Mbjellësi
1 Atë ditë Jezusi doli prej shtëpie dhe u ul pranë detit. 2 U mblodhën pranë tij turma të shumta, aq sa, mbasi hypi në një lundër, rrinte ulun, ndërsa turma në breg ishte më kambë. 3 Atëherë u foli shumëçka me shëmbëltyra. E tha: «Ja, një mbjellës doli me mbjellë. 4 Tue hedhë farat, një pjesë ra në rrugë, por erdhën shpendët dhe e përpinë. 5 Një pjesë tjetër ra në zallinë, ku nuk kishte shumë dhe. Buloi menjëherë se truelli nuk ishte i thellë, 6 por, kur doli dielli, u përcëllue dhe, tue mos pasë rranjë, u tha. 7 Një pjesë tjetër ra ndër ferra dhe ferrat u naltuen dhe e mbytën. 8 Një pjesë tjetër ra në tokën e bukur e dha fryt: kush njëqindfish, kush gjashtëdhjetlëfish e kush tridhjetëfish. 9 Kush ka veshë, të ndëgjojë».
Synimi i shëmbëlltyrave
10 Atëherë iu afruen nxanësit e i thanë: «Pse atyne u flet me shëmbëlltyra?». 11 Ai iu përgjigj: «Juve ju asht dhanë me i njohë mshehtësitë e mbretnisë së qiejve, por atyne nuk u asht dhanë. 12 Atij që ka, ka me iu dhanë e do t'i teprojë, por, atij që nuk ka, do t'i hiqet edhe ajo që ka. 13 Për këtë u flas me shëmbëlltyra atyne: që, tue pa, nuk shohin e, tue ndëgjue, nuk ndigjojnë, as përvetësojnë. 14 Me ta plotësohet profecia e Isaisë, që thotë:
Me ndigjue do të ndigjoni
e s'do të përvetësoni,
me pa do të shihni
e nuk do të shikoni,
15 se u trash zemra e këtij populli
e ndigjojnë me veshë të randuem.
Sytë e tyne janë mshelë,
që të mos shohin me sy
e të mos ndigjojnë me veshë,
të mos përvetësojnë me zemër e të kthehen,
për me i shërue.
16 Por, lum sytë tuej, se shohin, e veshët tuej, se ndigjojnë. 17 Vërtet po ju them se shumë profetë e të drejtë dëshiruen me kundrue çka kundroni ju e nuk e kunduruen dhe me ndigjue çka ndigjoni ju e nuk e ndigjuen».
Domethania e shëmbëlltyrës së mbjellësit
18 «Ju, pra, e ndigjuet shëmbëlltyrën e mbjellësit. 19 Të gjithë ata që e ndëgjojnë fjalën e mbretnisë e nuk e përvetësojnë, vjen i ligu dhe plaçkit çka u asht mbjellë në zemër. Këtë përfaqëson çka asht mbjellë anës së rrugës. 20 Çka asht mbjellë në zallinë asht ai që e ndëgjon fjalën dhe e merr menjëherë me hare, 21 por nuk ka rrajë në vetvete, përkundër, asht i kohëluejtun. Bie në pengesë menjëherë kur ndodh ndonjë pikëllim a përndjekje për shjkak të fjalës. 22 Çka asht mbjellë ndër ferra, asht ai që e ndëgjon fjalën, por ankthet e kohës e joshja e pasunisë e mbysin fjalën e ajo bahet shterpë. 23 Çka asht mbjellë në tokë të bukur, asht ai që, tue e ndëgjue fjalën, e përvetëson. Ai lidh fryt dhe jep kush njëqindfish, kush gjashtëdhjetëfish, kush tridhjetëfish».
Egjra e gruni
24 Ai u parashtroi një tjetër shëmbëltyrë: «Mbretnia e qiejve i ngjan një njeriu që mbjell farën e bukur në arën e vet. 25 Por, ndërsa njeriu flinte, erdhi armiku i tij, mbolli përsipër egjrën në mes të grunit e u largue. 26 Kur buluen, kërcelli dha fryt. Atëherë u duk edhe egjra. 27 Shërbëtorët iu afruen kryeshtëpiakut e i thanë: "Zotni, a nuk mbolle farë të bukur në arën tande? Tani, prej ku e ke egjrën?". 28 Ai u tha: "Një njeri armik e bani këtë". Shërbëtorët i thonë: "A dëshiron, pra, të shkojmë e t'i harrim?". 29 Por ai tha: "Jo, që, tue harrë egjrën, të mos shkulni grunin bashkë me të. 30 Leni të rritën të dyja bashkë deri në të korra dhe, në kohën e të korrave, do t'u them korrtarëve: harrni ma parë egjrën e lidheni në duajë, për me i djegë. Kurse grunin mblidheni në ahrin tim"».
Fara e sinapit dhe tharmi
31 U parashtroi edhe një shëmbëlltyrë tjetër e tha: «Mbretnia e qiejve i ngjan një fare sinapi, që një njeri e mori dhe e mbolli në arën e vet. 32 Ajo asht ma e vogla ndër të gjitha farnat, por, kur rritet, asht ma e madhe se perimet e bahet pemë, aq sa vijnë zogjtë e qiellit e venë foletë në degët e tij».
33 Ai u tregoi edhe një tjetër shëmbëlltyrë. «Mbretnia e qiejve i ngjan tharmit, që një grue e mori dhe e mshehu në tri masa mielli, derisa ta mbrunte krejt».
Dobia e shëmbëlltyrave
34 Të gjitha këto Jezusi ua tha me shëmbëlltyra turmave e pa shëmbëlltyra nuk u thonte asgja, 35 që të plotësohej çka asht thanë me anë të profetit:
Do ta hap gojën me shëmbëlltyra,
do të shpall të mshehtat qysh prej fillimit të botës.
Shtjellimi i shëmbëlltyrës së egjrës
36 Atëherë Jezusi i la turmat e erdhi në shtëpi. Nxanësit e tij iu afruen e i thanë: «Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës». 37 Ai u përgjigj e tha: «Ai që mbjell farën e bukur asht biri i njeriut. 38 Ara asht bota, ndërsa fara e bukur janë bijtë e mbretnisë, porse ergjra janë bijtë e të ligut. 39 Armiku, që i mbolli, asht djalli. Të korrat janë e sosmja e botës, kurse korrtarët janë engjëjt. 40 Sikurse harret egjra e digjet me zjarr, njësoj do të jetë në të sosun të botës. 41 Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet e ata do të harrin prej mbretnisë së tij të gjitha bjerrjet e ata që kryejnë mbrapshtina 42 dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrtë. Atje do të ketë vaj e kërcëllim dhambësh. 43 Atëherë të drejtët do të vezullojnë si dielli në mbretninë e Atit të tyne. Kush ka veshë, të ndigjojë».
Të tjera shëmbëlltyra
44 «Mbretnia e qiejve i ngjan një thesari të mshehun në arë, të cilin një njeri, mbasi e gjeti, e mshehu dhe, i shtymë prej hareje, shkon e shet gjithë ç'kishte dhe blen atë arë.
45 Prapë, mbretnia e qiejve i ngjan një tregtari që asht tue kërkue perla të bukura. 46 Mbasi gjeti një margaritar të shetrenjtë, shkoi, shiti gjithë ç'kishte dhe e bleu.
47 Prapë, mbretnia e qiejve i ngjan një rrjete të hedhun në det, që ka mbledhë çdo lloj peshku. 48 Mbasi u mbush, e nxorën në breg, u ulën e të kandshmit i mblodhën në një kovë, kurse të çartunit i hodhën jashtë. 49 Kështu do të jetë në të sosun të botës. Do të dalin engjëjt, do t'i ndajnë të ligjtë nga të drejtët 50 e do t'i hedhin në furrën e zjarrtë. Atje do të ketë vaj e kërcëllim dhambësh».
Shkresari i mbretnisë
51 «A i përvetësuet të gjitha këto?» I thanë: «Po». 52 E ai u tha: «Çdo shkresar i mësuem me mbretninë e qiejve i ngjan një kryeshtëpiaku, që nxjerr nga thesari i vet risi e vjeturina».
Dëbimi nga Nazareti
53 Mbasi Jezusi i kreu këto shëmbëlltyra, u nis prej andej. 54 Kur erdhi në vendlindje, i mësonte nëpër sinagogat e tyne, aq sa, të mahnitun, thonin: «Nga i vijnë kjo urti e këto fuqi? 55 A nuk asht ky i biri i zdrukthëtarit? A nuk i thonë nanës së tij Mari e a nuk janë vëllaznit e tij Jakobi, Jozefi, Simoni e Juda? 56 Edhe motrat e tij, a nuk janë të gjitha ndër ne? Prej kah i vikan këtij të gjitha këto?». 57 E birreshin për shkak të tij. Por Jezusi u tha: «Profeti nuk mbetet pa nder, përveçse në atdhe e në shtëpinë e vet». 58 E, prej mosbesimit të tyne, nuk kreu aty shumë vepra të fuqishme.
KAPTINA XIII.
1 Edhe mb’atë ditë Iesui si duel prei shtëpisë, rrinte përanë detit.
2 Edhe u mbëlothnë tek ai shumë gjindëje, kaqi sa hyni ndë lundrët, me ndenjunë; edhe gjithë gjindëja rrinte ndë buzë të detit.
3 Edhe ai u foli atyneve shumë me parabulla, tue thanë: Qe mbiellësi te duel me mbiellë;
4 edhe tue mbiellë, disa fara ranë përan’ udhësë, edhe erthnë shpendëtë, e i hangrën të gjitha;
5 edhe të tiera ranë mbi gurishta, ku s’kishte dhe shumë, edhe përnjiherë binë, sepse s’kishte dhe të thellë,
6 por kur leu dielli, u dogjën; edhe mbassi s’kishinë rranjë, u thanë.
7 Edhe të tiera ranë ndër drizat, edhe u rritnë drizatë, e i mbytnë.
8 Edhe të tiera ranë mbë dhe të mirë, edhe nepshinë pemë, njiana nji qind, e tietra gjashtë-dhetë, e tietra tri-dhetë.
9 Ai qi ka veshë me ndëgjuem, le të ndëgjojë.
10 Edhe dishepujt’ erthnë përanë, e i thanë: Përse u flet atyneve me parabulla?
11 Edhe ai u përgjeq, e u tha atyneve: Sepse mbë ju ashtë dhanë me marrë vesht të mpsheftat’ e mbëretënisë qillvet, por mb’ata nuk’ ashtë dhanë.
12 Sepse ai qi ka, do t’i nepet’ edhe ma , edhe do të teprohetë, por ai qi s’ka, edhe qish të ketë, do të mirretë prei ati.
13 Përandai u flas atyneve me parabulla, sepse tue pamë, nuk shofinë; edhe tue ndëgjuem, nukë ndëgjojnë, as nukë marrinë vesht.
14 Edhe mbushetë mb’ata profezia e Isaisë, qi thoshte: “Me ndëgjim keni me ndëgjuem, por s’keni me marrë vesht; edhe tue pamë do të shifni, por s’keni me pamë,
15 sepse u trash zemëra e këtij populli, edhe ndëgjuenë randë me veshët, edhe mbyllnë syt’ e vet, qi të mos shofinë ndonjiherë me sytë, edhe të ndëgjojnë me veshët, edhe të marrinë vesht me zemrënë, edhe të këthehenë, qi t’i shëndosh”.
16 Por juve të lumunë janë sytë, se shofinë, edhe veshëtë tuei, se ndëgjojnë.
17 Sepse për të vërtet po u thom juve, se shumë profetën edhe të dreitë dëshëruenë me pamë sa shifniju , por nukë panë; edhe me ndëgjuem, sa ndëgjoni ju , por nukë ndëgjuenë.
18 Ju pra ndëgjoni parabullën’ e mbiellësit.
19 Kushdo qi ndëgjon fjalën’ e mbëretënisë, edhe s’e merr vesht, vien i keqi, edhe rrëmben atë qi ashtë mbiellë ndë zemërë t’ati. Këjo asht’ ajo qi u mbuell për-an’ udhësë.
20 Edhe qish u mbuell mbi gurishtat, kyi asht’ ai qi ndëgjon fjalënë, edhe përnjiherë e merr me gëzim;
21 por s’ka rranjë mbë vetëvetëhenë, andai ashtë për pak kohë; sepse kur bahetë shtrëngim a të ndiekunë për fjalënë, përnjiherë shkandalizohetë.
22 Edhe qish u mbuell ndër drizat; kyi asht ai qi ndëgjon fjalënë; por gaileja e kësai jete, edhe gënjimi i gjasë mbysinë fjalënë, edhe bahetë pa pemë.
23 Edhe qish u mbuell mbë dhe të mirë; kyi asht’ qi ndëgjon fjalënë, edhe e merr vesht; përandai ai bije pemë, edhe ban njiani nji qind, e tietri gjashtë-dhetë, e tietri tri-dhetë.
24 Nji tietër parabull’ u pruni atyneve, tue thanë: Mbëretënia e qillvet ashtë përgjaitunë me nji nieri qi mbuell farë të mirë nd’arë të vet.
25 Por tue fjetunë nierëzitë, erdhi anëmiku aty, edhe mbuell egjër ndërmiet grunit, edhe iku.
26 Por kur bini bari edhe bani pemë, atëherë u duk edhe egjëri.
27 Edhe shërbëtorët’ erthnë për-anë të zotit shtëpisë, e i thanë: Zot, nukë mbolle ti farë të mirë nd’arët tande? Kah duel pra egjëri?
28 Edhe ai u tha atyneve: Ndonji nieri anëmik ka bamë këte. Edhe shërbëtorët’ i thanë: Do pra të shkojm’ e të sgjedhim’ atë?
29 Por ai tha: Jo, sepse tue mbëledhun’ egjërinë, drujse mos shkulni gruninë përnjiherë me atë.
30 Lini të rritenë të dyja bashkë deri mbë të korrunit; edhe ndë kohë të korrunit kam me u thanë korrësavet: Mbëlithni ma përpara egjëratë, edhe i lithni dorëza për me i diegunë, por grunin’ e mbëlithni ndë grunar t’em.
31 Nji tietër parabull’ u pruni atyneve, tue thanë: Mbëretënia e qillvet përgjan me nji koqe senapi, të cillën’ e muer nji nieri, edhe e mbuell nd’arët të vet.
32 Ajo ashtë ma e vogëlë se gjithë faratë, por kur rritetë, ashtë ma e madhe se gjithë barënatë, edhe bahetë dru, kaqi sa vinë shpendët’ e qiellit, e rrinë ndë degat t’asai.
33 Nji tietër parabull’ u tha atyneve: Mbëretënia e qillvet përgjan me brumë, të cillin’ e muer nji grue, edhe e vu mbrenda ndë tre matësa mielli, deri sa u mbrum gjithë.
34 Këto të gjitha ua foli Iesui gjindëjesë me parabulla; edhe pa parabulla nuk’ u fliste atyneve,
35 qi të mbushetë qish ashtë thanë prei profetit, qi thoshte: “Kam me hapunë gojënë t’eme me parabulla; kam me folë të mpshefta prei çë kur se ashtë ngrefunë bota”.
36 Atëherë Iesui la gjindëjenë, e erdhi ndë shtëpit; edhe dishepujt’ e ati i erthnë për-anë, e thanë: Na difto parabullën’ e egjëravet arësë.
37 Edhe ai u përgjeq, e u tha atyneve: Ai qi mbiell farën’ e mirë asht’ i bir’ i nieriut;
38 edhe ara ashtë bota; edhe far’ e mirë janë të bijt’ e mbëretënisë; edhe egjëratë janë të bijt’ e të keqit;
39 edhe anëmiku qi mbuell ato ashtë dialli; edhe të korrunit asht’ e mbrapmeja jetësë; edhe korrësatë jan’ engjujtë.
40 Sikurse pra mbëlidhen’ egjëratë, edhe digjenë ndë ziarrm, kështu ka me qenë mbë të mbrapmen’ e kësai jete.
41 I bir’ i nieriut ka me dërguem engjujt’ e vet, edhe ka me mbëledhunë prei mbëretënis’ ati gjithë shkandujtë, edhe ata qi punojnë pa ligjë;
42 edhe kanë me i hedhunë ndë furrë të ziarrmit; atie ka me qenë të qjamit’ edhe të dridhunit’ e dhambëvet.
43 Atëherë të dreitëtë kanë me ndritunë si dielli ndë mbëretënit të Atit vet. Ai qi ka veshë me ndëgjuem, le të ndëgjojë.
44 Për-së-ri mbëretënia e qillvet përgjan me nji thesore mpshefunë nd’arë, të cillënë kur e gjeti nji nieri, e mpshefi; edhe prei gëzimit vet vete e shet gjithë qish ka, edhe blen atë arë.
45 Për-së-ri mbëretënia e qillvet përgjan me nji nieri tregëtar, qi kërkonte margaritarë të mirë;
46 ai kur gjeti nji margaritar shumë të ndershim, voiti e shiti gjithë sa kishte, edhe e bleu.
47 Për-së-ri mbëretënia e qillvet përgjan me nji rretë qi u hoth ndë det, edhe mbëlodhi çdo fare gjaje ;
48 edhe si u mbush, e nxuernë ndë buzë të detit, edhe ndeitnë, e mbëlothnë të miratë nd’enë, edhe të këqiat’ i hodhnë jashtë.
49 Kështu ka me qenë mbë të mbrapmen’ e jetësë: kanë me dal engjujtë, edhe kanë me damë të këqijtë prei të dreitëve, edhe kanë me i hedhunë ndë furrë të ziarrmit;
50 atie ka me qenë të qjamit’ edhe të dridhunit’ e dhambëvet.
51 Iesui u thot’ atyneve: Muertë vesht këto të gjitha? I thonë: Po, Zot.
52 Edhe ai u tha atyneve: Përandai çdo Shkruis qi ka mbushunë punët e mbëretënisë qillvet, përgjan me nji nieri zot shtëpie, qi nxier prei thesoresë vet gjaja të reja, edhe të vietëra.
53 Edhe Iesui mbassi mbaroi këto parabulla, iku prei andej.
54 Edhe si erdhi ndë dhe të vet, mësonte ata ndëpër synagogat e atyneve, kaqi sa mërekulloheshinë, e thoshinë: Kah i erdhi këti këjo dituni, e këto fuqia?
55 Nuk’ ashtë kyi i bir’ i mieshtrit qi ndërton? E am’ e ati nukë thohetë Mariam, edhe të vëllazënit’ e ati Iakob, edhe Iose, edhe Simon, edhe Iudë?
56 Edhe të motërat’ e ati nukë janë të gjitha ndër ne? Kah i erthnë pra këti këto të gjitha?
57 Edhe shkandalizoheshinë mb’atë. Por Iesui u tha atyneve: Nuk’ashtë profet i pa-ndershim kurkundi , veç ndë dhet të vet, e ndë shtëpit të vet.
58 Edhe nukë bani atie shumë mërekullia, për pabesënin’ e atyneve.