Jeyusit i kërkojnë një shenjtë
1 U afruen farisejtë e saducejtë dhe, tue e vue në sprovë, i kërkuen t'u shfaqte një shenjë nga qielli. 2 Por ai iu përgjigj: «Kur bjen mbramja, ju thoni: “do të khjellët, se qielli asht i kuq”. 3 E, në ag: “Sot, stuhi, se qielli asht skuqë e nxi”. Ju që e njihni qiellin nga pamja, po shenjat e kohës nuk mundeni me i dallue? 4 Breznia e ligë dhe e pabesë lyp një shenjë, por nuk do t'i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës». Atëherë i la e u largue.
Tharmi i farisejve dhe saducejve
5 Kur shkuen në bregun tjetër, nxanësit kishin harrue me marrë bukë. 6 Jezusi u tha: «Ruhuni e mbrohuni nga tharmi i farisejve e i saducenjve». 7 Por ata i thonin me vete: «Nuk morëm bukë». 8 Tue e ditë këtë, Jezusi u tha: «Pse thoni me vete, o besimpaktë, se nuk keni bukë? 9 A s'kuptoni e s'ju kujtohen pesë bukët e pesëmijë vetëve e sa shporta morët? 10 Po shtatë bukët e katërmijë vetëve e sa shporta morët? 11 Si nuk e kuptoni se nuk po ju flisja për bukën? Mbrohuni, pra, prej tharmit të farisejve e saducejve». 12 Atëherë e morën vesh se nuk u kishte thanë me u ruejt prej tharmit të bukës, por prej mësimit të farisejve e saducejve.
Pjetri thotë se Jezusi asht Mesia
13 Kur Jezusi shkoi në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxanësit e vet: «Kush thonë njerëzit se asht Biri i njeriut?». 14 Ata i thanë: «Disa thonë Gjon Pagëzuesi, të tjerë Elia e të tjerë Jeremia, ose një nga profetët». 15 Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam?». 16 Iu përgjigj Simon Pjetri: «Ti je Krishti, Biri i Hyut të gjallë». 17 Jezusi ia ktheu: «Lum ti, Simon, biri i Jonës, se jo mishi e gjaku ta zbuluen, por Ati im që asht në qiej! 18 Dhe unë po të them se ti je Pjetër, mbi këtë shkamb do të ndërtoj kishën time e dyert e ferrit nuk do ta mposhtin. 19 Ty kam me t'i dhanë çelësat e mbretnisë së qiejve. Çkado të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhun në qiej e çkado të zgjidhësh në tokë, do të jetë e zgjidhun në qiej». 20 Atëherë i urdhnoi nxanësit mos me i thanë kujt se ai ishte Krishti.
Paralajmërimi i parë i Pashkës
21 Prej asaj here, Jezusi filloi me ua shtjellue nxanësve se i duhej me shkue në Jerusalem e me pësue shumë prej pleqve, kryepriftënve e shkrestarëve, se do ta vritej e të tretën ditë do të ngjallej. 22 Pjetri e mori veç e filloi tue e qortue: «Mëshirë për ty, o Zot! Mos të raftë kjo gja!». 23 Por Jezusi iu kthye pjetrit e i tha: «Shko mbas meje, Satan! Ti po më bahesh bjerrje, se nuk përbluen punët e Hyut, por të njerëzve». 24 Atëherë Jezusi u tha nxanësve: «Nëse dikush dëshiron me ardhë mbas meje, të mohojë veten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 25 Se, ai që dëshiron me shpëtue jetën e vet, do ta humbë dhe, ai që e humb jetën e vet për mue, do ta gjejë. 26 Çka i volit njeriut me fitue kret botën, tue vue në lojë jetën e vet? Ose, çka ka me dhanë njeriu në këmbim të jetës së vet? 27 Biri i njeriut ka me ardhë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e tij, e atëherë do t'i japë secilit simbas veprave të veta. 28 Vërtet po ju them se ka disa, prej atyne që janë këtu, të cilët nuk do ta shijojnë vdekjen pa e pa Birin e njeriut tue ardhë në mbretninë e vet».
© his translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania