Shërimi i një të paralizuemi
1 Ai hyni në lundër, kaloi matanë dhe shkoi në qytetin e vet. 2 Dhe, ja, po i sillnin një të paralizuem, të shtrimë në një vig. Jezusi vuni re besimin e tyne dhe i tha të paralizuemit: «Guxim, bir! Të janë falë mëkatet». 3 E, ja, disa prej shkruesve thanë me vete: «Ky po blasfemon».
4 Tue i njohtë mendimet e tynë, Jezusi tha: «Pse mendoni ligësina në zemrat tueja? 5 Çka asht ma e kolljashme, me thanë "Të janë falë mëkatet", apo "çohu dhe ec"? 6 Por, që ta dini se biri i njeriut e ka pushtetin me i falë mëkatet mbi dhe, atëherë i tha të paralizuemit: "Çohu, merre vigun e shko në shtëpinë tande"». 7 Dhe ai u çue e shkoi në shtëpinë e vet. 8 Turmat panë e u tutën. Mandej lëvduen Hyun, atë që u kishte dhanë një pushtet të tillë njerëzve.
Thirrja e Mateut
9 Tue kalue andej, Jezusi vërejti një njeri ndenjun në tagërtore, i cili quhej Mate. Atëherë i tha: «Më ndiq mue». Ai u ngrit dhe e ndoqi. 10 Kur ai ishte ulë në tryezë në shtëpi, ja, vinin shumë tagrambledhës e mëkatarë, që uleshin të tryezë me Jezusin e me nxanësit e tij. 11 Tue vërejtë këtë, farisejtë u thoshin nxanësve të tij: «Pse mësuesi juej han me tagrambledhësit e me mëkatarët?». 12 Por ai ndigjoi e tha: «Nuk kanë nevojë të shëndoshëtit për mjekun, por ata që kanë lëngata. 13 Shkoni e mësoni çka don me thanë: Mëshirën dëshiroj e jo blatimin . Nuk erdha me thirrë të drejtët, por mëkatarët».
Njinesa
14 Atëherë iu avitën nxanësit e Gjonit i thanë: «Pse ne e farisejtë njinojmë shumë, kurse nxanësit e tu nuk njinojnë?». 15 Jezusi u tha: «A munden me mbajtë zi dasmorët derisa dhandrri të jetë me ta? Por do të vijnë ditët kur do t'u hiqet dhandrri e atëherë do të njinojnë. 16 Askush nuk qep një arnë pëlhure të re në një petk të vjetër, se arna e tij e tërheq petkun e grisja bahet ma e keqe. 17 Askush nuk qet venë të re në rrëshiqë të vjetër që të mos plasin rrëshiqët, se edhe vena derdhet, edhe rrëshiqët prishen. Por, venën e re e qesin në rrëshiqë të rij e ruhen të dyja bashkë».
Ngjallja e një vajze dhe shërimi i një grueje
18 Kur po u tregonte këto, erdhi një kryesues tue u përkulë para tij e tue thanë: «Bija ime sapo vdiq, por, eja e ven duert mbi të e do të jetojë». 19 Jezusi u çue dhe e ndoqi me nxanësit e vet. 20 Dhe, ja, një grue, që humbte gjak prej dymbëdhjetë vjetëve, iu afrue nga mbrapa dhe i preku kindin e zhgunit. 21 Ajo thoshte me vete: «Sikur vetëm t'i prek zhgunin, do të shpëtoj». 22 Jezusi u soll dhe, tue e pa, tha: «Guxim, bijë! Besimi yt të shpëtoi». E grueja shpëtoi që prej asaj here. 23 Kur Jezusi hyni në shtëpinë e kryesuesit dhe pa fyelltarët e turmën zhurmuese, 24 tha: «Largohuni, se vashëza nuk ka vdekë, por po flen». Ata e përqeshnin. 25 Kur u nxor turma, hyni, e mori për dore dhe vashëza u çue. 26 Kësaj ndodhie i doli zani në tanë ato troje.
Shlërimi i të verbtëve
27 Kur po kalonte prej andej, Jezusin e ndoqën dy të verbët, tue bërtitë: «Ki mëshirë për ne, biri i Davidit!». 28 Mbasi hynë në shtëpi, të verbëtit iu afruen e Jezusi u tha: «A besoni se mundem me e ba këtë?». I thanë: «Po, o Zot!». 29 Atëherë u preku sytë, tue thanë: «Ju ndodhtë simbas besimit tuej!». 30 Dhe atyne iu hapën sytë. Jezusi i urdhnoi rreptësisht: «Ruhuni, që të mos e dijë askush!» 31 Por ata dolën dhe e hapën kumtin në tanë ato troje.
Shërimi i shurdhmemecit
32 Por, kur ishin tue dalë, ja, i sollën një të pagojë të djallosun. 33 Kur u nxor djalli, i pagoji foli dhe turmat u mahnitën, tue thanë: «Diçka e tillë nuk asht shfaqë kurrë në Izrael». 34 Kurse farisejtë thoshin: «Në saje të kryetarit të djajve i nxjerr djajtë».
Të korrat janë të shumta
35 Jezusi i përshkoi të gjitha qytetet e fshatnat, tue mësue nëpër sinagogat e tyne, tue kumtue ungjillin e mbretnisë dhe tue shërue çdo sëmundje e çdo lëngatë. 36 Tue vërejtë turmat, pati dhembshuni për ta, se ishin të ngacmueme e të ligështueme, porsi delet që nuk kanë bari. 37 Atëherë u tha nxanësve të vet: «Të korrat janë të shumta, por punëtorët, të paktë. 38 Lutjuni, pra, të zotit të të korrave, të nxjerrë punëtorë në të korrat e veta».
Shërimi i të paralizuarit
(Mk 2.1-12Lk 5.17-26)1 Si hipi në varkë, Jezui kaloi në bregun tjetër dhe erdhi në qytetin e vet. 2 Atëherë i sollën një të paralizuar, të shtrirë në një vig. Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Merr zemër, biri im, të janë falur mëkatet». 3 Disa nga shkruesit thanë me vete: «Ky po fyen Perëndinë». 4 Meqenëse Jezui i njihte mendimet e tyre, u tha: «Pse keni këto mendime të këqija në zemrat tuaja? 5 Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet” apo të thuash “ngrihu dhe ec”? 6 Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!». 7 Ai u ngrit e shkoi në shtëpi. 8 Kur panë këtë gjë, turmat i zuri frika dhe përlëvduan Perëndinë që u kishte dhënë njerëzve një pushtet kaq të madh.
Thirrja e Mateut
(Mk 2.13-17Lk 5.27-32)9 Si u largua prej andej, Jezui pa një njeri që rrinte ulur në bankën e tagrave. Ai quhej Mate. Jezui i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit e i shkoi pas. 10 Ndërsa ishin ulur për të ngrënë në shtëpinë e Mateut, erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, që u ulën në tryezë me Jezuin dhe me dishepujt e tij. 11 Kur panë këtë gjë, farisenjtë u thanë dishepujve: «Përse mësuesi juaj ha me tagrambledhës e me mëkatarë?». 12 Por kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. 13 Shkoni e mësoni çfarë do të thotë: dua mëshirë e jo flijime. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët».
Agjërimi
(Mk 2.18-22Lk 5.33-39)14 Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit e i thanë: «Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shumë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?». 15 Jezui u tha: «A mund të mbajnë zi dasmorët kur dhëndri është me ta? Por do të vijë dita kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin e atëherë do të agjërojnë. 16 Askush nuk vë një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, sepse arna e gris rrobën e grisja bëhet më e madhe. 17 Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se kacekët çahen, vera derdhet e kështu humbasin edhe kacekët. Prandaj, vera e re hidhet në kacekë të rinj e kështu ruhen që të dyja».
Prekja shëruese
(Mk 5.21-43Lk 8.40-56)18 Ndërsa Jezui po fliste me ta, iu afrua një kryetar sinagoge, që i ra në gjunjë e i tha: «Sapo më vdiq vajza, por eja vëri duart mbi të dhe ajo do të jetojë». 19 Jezui u ngrit e shkoi pas tij bashkë me dishepujt. 20 Dhe ja, një grua që vuante nga hemorragjia prej dymbëdhjetë vjetësh iu afrua nga pas dhe i preku cepin e gunës. 21 Sepse thoshte me vete: «Sikur t'i prek vetëm gunën, do të shpëtoj». 22 Jezui u kthye, e pa e i tha: «Merr zemër, bija ime, besimi yt të shpëtoi». Dhe që nga ai çast ajo grua u shërua. 23 Kur arriti te shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët e turmën e zhurmshme, 24 Jezui tha: «Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle». Por ata e përqeshën. 25 Kur e nxorën turmën përjashta, ai hyri, e mori vajzën për dore dhe ajo u ngrit. 26 Lajmi për këtë mrekulli u përhap në mbarë krahinën.
Shërimi i dy të verbërve
27 Kur Jezui u largua që andej, i shkuan pas dy të verbër që thërrisnin: «Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!». 28 Si arritën në shtëpi, të verbrit iu afruan dhe Jezui u tha: «A besoni se mund ta bëj këtë gjë?». Ata i thanë: «Po, o Zot!». 29 Atëherë ai u preku sytë e u tha: «U bëftë sipas besimit tuaj!». 30 Dhe atyre iu hapën sytë. Jezui i urdhëroi: «Kini kujdes se mos e merr vesh njeri». 31 Por ata, sapo dolën, e përhapën lajmin në mbarë krahinën.
Shërimi i një shurdhmemeci
32 Ndërsa po dilnin, i sollën një shurdhmemec që ishte i pushtuar nga djalli. 33 Kur u dëbua djalli, shurdhmemeci foli dhe turmat u mrekulluan e thanë: «Nuk është parë asnjëherë një gjë e tillë në Izrael». 34 Por farisenjtë thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve».
Dhembshuria e Jezuit
35 Jezui i përshkoi të gjitha qytetet dhe fshatrat duke mësuar njerëzit në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë e duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë. 36 Kur pa turmat, iu dhimbsën, sepse ishin të lodhura e të braktisura, si delet pa bari. 37 Atëherë u tha dishepujve: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorë ka pak. 38 Lutjuni të zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta».