka vënë në lëvizje shumicën e tyre. 3 Megjithatë po ju dërgoj vëllezërit që të vërtetohet se në këtë rast mburrja jonë me ju nuk ka qenë e kotë dhe që ju të jeni gati, sikurse kam thënë se jeni.
4 Përndryshe, nëse vijnë me mua disa maqedonas dhe shohin se nuk jeni gati, ne do të dilnim të turpëruar që u krenuam me ju, për të mos thënë pastaj sesa të turpëruar do të dilnit ju. 5 Prandaj m'u duk e nevojshme t'u kërkoja vëllezërve që të vinin më parë te ju për të bërë gati dhuratën që keni premtuar, në mënyrë që ajo të jetë gati si dhuratë zemërgjerësie e jo kopracie.
6 Sepse, kush mbjell me kursim, do të korrë pak dhe kush mbjell me zemërgjerësi, do të korrë me begati.
7 Secili nga ju le të japë sa t'i dojë zemra, jo me keqardhje e as me detyrim, se Perëndia e do atë që jep me gëzim. 8 Perëndia mund t'ju japë me begati çdo të mirë, në mënyrë që gjithmonë të keni mjaftueshëm prej çdo gjëje e kështu të mund të jepni për çdo vepër të mirë. 9 Sikurse është shkruar:
ai shpërndan me zemërgjerësi,
u jep të varfërve,
drejtësia e tij qëndron në amshim.
10 Ai që i jep farën mbjellësit dhe bukën për të ngrënë, do t'jua japë edhe juve farën për ta mbjellë dhe do ta shumojë. Ai do t'i shumojë frytet e drejtësisë suaj. 11 Ju do të pasuroheni në gjithçka, që të mund të jeni zemërgjerë, dhe shumë veta do të falënderojnë Perëndinë përmes nesh.
12 Kjo shërbesë ndihme jo vetëm që plotëson nevojat e të shenjtëve, por bën edhe që të burojnë shumë falënderime për Perëndinë. 13 Kur të shohin shërbesën tuaj të ndihmës, ata do të përlëvdojnë Perëndinë për bindjen tuaj ndaj ungjillit të Krishtit e për zemërgjerësinë që tregoni ndaj tyre dhe ndaj gjithë të tjerëve. 14 Dhe ata do të luten për ju e do të tregojnë shumë dashuri ndaj jush për shkak të hirit të pashoq që ju dha Perëndia. 15 I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e tij të patregueshme!