Shestimi kundër Jezusit
1 Kur Jezusi i kreu të gjitha këto fjalë, u tha nxanësve të vet: 2 «Ju e dini se mbas dy ditësh vijnë Pashkët dhe Biri i njeriut asht tue u dorëzue për me u kryqëzue».
3 Atëherë kryepriftënt dhe pleqtë e popullit u mblodhën në tremen e pallatit të kryepriftit, që quhej Kajafa, 4 e morën vendimin e përbashkët me e kapë Jezusin me dredhi, për ta vra. 5 Por thonin: «Jo gjatë festës, që të mos ketë rropatje në popull».
Vojimi i Jezusit
6 Kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të gërbulun, 7 iu avit një grue, me një enë alabastri me mirrë shumë të kushtueshme, dhe ia dikoi mbi krye, kur ai ishte në tryezë. 8 Nxnësit e panë dhe u zemrëuen e thanë: «Pse gjithë kjo humbje? 9 Mundte me u shitë shtrejtë, për me u dhanë të varfënve». 10 Por Jezusi, tue e ditë, u tha: «Pse po i qitni punë kësa grueje? Vepër të bukur bani ajo për mue. 11 Të varfnit i keni gjithmonë me ju, por mue nuk më keni gjithmonë. 12 Tue dikue këtë mirrë mbi trupin tim, bani çka lypet për varrim. 13 Vërtet po ju them, kudo të kumtohet ky ungjill, në mbarë botën, do të përflitet edhe çka bani ajo, në kujtim të saj».
Juda pajtohet për tradhti
14 Atëherë, njeri prej të dymbëdhjetëve, i quejtuni Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftënt 15 e u tha: «Çka doni me më dhanë e unë do t'jua dorëzoj?». E i caktuen tridhjetë monedha argjendi. 16 Qysh atëherë kërkonte rastin e volitshëm për ta dorëzue.
Përgatitja e Pashkëve
17 Ditën e parë të bukëve të pambrueme nxanësit iu afruen Jezusit e i thanë: «Ku dëshiron ta bajmë gati për ty darkën e Pashkëve?». 18 Ai u tha: «Shkoni në qytet, te filani, e i thoni: “Mësuesi thotë: Koha ime asht afër. Te ti po i baj Pashkët, me nxanësit e mi”». 19 Nxanësit vepruen si i urdhnoi Jezusi dhe përgatitën Pashkët
20 Kur ra mbramja, u ul shtrue me të dymbëdhjetët. 21 Kur ishin tue hangër, tha: «Vërtet po ju them, njeni prej jush do të më dorëzojë». 22 Ata u trishtuen shumë e nisën tue e pyet, njeni mbas tjetrit: «Nuk jam unë, Zot?». 23 Ai u përgjigj: «Ai që zhyti dorën në kupë me mue, ai do të më dorëzojë. 24 Biri i njeriut po shkon, si asht shkrue për të, por mjerë ai njeri, prej të cilit po dorëzohet Biri i njeriut! Do t'i kishte pasë hije të mos kishte lindë ai njeri». 25 Juda, ai që po e dorëzonte, ia ktheu: «Nuk jam unë, rabbi?». Ai i tha: «E the vetë».
Darka e Zotit
26 Tue hangër, Jezusi mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha nxanësve e tha: «Merrni, hani, ky asht trupi im». 27 Mandej mori kelkun, u falënderue e ua dha, tue thanë: «Pini prej tij të gjithë. 28 Ky asht gjaku imi besëlidhjes, që derdhet për hir të shumtëve, për faljen e mëkateve. 29 Por, po ju them, nuk do të pi ma, qysh tash, nga kjo dhunti i hardhisë, deri atë ditë, kur do ta pi me ju, të re, në mbretëninë e Atit tim».
30 Dhe, mbasi kënduen himnin, dolën drejt Malit Ullijve.
Parashikimi i mohimit të Pjetrit
31 Atëherë Jezusi u tha: «Të gjithë ju do të birreni prej meje këtë natë, sepse asht e shkrueme:
Do të godas bariun
e delet e grigjës do të turiten.
32 Por, mbasi të ngjallem, do t'ju prij në Galile». 33 Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të birren prej teje, unë nuk do të burrem kurrë». 34 Jezusi i tha: «Vërtet po të them se, këtë natë, para se të këndojë gjeli, tri herë do të më shpërnjohësh». 35 Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të shpërnjoh». Kështu thanë të gjithë nxanësit.
Lutja në Gjetseman
36 Atëherë Jezusi me ta në një vend që quhet Gjetsemani e u tha nxanësve: «Uluni këtu, ndërsa unë po shkoj me u lutë atje». 37 Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi me u trishtue e me u angështue. 38 Mandej u tha: «Shpirti im asht i trishtuem deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuet me mua». 39 Shkoi pak ma andej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, nëse asht e mundun, ma largo këtë kelk. Megjithatë, jo si due unë, por si të duesh ti».
40 Erdhi te nxanësit dhe i gjeti fjetë. I tha Pjetrit: «Nuk ia dolët me ndejtë zgjuet me mue veç një orë? 41 Rrini zgjuet e lutuni mos me hy në sprovë, se shpirti asht i vrullshëm, por mishi asht i dobët». 42 Shkoi prap për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse ky kelk nuk mund të shmanget pa e pi, u baftë vullneti yt!».
43 Kur u kthye, i gjeti prap fjetë, se u ishin randue sytë. 44 I la sërish dhe shkoi e u lut për të tretën herë, tue thanë prap të njëjtat fjalë.
45 Atëherë erdhi te nxanësit e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, u afrue ora e Biri i njeriut po u dorëzohet në duert e mëkatarëve. 46 Çohuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më dorëzon».
Dorëzimi dhe kapja
47 Ishte ende tue folë dhe, ja, erdhi Juda, njeni prej të dymbëdhjetëve, me një turmë të madhe, me shpata e shtaga, të dërguem nga kryepriftënt e pleqtë e popullit. 48 Tradhtari u kishte dhanë këtë shenjë: «Kë të puth unë, ai asht. Atë kapni!». 49 E menjëherë iu afrue Jezusit e i tha: «Të falem, rabbi!». Dhe e puthi. 50 Jezusi i tha: «Shok, për këtë je këtu». Atëherë u afruen, vunë dorë mbi Jezusin dhe e kapën. 51 Dhe ja, njeni prej atyne që ishin me Jezusin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i këputi veshin. 52 Atëherë Jezusi i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet. Të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin. 53 A mendoni se nuk mundem me iu lutë Atit tim me më dërgue fill ma shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54 Por, si do të plotësoheshin shkrimet, që thonë se kjo duhet të ndodhë?».
55 Në atë kohë Jezusi u tha turmave: «Erdhët si për një cub, me më marrë me shpata e shtaga? Çdo ditë rrija tue mësue në tempull e nuk më kapët. 56 Por gjithë kjo ndodhi që të plotësohen shkrimet e profetëve».
Atëherë të gjithë nxanësit e lanë e ikën.
Jezusi para sinedrit
57 Ata që e kishin kapë, e çun te kryeprifti Kajafa, ku ishin mbledhë shkrestarët e pleqtë. 58 Pjetri e ndoqi prej së largu deri te tremja i pallatit të kryepriftit. Hyni mbrenda dhe ul me shërbëtorët, me pa përfundimin.
59 Kryepriftënt dhe krejt sinedri lypnin dëshmi të rreme kundër Jezusit, që ta vritnin, 60 por s'gjetën gja, megjithëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Përfundimisht u paraqitën dy vetë 61 e thanë: «Ky ka thanë: “Mundem me e shkatërrue tempullin e Hyut dhe me e ndërtue mbas tri ditësh”».
62 U çue kryeprifti e tha: «Nuk përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?». 63 Por Jezusi heshtte. Kryeprifti i tha: «Të përbej pash Hyun e gjallë me na thanë a je ti Krishti, Biri i Hyut?». 64 Jezusi i tha: «Vetë e the. Megjithatë, po ju them
prej tashit
do ta shihni Birin e njeriut
ndejun në të djathtën
e Hyut së fuqishëm,
dhe tue ardhë mbi retë e qiellit ».
65 Atëherë kryeprifti shqeu petkat e tha: «Blasfemoi! Ç'na nevojitet me pasë dëshmitarë? Sapo e ndigjuet blasfeminë. 66 Çka mendoni?». Ata u përgjigjën: «Meriton vdekjen». 67 Atëherë filluen ta pështynin në fytyrë e ta rrihnin. Disa e gjuenin me shpulla 68 e i thoshin: «Profetizo, o Krisht! Kush po të qëllon?».
Mohimi i Pjetrit
69 Pjetri ishte ulë përjashta në treme. Iu afrue një shërbëtore e i tha: «Edhe ti ishe me Jezu Galileasin». 70 Por ai e mohoi para të gjithëve e tha: «Nuk e di ç'po thue!». 71 Kur po dilte drejt portikut, e vërejti një shërbëtore tjetër e u tha atyne që gjendeshin aty: «Ky ishte me Jezusin e Nazaretit». 72 Por Pjetri e mohoi rishtas me be: «Nuk e njoh njeriun». 73 Mbas pak, të pranishmit iu afruen Pjetrit e i thanë: «Vërtet je një prej tyne, se edhe e foljma të zbulon». 74 Por Pjetri filloi me mallkue e me u betue: «Nuk e njoh njeriun».
Menjëherë këndoi gjeli 75 e Pjetrit iu kujtuen fjalët e Jezusit, që i kishte thanë: «Para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh». Doli jashtë e qau idhtë.
1 Edhe Jisuj kur mbaroj gjithë këto fialë, u tha nxënësëvet ti:
2 “E dini se pas dy diç është pashka, edhe i bir’ i njeriut epetë ndë duar për të kryqëzuarë?”
3 Atëhere u mbëlothnë kryepriftërit’ edhe shkronjësit’ edhe pleqt’ e llauzit ndë avllit të kryepriftit, që thuhej Kajafë;
4 Edhe bënjënë këshillë që ta zënë Jisunë me kobim, edhe ta vrasënë.
5 Edhe thoshinë: “Jo për të kremte, se mos bënetë trazyrë ndë gjëndëjet.”
6 Edhe Jisuj kur ishte ndë Vithani, ndë shtëpit të Simonit krromosurë,
7 Erdhi përan’ ati një grua që kishte një allavastrë me vaj ere shumë të shtrenjtë, edhe e derthte mbi kryet t’ati tek ishte tuke ndenjurë ndë mësallë.
8 Edhe nxënësit’e ati kur panë, u zemëruanë, e thanë: “Për ç’punë të humbasë këjo gjë ?
9 Sepse kyj vaj ere munt të shitej me shumë nder , edhe t’epej ndëpër të vobegjit.”
10 Edhe Jisuj si kupëtoj, u tha atyre: “Përse i epni mundime kësaj gruaje? Sepse këjo bëri punë të mirë tek unë.
11 Sepse të vobegjit’ i keni përherë me vetëhenë tuaj; po mua nuk më keni përherë.
12 Sepse këjo, kur derdhi këtë vaj ere mbi trupt tim, e bëri këtë për të kallurë mua ndë varr.
13 Me të vërtetë po u them juve: Kudo që të leçitetë kyj ungjill ndë gjithë botët, do të flitet’ edhe se ç’punë bëri këjo, që të mbahetë mënt.”
14 Atëhere një nga të dy-mbë-dhietëtë, ay që qjuhej Judhë Iskarioti, vate te kryepriftërit’e tha:
15 “Ç’do të m’ epni, edhe unë t’u ap juve atë ndër duar?”
16 Edhe ata i dhanë tridhiet’ argjënda. Edhe që mb’atëhere kërkonte kohë ta epte ndër duar.
17 Edhe ditën e parë e të pambrumievet, nxënësit’ erthnë përanë Jisujt e i thanë: “Ku do të bëjmë gati për ty të haç pashkënë?”
18 Edhe ay tha: “Shkoni ndë qytet tek akcili, edhe i thoni: Mësonjësi thotë: Koha ime ësht’ afërë; do të bënj pashkënë te ti bashkë me nxënësit’e mi.”
19 Edhe nxënësitë bënë sikundrë i porositi Jisuj, edhe bënë gati pashkënë.
20 Edhe kur u ngrys, ishte tuke ndenjurë ndë mësallë bashkë me të dy-mbë-dhietëtë.
21 Edhe ata tek ishinë tuke ngrënë, tha: “Me të vërtetë po u them juve, se një nga ju do të më trathtonjë.”
22 Edhe ata u helmuanë fort, e zunë t’i thonë gjithësecili nga ata: “Zot, mos jam unë?”
23 Edhe ay u përgjeq e tha: “Ay që ngjeu dorënë ndë kupët bashkë me mua, kyj do të më apë ndër duar.
24 I bir’i njeriut vete, sikundrë është shkruarë për atë; po mier ay njeri, prej të cilit epetë ndër duar i bir’i njeriut; është mirë për atë njeri të mos kishte lindurë.”
25 Edhe Judha, ay që e trathtoj, u përgjeq e tha: “Mos jam unë, Ravvi?” I thot ati: “Ti po thua.”
26 Edhe ata kur ishinë tuke ngrënë, Jisuj mori bukënë, edhe si e bekoj, e theu, e ua dha nxënësëvet, edhe tha: “Merrni e hani; kyj është trupi im.”
27 Edhe mori potirinë, edhe si u fal ndersë, ua dha atyre, tuke thënë:
28 “Pini të gjithë prej këti, sepse kyj është gjaku im i dhiatësë re, që derdhetë për shumë, për ndëjesën’e fajevet.
29 Edhe po u them juve, se nukë kam për të pirë që ndashti e tutje nga këjo pemë, që pjell hardhia, gjer mb’atë ditë, kur ta pi të re bashkë me ju ndë mbëretërit të tim Eti.”
30 Edhe ata si psallnë, duallnë ndë malt të Ullinjvet.
31 Atëhere Jisuj u thot’ atyre: “Gjithë ju do të skandhaliseni mbë mua këtë natë; sepse është shkruarë: “Do t’i bie bariut, edhe dhënt’ e tufësë do të përndahenë.”
32 Edhe passi të ngjallem unë, do të vete përpara jush ndë Galilet.
33 Edhe Pietri u përgjeq e i tha: “Edhe të gjithë ndë u skandhalisçinë mbë ty, unë nukë do të skandhalisem kurrë.”
34 Jisuj i tha: “Me të vërtetë po të them, se këtë natë, para se të këndonjë gjeli, tri herë do të më mohonjç.”
35 Pietri i thotë: “Edhe ndë u dashtë të vdes unë bashkë me tyj, nukë do të mohonj tyj.” Kështu thanë edhe gjithë nxënësitë.
36 Atëhere Jisuj vien bashkë me ata ndë një fshat që thuhetë Gjethsimani; edhe u thotë nxënësëvet: “Rrini aty, gjersa të vete e të falem atie.”
37 Edhe mori me vetëhe Pietrin’ edhe të dy bijt’ e Zevedheut, e zuri të hidhëronet’ edhe t’i vinjë rëndë.
38 Atëhere u thot’ atyre: “Shpirti im ësht’ i hidhëruarshim gjer mbë vdekëje; mbetuni këtu, edhe rrini squarë bashkë me mua.
39 Edhe si vate pakëzë më tej, ra me faqe përmbys, tuke falur’ e tuke thënë: “Ati im, ndë qoftë se munt të bënetë, le të hiqetë prej meje këjo kupë; po jo si dua unë, po si të duaç ti.”
40 Edhe vien te nxënësitë, e i gjen tuke fjeturë, edhe i thotë Pietrit: “Kështu nukë munttë të rrini squarë një orë bashkë me mua;
41 Rrini squarë edhe faluni, që të mos hyni ndë ngasëje; sepse shpirti ësht ’ i gatishim, po mishi ësht’ i pafuqishim.
42 Përsëri për së dyti vate edhe u fal, tuke thënë: “Ati im, ndë qoftë se nukë munt të hiqetë prej meje këjo kupë, që të mos e pi atë, u bëftë ënda jote.”
43 Edhe erdhi e i gjen përsëri tuke fjeturë; sepse syt’ e atyre ishinë rënduarë.
44 Edhe si i la ata, vate përsëri e u fal për së treti, tuke thënë po atë fialë.
45 Atëhere vien te nxënësit’ e ti edhe u thot’ atyre: “Flini pra, edhe prëhi; ja tek u afrua ora, edhe i bir’ i njeriut epetë ndë duar të fajtorëvet.
46 Ngreuni, le të vemi; ja tek u afrua ay që do të më apë ndër duar.”
47 Edhe ay kur ishte po tuke folurë, ja tek erdhi Judha, një nga të dy-mbë-dhietëtë, edhe bashkë me atë erthnë shumë gjëndëje me thika e me dru nga an’ e krye-priftërëvet edhe pleqvet llauzit.
48 Edhe ay që e ep atë ndër duar u dha atyre shenjë, tuke thënë: “Atë që të puth unë, ay është; zireni atë.”
49 Edhe përnjëherë erdhi përanë Jisujt e tha: “Gëzonu, Ravvi”; edhe e puthi.
50 Edhe Jisuj i tha: “Mik, përse erdhe?” Atëhere u afruanë, e vunë duarëtë mbi Jisunë, edhe e zunë.
51 Edhe ja një nga ata që ishinë bashkë me Jisunë ngjati dorënë, e nxori thikën’ e ti, edhe i ra shërbëtorit të kryepriftit, e i preu veshinë.
52 Atëhere Jisuj i thot’ ati: “Këthe thikënë tënde ndë vënt të saj; sepse gjith’ ata që vënë dorë mbë thikë, prej thike do të humbasënë.
53 Apo të duketë se nukë munt ndashti t’i lutem tim Eti, edhe do të më nxierrë përpara më tepërë se dy-mbë-dhietë legjeona ëngjëjsh?
54 Qysh do të mbushenë pra shkronjatë, se kështu gjan të bënetë?”
55 Mb’ atë orë Jisuj i tha gjëndëjesë: “Posi mbë kursarë keni dalë me thika e me dru të më zëri. Përdita rrinjam te ju tuke mësuarë ndë hieroret, edhe nukë më zutë.
56 Po gjithë këjo u bë, që të mbushenë shkronjat’ e profitëvet.” Atëhere gjithë nxënësitë e lanë, e iknë.
57 Edhe ata si zunë Jisunë, e prunë te Kajafa kryeprifti, atie ku ishinë mbëledhurë shkronjësit’ edhe pleqtë.
58 Po Pietri i vate prapa për së largu, gjer ndë avllit të kryepriftit; edhe si hyri brenda, rrinte bashkë me shërbëtorët, që të shohë të pastajmenë.
59 Edhe kryepriftërit’ e pleqt’ e gjithë bashkëndenjia kërkoninë martiri të rreme kundrë Jisujt, që ta vrisinë atë, po nukë gjetnë.
60 Edhe ndonëse erthnë shumë martirë të rrem, po nukë gjetnë.
61 Edhe pastaj erthnë dy martirë të rrem, e thanë: Kyj tha, se : Munt të prish tempullin’ e Perëndisë, edhe për tri dit ta ndërtonj atë.
62 Edhe kryeprifti u ngre e i tha: “Nukë përgjigjesh fare? Ç’martirisnjënë këta kundrë teje?”
63 Po Jisuj nukë bënte zë. Edhe kryeprifti u përgjeq e i tha: “Të vë mbë be për Perëndin’ e gjallë, të na thuaç, ndë je ti Krishti, i bir’i Perëndisë.”
64 Jisuj i thot’ ati: “Ti po thua; po unë po u them juve, se Që ndashti e paskëtaj do të shihni të birr’e njeriut tuke ndenjurë mb’anë të diathtë të fuqisë, edhe tuke ardhurë mbi ret të qiellit.”
65 Atëhere kryeprifti çori rrobet’ e tija, tuke thënë, se: “Vllasfimisi. Ç’nevojë kemi më për martirë? Ja ndashti tek e dëgjuatë vllasfimin’ e ati.
66 Si u duketë juve?” Edhe ata u përgjeqnë e thanë:
67 “Është fajtuar për vdekëje.” Atëhere i pështynë ati ndër sy, edhe i ranë me shuplaka; edhe të tierë i ranë me shufra, tuke thënë:
68 “Profiteps-na, o Krisht, cili ësht’ ay që të ra?”
69 Edhe Pietri rrinte përjashta ndë avlli; edhe i erdhi përanë një shërbëtore tuke thënë: :Edhe ti ishnje bashkë me Jisu Galileasinë.”
70 Po ay e mohoj përpara të gjithëve, tuke thënë:
71 “Nukë di se ç’thua.” Edhe ay kur dolli ndë derët të avllisë, e pa atë një tiatërë, edhe u thot’ atyre që ishinë atie: “Edhe kyj ish bashkë me Jisu Nazareasinë.”
72 Edhe përsëri e mohoj me be, se: “Nuk’e njoh atë njeri.”
73 Edhe pas pakëzë erthnë përan’ ati ata që ishinë tuke ndenjurë, e i thanë Pietrit: “Me të vërtetë edhe ti je nga ata, sepse edhe të foluritë tat të dëften tyj.”
74 Atëhere zuri të nëmnjë e të bënjë be, se: “Nuk’ e njoh atë njeri.”
75 Edhe përnjëherë këndoj gjeli. Atëhere i ra ndër mënt Pietrit fial’ e Jisujit që i pat thënë, se: “Përpara se të këndonjë gjeli, tri herë do të më mohonjç”; edhe dolli jashtë, e qjau hidhurë.