Dhjetë virgjënat
1 «Atëherë, mbretnia e qiejve u përngjet dhjetë virgjnavë, të cilat morën kandilat e vet e i dolën para dhandrrit. 2 Pesë prej tyne ishin të marra e pesë të mençuna. 3 Të marrat, tue marrë kandilat, nuk morën voj me vete. 4 Të mençunat morën voj në enë të vogla bashkë me kandilat e vet. 5 Dhandri po vonohej, prandaj u kotën të gjitha e ranë në gjumë. 6 Por, në mesnatë, u ba një vikamë: “Ja dhandri, dilni para”. 7 Atëherë u çuen të gjitha ato virgjna e zbukuruen kandilat. 8 Të marrat u thanë të mençunave: “Na jepni voj prej tuejit, se po na fiken kandilat”. 9 Por të mençunat u përgjigjën: “Jo, se atëherë s'na del as neve e as juve. Ma mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete”. 10 Kur shkuan me ble, ia behu dhandri. Ato që ishin gati, hynë me të në dasmë dhe u ndrye dera. 11 Ma vonë mbërritën edhe virgjnat e tjera e thanë: “Zotni, zotni, na e hap derën!”. 12 Por ai u përgjigj: “Vërtet po ju them: nuk ju njoh”.
13 Rrini zgjuet, pra, se nuk e dini as ditën e as orën».
Shëmbëlltyra e talentave
14 «Asht porsi një njeri, që tue u nisë për udhë, thirri shërbëtorët e tij e u la plangun e vet. 15 Njenit i dha pesë talenta, tjetrit dy e tjetrit një, secilit simbas aftësisë vetjake, e u nis për rrugë menjëherë. 16 Ai që kishte marrë pesë talenta, shkoi e i shtiu në punë dhe përfitoi edhe pesë të tjera. 17 Po ashtu, ai që kishte marrë dy, përfitoi dy të tjera. 18 Por, ai që kishte marrë një, shkoi, gërmoi dheun dhe e mshehu paren e zotnisë së vet.
19 Mbas shumë kohe, i zoti i këtyne shërbëtorëve vjen e ndreq llogaritë me ta. 20 U avit ai që kishte marrë pesë talenta, solli edhe pesë të tjerë e tha: “Zotni, ti më dorëzove pesë talenta. Ja, përfitova edhe pesë të tjerë”. 21 I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik. Ishe besnik në pak, unë do të të caktoj mbi shumë. Hyn në gëzimin e zotnisë tand”. 22 U avit edhe ai që kishte marrë dy talenta e tha: “Zotëri, më dorëzove dy talenta. Ja, përfitova edhe dy të tjerë”. 23 I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik. Ishe besnik në pak, unë do të caktoj mbi shumë. Hyn në gëzimin e zotnisë tand”.
24 U avit edhe ai që kishte marrë njëqind monedha e tha: “Zotni, di se je njeri i ashpër, që korr ku nuk ke mbjellë e mbledh ku nuk ke hedhë, 25 prandaj, i friguem, shkova dhe e msheha në tokë talentin tand. Shih ku e ke gjanë tande!”. 26 Por i zoti iu përgjigj: “Shërbëtor i keq e përtac. Ti dike se unë korrkam ku nuk kam mbjellë e mblidhkam ku nuk kam hedhë? 27 Atëherë duhej t'i kishe vue paret e mia nëpër banka, që, kur të kthehesha, të kisha marrë gjanë time me kamatë.
28 Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talenta, 29 se, secilit që ka, do t'i jepet e do t'i teprojë, por, atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. 30 Shërbëtorin e padobishëm qiteni terrin e përjashtëm. Atje ka vajtim e kërcëllim dhambësh”».
Gjykimi i kombeve
31 «Kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë, e të gjithë engjëjt me të, do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet. 32 Para tij do të mblidhen të gjitha komnbet e ai do t'i veçojë nga njeni-tjetri, siç veçon bariu delet nga dhitë. 33 Delet do t'i vejë në të djathtën e vet e dhitë në të majtën.
34 Atëherë mbreti do t'u thotë atyne që janë në të djathtën e tij: “Ejani, o të bekuemit e Atit tim, merreni trashëgim mbretninë e përgatitun për ju qysh prej fillimit të botës, 35 se pata uri e më dhatë me hangër, pata etje e më dhatë me pi, isha i huej e më pritët, 36 isha i zbuluet e më mbuluet, isha i sëmundë u kujdesuet për mue, isha në burg e erdhët te unë”. 37 Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen: “Zot, kur të pamë të uritun e të ushqyem? Apo të etun e të dhamë me pi? 38 Kur të pamë të huej e të pritëm, apo të zbuluet e të mbuluem? 39 Kur të pamë të sëmundë apo në burg e erdhëm te ti?”. 40 Mbreti do t'u përgjigjet: “Vërtet po ju them se sa herë ua keni ba këtë njenit prej këtyne vëllazënve të mi ma të vegjël, ma keni ba mue”.
41 Mandej do t'u thotë atyne që janë në të majtën e tij: “Shporrmuni, o të mallkuem, në zjarrin e amshuem, që asht përgatitë për djallin dhe engjëjt e tij, 42 se pata uri e nuk më dhatë me hangër, pata etje e nuk më dhatë me pi, 43 isha i huej e nuk më pritët, isha zbuluet e nuk më mbuluet, isha i sëmundë e në burg e nuk u kujdesët për mue”. 44 Atëherë edhe ata do të përgjigjen: “O Zot, kur të pamë të uritun, të etun, të huej, zbuluet, të sëmundë e në burg e nuk u kujdesëm për ty?”. 45 Ai do t'u thotë: “Vërtet po ju them, sa herë që nuk is keni ba këtë njenit prej vëllazënve të mi ma të vegjël, nuk ma keni ba as mue”.
46 E këta do të bein në ndëshkimin e amshuem, ndërsa të drejtët në jetën e amshueme».
Krie e njëzetepesëtë
1 Ahiere do të gjajë mbretëria e Qiellvet me dhjetë vashëza të panjohurë burrë, që ato si muarrë llambadhat’ e ture, duallë të pritnë dhëndërinë përpara.
2 E nga ato, të pesa qenë të mënçura, e të pesa të marra.
3 E ato të marratë, si muarë llambadhat’ e ture, nukë muarrë vaj me vetëhe.
4 E të mënçuratë muarrë vaj ndë enë të ture bashkë me llambadhat’ e ture.
5 E si u suall dhëndëri të vij, i zu gjumi të gjitha e flijnë.
6 E ndë mes të natësë u bë një të thirturë: Ja, dhëndëri vjen, dili përpara atij ta pritni.
7 Atëherë u ngrenë gjith’ vashazëtë e zunë të ndreqnë llambadhat’ e ture.
8 E të marratë u thanë së mënçuravet: Epnani edhe nevet nga vaji juaj, se llambadhatë tona na shuhenë.
9 Edhe të mënçuratë u përgjegjnë, e u thanë: Mos nukë na sosjë navet edhe juvet, po më mirë hajdeni nd’ata që shesënë, e bleni për vetëhe tuaj.
10 E si van’ ato të bleijnë, erdhi dhëndëri, e ato që qenë hazër, hinë me atë bashkë ndë dasmëra, e u mbill dera.
11 E më pastaj erdhë edhe të tjeratë vashëza, e thoshnë: Zot, zot, hapna edhe nevet.
12 Edhe ai u përgjegj, e u tha: Me të vërteta u thom juvet, se nuk’ u njoh juvet.
13 Rrini dha zgju(a)rë, se nukë dini ditënë, as sahatnë, nd’atë që vjen i biri i njeriut.
14 Sepse posi një njeri që duaj të vij ndë kseniti, thirri kopijt’ e tij, e u dha ature gjën’ e tij.
15 E njërit i dha pesë kuleta, e tjatërit di, tjatërit një, gjithëkujt sikundrë kish fuqinë, e atë çast iku.
16 E ai që muarr të pesë kuletatë, si vate, punoi me ato, e fitoi të tjera pesë kuleta.
17 Ashtu edhe ai me të dia, fitoi edhe ai di të tjera.
18 E ai që mori njërënë, vate, e rrëmoi mbë dhe, e e fshehu ergjëndn’ e zotit së tij.
19 E pas shumë kohet na e vjen i zoti ature kopijet, e zu të bën me ata llogari.
20 E ju qas ai që kish marrë të pesë kuletatë, e pru të tjera pesë kuleta, e tha: Zot, pesë kuleta më dhe mua, vështo, pesë të tjera kuleta fitova me ato.
21 Edhe zot’ i tij i tha atit: Aferim, kopil i mirë edhe i besuarë. Ndë të paka u bëre i besuarë, ndë të shuma do të besoj. Hirë brënda ndë gëzim të zotit sit.
22 E si ju qas edhe ai që kish marrë të di kuletatë, i tha: Zot, di kuleta më dhe mua, vështo edhe di të tjera kuleta fitova me ato.
23 I tha atij zot’ i tij: Aferim, kopil i mirë edhe i besuarë. Ndë të paka u bëre i besuarë, ndë të shuma do të besoj. Hirë brënda ndë gëzim të zotit sit.
24 E si u qas edhe ai që mori njërënë kuletë, i tha: Zot, unë të njoha ti që je njeri i prapë, që kuarr atje që nukë mbolle, e mbëjedh atje që nukë përhape.
25 E sepse u trëmçë, vajta e fsheha kuletënë tënde mbë dhe. Vështo e ke tëndenë.
26 E zot’ i tij u përgjegj, e i tha atij: Kopil i keq edhe i përtuarë, ti dije se unë kuarr atje që nukë mbolla, e mbëjedh atje që nukë përhapa.
27 Duhej dha ergjëndnë tim ta vëre nd’ata që këmbejënë asprëtë, e si të vijë unë, dojë ta marrë timenë me fajde.
28 Mirri dha nga ai kuletënë, e epnie nde ai që ka të dhjetë kuletatë.
29 Sepse nde ai që ka do të ipetë, e do të tepëronetë, e nga ai që s’ka, edhe ajo që ka, do të ngrihetë nga ai.
30 Edhe kopiln’ e pavëjierë shtirie jashtë ndë skotadh të thellë. Atje do të jetë të qarëtë, edhe të dredhurit’ e dhëmbëvet.
31 Edhe si të vijë i biri i njeriut me lëvdim të tij, edhe gjithë shënjtër ëngjëjitë me të bashkë, ahiere do të rrijë mbi fron të lëvdimit së tij.
32 E do të mbëjidhenë përpara tij gjithë filitë, e do t’i veçojë ata njërinë nga jetëri, sikundrë veçon çobani dhëntë nga dhitë.
33 E dhëntë do t’i vërë mb’anë të tij të djathëtë, e dhitë mb’anë të mëngjërë.
34 Ahiere do të thotë mbreti nd’ata që janë mb’anë të djathëtë të tij: Ejani juvet të bekuarit’ e jatit sim, trashëgoni mbretërinë, që është bënë gati për juvet, pa bën’ edhe këjo dinia.
35 Sepse më muarr uja, e më dhatë të ha; më muarr etia, e më dhatë të pi; jeshë i huaj, e më përmbëjuadhtë.
36 I sveshurë, e më veshtë; u sëmurçë e më patë kujdes; ndë hapsanë jeshë, e erdhtë tek meje.
37 Ahiere do të përgjegjenë nde ai të drejtitë, e do të thonë: Zot, kur të pam të urëtë, e të ushqiem; a të eturë e të dham e pive?
38 Edhe kur të pam të huaj, e të përmbëjuadhm? A të sveshurë e të veshm?
39 Edhe kur të pam të sëmurë, a ndë hapsanë, e erdhm tek teje?
40 Edhe mbreti do t’u përgjegjetë, e do t’u thot’ ature: Me të vërteta u thom juvet, sa të mirë bëtë ndë një nga këta vëllazërit’ e mi të varfëritë, tek meje e bëtë.
41 Ahiere do të thotë edhe mb’ata që janë mb’anë të mëngjërë: Ikëni nga meje, ju të mallëkuaritë ndë zjar të pashuarë, që është bënë hazër për djallinë, edhe ëngjëjit’ e tij.
42 Sepse më muarr uja, e nukë më dhatë të hajë, më muarr etia, e nukë më dhatë të pijë.
43 I huaj jeshë e nukë më përmbëjuadhtë; i sveshurë, e nukë më veshtë; i sëmurë, e ndë hapsanë, e nukë erdhtë të më keni kujdes.
44 Ahiere do t’i përgjegjenë atij edhe ata, e do t’i thonë: Zot, kur të pam të urëtë, a të eturë, a të huaj, a të sveshurë, a të sëmurë, e nukë të bëm ti husmet e ndihmë?
45 Ahiere do të përgjegjetë mb’ata, e do t’u thotë: Me të vërteta u thom juvet, sa të mirë nukë bëtë ndë një nga këta të varfëritë, as tek meje nukë bëtë.
46 E do të venë këta ndë pisë të pasosurë, e të drejtëtë ndë jetë të pasosurë.