1 Edhe unë vetë Pavli u lutem juve për butësirën’ e për ëmbëlsirën’ e Krishtit, se faqe me faqe jam i përunjëtë ndër ju, e për së largu kam zemërë mbë ju.
2 Edhe u lutem juve , kur të vinj, të mos marr zemërë me atë shpëresënë, që mendonj të kuxonj kundrë disave, që na vënë re sikurse ecëjmë pas mishit;
3 Sepse ndonëse ecëmë pas mishit, po s’bëjmë luftë pas mishit.
4 Sepse armët’ e luftësë tonë nukë janë të mishit, po të forta me Perëndinë për të rrëzuarë kastra.
5 Sepse rrëzojmë mendime edhe çdo gjë të lartë që ngrihetë sipër kundrë së njohurësë Perëndisë, edhe bëjmë rop çdo mendim për të dëgjuarëtë të Krishtit.
6 Edhe jemi gati të marrëmë shpagim për çdo të padëgjuarë, kur të mbusheetë të dëgjuarëtë tuaj.
7 A shihni ato që dukenë për faqe? Ndë shpëreftë ndonjë mbë vetëhen’ e ti se ësht’ i Krishtit, le ta mendonjë këtë përsëri prej vetëhesë ti, se sikundrë ay ësht ’ i Krishtit, kështu edhe neve jemi të Krishtit.
8 Sepse, edhe ndë u mburrça ca më tepërë për pushtetinë tënë, që na dha Zoti për ndërtesë, e jo për të rrëzuarëtë tuaj, s’do të turpëronem;
9 Që të mos dukem, se dua t’u shtie juve frikënë me kartëratë.
10 Sepse kartëratë, thotë ndonjë , janë të rënda edhe të forta; po të daluritë përpara me trup është të dobë, edhe fiala s’vëjen gjë.
11 I tilli njeri le ta mendonjë këtë, se t’ atillë që jemi ndë fialët me kartëra për së largu, të këtillë jemi edhe mbë punët për së afërmi.
12 Sepse s’kuxojmë të numërojm’ a të mbarasojmë vetëhenë tonë me dica vetë që ndorëzonjënë vetëhen’ e tyre; po ata vetë tuke maturë vetëhen’ tyre me vetëhen’ e tyre, edhe tuke mbarasuarë vetëhen’ e tyre me vetëhen’ e tyre, s’kupëtonjënë.
13 Po neve s’do të mburremi pa masë, po pas masësë, ati rregullitr që ndau Perëndia mbë ne, masë që t’ arrijmë edhe gjer te ju.
14 Sepse s’e shtrijmë tepërë vetëhenë tonë, sikurse nuk’ u arrijtëm juve; sepse gjer te ju e arrijtmë me anë të ungjillit Krishtit.
15 Edhe s’mburremi pa masë për mundimet’ e huaja, po kemi shpëresë, se, tuke shtuarë besa juaj, do të madhonemi mbë ju për së tepëri, pas rregullit tënë.
16 Që të ungjillëzojm’ edhe mb’ ata vënde që janë përtej jush, jo të mburremi për ato që janë gati ndë rregullë të huajë.
17 Edhe ay që mburretë, le të mburretë mbë Zotinë;
18 Sepse s’ësht’ i provuar’ ay që ndorëzon vetëhen’e ti, po ay që e ndorëzon Zoti.
Pali mbron shërbesën
1 Vetë unë, Pali, që qenkam i përulur kur gjendem përballë jush, por i guximshëm kur jam larg jush, ju bëj thirrje me butësinë e mirësinë e Krishtit 2 dhe ju përgjëroj që kur të vij te ju, të mos më duhet të tregohem i guximshëm, kur të kundërshtoj me vendosmëri ata që mendojnë se ne veprojmë sipas dobësisë njerëzore. 3 Megjithëse jemi njerëz, ne nuk luftojmë për gjërat njerëzore, 4 sepse armët e luftës sonë nuk janë njerëzore, por kanë fuqinë e Perëndisë, me të cilën mund të shkatërrojmë fortesat. Ne shembim çdo arsyetim 5 e çdo pengesë që ngrihen kundër njohjes së Perëndisë dhe çdo mendim e nënshtrojmë për t'iu bindur Krishtit. 6 Kur të jetë përsosur bindja juaj, ne do të jemi gati të ndëshkojmë çdo mosbindje.
7 Shikojini gjërat siç janë. Nëse dikush është i bindur se është i Krishtit, le ta mendojë edhe një herë këtë gjë, sepse sikurse ai është i Krishtit, ashtu jemi edhe ne. 8 Edhe pse krenohem shumë me pushtetin që Zoti na e dha për t'ju ndihmuar të rriteni në besim e jo për t'ju shkatërruar, nuk ka pse të më vijë turp. 9 Nuk dua të jap përshtypjen se kërkoj t'ju tremb me letrat e mia. 10 Disa thonë: «Letrat e tij janë të ashpra e të forta, ndërsa kur është i pranishëm vetë, është i dobët dhe fjalët e tij lënë për të dëshiruar». 11 Ai që mendon kështu, ta dijë mirë se, edhe kur të vijmë atje, do të jemi po ata që kemi shkruar këtë letër kur ishim larg jush.
12 Ne nuk guxojmë të renditemi apo të krahasohemi me ata që lavdërojnë veten. Por ata janë të marrë kur marrin veten e tyre si masë për t'u krahasuar me njëri-tjetrin. 13 Ndërsa ne nuk do të krenohemi tej mase, por do të krenohemi brenda fushës së veprimit që na ka caktuar Perëndia e që na ka sjellë deri te ju. 14 Nuk do të krenoheshim kaq shumë, po të mos kishim ardhur te ju. Por ne kemi ardhur të parët për t'ju predikuar ungjillin e Krishtit.
15 Ne nuk krenohemi tej mase me mundin e të tjerëve, por shpresojmë se, duke u rritur besimi juaj, do të zgjerohet shumë edhe fusha jonë e veprimit, 16 që të mund ta shpallim ungjillin edhe më tej, pa u krenuar me punën e bërë në fushën e veprimit të dikujt tjetër.
17 Kush krenohet, të krenohet në Zotin. 18 Në të vërtetë, i sprovuar është ai që e lavdëron Zoti e jo ai që lavdëron veten.