Shestimi kundër Jezusit
1 Kur Jezusi i kreu të gjitha këto fjalë, u tha nxanësve të vet: 2 «Ju e dini se mbas dy ditësh vijnë Pashkët dhe Biri i njeriut asht tue u dorëzue për me u kryqëzue».
3 Atëherë kryepriftënt dhe pleqtë e popullit u mblodhën në tremen e pallatit të kryepriftit, që quhej Kajafa, 4 e morën vendimin e përbashkët me e kapë Jezusin me dredhi, për ta vra. 5 Por thonin: «Jo gjatë festës, që të mos ketë rropatje në popull».
Vojimi i Jezusit
6 Kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të gërbulun, 7 iu avit një grue, me një enë alabastri me mirrë shumë të kushtueshme, dhe ia dikoi mbi krye, kur ai ishte në tryezë. 8 Nxnësit e panë dhe u zemrëuen e thanë: «Pse gjithë kjo humbje? 9 Mundte me u shitë shtrejtë, për me u dhanë të varfënve». 10 Por Jezusi, tue e ditë, u tha: «Pse po i qitni punë kësa grueje? Vepër të bukur bani ajo për mue. 11 Të varfnit i keni gjithmonë me ju, por mue nuk më keni gjithmonë. 12 Tue dikue këtë mirrë mbi trupin tim, bani çka lypet për varrim. 13 Vërtet po ju them, kudo të kumtohet ky ungjill, në mbarë botën, do të përflitet edhe çka bani ajo, në kujtim të saj».
Juda pajtohet për tradhti
14 Atëherë, njeri prej të dymbëdhjetëve, i quejtuni Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftënt 15 e u tha: «Çka doni me më dhanë e unë do t'jua dorëzoj?». E i caktuen tridhjetë monedha argjendi. 16 Qysh atëherë kërkonte rastin e volitshëm për ta dorëzue.
Përgatitja e Pashkëve
17 Ditën e parë të bukëve të pambrueme nxanësit iu afruen Jezusit e i thanë: «Ku dëshiron ta bajmë gati për ty darkën e Pashkëve?». 18 Ai u tha: «Shkoni në qytet, te filani, e i thoni: “Mësuesi thotë: Koha ime asht afër. Te ti po i baj Pashkët, me nxanësit e mi”». 19 Nxanësit vepruen si i urdhnoi Jezusi dhe përgatitën Pashkët
20 Kur ra mbramja, u ul shtrue me të dymbëdhjetët. 21 Kur ishin tue hangër, tha: «Vërtet po ju them, njeni prej jush do të më dorëzojë». 22 Ata u trishtuen shumë e nisën tue e pyet, njeni mbas tjetrit: «Nuk jam unë, Zot?». 23 Ai u përgjigj: «Ai që zhyti dorën në kupë me mue, ai do të më dorëzojë. 24 Biri i njeriut po shkon, si asht shkrue për të, por mjerë ai njeri, prej të cilit po dorëzohet Biri i njeriut! Do t'i kishte pasë hije të mos kishte lindë ai njeri». 25 Juda, ai që po e dorëzonte, ia ktheu: «Nuk jam unë, rabbi?». Ai i tha: «E the vetë».
Darka e Zotit
26 Tue hangër, Jezusi mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha nxanësve e tha: «Merrni, hani, ky asht trupi im». 27 Mandej mori kelkun, u falënderue e ua dha, tue thanë: «Pini prej tij të gjithë. 28 Ky asht gjaku imi besëlidhjes, që derdhet për hir të shumtëve, për faljen e mëkateve. 29 Por, po ju them, nuk do të pi ma, qysh tash, nga kjo dhunti i hardhisë, deri atë ditë, kur do ta pi me ju, të re, në mbretëninë e Atit tim».
30 Dhe, mbasi kënduen himnin, dolën drejt Malit Ullijve.
Parashikimi i mohimit të Pjetrit
31 Atëherë Jezusi u tha: «Të gjithë ju do të birreni prej meje këtë natë, sepse asht e shkrueme:
Do të godas bariun
e delet e grigjës do të turiten.
32 Por, mbasi të ngjallem, do t'ju prij në Galile». 33 Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të birren prej teje, unë nuk do të burrem kurrë». 34 Jezusi i tha: «Vërtet po të them se, këtë natë, para se të këndojë gjeli, tri herë do të më shpërnjohësh». 35 Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të shpërnjoh». Kështu thanë të gjithë nxanësit.
Lutja në Gjetseman
36 Atëherë Jezusi me ta në një vend që quhet Gjetsemani e u tha nxanësve: «Uluni këtu, ndërsa unë po shkoj me u lutë atje». 37 Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi me u trishtue e me u angështue. 38 Mandej u tha: «Shpirti im asht i trishtuem deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuet me mua». 39 Shkoi pak ma andej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, nëse asht e mundun, ma largo këtë kelk. Megjithatë, jo si due unë, por si të duesh ti».
40 Erdhi te nxanësit dhe i gjeti fjetë. I tha Pjetrit: «Nuk ia dolët me ndejtë zgjuet me mue veç një orë? 41 Rrini zgjuet e lutuni mos me hy në sprovë, se shpirti asht i vrullshëm, por mishi asht i dobët». 42 Shkoi prap për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse ky kelk nuk mund të shmanget pa e pi, u baftë vullneti yt!».
43 Kur u kthye, i gjeti prap fjetë, se u ishin randue sytë. 44 I la sërish dhe shkoi e u lut për të tretën herë, tue thanë prap të njëjtat fjalë.
45 Atëherë erdhi te nxanësit e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, u afrue ora e Biri i njeriut po u dorëzohet në duert e mëkatarëve. 46 Çohuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më dorëzon».
Dorëzimi dhe kapja
47 Ishte ende tue folë dhe, ja, erdhi Juda, njeni prej të dymbëdhjetëve, me një turmë të madhe, me shpata e shtaga, të dërguem nga kryepriftënt e pleqtë e popullit. 48 Tradhtari u kishte dhanë këtë shenjë: «Kë të puth unë, ai asht. Atë kapni!». 49 E menjëherë iu afrue Jezusit e i tha: «Të falem, rabbi!». Dhe e puthi. 50 Jezusi i tha: «Shok, për këtë je këtu». Atëherë u afruen, vunë dorë mbi Jezusin dhe e kapën. 51 Dhe ja, njeni prej atyne që ishin me Jezusin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i këputi veshin. 52 Atëherë Jezusi i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet. Të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin. 53 A mendoni se nuk mundem me iu lutë Atit tim me më dërgue fill ma shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54 Por, si do të plotësoheshin shkrimet, që thonë se kjo duhet të ndodhë?».
55 Në atë kohë Jezusi u tha turmave: «Erdhët si për një cub, me më marrë me shpata e shtaga? Çdo ditë rrija tue mësue në tempull e nuk më kapët. 56 Por gjithë kjo ndodhi që të plotësohen shkrimet e profetëve».
Atëherë të gjithë nxanësit e lanë e ikën.
Jezusi para sinedrit
57 Ata që e kishin kapë, e çun te kryeprifti Kajafa, ku ishin mbledhë shkrestarët e pleqtë. 58 Pjetri e ndoqi prej së largu deri te tremja i pallatit të kryepriftit. Hyni mbrenda dhe ul me shërbëtorët, me pa përfundimin.
59 Kryepriftënt dhe krejt sinedri lypnin dëshmi të rreme kundër Jezusit, që ta vritnin, 60 por s'gjetën gja, megjithëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Përfundimisht u paraqitën dy vetë 61 e thanë: «Ky ka thanë: “Mundem me e shkatërrue tempullin e Hyut dhe me e ndërtue mbas tri ditësh”».
62 U çue kryeprifti e tha: «Nuk përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?». 63 Por Jezusi heshtte. Kryeprifti i tha: «Të përbej pash Hyun e gjallë me na thanë a je ti Krishti, Biri i Hyut?». 64 Jezusi i tha: «Vetë e the. Megjithatë, po ju them
prej tashit
do ta shihni Birin e njeriut
ndejun në të djathtën
e Hyut së fuqishëm,
dhe tue ardhë mbi retë e qiellit ».
65 Atëherë kryeprifti shqeu petkat e tha: «Blasfemoi! Ç'na nevojitet me pasë dëshmitarë? Sapo e ndigjuet blasfeminë. 66 Çka mendoni?». Ata u përgjigjën: «Meriton vdekjen». 67 Atëherë filluen ta pështynin në fytyrë e ta rrihnin. Disa e gjuenin me shpulla 68 e i thoshin: «Profetizo, o Krisht! Kush po të qëllon?».
Mohimi i Pjetrit
69 Pjetri ishte ulë përjashta në treme. Iu afrue një shërbëtore e i tha: «Edhe ti ishe me Jezu Galileasin». 70 Por ai e mohoi para të gjithëve e tha: «Nuk e di ç'po thue!». 71 Kur po dilte drejt portikut, e vërejti një shërbëtore tjetër e u tha atyne që gjendeshin aty: «Ky ishte me Jezusin e Nazaretit». 72 Por Pjetri e mohoi rishtas me be: «Nuk e njoh njeriun». 73 Mbas pak, të pranishmit iu afruen Pjetrit e i thanë: «Vërtet je një prej tyne, se edhe e foljma të zbulon». 74 Por Pjetri filloi me mallkue e me u betue: «Nuk e njoh njeriun».
Menjëherë këndoi gjeli 75 e Pjetrit iu kujtuen fjalët e Jezusit, që i kishte thanë: «Para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh». Doli jashtë e qau idhtë.
Krie e njëzetegjashtëtë
1 E u bë si sosi Iisui gjithë këto fjalë, u tha mathitivet së tij:
2 E dini që pas di ditet bënetë pashka. E i bir i njeriut ipetë të mbërthenetë ndë kruq.
3 Ahiere u mbëjuadhë të parët’ e priftëret, edhe të grammatepsuritë, edhe pleqërit’ e llaoit, ndë avlli të së parit së priftëret, që quhej Kajafë.
4 E bënë mushavere që të zënë Iisunë me djallëzi e ta vrasënë.
5 Edhe thoshnë: Mos ta bëjëmë të krëmptenë, se mos bënetë kallaballëk ndë botë.
6 E si vate Iisui ndë Vithani, ndë shtëpi të Simonit së leprosurit.
7 U qas nde ai një grua që kish një qelq me miro nga e shtrejta, e e derdhi sipër mbi krie të tij atje tek rrij.
8 E si e panë mathitit’ e tij, u zëmëruanë, e thanë: Ndë se vëjen këta të humburë?
9 Sepse mund të shitej këjo miro për shumë, e të ipeshinë ndë të varfërë.
10 E si kupëtoi Iisui, u tha ature: Pse ipni zahmet nde gruaja? Sepse ajo bëri punë të mirë tek meje.
11 Sepse të varfëritë i keni kurdo me vetëhe, e mua kurdo nukë më keni.
12 Se ajo që derdhi këtë miro sipër mbi kurm tim, për të kallturë mua ndë varr e bëri.
13 Me të vërteta u thom juvet, kudo që të qiriksetë kij Ungjill ndë gjithë dinia, do të thuhetë edhe këjo që bëri ajo, për të kujtuarë të saj.
14 Ahiere vate një nga të dimbëdhjetë, që quhej Iudhë Iskariot, ndë të parët’ e priftëret.
15 E u tha: Ç’do të më ipni mua, e unë të prodhos atë ndë ju? Edhe ata i taksnë atij tridhjetë argjiria (t’ergjënta).
16 E që atëherë kërkon kohë të mirë që të prodhos atë.
17 E të parënë ditë të lipsovet, u qasnë mathititë te Iisui, e i than’ atij: Ku do të të bëjëmë hazër të haç pashkënë?
18 Edhe ai u tha: Haideni ndë qutet te akëcili, e thoi atij: Dhaskali thotë: Koha ime afër është, tek teje bëj pashkënë me mathitit’ e mi bashkë.
19 E mathititë bënë sikundrë i porsiti ata Iisui, e bënë hazër pashkënë.
20 E si u err, rrij bashkë me të dimbëdhjetë.
21 E tek haijnë ata bukë, u thotë: Me të vërteta u thom juvet, se një nga juvet do të më paradhosjë.
22 E si u helmuanë shumë, nisnë një nga një t’i thoshn’ atij: Mos jam unë, Zot?
23 Edhe ai u përgjegj e tha: Ai që ngjeu dorënë bashkë me mua ndë çanake, ai do të më paradhosjë.
24 E i biri i njeriut vete, sikundr’ është shkruarë për të, po ve mb’atë njeri, që nga ai paradhosetë i biri i njeriut. Më mirë qe nd’atë që të mos qe lerë ai njeri.
25 Edhe Iudha, ai që paradhosi atë, u përgjegj e tha: Mos jam unë, dhaskal? I thotë atij: Ti e the.
26 E kur haijnë ata mori Iisui bukënë, e si e bekoi, e theu, e e ipte mathitivet, e u tha: Mirri, e hai, se kij është kurmi im.
27 E muarr edhe potirnë, e si efharistisi, e dha nd’ata, e u tha: Piji nga këjo të gjithë.
28 Se këjo është gjaku im, e dhiatësë së re, që derdhetë për shumë, për të ndëjierë fajetë.
29 Edhe u thom juvet, se do të mos pi sot e parë nga këjo pem’ e dhrisë, ngjera mb’atë ditë kur ta pi atë të re me juvet bashkë, ndë mbretëri të jatit sim.
30 E si u falë, duallë e vanë ndë mal të Ullinjet.
31 Ahiere thotë mb’ata Iisui: Gjithë juvet do të skandhaliseni mbë mua ndë këtë natë, se është shkruarë: Do t’i bie çobanit, e do të përhapenë dhënt’ e stanit.
32 E pas së ngjallturit sim do të vete më përpara se juvet ndë Galileë.
33 E Petrua u përgjegj, e i tha atij: Edhe të gjithë ndë u skandhaliçinë mbë ti, unë do të mos skandhalisem kurrë.
34 I tha atij Iisui: Vërtet thom tek tij, se ndë këtë natë pa kënduarë edhe kokoshi, tri herë do të më arniseç mua.
35 I thot’ atij Petrua: Edhe ndë u dashtë të vdes me ti bashkë, do të mos të arnisem ti. Ashtu thanë edhe gjithë mathititë.
36 Atëherë vjen bashkë me ata Iisui ndë fshat që quhetë Gjethsimani, e u thotë mathitivet: Rriji këtu, ngjera sa të vete atje të falem.
37 E si mori Petronë edhe të di djelmt’ e Zevedheosë, zu të helmonej e të pikëtonej.
38 Ahiere u thot’ ature: Helmuarë është shpirti im ngjera ndë vdekëjë. Mbetuni këtu, e rrini zgjuarë bashkë me mua.
39 E si vate pakëzë më teje, ra përmis mbi faqe të tij, tuke luturë, e tuke thënë: Babai im, ndë mund të bënetë, le të shkojë nga meje kij potir, po jo si dua unë, po si do ti.
40 E vjen ndë mathitij, e i gjen ata që flijnë, e i thotë Petrosë: Kështu nukë mundë të rrijëtë një sahat të zgjuarë bashkë me mua?
41 Rrini zgjuarë e lutuni, që të mos rriji ndë piraksi, se shpirti ësht’ i fortë, e kurmi nukë mund.
42 Pameta për së ditit vate, e u fal, e thosh: Babai im, ndë mos mund të shkojë kij potir nga meje, që të mos e pi atë, le të bënetë urdhëri it.
43 E si erdhi, i gjeti përsëri që flijnë, sepse qenë rënduarë nga gjumi sit’ e ture.
44 E si i la ata, vate pameta e u lut për së tretit, tuke thënë atë fjalë.
45 Ahiere erdhi ndë mathitij të tij, e u tha ature: Edhe po fliji e prëheni? Ja u afërua koha, e i biri njeriut ipetë ndë duar të fajëtorëvet.
46 Ngreuni, e le të vemi. Na, erdhi afër ai që do të paradhosjë mua.
47 E pa sosurë ai fjalënë, na, Iudha një nga të dimbëdhjetë erdhi, edhe me atë bashkë turm’ e madhe, me thikëra e me drunjër nga të parët’ e priftëret, e pleqt’ e llaoit.
48 E ai që paradhosi atë, dha nd’ata nishan, e u tha: Atë që të puth, ai është, po zirie atë.
49 E atë çast u qas nde Iisui, e i tha: Gëzo, dhaskal. Edhe e puthi atë.
50 Edhe Iisui i tha atij: Mik, pse erdhe? Atëherë u qasnë, e shtinë duartë mbi Iisunë, e e zunë.
51 E një nga ata që qenë me Iisunë, ndëri dorënë e kreu thikën’ e tij, e goditi kopiln’ e së parit së priftëret, e i preu veshn’ e tij.
52 Atëherë i thot’ atij Iisui: Kthe thikënë ndë vënd të saj, se gjith’ ata që zënë thikë, me thikë do të humbasënë.
53 A të duketë se nukë mund ndashti t’i lutem jatit sim e të më dërgojë më tepër se dimbëdhjetë tagmë ëngjëjet?
54 Qish dha do të paguhenë kartëratë, se kështu duhetë të bënetë?
55 Atë sahat u tha Iisui turmëvet: Posi mbë kusar dualltë me thikëra edhe me drunjër të zëri mua. Ngadita me juvet rrijë e dhidhaksjë ndë qishë, e nukë më zutë.
56 E këjo gjithë u bë, që të paguhenë kartërat’ e profitëret. Atëherë gjithë mathitejtë e lanë atë, e iknë.
57 E ata si e zunë e prunë nde Kajafa, te i pari priftëret, atje që u mbëju(a)dhë Grammatejtë edhe pleqësia.
58 E Petrua vij pas sij për së largut, ngjera ndë avlli të së parit së priftëret, e si hiri brënda, rrij bashkë me kopij, të shih të pastajmenë.
59 E të parët’ e priftëret, edhe pleqësia, edhe gjithë sinodhi kërkoijnë martiri të rreme kondr’ Iisuit, që ta vrisnë.
60 E nukë gjenë, e ndonëse erdhë shumë martirë të rrem, nukë gjenë; e më pastaj si erdhë di martirë të rrem.
61 Thanë: Kij tha: Mund të gremis Qishën’ e Perndisë, e ndë tri dit ta dërtoj atë.
62 E si u ngre i pari priftëret, i tha atij: Fare nukë përgjegje? Ç’thonë këta kondrë tij?
63 E Iisui pushonte. E u përgjegj i pari priftëret, e i tha atij: Të vë mbë be Perndin’ e gjallë, të na thuaç nevet ndë je ti Krishti, i biri i Perndisë?
64 I thot’ atij Iisui: Ti e the. Po u thom juvet, që soti e tutje do të shihni të birë e njeriut, që të rrijë mb’anë të djathëtë të fuqisë, e të vijë mbi re të Qiellit.
65 Ahiere i pari i priftëret çori rrobat’ e tij e thosh, se: Vllasfimisi. Ç’na duhenë më martirë? Na, ndashti e digjuatë vllasfimin’ e tij.
66 Si ju duketë juvet? Edhe ata u përgjegjnë, e thanë: Është fajëtuar për vdekëjë.
67 Ahiere pështijtinë mbë faqe të tij, edhe i ranë me pungji, edhe ca i ranë me shuplaka.
68 E thoshnë: Profiteps ndë nevet, Krisht. Cili ësht’ ai që të ra?
69 E Petrua rrij jashtë ndë avlli, e erdhi afër tij një kopile, e i tha: Edhe ti jeshe bashkë me Iisunë Galileonë.
70 E ai bëri arnisi përpara gjithëvet, e tha: Nukë di se ç’thua.
71 E si dolli ai ndë portë, e pa atë një tjetërë, e thotë nd’ata që qenë atje: Edhe kij ish bashkë me Iisunë Nazoreonë.
72 E pameta u arnis me be, që: Nuk’ e di njerinë.
73 E më një çikëzë, si erdhë afër ata që rrijnë atje, i thanë Petrosë: Vërtet edhe ti nga ata je, se të folturitë tat të dëfton ti.
74 Atëherë nisi të anathematisjë e të betonetë, që: Nuk’ e njoh njerinë. E atë çast këndoi kokoshi.
75 E u kujtua Petrua fjalësë Iisuit, që i kish thënë atij, se: Pa kënduarë kokoshi, tri herë do të më arniseç. E dolli jashtë e qau me pikëllim.