Predikimi në mal
1 Kur pa turmat, u ngjit në mal. U ul dhe nxanësit e vet iu avitën. 2 Atëherë hapi gojën dhe i mësonte tue thanë:
3 Lum skamnorët në shpirt,
se e tyne asht mbretnia e qiejve.
4 Lum vajtuesit,
se do të ngushëllohen.
5 Lum të prujtunit,
se do të trashëgojnë tokën.
6 Lu të dishruemit e të rreshkunit për drejtësi,
se do të ngihen.
7 Lum mëshiruesit,
se do të mëshirohen.
8 Lum zemërdëlirët,
se do të shohin Hyun.
9 Lum zejtarët e paqes,
se do të thirren bij të Hyut.
10 Lum të përndjekunit për shkak të drejtësisë,
se e tyne ash mbretnia e qiejve.
11 Lum ju kur t'ju shajnë, t'ju përndjekin e të thonë çdolloj ligësie kuindër jush në rrenë për shkakun tim. 12 Gëzohuni e lumnohuni, se shpërblimi juej asht i madh në qiej. Njësoj i përndoqën edhe profetët para jush.
Kripë e dritë
13 Ju jeni kripa e tokës. Por, nëse kripa çartet, me çka kripet? Nuk duhet asgja, përpos me u hedhë jashtë e me u shkelë prej njerëzve. 14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet një qytet i vumë në maje një mali. 15 Askush nuk ndez një kandil e mandej e ven nën magje, por përmbi dritëmbartëse, që të shndrisë të gjithë ata që gjenden në shtëpi. 16 Njësoj do të vezullojë drita juej faqe njerëzve, që të vërejnë veprat tueja të bukura e të lëvdojnë Atin tuej në qiej.
Ligji e profetët
17 «Mos pandehni që erdha për me zhba ligjin apo profetët. Nuk erdha për me zhba, por me plotësue. 18 Vërtet po ju them, derisa të zhduken qielli e toka, asnjë jotë e asnjë pikësim nuk do të zhduken prej ligjit, pa u krye gjithçka. 19 Prandaj, nëse dikush zhban një ma të voglin prej këtyne ligjeve dhe i mëson njerëzit poashtu, do të quhet ma i vogli në mbretninë e qiejve. Por, kushdo që i zbaton dhe i mëson, do të quhet i madh në mbretninë e qiejve. 20 Se unë po ju them: nëse drejtësia juej nuk asht ma e madhe se ajo shkrojësve e të farisejve, nuk hyni në mbretninë e qiejve».
21 «Keni ndëgjue se u ash thanë të lashtëve: mos vrit . Kush vret do të jetë i pandehun në gjyq. 22 Por unë po ju them: kushdo idhnohet me vëllanë e vet i takon me dalë në gjyq. Ai që i thotë vëllait "i çmendun", i takon me dalë para sinedrit. Ai që thotë "i marrë" i takon me u hedhë në Gehenën e zjarrtë. 23 Nëse e paraqet kushtimin tand mbi altar, dhe aty të bie ndërmend se vëllai yt ka diçka kundër teje, 24 lene aty dhuratë tande, para altarit, e shko. Së pari pajtohu me vëllanë tand e atëherë eja e paraqit kushtimin. 25 Banu i mirëkuptueshëm me kundërshtarin tand shpejt, derisa të jesh në udhë me të, që kundërshtari të mos të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të hidhesh në burg. 26 Vërtet po të them, nuk do të dalësh prej andej deri sa të japësh qindarkën e fundit».
Epshi dhe pastërtia
27 «Keni ndigjue se ka qenë thanë: mos u lavir . 28 Por unë po ju them: kush e shikon një grue me synimin me e dëshirue, asht lavirë me të në zemrën e vet. 29 Nëse syni i djathtë të bahet pengesë, nxirre e flake prej teje. Të volit me humbë një gjymtyrë, e mos me t'u hedhë tanë trupi në Gehenë. 30 E nëse dora jopte e djathtë të bahet pengesë, këpute e flake prej teje. Të volit me humbë një gjymtyrë e mos me t'u hedhë tanë trupi në gehenë».
Ndamja
31 «Ka qenë thanë: kush lëshon gruen, t'i japë dëshminë e ndamjes . 32 Por unë po ju them: kushdo që e lëshon gruen e vet, përveç rastit të kurvnimit, e shtyn me u lavirë, dhe, kushdo që martohet me një të lëshueme, laviret».
Betimi
33 «Prap, keni ndëgjue se u asht thanë të lashtëve: mos e the benë , por jepi Zotit çka je betue me i dhanë . 34 Por unë po ju them: mos u betoni fare, as për qiell, se asht froni i Hyut, 35 as për tokë, se asht mbështetësja e kambëve të tij, as për Jerusalemin, se asht qyteti i mbretit të madh. 36 Mos ban be as për kryet tand, se nuk ke mundësi as me zbardhë apo me nxi një fije floku. 37 Të folunit tuej të jetë "Po, po; "jo, jo". Çka asht përtej kësaj asht prej të ligut».
Hakmarrja
38 «Keni ndigjue se ka qenë thanë: sy për sy e dhamb për dhamb . 39 Por unë po ju them: mos iu kundërvini të ligut, por atij që të gjuen në faqen e djathtë, ktheja edhe tjetrën. 40 Atij që don me të hedhë në gjyq për me të marrë këmishën, falja edhe gunën. 41 Atij që të detyron me ecë një milje, ec dy milje me të. 42 Atij që të lyp, jepi. Atij që dëshiron hua prej teje, mos ia moho».
Armiqtë
43 «Keni ndëgjue se ka qenë thanë: dueje të afërmin dhe urreje armikun. 44 Por unë po ju them: duejini armiqtë tuej e lutuni për përndjekësit tuej, 45 që të baheni bij të Atit tuej, që asht në qiej, se ai e nalton diellin e tij mbi të ligj e mbi të mirë dhe e lëshon shiun mbi të drejtë e të padrejtë. 46 Nëse doni ata që ju duen, çfarë shpërblimi ju takon? A nuk bajnë të njajtën gja edhe tagrambledhësit? 47 E nëse përshëndetni vetëm vëllaznit tuej, çka bani ma shumë? A nu bajnë të njajtën gja edhe kombet? 48 Prandaj, jini të përkryem, sikurse asht i përkryem Ati juej qiellor».