Qortimet për shkrestarët e farisejtë
1 Atëherë Jezusi u tha turmave e nëxanësve: 2 «Shkrestarët e farisejtë rrinë ulun në katedrën e Moisiut. 3 Gjithçka ju thonë ata, zbatojeni e mbajeni, por mos veproni simbas veprave të tyre. Ata flasin, por nuk bajnë. 4 Lidhin barrë të randa e të zorshme dhe ua ngarkojnë njerëzve të tjerë, por vetë as me gisht nuk duen me i luejt. 5 Të gjitha veprat e veta i bajnë për me u pa prej njerëzve. Zgjanojnë thekët e cepat e petkut i zgjasin. 6 Duen kryet e vendit nëpër gosti, vendet e para nëpër sinagoga 7 përshëndetjet nëpër sheshe e me u thirrë "mësues" prej njerëzve.
8 Por ju mos u thirrni mësues, se një asht mësuesi juej e të gjithë ju jeni vëllazën. 9 E mos thirrni askënd mbi tokë atë. Një asht Ati juej qiellor. 10 Mos u thirrni prijës, se prijësi juej asht Krishti. 11 Ma i madhi ndër ju, të jetë shërbestari juaj. 12 Kush naltohet, do të përulet e, kush përulet, do të naltohet.
13-14 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej dyfytyrësha, që ua ndryni njerëzve në fytyrë mbretninë e qiejve! As vetë nuk hyni, as ata që janlë tue hy nuk i leni me u futë.
15 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej dyfytyrësha, që endeni nëpër det e nëpër thatinë për me ba një rishtar e atëherë e bani bir të Gehenës dyfish sa veten tuej!
16 Mjerë ju, o udhëheqës të verbtë, që thoni: "Nëse dikush betohet për tempullin, s'ka gja, por, nëse betohet për arin e tempullit, ka detyrim". 17 Të marrë dhe të verbtë! Cili asht ma i madh, ari apo tempulli, që e shejtnon arin? 18 Thoni: "Nëse dikush betohet për altarin, s'ka gja, por, nëse betohet për dhuratën mbi të, ka detyrim". 19 Të verbtë! Cili asht ma i madh, dhurata apo altari, që e shejtnon dhuratën? 20 Kush betohet për altarin, betohet për të e për gjithçka ash mbi të. 21 Kush betohet për tempullin, betohet për të e për kë banon në të. 22 Kush betohet për qiellin, betohet për fronin e Hyut e për kë rrin ulun mbi të.
23 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej dyfytyrësha! Ju lani të dhjetën e mendrës, të koprës e të kuminit, por shpërfillni gjanat ma të randësishme të ligjit: gjykimin, mëshirën e besën. Këto duhet t'i zbatoni, pa i shpërfillë të tjerat. 24 Udhërrëheqës të verbtë, që kulloni mushkajën, por devenë e përpini!
25 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej dyfytyrësha, dëlirni të përjashtmen kupës e të enës, por përmbrenda janë plot me cubni e shfrenim. 26 Farise i verbtë, pastro ma parë të përmbrendshmen kupës e të enës, që të bahet e dëlirë edhe përjashtmja.
27 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej dyfytyrësha, që u përngjani vorreve të zbardhuna, të cilët përjashta duken të bukura, por mbrenda janë plot me eshtna të vdekunish dhe gjithfarë fëlliqësish. 28 Njësoj edhe ju përjashta u shfaqeni njerëzve të drejtë, por përmbrenda jeni plot dyfytyrësi dhe mbrapështi.
29 Mjerë ju, o shkrestarë e farisej dyfytyrësh, se ndërtoni vorret e profetëve e zbukuroni përmendoret e të drejtëve! 30 E thoni: "Po të kishim qenë ne në kohën e etënve tanë, nuk do të kishim qenë pjesëmarrës në gjakderdhjen e profetëve, në kohën e tyne". 31 Kështu i dëshmoni vetes se jeni bijtë e vrasësve të profetëve. 32 Mbusheni edhe ju masën e etënve tuej. 33 Gjarpij e pjellë nepërkash, si do t'i shmangeni gjykimit të Gehenës? 34 Prandaj, ja, unë po dërgoj te ju profetë, të urtë dhe shkrestarë. Disa prej tyne do t'i vritni e do t'i kryqëzoni dhe disa do t'i frushkulloni në sinagogat tueja e do t'i përndiqni nga qyteti në qytet. 35 Kështu do të reshet mbi ju tanë gjaku i drejtë i dikuem mbi tokë, prej gjakut të Abelit të drejtë, deri te gjaku i Zakarisë, birit të Barakut, që e vratë mes shejtnores e altarit. 36 Vërtet po ju them: të gjitha këto do të bien mbi këtë brezni».
Vajtimi për Jerusalemin
37 «Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e i mbyt me gurë të dërguemit te ti! Sa herë kam dëshirue me i mbledhë tok bijtë e tu, siç i mbledh squka zogjtë e vet nën krahë, por nuk deshët! 38 Ja, shtëpia juaj do t'ju mbetet e shkretueme. 39 Po jua them: prej tashit, nuk do të më shihni ma, derisa të thoni:
bekue qoftë
ai që vjen në emën të Zotit !».