1 Pavli, apostoli i Jisu Krishtit, pas urdhërit Perëndisë, shpëtimtarit tënë, edhe Zotit Jisu Krisht, shpëresësë sonë,
2 Mbë Timothenë, të thieshtinë dialë ndë besët, qoftë hirë, përdëllim, paqtim, prej Perëndisë, Atit tënë, edhe prej Jisu Krishtit, Zotit tënë.
3 Sikundrë t’uluçë, kur venjam ndë Maqedhoni, të preç ndë Efesë, që të porosiç ca vetë të mos mësonjënë mësime të tiera,
4 As të mos u vënë vesh përrallavet e brezavet që s’kanë të mbaruarë, të cilatë bienë qarta më tepërë se të ndërtuarët’ e Perëndisë ndë besët; bën kështu.
5 Edhe fundi i porosisë është dashuri prej zemrësë këthiellëtë, edhe prej ndërgjegjëjesë mirë, edhe prej bese pa ipokrisi;
6 Nga këto ca vetë passi duallë prej udhësë, u kthyenë ndë fialë të kota,
7 Tuke dashurë të jenë nom-mësonjësa, pa kupëtuar’ as ato që thonë, as ato që i bënjënë për të vërteta.
8 Edhe e dimë, se nomi ësht’ i mirë, ndë qoftë se e përndor atë njeriu me udhë,
9 Tuke diturë këtë, se nomi nuk’ është vënë për të drejtinë, po për të paudhët’ e për të padinduritë, për ata që s’druanjënë Zotinë e për fajtorët, për të shtrembëtit e për të ndyrët, për ata që rrahënë tanë e rrahënë t’ëmënë, për ata që vrasënë njerës,
10 Për kurvarë, për ata që bienë me meshkuj, për ata që shesënë njerës, për gënjeshtarë, për ata që betonenë rrem, edhe për çdo tiatrë gjë që i del kundrë mësimit shëndoshë,
11 Pas ungjillit lavdisë të lumurit Perëndi, që m’u zu besë.
12 Edhe i falem ndersë Zotit tënë Jisu Krishtit, Zotit tënë, që më dha fuqi, se më gjukoj për besëtar, e më vuri ndë shërbesët, mua ,
13 Që përpara ishnjam vllasfimiar, e ndiekës e shaharak; po u përdëllyeshë, sepse pa ditur’ i bëra ndë pabesëri;
14 Po edhe hiri i Zotit tënë teproj tek unë me besë e me dashuri që është mbë Jisu Krishtinë.
15 Për të zënë besë është fiala, edhe e vëjyerë për të priturë, se Jisu Krishti erdhi ndë botët që të shpëtonjë fajtorë, që nga ata jam un’ i pari;
16 Po përandaj u përdëllyeshë, që Jisu Krishti të dëftenjë përpara tek unë gjithë zemërën’ e gjërë, për shëmbëllim atyreve që i kanë për të besuarë për jetë të pasosurë.
17 Edhe mbë mbëretin’ e jetëvet, të paprishurinë, të paparinë, të vetëminë (të diturinë) Perëndi, qoftë nder edhe lavdi ndë jetët të jetëvet. Amin.
18 Këtë porosi po të lë ndë dorë tyj, o bir Timothe, pas profitiash që kanë qënë përpara për tyj, të lëftonjç me ato luftën’ e mirë,
19 Tuke pasurë besë edhe ndërgjegjëje të mirë, të cilënë ca vetë passi e hothnë tejë, qitnë lundrënë mbë cekë nga besa;
20 Nga ata ësht’ Ymenaju edhe Aleksandhri, të cilët’ i kam dhënë ndë dorë të Satanajt, që të mësonenë të mos vllasfimisnjënë.
Përshëndetje
1 Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu, sipas urdhrit të Perëndisë, shpëtimtarit tonë, dhe Krishtit Jezu, shpresës sonë, 2 po të shkruaj ty Timote, birit të vërtetë në besim: hiri, mëshira dhe paqja nga Perëndia Atë dhe nga Jezu Krishti, Zoti ynë, qofshin me ty!
Kundër mësimit të rremë
3 Ashtu si të porosita kur u nisa për në Maqedoni, qëndro në Efes dhe urdhëroi disa të mos u mësojnë besimtarëve një mësim tjetër 4 dhe të mos merren me mite dhe gjenealogji pa fund, të cilat shkaktojnë grindje dhe nuk i shërbejnë planit shpëtimtar të Perëndisë që e njohim përmes besimit.
5 Synimi i këtij urdhri është dashuria që vjen nga një zemër e dëlirë, nga një ndërgjegje e pastër dhe nga një besim pa hipokrizi. 6 Disa, duke shmangur këto gjëra, janë kthyer te bisedat pa kuptim. 7 Ata duan të jenë mësues të ligjit të Moisiut, pa kuptuar as ato që thonë, as ato që pohojnë me kaq siguri.
8 Ne e dimë se ligji është i mirë, nëse njeriu e përdor si duhet. 9 Po ashtu e dimë se ligji nuk u dha për të drejtin, por për shkelësit e të pabindurit, për të ligjtë e mëkatarët, për të pafetë e të patënzonët, për ata që vrasin atë e nënë, për vrasësit, 10 për kurvarët, për ata që shkojnë me meshkuj, për pengmarrësit, për gënjeshtarët, për ata që bëjnë be të rreme dhe çfarëdo gjëje tjetër që kundërshton mësimin e shëndoshë. 11 Ky mësim është sipas ungjillit të lavdisë së të lumit Perëndi, ungjill që m'u besua mua.
Mirënjohje për mëshirën
12 I jam mirënjohës Krishtit Jezu, Zotit tonë, që më dha fuqi, sepse më çmoi besnik dhe më vuri në shërbim të tij, 13 ndonëse më përpara e kisha fyer, përndjekur dhe sharë. Por ai më mëshiroi, sepse veprova nga padija, kur isha larg besimit të vërtetë. 14 Hiri i Zotit tonë m'u dha me tepri bashkë me besimin e dashurinë që vijnë përmes Krishtit Jezu.
15 Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë për t'u pranuar plotësisht: Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. 16 Por, prandaj u mëshirova, që Jezu Krishti të shfaqë në mua së pari tërë durimin, si shembull për ata që do të besojnë në të për jetën e amshuar. 17 Prandaj mbretit të amshuar, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi , i qoftë nder e lavdi, në shekuj të shekujve! Amen!
18 Këtë detyrë po ta besoj ty, o biri im Timote, sipas profecive që janë thënë për ty. Ti, i mbështetur në to, lufto luftën e mirë! 19 Ruaje besimin dhe ndërgjegjen e pastër, që disa e hodhën tej dhe e mbytën kështu anijen e besimit. 20 Ndër këta janë Himeneu e Aleksandri, të cilët ia dorëzova Satanit, që të mësojnë të mos fyejnë Perëndinë.