Ponëtorët e vreshtit
1 «Mbretnia e qiejve i ngjan një kryeshtëpiaku, i cili doli në nadje herët, me lidhë punëtorë me rrogë për vreshtin e vet. 2 Kur u pajtue me punëtorët për një denar në ditë, i çoi në vreshtin e vet. 3 Doli rreth orës së tretë dhe pa do të tjerë të papunë, tue qëndrue te tregu. 4 U tha: "Shkoni edhe ju në vresht dhe, çka asht e drejtë, kam me jua dhanë". 5 E ata shkuen. Rishtas, doli në orën e gjashtë e nantë e veproi njësoj. 6 Doli edhe rreth orës së njëmbëdhjetë dhe gjeti do të tjerë, tue ndejtë. E u tha: "Pse rrini këtu tanë ditën pa punë?". 7 I thanë: "Se askush nuk na ka lidhë rrogë". Ai u tha: "Shkoni edhe ju ne vresht". 8 Kur ra mbramja, i zoti i vreshtësi i tha mbikëqyrësit të vet: "Thirri punëtorët e jepu rrogën, tue fullue nga i fundit deri te i pari". 9 Erdhën ata të rreth orës së njëmbëdhjetë e morën nga një denar. 10 Kur erdhën të parët, kujtuen se do të merrnin ma shumë, por edhe ata morën nga një denar. 11 Tue e marrë, ankoheshin ndaj kryeshtëpiakut, 12 tue thanë: "Këta të fundit banë një orë e ti i bane njësoj me ne, që bajtëm barrën e ditës e vapën". 13 Por ai iu përgjigj njënit porej tyne e tha: "Shok, nuk po të baj padrejtësi. A nuk u pajtove me mue për një denar? 14 Merr gjanë tande e shko. Se unë deshiroj me i dhanë këtij të fundit sa edhe ty. 15 A nuk më lejohet me ba me gjanat e mia çka të due? Apo të lakmon syni, se unë jam i mirë?
16 Kështu, të fundit do të jenë të parët e të parët, të fundit».
Paralajmërimi i tretë i pashkëve
17 Kur Jezusi po ngjitej në Jerusalem, mori të dymëdhjetë nxanësit më vete dhe udhës u tha: 18 «Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftënve e shkrestarëve. Ata do ta dënojnë me dvekje, 19 do t'ua dorëzojnë paganëve, për me e shpotitë, me e fshikullue dhe me e kryqëzue. Të tretën ditë ai do të ngjallet».
20 Atëherë iu afrue nana e bijve të Zbedeut me bijtë e saj, u përkul dhe i lypi diçka. 21 Ai i tha: «Çka dëshiron?». Ia ktheu: «Që, në mbretninë tande, këta dy djemtë e mi të ulen njëni në të djathtën e tjetri në të majtën tande». 22 Por Jezusi iu përgjigj e i tha: «Nuk dini çka lypni. A mundeni me e pi kelkun që unë do të pi?». I thonë: «Mundemi». 23 Ai u thotë: «Kupën time, njëmend, do ta pini, por me u ulë në të djathtën time e në të majtën, nuk me takon mue me e caktue, por u takojmnë atyne për të cilët asht përgatitë prej Atit tim». 24 Kur të dhjetët ndigjuen, u zemruen me dy vëllaznit. 25 Por Jezusi i thirri pranë e u tha: «E dini se prijësit e kombeve sillen si sundimtarë mbi ta e të mëdhejtë e tyne sillen si pushtetarë. 26 Jo kështu ndër ju! Por, kush dëshiron me u ba i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juej 27 dhe, kiush ndër ju dëshiron me qenë i pari, të jetë skllavi juej. 28 Sikurse Biri i njeriut nuk erdhi me u shërbye, por me shërbye e me dhanë jetën e vet, në këmbim të të shumëve».
Jezusi shëron dy të verbtë
29 Kur po largoheshin nga Jerikoni, po e ndiqte një turmë e madhe. 30 Dy të verbtë, ulun anë rrugës, kur ndigjuen se po kalonte Jezusi, gërthitën tue thanë: «Na përdëlle, o Zot, Bir i Davidit!». 31 Turma iu akërrye, që të pranin, por ata gërthitën edhe ma shumë, tue thanë: «Na përdëlle, o Zot, Bir i Davidit!». 32 Jezusi qëndroi, u bani za e tha: «Çka doni të baj për ju?». 33 I thanë: «Zot, të na çelen sytë!». 34 I mallëngjyem, Jezusit u preku sytë e menjëherë panë rishtas e shkuen mbas tij.
© his translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania