1 Ndë folça gjjuhërat’ e njerëzet edhe të ëngjëjvet, e të mos kem dashuri, u bëshë si ramë që gjëmon, a si qymvallë që tringëllin.
2 Edhë ndë paça profiti, edhe të di gjithë fshehësirat’ edhe çdo farë të dituri, edhe ndë paça gjithë besënë, kaqë sa të tunt nga vëndi male, e të mos kem dashuri, s’jam asgjë.
3 Edhe ndë ndafsha gjithë gjënë time për të ushqyerë të vobeqtë , edhe ndë dhënça ndër duar trupinë tim që të digjetë, e të mos kem dashuri, s’më bën dobi.
4 Dashuria ka zemërë të gjërë, edhe bën të mira; dashuria s’ka cmir; dashuria s’ësht’ e rrëmbyershime, s’madhështonetë,
5 S’bën punë të shumtuara, s’kërkon të sajatë, nukë zemëronetë, s’mendon të ligënë;
6 S’gëzonetë për të shtrëmbëtinë, po gëzonetë për të vërtetënë.
7 Të gjitha i mban, të gjitha i beson, të gjitha i shpëren, të gjitha i duron.
8 Dashuria kurrë s’bie poshtë. Po të tieratë , a profitia ndë qofshinë , do të mbesënë mbënjanë; a gjjuhëra, do të pushonjënë; a të diturë, do të mbesë mbënjanë.
9 Sepse neve pak gjë dimë, edhe pak gjë profitepsëmë.
10 Po kur të vinjë e plota, atëhere e paka do të mbesë mbënjanë.
11 Kur ishnjam foshnjë, flisnjam si foshnjë, mendonesh si foshnjë; kujtonesh si foshnjë, po kur u bëshë burr, i lashë mbënjanë punërat’ e foshnjesë;
12 Sepse ndashti shohmë ndëpër pasqyrë si mbë t’errët, po atëhere do të shohmë faqe mbë faqe; ndashti njoh pak, po atëhere do të njoh sikundrë u njohç.
13 Edhe ndashti mbete besa, shpëresa, dashuria, këto të tria; po më e madhe nga këto është dashuria.
1 Sikur të flisja gjuhët e njerëzve
dhe të engjëjve,
por të mos kisha dashuri
do të isha si bronzi që kumbon,
ose si cimbali që tingëllon.
2 Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë,
të njihja të gjitha të fshehtat,
të zotëroja të gjitha dijet,
dhe të kisha gjithë besimin
për të lëvizur malet prej vendit,
por të mos kisha dashuri,
nuk do të isha asgjë.
3 Edhe sikur t'ua ndaja të varfërve
gjithë pasurinë
dhe ta jepja trupin të digjej,
por të mos kisha dashuri,
nuk do të më vlente asgjë.
4 Dashuria është zemërgjerë,
dashuria është e mirë,
nuk ka smirë,
nuk krekoset,
nuk mburret,
5 nuk sillet në mënyrë të pahijshme,
nuk kërkon përfitim,
nuk pezmatohet,
nuk mendon të ligën,
6 nuk gëzohet për padrejtësinë,
por gëzohet me të vërtetën.
7 Dashuria përballon gjithçka,
beson gjithçka,
shpreson gjithçka
dhe duron gjithçka.
8 Dashuria nuk shteron kurrë,
ndërsa profecitë do të reshtin,
gjuhët do të pushojnë
dhe dijet do të marrin fund.
9 Në të vërtetë,
ne kemi dije deri diku
dhe profetizojmë deri diku.
10 Por kur të vijë përsosmëria,
ajo që është e paplotë
do të marrë fund.
11 Kur isha fëmijë,
flisja si fëmijë,
mendoja si fëmijë
dhe arsyetoja si fëmijë;
por kur u bëra burrë,
i hodha tej gjërat fëmijërore.
12 Tani shohim në mënyrë të errët,
si në pasqyrë,
por një ditë do të shohim
ballë për ballë.
Tani njoh deri diku,
por një ditë do të njoh plotësisht,
ashtu siç më njeh Perëndia.
13 Tani mbeten këto të tria:
besimi,
shpresa
dhe dashuria,
por më e madhja ndër to
është dashuria.