Për ndamjen
1 Mbasi Jezusi i kreu këto fjalë, u largue nga Galile dhe shkoi në trojet e judesë përtej Jordanit. 2 Turma të mëdha i shkuen mbrapa dhe atje ai i shëroi. 3 Iu afruen disa farisej dhe e vunë në provë, tue i thanë: «A lejohet me e nda gruen për çdolloj shkaku?» 4 Jezusi u përegjigj: «A nuk e keni lexue se ai që i krijoi prej zanafillet, mashkull e femën i bani »? 5 E tha: «Për shkak të kësaj, njeriu do të lajë të atin e nanën, do të ngjitet grues së vet e të dy do të jenë një trup i vetëm . 6 Kështuqë, nuk janë ma dy, por një mish. Pra, çka Hyu ka lidhë, njeriu të mos e ndajë!». 7 I thonë: «E pse Moisiu urdhnoi me i dhanë dëftesën e ndamjes dhe me e lëshue ?» 8 U thotë: «Moisiu, prej zemërngurtësisë suej ju lejoi me i lëshue gratë tueja, porse, prej zanafillet, nuk ka qenë kështu. 9 Por, unë po ju them se, kush e lëshon gruen e vet, përveç për shkak të shemrimit, dhe martohet me një tjetër, thyen kunorës». 10 Nxanësit i thonë: «Nëse është i tillë rasti i një burri me një grua, nuk volit me u martue». 11 Por ai u tha: «Jo të gjithë e pranojnë këtë fjalë, por ata të cilëve u asht dhanë. 12 Ka eunukë, që u lindën të tillë nga barku i nanës. Ka edhe eunukë që u banë eunukë për mbretninë e qiejve. Kush mundet me e pranue, ta pranojë».
Jezusi bekonë fëmijët
13 Atëherë i sollën pranë disa fëmijë, që t'u vinte duert sipër, por nxanësit i qortuen. 14 Mirëpo Jezusi tha: «Leni fëmijët e mos i ndalni me ardhë tek unë, se e të këtillëve asht mbretnia e qiejve». 15 Mandej vuni duert mbi ta e shkoi prej andej.
Djali i pasun
16 Dhe, ja, dikush iu afrue e i tha: «Mësues, çfarë të mirë duhet të baj, të të kem jetën e pasosun?». 17 Ai iu përgjigj: «Pse më pyet për të mirën? Një asht i mirë. Nëse dëshiron me hy në jetën e pasosun, mbaj urdhnimet». 18 I tha: «Cilat?». Jezusi iu përgjigj: «Mos vrit, mos the kunorën, mos vidh, mos ban dëshmi të rreme, 19 ndero atin e nanën dhe dueje të afërmion si veten! ». 20 Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam ndjekë. Çka më mungon ende?». 21 Jezusi i tha: «Nëse dëshiron me qenë i përkryem, shko, shit plangun tand, jepua të varfënve e do të kesh një thesar në qiej. Atëherë eja e më ndiq!». 22 Kur e ndigjoi këtë fjalë, djaloshi iku i pikëlluem. Ishte njëmend pasunar pronash të shumta. 23 Jezusi u tha nxanësve të vet: «Vërtet po ju them se i pasuni hyn zorshëm në mbretninë e qiejve. 24 Prap po ju them, ma kollaj e ka deveja me kalue në vrimën e gjilpanës, se i pasuni me hy në mbretninë e Hyut». 25 Kur dishepujt e ndigjuen, u hutuen fort e thanë: «Kush, pra, mundet me u shpëtue?». 26 Jezusi i kundroi e tha: «Për njerëzit kjo asht e pamundun, por për Hyun gjithçka asht e mundun». 27 Atëherë Pjetri iu përgjigj: «Ja, ne lamë gjithçka dhe të ndoqëm. Çka, pra, do të ndodhë me ne?». 28 Jezusi u tha: «Vërtet po ju them, se ju, që më ndoqët mue, në fillimin e ri, kur të ulet biri i njeriut në fronin e lavdisë së tij, do të uleni edhe ju në dymbëdhjetë frone, me gjykue dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 29 Dhe cecili të ketë lanë shtëpia, apo vëllazën, apo motra, apo atë, apo nanë, apo fëmijë, apo ara për shkak të emnit tim, do të marrë njëqindfish e do të trashëgojë jetën e pasosun. 30 Por, shumë të parë do të jenë të fundit e të fundit, të parët».
© his translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania