1 Kuxon ndonjë prej jush, kur ka ndonjë gjë sent kundrë tiatrit, të gjykonetë përpara të shtrëmbëtëvet, e jo përpara shënjtorëvet?
2 Nukë dini se shënjtorëtë do të gjykonjënë botënë? Edhe ndë u gjykoftë bota prej jush, s’jni të vëlyerë të gjykoni punëra më të vogëla?
3 Nuk’ e dini, se do të gjykojm’ engjëj? Sa më tepërë punërat e kësaj jete?
4 Ndë kini pra për të gjykuarë punërat’ e kësaj jete, vini të rrinë për gjyqtarë ata që nukë zihenë për gjë ndë qishët.
5 Po u them juve këtë që të keni turp. Kështu nukë qënëka ndërmest tuaj asndonjë i diturë, që të hynjë e të gjykonjë ndërmest vëllajt ti?
6 Po vëllaj gjykonetë me vëllanë, edhe këtë punë e bën përpara të pabesëvet?
7 Ndashti pra është fare faj ndërmest tuaj, sepse ju keni gjyqe njëri me tiatrinë. Përse më tepërë nukë lini t’u bënetë paudhë juve? Përse më tepërë nukë lini t’u bënetë dëm juve?
8 Po ju u bëni paudhë e u bëni dëm atyreve, edhe këto ua bëni vëllezëret.
9 Apo nuk’ e dini se të shtrëmbëtitë nukë do të trashëgonjënë mbëretërin’ e Perëndisë? Mos gënjehi; as kurvarë, as idhullatrë, as ndyrësa, as të sqaqurë, as ata që venë prapa meshkujsh,
10 As vjedhës, as lakëmimtarë, as pianecë, as përqeshësa, as rrëmbesësa, nukë do të trashëgonjënë mbëretërin’ e Perëndisë.
11 Edhe të tillë ishitë ca vetë po u latë, po u shënjtëruatë, po dualltë të drejtë, me anë të emërit të Jisu Krishtit, edhe me anë të Frymës Perëndisë tënë.
12 Të gjitha janë ndë pushtett tim, po të gjitha nukë më bënjënë; të gjitha janë ndë pushtet tim, po unë s’do të pushtonem as prej ndonjë gjëje.
13 Gjellëtë janë për barkunë, edhe barku për gjellëtë; po Perëndia do t’i prishnjë edhe këtë edhe këto. E trupi nuk’ është për kurvërinë, po për Zotinë, edhe Zoti për trupinë;
14 Edhe Perëndia sikundrë ngjalli Zotinë, do të na ngjallnjë edhe neve me anë të fuqisë ti.
15 Nuk’ e dini, se trupëratë tuaj janë anët e trupit Krishtit? Të marr unë pra anët’ e trupit Krishtit, e t’i bënj anë trupi kurve? Qoftë lark!
16 Apo nuk’ e dini se ay që ngjitetë me kurvënë, është një trup? Sepse: “do të jenë”, thotë, “të dy ndë një mish”.
17 Po ay që ngjitetë me Zotinë, është një frymë me atë .
18 Ikni nga kurvëria. Çdo faj që bën njeriu, është jashtë trupit; po ay që kurvëron fëjen mbë trup të ti.
19 Apo nuk’ e dini se trupi juaj është tempull i Frymës Shënjtëruarë që rri ndër ju, të cilën’ e kemi prej Perëndisë, edhe nukë jeni të zotërit’ e vetëhesë tuaj?
20 Sepse u bletë me çëmim; lavdoni pra Perëndinë me trupinë tuaj, edhe me shpirtinë tuaj, që janë të Perëndisë.
Gjyqet mes besimtarëve
1 Kush nga ju, kur ka ndonjë mosmarrëveshje me një tjetër, guxon të kërkojë të gjykohet para të padrejtëve dhe jo para të shenjtëve? 2 Apo nuk e dini se këta do të gjykojnë botën? Nëse ju do të gjykoni botën, a nuk mund të gjykoni gjëra më të vogla? 3 A nuk e dini se ne do të gjykojmë engjëjt? Atëherë, si nuk mundemi të gjykojmë çështjet e jetës së përditshme? 4 Nëse keni për të gjykuar çështje të tilla, ju caktoni si gjykatës më të papërfillshmit e kishës? 5 Le t'ju vijë turp për këtë që po them! Nuk paska asnjë të urtë ndër ju që të mund të gjykojë një çështje mes vëllezërve?
6 Vëllai çon në gjyq vëllanë e madje para jobesimtarëve?
7 Gjyqet që keni me njëri-tjetrin dëshmojnë se keni dështuar. Përse nuk pranoni që më mirë t'ju bëjnë padrejtësi? Përse nuk pranoni që më mirë t'ju bëjnë dëm? 8 Përkundrazi, ju vetë u bëni padrejtësi e u shkaktoni dëm të tjerëve, madje edhe vetë vëllezërve.
9 Apo nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni! As kurvarët, as idhujtarët, as ata që bëjnë tradhti bashkëshortore, as të zhburrëruarit, as ata që shkojnë me meshkuj, 10 as vjedhësit, as lakmitarët, as pijanecët, as shpifësit, as zhvatësit nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. 11 Dhe të tillë ishit disa prej jush, por u latë, u shenjtëruat dhe u bëtë të drejtë në emër të Zotit Jezu Krisht dhe nëpërmjet Shpirtit të Perëndisë tonë.
Përlëvdoni me trupat tuaj
12 Disa thonë: «Gjithçka më lejohet». Po, por jo gjithçka është e dobishme. Gjithçka më lejohet, por unë nuk do të sundohem nga asgjë. 13 Thonë edhe: «Ushqimi është për barkun dhe barku për ushqimin». Por Perëndia do ta shkatërrojë edhe barkun, edhe ushqimin. Trupi nuk është për kurvëri, por për Zotin dhe Zoti për trupin. 14 Perëndia do të na ngjallë edhe ne me fuqinë e tij, ashtu siç ngjalli Zotin.
15 A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? T'i marr, pra, gjymtyrët e Krishtit e t'i bëj gjymtyrë të lavires? Larg qoftë! 16 Apo nuk e dini se ai që bashkohet me një lavire bëhet një trup me të? Se që të dy do të jenë një trup i vetëm. 17 Ai që bashkohet me Zotin, bëhet një shpirt me të.
18 Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat tjetër që bën njeriu është jashtë trupit, ndërsa ai që kurvëron, mëkaton kundër vetë trupit të tij. 19 Apo nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Shpirtit të shenjtë që është në ju dhe që jua dha Perëndia dhe se ju nuk i përkisni vetes tuaj? 20 Perëndia ju bleu me një çmim. Përlëvdojeni, pra, Perëndinë në trupin tuaj !