Mbërritja e të urtëve
1 Mbasi Jezusi u lind në Betlehem të Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, disa magjistarë nga lindja mbërritën në Jerusalem 2 e pyetën: «Ku asht mbreti i lindun i judejve. Pamë yllin e tij në lindje dhe erdhëm me e adhurue». 3 Kur mbreti herod mori vesh, u tremb ai e mbarë Jerusalemi me të. 4 Bashkoi të gjithë kryepriftënt dhe shkruesit e popullit, që të hetohej prej tyne ku duhej të lindte Krishti. 5 Ata i thanë: «Në Betlehem të Judesë. Kështu shkruen profeti:
6 E ti, Betlehem, truell i Judesë,
s'je kurrsesi ma i vogli ndër prijësit e Judës,
se prej teje do të dalë një prijës,
që do ta kullosë popullin tim, Izraelin».
7 Atëherë Herodi, tinëz, thirri magjistarët e mori vesh prej tyne me hollësi kohën kur ishte dukë ylli. 8 I nisi në Betlehem e u tha: «Shkoni e hetoni imtësisht për foshnjen. Sapo ta gjeni, më njoftoni, që të vij edhe unë me e adhurue». 9 Kur ndëgjuen mbretin, shkuen. Dhe, ja, ylli që kishin pa në lindje po u printe, derisa erdhi e u ndal sipër vendit ku ishte foshnja. 10 Kur panë yllin, u banë krejt shend e verë. 11 Hynë në shtëpi dhe panë foshnjen me Marinë, nanën e tij. Atëherë u përkulën dhe e adhuruen. Hapen thesaret dhe i parashtruen dhurata: ar, kem e mirrë. 12 Të joftuem në andërr mos me u kthye te Herodi, u larguen drejt vendit të tyne nëpër një tjetër rrugë.
Arratisja në Egjipt
13 Mbasi u nisën, ja, një engjëll i Zotit iu duk në andërr Jozefit e i tha: «Çohu, merr foshnjen me nanën e tij, shko në Egjipt e rri atje der kur të them unë. Herodi asht tue e kërkue foshnjen për me e vra». 14 Ai u çue, mori foshnjen me të amën që me natë dhe u largue për në Egjipt. 15 Ndejti atje deri ku i erdhi fundi Herodit, që të plotësohej çka qe thanë prej Zotit me anë të Profetit: Prej Egjiptit e thirra tim bir.
Therja e foshnjeve
16 Kur Herodi e kuptoi se magjistarët ishin tallë me të, u tërbue së tepri dhe nisi një dërgatë me vra të gjitha foshnjet dy vjeç e poshtë, në Betlehem e në të gjitha rrethinat e tij, në përkim me kohën që e dinte hollësisht prej magjistarëve. 17 Atëherë u plotësue çka qe thanë prej Jeremisë profet:
18 Një za u ndie në Ramah,
vaj e gjamë e madhe.
Rakela vajton fëmijët e vet
e nuk don me u ngushëllue,
se nuk janë ma.
Kthimi nga Egjipti
19 Kur Herodit i erdhi fundi, ja, një engjëll i Zotit iu duk në andërr Jozefit, në Egjipt, 20 e i tha: «Çohu, merr foshnjen me nanën e saj dhe shko në Izrael. Ata që kërkonin t'ia merrnin shpirtin foshnjes kanë dekë». 21 Ai u çue, mori foshnjen me të amën dhe hyni në dheun e Izraelit. 22 Kur ndëgjoi se Arkelau mbretnonte në Jude në vend të atit të vet Herodit, pati drojë me shkue atje. Atëherë u njoftue në andërr me shkue në krahinën e Galilesë. 23 Shkoi e banoi në qytetin e quejtun Nazaret, që të plotësohej çka qe thanë prej profetëve: «Do të thirret nazareas».
KAPTINA II.
1 Edhe Iesui mbassi leu ndë Bethleem të Iudesë, ndë ditt të mbëretit Herodit, qe ku erthnë ndë Ierusalemë do magji prei të Lemit diellit,
2 e thoshinë: Ku ashtë mbëreti i Iudevet, qi ka lemë? Sepse pam yllin’ e ati ndë të Lemit diellit, edhe erthmë me e adhuruem.
3 Edhe mbëreti Herodi kur ndëgjoi, u përzie, edhe gjithë Ierusalema bashkë me atë.
4 Edhe si mbëlodhi gjithë Kryepriftënit’ edhe Shkruisit’ e popullit, pyeste me marrë vesht prei atyneve, ku leu Krishti.
5 Edhe ata i thanë: Ndë Bethleem të Iudesë, sepse kështu ashtë shkruem prei anësë profetit:
6 “Edhe ti Bethleem, dheu i Iudesë, as-pak nukë je e vocërr ndër zotënit e Iudesë, sepse prei teje ka me dalë nji i parë, i cilli ka me kullotunë popullin t’em Israelinë”.
7 Atëherë Herodi thiri pshefas magjitë, e muer vesht mirë prei atyneve kohën’ e yllit, qi ishte dukunë.
8 Edhe i dërgoi ndë Bethleem, e tha: Shkoni, e shikoni mirë për dialinë, edhe mbassi ta gjeni, më nepni za, qi të vij edhe unë me e adhuruem.
9 Edhe ata si ndëgjuenë mbëretinë, votnë, edhe qe ylli, qi panë ndë të Lemit diellit, te po printe përpara atyneve, deri sa erdhi, e ndeiti sipër ku ishte diali.
10 Edhe ata kur pan’ yllinë, u gëzuenë, me gëzim të math fort.
11 Edhe si erthnë ndë shtëpit, gjetnë dialinë bashkë me Marinë t’amënë, edhe ranë mbë dhe, e adhuruenë, edhe hapnë thesoret’ e veta, e i prunë dhunëtia, ar, e kem, e mirrë.
12 Edhe si u diftue atyneve nd’andërrë prei Perëndisë mos me u këthyem tek Herodi, iknë e votnë prei nji tietër’ udhe ndë vend t’atyne.
13 Edhe ata mbassi iknë, qe engjull’ i Zotit tek i duketë nd’andërrë Iosefit, e i thotë: Çohu, e merr me vetëhe dialin’ edhe t’amën’ e ati, edhe ikë ndë Misir, edhe ndalu atie, deri kur të thom, sepse Herodi ka me kërkuem dialinë për me e prishunë.
14 Edhe ai u çue, e muer me vetëhe dialin’ edhe t’amën’ e ati natënë, edhe iku ndë Misir;
15 edhe ndeiti atie deri mbë vdekët të Herodit, për me u mbushunë qish ashtë thanë prei Zotit me anë të profetit, qi thoshte: “Prei Misirit thirra t’em bir”.
16 Atëherë Herodi, kur pa se u gënjye prei magjivet, u zemërue tepërë; edhe dërgoi, e vrau gjithë dielmtë qi ishinë ndë Bethleem, e ndëpër gjithë nahiet e asai, prei dy vieç e teposhtë, mbas kohësë qi muer vesht mirë prei magjivet.
17 Atëherë u mbush qish ashtë thanë prei profetit Ieremisë, qi thoshte:
18 “U ndëgjue za ndë Rama, dënesë, e të qjamë, e anëkim shumë: Rahela qjante dielmt’ e vet, edhe s’donte me u ngushulluem, sepse nukë janë”.
19 Edhe si vdiq Herodi, qe engjull’ i Zotit tek i duketë nd’andërrë Iosefit ndë Misir, e i thotë:
20 Çohu, e merr me vetëhe dialin’ edhe t’amën’ e ati, edhe shko ndë dhe të Israelit, sepse kanë vdekun’ ata qi kërkoishinë jetën’ e dialit.
21 Edhe ai u çue, e muer me vetëhe dialin’ edhe t’amën’ e ati, edhe erdhi ndë dhe të Israelit.
22 Por kur ndëgjoi se Arqelau po mbëretënon ndë Iudet, ndë vend të Herodit të i atit, pat frikë me votun’ atie, por si iu sbulue nd’andërrë prei Perëndisë, iku nd’anët të Galilesë,
23 edhe erdhi, e nguli ndë nji qytet, qi thohetë Nazaret. Qi të mbushetë qish ashtë thanë prei profetënash: “se Nazoreas ka me u queitunë”.