1 Edhe për dhuratatë shpirtërishte, o vëllezër, nukë dua të jeni të paditurë.
2 E dini, se ishitë kombe, tuke hequrë sikundrë hiqeshitë pas idhujvet që janë pa gojë.
3 Përandaj u dëftenj juve, se kush flet me Frymë Perëndie, nuk’ i thotë Jisuit qoftë i mallëkuarë; edhe asndonjë s’munt të thotë, se Jisuj është Zot, veçe nga Fryma e Shënjtëruarë.
4 Edhe janë të ndara dhuratash, po Fryma ësht’ ajo vetë.
5 Edhe janë të ndara shërbesash, po Zoti ësht’ ay vetë.
6 Edhe janë të ndara punërash, po Perëndia ësht’ ay vetë, që punon të gjitha mbë të gjitha.
7 Edhe të shpërfaqurit’ e Frymësë i epetë gjithësecilit për të mirënë.
8 Sepse njërit i epetë fialë diturie nga Fryma, e tiatrit fialë mëndëje nga ajo Fryma.
9 E tiatrit besë, nga ajo Fryma vetë; e tiatrit dhurata shërimesh, nga ajo Fryma vetë.
10 E tiatrit të punuara çudirash, e tiatrit profiti, e tiatrit të shquara frymash, e tiatrit çdo farë gjjuhërash, e tiatrit të këthyerë gjjuhërash.
11 Edhe të gjitha këto i punon njëra edhe ajo Fryma vetë, tuke ia ndarë gjithësecilit veç e veç si të dojë.
12 Sepse sikundrë trupi është një, edhe ka shumë anë, edhe gjith’ anët’ e një trupi, ndonëse janë shumë, po është një trup, kështu edhe Krishti.
13 Sepse neve të gjithë jemi pagëzuarë prej njërësë Frymë mbë një trup, a Judhenj a Grekë, a robër a të liruarë; edhe të gjithë jemi ujiturë mbë një Frymë.
14 Sepse edhe trupi nuk’ është një anë, po shumë.
15 Ndë thashtë këmba: Sepse nukë jam dorë, nukë jam nga trupi; përandaj vallë nuk’ është nga trupi?
16 Edhe ndë thashtë veshi: Sepse nukë jam sy, nukë jam nga trupi; përandaj vallë nuk’ është nga trupi?
17 Ndë ishte gjithë trupi sy, ku do t’ishte të dëgjuarëtë? Ndë ishte gjithë të dëgjuarë, ku do t’ishte të marrët’ erë?
18 Po ndashti Perëndia ka vënë anëtë, gjithësecilënë nga ato, ndë trupt, si deshi.
19 Po ndë ishinë të gjitha një anë, kudo t’ishte trupi?
20 Po ndashti janë shumë anë, e një trup.
21 Edhe syri s’munt t’i thotë dorësë: Nukë më duhe; a përsëri krej t’i thotë këmbëvet: Nukë më duhi.
22 Po shumë më tepër’ ato anët’ e trupit që dukenë më të doba, këto janë të nevojëshime.
23 Edhe ato anët’ e trupit që na dukenë se janë më të panderëshime, këtyreve u bëjmë më shumë nderë; edhe ato të shëmtuaratë tona kanë më tepërë hije.
24 Edhe ato të hijeshimetë tona nukë kanë nevojë. Po Perëndia e bashkoj trupinë e i dha më tepërë nderë asaj anësë që ka të shtera, që të mos jetë të çqyerë ndë trupt,
25 Po anëtë të kenë kujdes njëra për tiatrënë.
26 Edhe ndë pësoftë një anë, gjith’ anëtë pësonjënë bashkë me atë; a ndë u nderoftë një anë, gjith’ anëtë gëzonenë bashkë me atë.
27 Edhe ju jeni trupi i Krishtit, edhe anë veç e veç.
28 Edhe Perëndia vuri ca vetë ndë qishët, të parën’ apostoj, të dytënë profitërë, të tretënë mësonjësa, pastaj çudira, pastaj dhurata shërimesh, ndihëma, qiverria, çdo farë gjjuhërash.
29 Mos janë të gjithë apostoj? Mos janë të gjithë profitërë? Mos janë të gjithë mësonjësa? Mos bënjënë çudira të gjithë?
30 Mos kanë dhurata shërimesh të gjithë? Mos flasënë gjjuhëra të gjithë? Mos këthenjënë të gjithë?
31 Po lypni me zemërë të përvëluarë ato dhuratatë më të miratë; edhe do t’u dëftenj juve një udhë shumë më të lartë.
Dhuntitë shpirtërore
1 Vëllezër, lidhur me dhuntitë e Shpirtit të shenjtë, nuk dua të jeni të paditur. 2 Ju e dini se, kur ishit prej kombeve, të mashtruar, tërhiqeshit prej idhujve të pagojë. 3 Prandaj dua ta dini se asnjë nuk mund të flasë i udhëhequr nga Shpirti i Perëndisë e të thotë: «Mallkuar qoftë Jezui!» dhe asnjë nuk mund të thotë: «Zoti Jezu», nëse nuk është i udhëhequr nga Shpirti i shenjtë.
4 Ka dhunti të ndryshme, por është i njëjti Shpirt. 5 Ka edhe shërbesa të ndryshme, por është i njëjti Zot. 6 Ka edhe larmi veprash, por është i njëjti Perëndi që bën gjithçka në të gjithë.
7 Secilit i shfaqet Shpirti për të mirën e të gjithëve. 8 Dikujt Shpirti i jep dhuntinë për të folur me urti, një tjetri i njëjti Shpirt i jep dhuntinë për të folur me dituri. 9 Dikujt i njëjti Shpirt i jep besim, ndërsa një tjetri dhuntinë për të shëruar, 10 dikujt fuqinë për të bërë mrekulli, një tjetri për të profetizuar, një tjetri për të dalluar shpirtrat, një tjetri i jep larmi gjuhësh, ndërsa një tjetri shpjegimin e gjuhëve. 11 Të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Shpirt, duke i dhënë secilit dhunti të veçantë, sipas vullnetit të tij.
Një trup, shumë gjymtyrë
12 Ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët e trupit, megjithëse janë shumë, përbëjnë një trup të vetëm, ashtu është edhe Krishti. 13 Edhe ne, qofshim judenj apo helenë, skllevër apo të lirë, u pagëzuam me të njëjtin Shpirt për t'u bërë një trup i vetëm dhe kemi pirë të gjithë nga i njëjti Shpirt.
14 Trupi nuk ka një gjymtyrë, por shumë. 15 Nëse këmba do të thoshte: «Ngaqë nuk jam dorë, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? 16 E nëse veshi do të thoshte: «Ngaqë nuk jam sy, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? 17 Nëse i gjithë trupi do të ishte sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte i gjithi dëgjim, ku do të ishte nuhatja? 18 Por Perëndia i vuri gjymtyrët në trup një nga një, ashtu siç deshi.
19 Nëse të gjitha do të ishin një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi? 20 Por tani ka shumë gjymtyrë dhe një trup. 21 Syri nuk mund t'i thotë dorës: «Nuk ta kam nevojën» e as koka nuk mund t'u thotë këmbëve: «Nuk jua kam nevojën». 22 Përkundrazi, ato gjymtyrë të trupit që duken më të papërfillshmet, janë më të nevojshmet. 23 Ne kujdesemi më shumë për gjymtyrët që i vlerësojmë më pak dhe përpiqemi t'i zbukurojmë sa më shumë gjymtyrët më të pahijshme, 24 gjë që nuk e kanë të nevojshme gjymtyrët e hijshme.
Por Perëndia e ndërtoi trupin duke u dhënë më shumë nderim gjymtyrëve më të papërfillshme, 25 që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët të kujdesen për njëra-tjetrën. 26 Nëse njëra gjymtyrë vuan, atëherë vuajnë të gjitha me të. Nëse njëra gjymtyrë nderohet, të gjitha gëzohen me të.
27 Ju jeni trupi i Krishtit dhe secili prej jush është gjymtyrë e tij. 28 Prandaj Perëndia i caktoi disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues, pastaj ata me dhuntitë për të bërë mrekulli, të shërimeve, të përkujdesjes, të drejtimit e të larmive të gjuhëve. 29 A mos janë të gjithë apostuj, apo mos janë të gjithë profetë? A mos janë të gjithë mësues, apo mos kanë të gjithë dhuntinë për të bërë mrekulli? 30 A mos kanë të gjithë dhuntinë e shërimeve, apo mos flasin të gjithë shumë gjuhë? A mos janë të gjithë shpjegues gjuhësh? 31 Por kërkoni me zell dhuntitë më të larta.
Dashuria
Unë po ju tregoj udhën më të lartë.