1 Atë që ishte që herën e parë, atë që kemi dëgjuarë, atë që kemi parë me sytë tanë, atë që vum re, edhe duartë tona i poqnë, për Fialën’ e jetësë;
2 (Edhe jeta u çpërfaq, edhe e kemi parë, edhe martirisëmë, edhe apëmë zë për jetën’e pasosurë, që është tek Ati, edhe u çpërfaq ndër ne.)
3 Atë që kemi parë e kemi dëgjuarë, u apëmë zë juve, që të keni edhe ju piesë me ne; edhe piesa jonë të jetë me Atin’ edhe me Birin’ e ati Jisu Krishtinë.
4 Edhe u shkruajmë juve këto, që të jetë gëzimi juaj i plotë.
5 Edhe kyj është zëri që kemi dëgjuarë nga ay, edhe u apëmë zë juve, se: Perëndia është dritë, edhe nuk’ është asndonjë errësirë tek ay.
6 Ndë thënçim se kemi piesë mb’ atë, edhe ecëjmë ndë errësirët, gënjejmë, edhe nukë bëjmë të vërtetënë.
7 Po ndë ecëshim ndë dritët, sikundrë ay është ndë dritët, kemi piesë njëri me tiatrinë, edhe gjaku i Jisu Krishtit, të Birit ati, na qëron nga çdo faj.
8 Ndë thënçim se s’kemi faj, kobojmë vetëhenë tonë, edhe e vërteta nuk’ është ndër ne.
9 Ndë rrëfefshim fajetë tona, është besëtar edhe i drejtë, që të na falë fajetë, edhe të na qëronjë nga çdo e shtrembëtë.
10 Ndë thënçim se s’kemi fëjyerë, bëjm’ atë gënjeshtar, edhe fiala e ati nuk’ është ndër ne.
Fjala e jetës
1 Po ju shkruajmë për Fjalën e jetës
që ishte nga fillimi,
që e dëgjuam
dhe e pamë me sytë tanë,
që e soditëm
dhe e prekëm me duart tona.
2 Jeta u shfaq dhe ne e pamë. Prandaj dëshmojmë dhe ju shpallim jetën e amshuar, që ishte me Atin dhe na u shfaq neve. 3 Po ju shpallim atë që pamë dhe dëgjuam, që edhe ju të keni bashkësi me ne, sepse bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin. 4 Këto gjëra po i shkruajmë që gëzimi ynë të jetë i plotë.
Perëndia është dritë
5 Ky është lajmi që dëgjuam prej tij dhe po jua njoftojmë juve: Perëndia është dritë dhe në të nuk ka kurrfarë errësire. 6 Po të themi se kemi bashkësi me të, por jetojmë në errësirë, gënjejmë dhe nuk veprojmë sipas së vërtetës. 7 Por po të jetojmë në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezuit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. 8 Po të themi se nuk kemi mëkat, mashtrojmë veten dhe e vërteta nuk është në ne. 9 Po të rrëfejmë mëkatet tona, Perëndia që është besnik dhe i drejtë do të na i falë mëkatet e do të na pastrojë nga çdo padrejtësi. 10 Po të themi se nuk kemi mëkatuar, e bëjmë Perëndinë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.