1 Nukë jam un’ apostol? Nukë jam un ’ i liruarë? Nukë pashë unë Jisu Krishtinë, Zotinë tënë?
2 Nukë jeni ju puna ime mbë Zotinë?
3 Ndë mos jam apostol mbë të tierë, po pak së paku mbë ju jam; sepse mbëlatësi i apostolisë sime ju jeni mbë Zotinë.
4 Të përgjegjuritë tim mb’ ata që më gjykonjënë është këjo:
5 Sos nukë kemi edhe neve pushtet të hamë e të pimë?
6 Sos nukë kemi edhe neve pushtet të heqëmë me vetëhe një motërë grua, sikundrë edhe të tierët’ apostoj, edhe të vëllezërit’ e Zotit, edhe Qifaj? Apo vetëm’ unë edhe Varnava nukë kemi pushtet të mos punojmë?
7 Cili ësht’ ay që vete ndonjë herë ndë luftë me hajen e ti? Cili mbiell veshtë, edhe nukë ha nga pema e ati? A cili kullot grigjënë, edhe nukë ha nga qjumështi i grigjësë?
8 Mos i flas unë këto si njeri? Apo nukë thotë këto edhe nomi?
9 Sepse është shkruarë ndë nomt të Moisiut: “Nukë do t’i mbyllç gojënë kaut që shin”.
10 Mos për qetë ka kujdes Perëndia? A po për ne me të vërtetë e thotë këtë? sepse për ne u shkrua, se ay që lëron, me shpëresë gjan të lëronjë; edhe ay që shin, shin me shpëresë se do të ketë piesë ndë shpëresët të ti.
11 Neve ndë mbuallmë mbë ju gjëratë shpirtërisht, pun’ e madhe është ndë korrçimë gjëratë tuaja të mishta? Ndë qoftë se të tierë marrënë piesë të këti pushteti mbi ju, nukë gjan më tepërë neve?
12 Po neve nuk’ e përndormë këtë pushtet; po durojmë të gjitha, që të mos bëjmë ndonjë të ndaluarë ndë ungjill të Krishtit.
13 Nuk’ e dini, se ata që bënjënë punërat’ e shënjtëruara, hanë nga hieroreja? Edhe ata që qëndronjënë përanë theroresë, marrënë piesë nga theroreja?
14 Kështu edhe Zoti urdhëroj ata që apënë për ungjillinë, të rronjënë nga ungjilli.
15 Po unë nukë përndora asndonjë nga këto, as nuk’ i shkrova këto, që të më bënenë kështu; sepse më mirë është për mua të vdes, se të nxierrë ndonjë të mburruritë tim të kotë.
16 Sepse ndë leçis ungjillinë, nuk’ është të mburrurë për mua; sepse kam nevojë për vetëhe; edhe mieri unë, ndë mos leçiça ungjillinë.
17 Sepse ndë bënfça këtë me dashuriminë tim, kam pagë; po ndë e bëfça me pahirëë, më është zënë besë kujdesi.
18 Cila pra është paga ime? Ta bënj paprishurë ungjillin’ e Krishtit tuke leçiturë, që të mos e përndor për keq pushtetnë që kam mbë ungjillinë.
19 Sepse tuke qën’ i lëruarë nga të gjithë, e bëra vetëhenë time shërbëtuar mbë të gjithë, që të fitonj më të shumëtë.
20 Edhe u bëshë te Judhenjtë si Judhe, që të fitonj Judhenjtë; tek ata që janë ndënë nom u bëshë si ndënë nom, që të fitonj ata që janë ndënë nom;
21 Te të panomëtë u bëshë si i panom, (ndonëse nuk’ ishnjam i panom te Perëndia, po me nom mbë Krishtinë), që të fitonj të panomëtë.
22 Te të dobëtitë u bëshë si i dobëtë, që të fitonj të dobëtitë; te të gjithë u bëshë të gjitha, që me çdo mënyrë të shpëtonj ca veta..
23 Edhe këtë e bënj për ungjillinë, që të bënem piesëtar i ati.
24 Nuk’ e dini, se ata që sulenë ndë shesht të lodravet të trimërisë , që të gjithë sulenë po një e merr çmimin? Kështu, suluni që ta merrni.
25 Edhe kushdo që përpiqetë, e përmban vetëhenë nga të gjitha; e ata e bënjënë këtë, që të marrënë një kurorë që prishetë, po neve e bëjmë, që të marrëmë kurorë të pavdjershime.
26 Unë pra kështu sulem, jo sikur jam ndë dyshim; kështu luftonj me grusht, jo sikur rrah erënë.
27 Po mundonj trupnë tim edhe e bënj rop, se mos, passi u leçita të tjerëve, unë hidhem poshtë.
Të drejtat e apostujve
1 A nuk jam i lirë unë? A nuk jam apostull? A nuk e kam parë unë Jezuin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin? 2 Nëse për të tjerë nuk jam apostull, për ju patjetër që jam, sepse vetë ju që besoni në Zotin jeni prova që vërteton se unë jam apostull .
3 Mbrojtja ime përballë atyre që më gjykojnë, është kjo: 4 a nuk kemi edhe ne të drejtë të hamë e të pimë? 5 A nuk kemi edhe ne të drejtë të kemi një grua besimtare, siç kanë apostujt e tjerë, vëllezërit e Zotit dhe Kefa? 6 Pse vetëm unë dhe Barnaba duhet të punojmë për të mbajtur veten? 7 Kush shkon në luftë me shpenzimet e veta? Kush është ai që mbjell vreshtin dhe nuk shijon frytet e tij? Apo kush është ai bari që nuk shijon nga qumështi i tufës së tij?
8 Mos po i them këto si njeri? A nuk thotë kështu edhe ligji? 9 Në ligjin e Moisiut shkruhet: mos ia lidh gojën kaut që shin. Mos shqetësohet për qetë këtu Perëndia 10 apo flet për ne? Sigurisht që për ne është shkruar, sepse ai që lëron dhe ai që shin duhet ta bëjnë punën me shpresën se do të marrin pjesën e tyre.
11 Nëse ne mbollëm të mirat shpirtërore te ju, kaq gjë e madhe na qenka nëse korrim të mirat materiale nga ju? 12 Nëse të tjerë e paskan këtë të drejtë, a nuk duhet ta kishim ne shumë më tepër? Por ne nuk e kemi përdorur këtë të drejtë. Përkundrazi, durojmë gjithçka që të mos bëhemi pengesë për ungjillin e Krishtit. 13 A nuk e dini se ata që punojnë në tempull ushqehen nga të ardhurat e tempullit dhe se ata që shërbejnë në altar marrin pjesën e tyre nga ato që flijohen atje? 14 Kështu edhe Zoti ka urdhëruar që ata që shpallin ungjillin, të jetojnë nga ungjilli.
15 Por unë nuk kam përdorur asnjë nga këto të drejta. Këto nuk po jua shkruaj që të veproni kështu edhe me mua. Më mirë të vdes, sesa të ma heqë ndokush këtë gjë për të cilën mburrem. 16 Nuk mburrem që predikoj ungjillin, sepse këtë e kam për detyrë. Mjerë unë po nuk e predikova! 17 Po ta kisha bërë me dëshirën time, do të merrja shpërblim, por përderisa e bëj pa dëshirën time, atëherë vetëm bëj detyrën që më ka ngarkuar Perëndia. 18 Cili është shpërblimi im atëherë? Të predikoj ungjillin falas, pa i shpërdoruar të drejtat që më jep predikimi i tij.
19 Megjithëse jam i lirë nga të gjithë, u bëra shërbëtor i të gjithëve, që të fitoj sa më shumë njerëz në besim. 20 Mes judenjve u bëra jude, që t'i fitoja judenjtë. Mes atyre që ishin nën ligjin u bëra si njeri nën ligjin, pavarësisht se nuk jam , që të fitoja ata që ishin nën këtë ligj. 21 Mes atyre që nuk e njihnin ligjin u bëra si njeri pa ligjin, edhe pse nuk jam pa ligjin e Perëndisë, por jam me ligjin e Krishtit, që të fitoja ata që ishin pa ligjin. 22 Mes të dobtëve në besim u bëra i dobët, që të fitoja të dobëtit. U bëra gjithçka për të gjithë, që të shpëtoja disa prej tyre. 23 Të gjitha këto i bëj për ungjillin, që të kem pjesë në të.
24 A nuk e dini se nga të gjithë ata që vrapojnë në arenë, vetëm njëri e fiton çmimin? Vraponi, pra, dhe ju që të fitoni çmimin. 25 Të gjithë ata që marrin pjesë në vrapim i nënshtrohen një disipline të rreptë , ata për të fituar një kurorë që prishet, ndërsa ne atë që nuk prishet. 26 Kështu vrapoj dhe unë tani, por jo pa synim të qartë, kështu luftoj me grushta, por jo sikur rrah erën. 27 E mundoj trupin dhe e nënshtroj, që të mos përjashtohem vetë, pasi t'u kem predikuar të tjerëve.