Kumti i Gjon Pagëzuesit
1 Në ato ditë u shfaq Gjon Pagëzuesi tue predikue në shkretinën e Judesë. 2 Thoshte: «Ndërroni mendje, se asht afrue mbretnia e qiejve!». 3 Ky asht ai për të cilin asht folë prej Isaisë profet:
Një za buçet në shkretinë:
gatitni udhën e Zotit,
drejtoni shtijet e tij.
4 Ky asht ai Gjoni që petkun e kishte prej leshit të devesë, me një brez lëkure rreth ijëve. Ushqimi i tij ishin karkalecat e mjalti i egër.
5 Asokohe dilnin tek ai Jerusalemi, tanë Judeja e mbarë rrethina e Jordanit 6 dhe pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan, tue rrëfye mëkatet e veta. 7 Tue pa se shumë farisej e saducej vinin për arsye të pagëzimit të tij, ai u tha: «Pjellë neperkash! Kush ju vuni në dijeni, me i ikë idhnimit që po vjen? 8 Prandaj, qitni frytin e denjë të pendimit 9 e mos t'ju shkojë mendja me thanë me vete: "Kemi për atë Abrahamin". Unë po ju them: Hyu ka fuqi me i qitë fëmijë Abrahamit prej këtyne gurëve. 10 Qysh tash u asht vue sëpata rranjëve të pemëve. Secila pemë që nuk jep fryt të bukur, pritet e hidhet në zjarrm.
11 Veçse, unë po ju pagëzoj me ujë, për pendimin, por ai që vjen mbas meje ash ma i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as me i heqë sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë e me zjarrm. 12 Ai e ka në dorë terploten e do ta dlirë lamin e vet. Do ta mbledhë grunin e vet në ahër e bykun do ta djegë në zjarrin e pashueshëm».
Pagëzimi i Jezusit
13 Atëherë mbërriti Jezusi nga Galilea në Jordan, te Gjoni, për me u pagëzue prej tij. 14 Por Gjoni e ndali e i tha: «Unë kam nevojë me u pagëzue prej teje, e ti po vike te unë?». 15 E Jezusi iu përgjigj: «Prano tash, se ash me vend që ne të plotësojmë çdo drejtësi». Atëherë ai e pranoi. 16 Mbasi u pagëzue, Jezusi doli menjëherë prej ujit. E, ja, iu hapën qiejt e ai pa Shpirtin e Hyut tue zbritë porsi pëllumb e tue ardhë mbi të. 17 Dhe, ja, një za prej qielli thoshte: «Ky asht im bir, i dashtuni, ai që më pëlqen».
© his translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania